Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Postmodernizmi dhe kriza globale
E merkure, 13.06.2012, 06:23 PM
Postmodernizmi dhe kriza globale
Nga Albert Vataj
Postmodernizmi
është një etapë veprimtarie estetiko-artistike, një fushë globale intelektuale
e kulturore, që tërheq në vakumin e idealit estetik nostalgjinë lodërtare,
ironike për gjithë qytetërimin modern dhe për avangardizmin e modernizmin,
madje edhe më gjerë. Ai është një lloj rindërtimi e revizionimi jo vetëm i
modernizmit, por edhe i gjithë historisë së kulturës artistike. Nga këndvështrimi
botëkuptimor i postmodernizmit bashkëkohësia dhe historia e kulturës i nënshtrohen
një vlerësimi ironik dhe një loje të përkorë absolute të fillesës estetike, që tërheq
jo vetëm kategoritë tradicionale të klasikës, por edhe të modernizmit. Por, ndërsa
këndvështrimi modernist i kthente kurrizin së kaluarës, duke iu përmbajtur të vetmit
kah drejt së ardhmes, postmodernizmi është i hapur për gjithë dimensionet e kohës,
me pikësynimin për të rindërtuar një formacion të qëndrueshëm e të plotfuqishëm,
që s‘mundi t‘i realizojë asnjë drejtim i njëanshëm i jetës dhe i kulturës
artistike. Postmodernizmi mëton të arrijë atë që nuk e arritën avangardizmi e
modernizmi nga që u mungoi urtësia globale e historisë së jetës, qenies dhe
kulturës, por sidomos edhe kënaqësia estetike e lojës dhe e ironisë. Nga një rikujtim
i disa varianteve të harruara të modernizmit, Postmodernizmi u kristalizua si
një premtim i madh për zgjerimin e hapësirës së lirë të jetës e qenies njerëzore,
por edhe drejt një ringjalljeje të kulturës artistike në momentet e krizës së modernizmit
dhe të globalizmit, duke vendosur në qendër të fushës së saj parime e koncepte,
të përftuara përmes revizionimit të historisë. Ky koncept është aq i gjerë sa që
për të përfshihen edhe fusha të tjera të qenies dhe ekzistencës së njerëzimit në
kushtet e globalizimit të shumanshëm botëror. “Termi postmodernizëm,-ka shkruar
esteti amerikan, Ihab Hasan,- “vuan” nga një lloj jostabiliteti semantik,
kuptimor; ndër dijetarët nuk ekziston një konsensus i qartë për kuptimin e tij.
Kështu, disa kritikë me termin posmodernizëm e mendojnë atë që të tjerët e qajnë
avangardizëm, por ka edhe asish që fenomenin e njëjtë e quajnë neo-avangardizëm,
por ka edhe të tillë që po këtë fenomen e quajnë thjesht - modernizëm”.
Shpresat
e Premtimit të Madh tashmë u formuluan e ekzistojnë interpretime të shumta e të
kundërta, deri n‘atë shkallë sa që tani ka ithtarë të tij që e shpallin të pamundur
një shpjegim të vetëm të thelbit të modernizmit, edhe si fushë e kulturës
artistike, edhe si mbulim jo vetëm nga pesimizmi, por edhe nga optimizmi i
relativizmit subjektivist për të pranuar pluralizmin e konceptimit të postmodernizmit
dhe për ta vlerësua atë ashtu siç është, një realitet i larmishëm, që po përcjell
zhvillimin tekno-kulturor të botës këto pesë dekadat e fundit. Tani problemi bëhet
edhe më i ndërlikuar, sepse nuk dyshohet më se etapa e posmodernizmit ka përfunduar
dhe në fillimet e shekullit XXI njerëzimi ndodhet në një situatë të re, edhe më
të komplikuar teknike, sociale, kulturore, shpirtërore, që po quhet
postnonklasike, një formacion i së ardhmes, që po përcillet jo vetëm me një kaos
terminologjik, kritiko-teorike, por edhe me shpërthime krizash ciklike të qytetërimit
bashkëkohor. Prandaj, tani diskutimet rreth postmodernizmit janë mbyllur dhe
tehu i tyre është drejtuar në shpjegimin e dukurive e proceseve të reja, që përfaqësojnë
të ardhmen e kulturës artistike të shek.XXI. Gjithsesi, ata që e studiojnë postmodernizmin
si një formacion historik, i japin një shtrirje shumë të gjerë në kohë e në hapësirë.
Një nga hulumtuesit më të përkushtuar ndaj historisë së postmodernizmit,
amerikani Ihab Hasan ka pranuar një moshë 150 vjeçare, duke përmendur përdorimin
e parë të termit “postmodernizëm” aty te viti 1870, kur u përdor nga artisti
britanik Joh Watkins Chapman dhe nga shkrimtari latino-amerikan Frederiko de
Onis, teksti i të cilit u botua në Spanjë më 1934. Por kuptimi i këtij termi ka
evoluar gjatë kontinuitetit e ndërprerjeve diskrete, të diakronisë dhe
sinkronisë deri sa u stabilizua pak a shumë përfundimisht si term që shënon një
formacion të veçantë artistik, që u shfaq në fillim të viteve ‘70 të shek. XX,
domethënë pas modernizmit. I. Hasan ka venë në dukje se deri edhe në dy-tre
dhjetëvjeçarët e fundit, termi postmodernizëm, nuk ka fituar një kuptim të vetëm
e të pranuar nga të gjithë të interesuarit dhe kjo vjen ngaqë, siç shprehet
studiuesi në fjalë, “sejcili përpiqet ta përcaktojë ashu siç i duhet sejcilit”,
për këtë arsye ndeshet një numër i madh përcaktimesh, që nisen nga kritere shumë
të ndryshme, të cilët e vështirësojnë edhe në ditët e sotme përcaktimin e
postmodernizmit.
Janë dhënë
përcaktime që nisen nga fenomene të ndryshme kulturore e artistike historike,
ose nga shfaqje të veçanta të reja ose më të hershme, por ka edhe përpjekje për
ta vlerësuar si një formacion me shtrirje globale e mbarëbotërore në 50 vitet e
fundit. Kështu, nga pikëpamja e autorëve në posmodernizmin përfshijnë Sternin,
Sadin, Blejkun, Lotramonin, Rembonë, Tzarë, Hofmajshtajn, Xhojsin e vonë, dhe
me radhë pastaj Paund, Russo, Batali, Borhes dhe Kafka etj… I. Hasani brenda tërësisë
së postmodernizmit dallon duke u nisur nga klasifikimi i D.Bellas, dy tendenca
që i ndan në liberale e autoritare, të cilat gjithsesi i lidhin veçoritë e
trajtave kryesore të këtij formacioni kulturor e artistik, sipas kushteve
ekonomike, politike e socio-kulturore të vendeve të liberalizmit borgjez dhe të
vendeve me regjime totalitare, diktatoriale e autoritare. Por ai jep të dhëna
interesante, që dëshmojnë për dallimet konceptuale të ideve kryesore ngaqë me
kuptimin e postmodernizmit janë marrë shumica e studiuesve kryesorë të shekullit
të fundit; sipas specifikimit të tij në të futen autorë që janë marrë me
tekstologji dhe semiotikë (Julia Kristeva, R.Eko), me hermeutikë (Pol Riker),
me pedagogji edukatë (Rolan Bar), me shizo-analiza (Zhil Delez), me utopizëm
virtual(Mishel Fuko), me gramatologji diferenciale(Zhak Derrida), me mutacionet
gjenetike(Lesli Filder) e shumë të tjerë. Gjithsesi, prirjet e gjithë këtyre
nuk është e mundur të sintetizohen në një përcaktim të vetëm e të përgjithshëm.
I.Hasan vë katër atribute cilësore të postmodernizmit, megjithëse, nuk
pretendon për të mbyllur me të debatet që vazhdojnë edhe në ditët tona: “Herezia,
heteromorfia, ekscentrizmi dhe indeterminizmi. Ne jetojmë në një univers njerëzor
dhe habitim njëri tjetrin me arritjen e marrëveshjeje të përbashkët. Kultura e
posmodernizmit varet ende edhe nga ky fakt” - ironizon në fund autori i kësaj
sinteze(?!).
Por siç ndodh
në përgjithësi, jehona e prirjeve të reja të qytetërimeve moderne arrijnë me
mjaft vonesë në zonat e vendeve të prapambetura, ky fenomen vihet re edhe në vendin
tonë, ku shkëputja e përshpejtuar e radikale nga monizmi dhe produkti i tij i “socrealizmit”,
na gjeti të papërgatitur për të përballuar kohën e humbur, gjë që duket në kaosin
e ideve estetike, që ndodhen në takimin e parë të dashurisë me ide dhe praktika
artistike kuazi të reja e në fakt të vjetra, që u përkasin pa ekzagjerim gati
dy shekujve të kaluar. Disa e ndjejnë veten “modernë” kur mësojnë diçka të re
mbi romantizmin ose simbolizmin, natyralizmin e impresionizmin. Të tjerë kapen
pas Shopenhauerit, Kierkegorit, Niçes, pasi janë ndarë si djalli nga temjani
bga izma të tjera, që i njihnin me të dëgjuar kryesisht dhe të vulgarizuar nga
ithtarë dogmatikë; të tjerë përpiqen të imitojnë kubizmin, futurizmin apo
surrealizmin, pasi prej tyre janë ndarë ndonjë shekull më parë autorët e këtyre
drejtimeve; dhe të tjerë që mendojnë se këto ditë është duke lindur modernizmi,
pale postmodernizmi, dëshmojnë se përqafimet e befta e të sinqerta me ta janë më
të përshpejtuar kur nuk njihen objektet e përqafimit. Ata që guxojnë të angazhohen
seriozisht në diskutimet mbi postmodernizmin shqiptar në shoqërinë tonë monisto-pluraliste,
nuk i njoftojnë lexuesit e tyre, si edhe redaktoret e brishta të gazetave dhe të
masmediave, se postmodernizmi u ka ikur nga duart dhe ka hyrë në histori. Ndoshta,
për këto arsye ne nuk duam ta përjashtojmë nga analiza tonë pas modernizmit
edhe pos apo pasmodernizmin.
Për të kuptuar
burimet e postmodernizmit, fatin e tij dhe të ardhmen bashkëkohore të kulturës
artistiko-estetike ne duam të përmendim një problem që është diskutuar, por që ka
interes të diskutohet më tej edhe te ne. E kemi fjalën për raportin midis
modernizmit e posmodernizmit: A janë e njëjta gjë apo janë dy formacione të ndryshme
njëri nga tjetri?
Në vitet ‘70-‘80
të shek.XX, kur postmodernizmi po dallohej si etapë e përveçme artistike, ai mbështetej
kryesisht në disa praktika të modernizmit, të cilat nuk patën sukses, ishin
harruar gjatë dekadave të marshimit të modernizmit, si avangardizmi, futurizmi,
naivizmi, ekzotizmi, dadaizmi, surrealizmi etj., që përfshiheshin në “modernizmin
e ulët, e parë” dhe që supozohej se nuk kishin arritur të ezauronin gjithë potencialin
e tyre të brendshëm, prandaj me këto variante radikale avangardiste,
moderniste, ithtarët e “modernizmit permanent” shpresonin t‘i jepnin një jetë të
dytë “modernizmit të lartë” tashmë disi të lodhur e të përgjumur. Ata që kishin
këto shpresa i përkisnin një brezi të ri studiuesish e krijuesish dhe përpjekjet
e tyre për të ringjallur modernizmin me imitime të reja të varianteve të harruara
të tij, nuk mbetën me kaq dhe, pasi u ëmbëlsuan me krijimet e tyre të para,
filluan të besojnë se po hynin në një etapë të re, domethënë po hynin në portat
e postmodernizmit.
Pra,
postmodernizmi në përgjithësi n‘atë kohë nuk përbënte ndonjë etapë të re
artistike të ndryshme nga modernizmi; ai po aktualizohej si një vazhdim i
drejtpërdrejtë i modernizmit në fundin e krizës së tij. “Postmodernizmi bashkëkohor,-
shkruan F.Jameson,- kudo mund të vështrohet si premtim i kthimit dhe i
rishpikjes, i rishfaqjes triumfuese, të një modernizmi të lartë të ri, të pajisur
me gjithë fuqinë e tij të mëparshme dhe me një jetë plot gjallëri”.
Veçse
duke mos sjellë në fillim ndonjë ripërtëritje e gjallërim të mirëfilltë të modernizmit,
ndonëse i ushqyer në grazhdin e ideve dhe të praktikave të tij, zu të dalë përtej
tyre dhe të pagëzojë një etapë të re. Në përgjithësi praktikat e
postmodernizmit u ndërtuan: së pari, duke ringjallur një varg konceptesh e
praktikash moderniste të së kaluarës, që s‘patën në kohën e tyre jetë të gjatë për
shkak të karakterit të tyre tejet ekstravagant, nihilist. Midis këtyre
praktikave postmodernizmi u mbështet veçanërisht në eksperimentimet anarkiste të
dadaizmit, i cili në vitet ‘20, për shkak të karakterit skandaloz, nuk pati përhapje
të gjerë. Së dyti, variantet e tjerë të postmodernizmit u ndërtuan duke i shpënë
deri në skajet ekstreme disa dukuri, që shfaqeshin në trajta të ndrojtura, të formalizmit
e natyralizmit modernist. Së treti, disa variante të postmodernizmit u ndërtuan
duke braktisur e goditur ligjet objektive estetike të përvetësimit artistik,
duke u luhatur sa në njërin për shpjegim të njëanshëm, aq në ekstremin tjetër të
kundërt dhe në bazë të pajtimit eklektik të koncepteve të kundërta. “Modernizmi
dhe postmodernizmi, -thotë Ihab Hasani,-nuk janë të ndarë me Perde të Hekurt
ose me Murin Kinez; shkaku se historia është si një palimpsese, edhe kultura e
përshkon kohën e kaluar, kohën e tashme dhe kohën e ardhshme”.
Duke mos
u formatuar, si një formacion i ndryshëm artistik e solid në krahasim me
modernizmin, ai nuk e mënjanoi krizën e modernizmit e të idealit social-estetik.
Kjo u shfaq edhe në faktin se modelet e postmodernizmit zëvendësoheshin me
shpejtësi të madhe njëri nga tjetri. Në qoftë se shkollat e para të modernizmit
e ruajtën ndikimin e tyre 2-3 dekada, variantet e postmodernizmit nuk arrinin t‘i
mbushnin as 3-4 vite. Shpejtësia e zëvendësimit nuk ishte shenjë vitaliteti,
por e shterpësisë krijuese, sepse nuk sillte vlera të qëndrueshme e të rëndësishme
të reja. Ato nuk mundën të ruanin ndikimin për një kohë të gjatë, falimentonin
shpejt dhe u lëshonin vendin modave të reja. Kriza e idealit mbeti. Ja se ç‘thotë
për shenjat e kësaj krize në librin e tij “Humanizmi i ri” esteti anglez B. Shvarc
për atë kohë të shfaqjes së postmodernizmit: “Ne jetojmë në mes të vlerave të rrënuara.
Njerëzit jetojnë në atmosferën e antagonizmave sociale, polarizimit, mjerimit,
racizmit, seksizmit, dhunës, fatkeqësive ekologjike dhe vdekjes shpirtërore. Vlerat
i ndërtojnë mbi gënjeshtrën, iluzionet dhe konsumin patologjik, në refuzimin e
gjithë të vërtetave të njohura”.
Duke e
ndjerë zbrazëtinë dhe mungesën e një themeli të vërtet burimor teorik, por edhe
praktik të modeleve të mëparshme, postmodernizmi shumë shpejt hoqi dorë nga
koncepsionet e praktikat e njohura moderniste dhe filloi përpunimi i një platforme
estetike e filozofike më të gjerë e më solide për ta mbajtur gjallë për një periudhë
më të gjatë kohe dhe si një formacion artistik e teorik i ndryshëm nga
platforma që kishte pasur “modernizmi i ulët”. Një varg ithtarësh të postmodernizmit
filluan të shkëputen nga modernizmi, duke e quajtur në fillim postmodernizmin
një revizionim të modernizmit, kurse më tej një formacion të ndryshëm prej tij.
Hapi i parë dhe më i rëndësishmi ishte kthimi i tij drejt historizmit. Kjo gjë zu
ta largojë disi nga lidhjet e drejtpërdrejta me modernizmin, duke kërkuar
burime të tjera më të vjetra. Kjo ka qenë një hapje e madhe e karakterit
metateorik në estetikën bashkëkohore dhe në praktikat sidomos të postmodenizmit.
Këtë kthesë e pat njoftuar Çals Xhenksi, i cili e paralajmëroi interpretimin e
postmodernizmit si një “regresion” të kapërcimit të përvojave dhe gjuhës së modernizmit,
si një kërkim gjuhësh të tjera të ndryshme nga ato të bashkëkohësisë, domethënë
përtej avangardizmit, për një “gjuhë historike”, për “shmangien nostalgjike nga
gjuha e modernizmit”. Kjo ishte një thirrje për të mohuar nihilizmin ndaj së kaluarës
artistike, estetike e kulturore, për të pranuar ndërtimin e postmodernizmit,
ose më mirë të gjithë kulturës moderne të shek.XX-XXI në bazë të përvojave të larmishme
pluraliste të gjithë historisë së kulturës artistike: “Me këtë, përkundër
bindjeve të kundërta, kundërshtarëve të tendencave të reja u është dhënë argumenti
se në fushën e arkitekturës konfirmohet ajo që mund të njihej si tendencë e përgjithshme
kah nostalgjia dhe, me këtë kah antimodernizmi. Barazimi midis historizmit dhe
artit, nga njëra anë, dhe regresionit nostalgjik në praktikën e përgjithshme
jetësore, nga ana tjetër, është bërë modeli themelor i teorisë së postmodernizmit”.
Nga ky
orientim metateorik kemi qenë nisur edhe ne, kur e kthyem vështrimin tonë nga e
sotmja drejt historisë së përgjithshme botërore të “Universit Estetik” I,II,III
dhe afirmimit të konceptit të një estetike integrale pluraliste, që përthith si
përvojat e klasikës, ashtu edhe të nonklasikës historike e bashkëkohore. Kjo do
të thotë se “Postmodernizmi është mirë të kuptohet njëherësh edhe si shembje, përmbysje
edhe si kontinuitet, vazhdimësi, ku të dy perspektivat janë edhe komplemetare,
edhe të përveçuara,- pohon I. Hassan.-Shikimi apolonian, i lartësuar edhe me
abstraksionin, vëren vetëm bashkimet historike; ndjenja dionisiane, e ndjeshme
deri në verbëri, prek vetëm momentin e përveçimit, ndarjes. Ndërkohë postmodernizmi,
përmes grishjes së njëkohshme të dy hyjnive, pajton të dy këto shikime. Identiteti
e diferenca, bashkimi dhe çarja, afria dhe revolta, të gjitha këto duhet të respektohen
nëse duam të merremi me histori, për të kuptuar njëkohësisht në dy aspekte: atë
të strukturës hapësinore, mentale dhe të rrjedhës kohore, fizike, atë të modelit
e të ndodhisë të rastit”.
Praktikat
që ekspozoheshin si modele të reja të posmodernizmit ringjallën modelet e “modernizmit
avangardist”, që kish të bënte me shembuj nga më ekstravagantet, ekscentrike, që
refuzonin gjithë traditat e klasikës si: pop-arti, arti kinetik, op-arti,
poezia konkretiste, aletërsia, arti kibernetik, teatri absurd, arti elektronik,
bodi-arti, kiç-arti, hiperrealizmi, arti pa barriera, fotorealizmi,
georealizmi, arti i Mohimit të Madh etj., por në këto modele po revizionoheshin
modifikoheshin konceptet e praktikat e modernizmit “të parë e të dyte”; pati
hapësirë edhe për disa variante tradicionale e të reja të neorealizmit, gjë që dëshmonte
për largimin përherë e më të ndjeshëm nga nihilizmi estetik. Në këtë kuadër
brenda postmodernizmit bashkekzistojnë përvojat e gjithë drejtimeve estetikisht
të vetëmjaftueshme, jo vetëm të varianteve të nonklasikës së mëparshme, por
edhe ekzistenca e llojeve më të reja të drejtimeve artistike. “Ne të gjithë jemi,
më duket, njëkohësisht nga pak viktorianë, modernë e posmodernë,-shkruan I. Hasani,-dhe
një shkrimtar mundet, gjatë jetës së tij, të shkruajë me lehtësi si vepra moderniste,
ashtu edhe ato postmoderniste. Krahasoni p.sh., “Portretin e artistit në rini” me
“Zgjimin e Fineganit” të Xhejms Xhojsit. Thënë më përgjithësisht, në një nivel
të caktuar të abstraksionit narrativ, ka mundësi që Modernizmi vetvetiu të asimilohet
drejtpërdrejt në Romantizëm, Romantizmi të lidhet me Iluminizmin, ky i fundit
me Renesansën, dhe kështu më tej, nëse jo deri tek Olduvai Xhorxhi, atëherë sigurisht
deri në Greqinë e lashtë”.
Por ky zë
zu të dëgjohej më fort dhe u bë më i fuqishëm opinioni i specializuar
profesional, se postmodernizmi përbën një formacion tashmë të hapur, të kristalizuar
edhe si mendim teorik edhe si praktikë artistike, madje edhe si dukuri
kulturore me perspektivë të madhe drejt së ardhmes. Ky opinion përcillet edhe
me një shpjegim më të thellë e më të argumentuar, duke e vlerësuar
postmodernizmin edhe si kapërcim të gjendjes së artit në krizë, edhe si një formacion
e përpjekje e re për të konturuar një epokë të re artistike, embrionet e së cilës
kanë lëshuar rrënjë në dekadat e fundit të shek.XX, por e cila do të determinojë
edhe shumë anë të fizionomisë së kulturës artistike, të mënyrës së jetesës, të mendimit
filozofik, politik, me një fjalë, të qytetërimit të pritmë në shek.XXI. Elementet
përbërëse, ingredientët e postmodernizmit tashmë shikohen jo vetëm, si filiza
fillestarë, por si rrugë magistrale e zhvillimit të kulturës artistike drejt së
ardhmes. Për shkak të një kuptimi të tillë pozitiv tani u jepet rëndësi jo vetëm
filizave artistike të postmodernizmit, por po aq edhe mendimit filozofik,
politik, kulturor e social, që po konsolidohen nën etiketën e postmodernizmit.
Është e vërtetë
se jemi dëshmitarë të kristalizimit të kontureve relativisht të qarta të një qytetërimi
të ri, në themelet e të cilit qëndron një bazë e re tekniko-materiale, me
sistemin e ri të mjeteve moderne të komunikimit (interneti, imeli, aparaturat
dixhitale, robotët etj.), me shpikje e zbulime të reja elektronike, shkencore e
teknologjike, që po ndryshojnë edhe sistemin e marrëdhënieve ekonomike të prodhimit
dhe të mënyrës së jetesës, që kompletohet edhe me politika të reja të afirmimit
të demokracisë e liberalizmit parlamentar, të drejtat e liritë e njeriut dhe me
të mira materiale e komoditete jetese të admirueshme, madje edhe me fenomene të
reja krizash ekonomike e sociale. Nëse po lind e po zhvillohet një qytetërim i
ri material, ai do të pjellë edhe një univers të ri kulturor, intelektual,
shpirtëror, prandaj edhe artistik, që mëton të jetë postmodernizmi. Ndonjë nga
studiuesit më të hershëm (Liotar) e ndonjë më i vonë (Frederik Xhemson), ashtu
si edhe Fuko pohojnë se ne jemi të përfshirë e jetojmë brenda një konteksti të ri
të të menduarit por edhe të të qenit. “Në vend të tundimit,-shkruan Xhemson,-se
a duhet denoncuar vetëkënaqësia e postmodernizmit, si një simptomë e fundit e
dekadencës ose duhen përshëndetur format e reja si paralajmëruese të utopisë së
re teknologjike dhe teknokrate, duket më i saktë vlerësimi i krijimit të ri
kulturor, duke u nisur nga hipoteza vepruese mbi modifikimin e përgjithshëm të vetë
kulturës dhe ristrukturimit social të kapitalizmit të vonë, si sistem”. Po të jetë
kështu, atëherë postmodernizmi, ndryshe nga modernizmi, po hedh shtat mbi
themele më solide transformimesh sociale materiale e kulturore dhe, për pasojë,
do të ketë një të ardhme të madhe, do të jetë kopertura e qytetërimit të ri. Për
këtë arsye ka mendimtarë, që i atribuojnë postmodernizmit funksionin e një utopie
të re në një kohë kur njerëzimi është zhgënjyer me “Metarrëfimet”, domethënë me
falimentimin e projekteve të mëdha të utopive të shek.XX. Afirmimi i
postmodernizmit do të jetë më i mundshëm mbi këtë bazë se sa ai i modernizmit,
i cili s‘arriti të bëhet zë i “socializmit real”, por jetoi brenda hapësirave të
kapitalizmit, si me thënë, “klasik”, dhe prandaj u gjet në shënjestrën e kryqëzimit
të goditjeve të njëhershme edhe si dukuri “borgjeze” edhe si dukuri “antiborgjeze”;
postmodernizmi kërkon një bazë më reale e më të gjerë në qytetërimin bashkëkohor
në rritje, duke qenë një shprehje e një diskontinuiteti në raport me kohën e
modernizmit, madje edhe me vetë këtë.
Duke e
parë si një formacion intelektual, shkencor, shpirtëror e artistik të lidhur
ngushtësisht me qytetërimin e ri, a mund të përfytyrohet ecja e tij përpara si
një marrshim triumfal, i pandalshëm, gjithnjë fitimtar, i pa rrezikuar nga asgjë
regresive dhe retrograde? Ndarja, përveçimi nga utopitë e falimentuara do të mjaftonte
që të nxirrej një mësim i madh, që të kuptohej se “progresi” nuk realizohet si
një vijë e drejtë, nuk është njëlinear me kah të vetëm nga poshtë lart; ai është
gjithnjë kontradiktor, realizohet nëpërmjet zigzagesh dhe luhatjesh herë përpara
e herë prapa; por kësaj ligjësorie të përgjithshme nuk mund t‘i shpëtojë as
qytetërimi i ri, që është i mbarsur jo vetëm me fitore, por edhe me humbje, që
është i rrezikuar nga konflikte të reja të pritme, por që mund të jenë më katastrofikë
e më pak të shmangshëm, siç janë ndotja ekologjike, shfrytëzimi irracional i
burimeve energjetike dhe i begative natyrore, dalja jashtë kontrollit njerëzor
të progresit shkencor e teknologjik, rreziqet që vijnë nga përparimi i shumanshëm
i informatikës dhe i inxhinierisë gjenetike, ndryshimet cilësore të klimës
planetare etj. Dhe s‘ka asnjë arsye të besojmë se edhe postmodernizmi nuk ka për
t‘u shpëtuar rreziqeve, që ngjallin dyshime qysh në hapat e para të zhvillimit
të tij.
Rreziqet
janë të shumëllojtë; njëri vjen nga ideja tunduese joshëse për ta përfytyruar
si një gjedhë apo model etern, të përjetshëm, të pakapërcyeshëm, të pashtershëm.
Përvoja historike tregon se modele absolute bukurie e arti s‘ka dhe s‘mund të ketë.
Prandaj, për të shmangur iluzionet e gabimet e ithtarëve fanatikë e entuziastë të
disa drejtimeve artistike moderniste, që e shpallnin secilin prej tyre si “revolucion
kopernikian”, si “përmbysje revolucionare”, si fillim i historisë së vërtetë të
kulturës artistike, që në të kaluarën është sorollatur nëpër hapësira të errëta,
të turbullta, që e ka humbur kot kohën e kaluar; kurse përvoja historike tregon
se stilet, etapat e reja artistike, i nënshtrohen ligjit të dialektikës, domethënë
kalojnë nga faza embrionale, në maja të lulëzimit e pastaj shterrin, veniten e
në fund të fundit, pavarësisht nga epërsitë që kanë pasur, u lëshojnë vendin
dukurive e prirjeve të reja, në qoftë se s‘kanë aftësi t‘u përshtaten
ndryshimeve të jetës ose të reformohen. Koncepti mbi karakterin historik,
relativ të artit do t‘ishte koncepti më i saktë për ta orientuar
postmodernizmin që të shmangte gabimet e përsëritura të së kaluarës, që të ishte
një formacion i hapur edhe për fundin e tij, edhe për risi të paparashikuara,
një integrim i klasikës dhe nonklasikës.