Kulturë
Xheladin Mjeku: Trilogji e orëve të historisë kombëtare
E diele, 03.06.2012, 03:05 PM
TRILOGJI
E ORËVE TË HISTORISË KOMBËTARE
Riza Greiçevci: “ORË E HISTORISË”- trilogji, botoi LSHK-Prishtinë, 2012
NGA XHELADIN MJEKU
Përvjetori
i madh i historisë kombëtare ka preokupuar të gjithë krijuesit, si në artet
pamore, kulturën muzikore, në letërsi dhe dramaturgji, për të sjellur para
opinionit vlerat e arritjeve të tyre. Në petkun festiv të jubileut të njëqind vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë vjen
edhe Trilogjia antologjike dhe letrare e Riza Greiçevcit “Orë historie”, që e përbëjnë
tre tituj të veçantë nga njëri-tjetri, si: 1. “Urtësi nga më të shquarit e
kombit”; 2. “Një tokë-një kokë” dhe 3. “Gjaku gatoi lirinë”, duke ruajtur
kushtimisht lidhjet tematike dhe thurjen funksionale të ngjarjeve dhe
veprimtarive të figurave dhe personaliteteve historike dhe kulturore të kombit,
që kontribuan në periudha kohore nga iliria e deri në ditët e sotme.
Kështu, që të tri veprat do t’i shqyrtojmë sipas radhës, si në prizmin tematik që prekin, ashtu edhe në shtjellimin e ngjarjeve dhe mendimeve të veprimtarëve të devotshëm të kauzës sonë kombëtare.
1. URTËSI NGA MË TË SHQUARIT E KOMBIT
Në librin
e parë me titull përcaktues “Urtësi nga më të shquarit e kombit”, që është e ndërtuar
në formën e antologjisë, bashkohen emra e personalitete të ndryshme, me thënjet e mençura, urtësitë, veprimet dhe
trimëritë, sakrificat e shumta dhe mesazhin
që përcjellin tek lexuesi i kohës sonë. Shquhet sidomos interesimi i
hartuesit që të prek sa më shumë tema e ngjarje të shtrira në kohë e periudha të
ndryshme, që në formë kronologjike pasqyrojnë ekzistencën e një fuqie
intelektuale dhe frymën e lirisë së kërkuar nëpër shekuj. Burime të rëndësishme për hartimin e këtyre
veprave duhet të kenë qenë thesaret e shumta të shkruara e të ruajtura në gojëdhana
e urtësi nga populli, në libra e dokumenta të rëndësishme historike, kujtime e
rrëfime të shumta, që si perla të kombit vijnë këtu të përqëndruara në një libër
që sjellin njohuri tek adhuruesi i kësaj pjese të kulturës dhe mendimit
filozofik të kultivuar për shekuj me radhë.
Këtu gjejmë të sistemuara shumë ngjarje, që kanë lënë
gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit shqiptar nga e kaluara e deri në ditët
e sotme, siç janë: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Alfabetit, Shkolla
e parë shqipe, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë; pastaj ngjarje në kohë dhe
vende të ndryshme, tashmë historike, si Kruja, Lezha, Vlora, Drenica, Prekazi,
Llausha e të tjera, që për qëllim kanë pasur gjithnjë shkundjen e robërisë shekullore
dhe krijimin e shtetit shqiptar. Poashtu
veçohen edhe emra e personalitete të përveçëm të sakrificës së kauzës
sonë kombëtare, që nga Teuta e Ilirisë e deri në zhvillimet e fundit të heroizmës
së madhe të Adem Jasharit dhe luftëtarëve të lirisë e Pavarësisë së Kosovës. Janë
këta emra si: Gjergj Kastrioti – Skëndrebeu, Lekë Dukagjini, Petro Nini
Luarasi, Abdyl dhe Naim Frashëri, Ismail Qemajl Vlora, Ali Pashë Gucia,
Themistolki Gërmenji, Ndre Mjedja, Bajram Curri, Hasan Prishtina e Isa
Boletini, Ali Pashë Tepelena, Gjergj Fishta,
Fan Noli, Azem Bejta e Shotë Galica, Mic Sokoli, Ahmet Delia, Xhemajl
Abria, Shaban Palluzha, Nëna Terezë, Anton Çetta, etj. Pastaj emra të cilët
veprojnë edhe tash me përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe zhvillimin e
atdheut, ndër të cilët shquhen Adem Demaçi, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Rifat
Jashari, etj, që paraqesin këtu një fuqi intelektuale të anagazhuar në vazhdimësi.
Pjesa e
dytë e librit, ku shtrohen pyetje për shumë ngjarje e personalitete, që i
gjasojnë një ankete për lexuesin që ta kthej kujtesën në të kaluarën,
konsiderohet si veçanti në hartimin e veprave të këtij lloji.
Kjo vepër
shquhet për vlerat e dyfishta, edhe si vlerë artistike, edhe si tematikë e veçantë,
që lexuesi do ta ketë si udhërrëfyes të një rrugëtimi historik të kauzës sonë kombëtare.
Shtrirja kohore që nga periudha e ilirëve e deri në Pavarësinë e Kosovës si një
pasqyrë e tejdukshme e zhvillimeve dhe bëmave të personaliteteve historike,
kombëtare dhe kulturore në realizimin e kauzës sonë në ndërtimin e shtetit si ëndërr
dhe qëllim gjithëkombëtar.
Kuvendimi
i burrave të kombit rreth një tryeze të Vendimeve historike vjen i organizuar
dhe i shtruar me përkujdesje të veçantë. Si rrallë në ndonjë vend tjetër, këtu
i takojmë të gjitha fytyrat më të shquara të kombit në një trung të historisë sonë
kombëtare, rreth një sofre të atdheut, e ndërtuar me mjeshtrinë artistike, duke
përkujtuar dhe njohur luftërat, sakrificat, trimëritë dhe kontributin e tyre për
mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë etnike, për mbrojtjen e gjuhës, djepit dhe
identitetit kombëtar.
Kështu,
hartuesi i kësaj antologjie ka prekur ndjeshëm dhe plot guxim sensin e idealeve
dhe personaliteteve në periudha të ndryshme kohore, duke sjellur para lexuesit
të kohës shumë fakte e dëshmi personalitetesh nga gjithë ato ngjarje, luftëra
dhe aktivitete të ndryshme historike dhe kulturore që për synim kishin çliriminë e atdheut.
2. NJË TOKË – NJË KOKË
Edhe në librin
e dytë “Një tokë - një kokë”, gjejmë arsye të qëndrueshme të ndalojmë për aq
kohë sa na mundëson zbërthimin e lëndës së prezantuar aty, në formën e të kuptuarit
të synimeve dhe mesazhit që frymon kjo vepër. Në titullin simbolik, ku përfaqëson një trung të vetëm të
etnisë me ndërlidhjen e kokës gjithkombëtare dhe bashkëveprimin nëpër histori në
forma dhe mundësi të ndryshme deri në realizimin e ëndrrës shekullore,
organizimi bëhet sipas kapitujve, ku sistemohen shkrime sipas shtjellimit të ngjarjeve
dhe interesimeve që tregon hartuesi,
duke i sjellur në formën e lidhjeve
kohore dhe vlerave të dëshmuara.
Derisa në
“Orën e historisë”, që është edhe fillimi i këtij libri Bubulina Laskarina, Idriz Seferi, Hil Mosi,
Dervish Hima, Sylejman Vokshi, Dedë Gjo Luli, Çerçiz Topulli, Mihail Grameno,
etj. vijnë të prezantuar në dialogje përmes bashkëbiseduesve, çoftë në shkollë,
në familje apo në takime rasti, ku për tematikë kanë zbërthimin e shumë enigmave
rreth emrave dhe figurave të ndryshme historike, shoqërore a kulturore, në kaptinën
“Biografi që s’plaken” autori sjell njohuri nga veprimtaritë e figurave historike dhe personaliteteve të kohërave
të ndryshme, duke dhënë njohuri për lexuesin e tij, rreth aktiviteteve dhe
vlerave të shumfishta të tyre. Këtu takojmë emra e personalitete si Elena
Gjika, Aleksandër Moisiu, Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Faik Konica, Luigj
Gurakuqi, Shtjefën Gjeçovi, Eqrem Çabej, Oso Kuka, Mic Sokoli, Sefë Kosharja,
Marie Shlaku, Tahir Berisha, Ymer
Berisha, Tahir Sinani, Esad Mekuli, etj. Në pjesën e shpjegimeve historike dhe
përkushtimeve “Ngjarje historike për t’u mbajtur mend” veçojmë shkrimet për
Flamurin kombëtar, për Shkollën Normale të Elbasanit, Lidhjen e Pejës, përkushtim
poetik për Fazli Greiçevcin, etj. që përafrojnë me pjesën e pyetësorit tek
libri i parë, si një testim i njohurive për data e ngjarje të ndryshme
historike.
Edhe kjo
vepër është e llojit të antologjisë, prandaj
shtrohet pyetja: sa në të vërtetë autori ia ka arritur qëllimit të prezantoj
vlerat antologjike të këtyre figurave dhe personaliteteve të kohës, në këto
vepra? Kësaj pyetjeje pa ndonjë mundim të madh për ta gjetur zgjidhjen iu
referohemi temave, ngjarjeve të shkëputura në fragmente nga autorë të shumtë, që
gjatë kohë i kemi takuar të shkruara e të prezantuara në libra e dokumenta të ndryshëm,
duke qenë edhe në shfrytëzim të përditshëm në aktivitete e ngjarje të shumta, që
bazuar në prezencën e këtillë janë transponuar në vlera të përhershme
popullore, të shumtën e herave duke lënë të mendohet se janë krijime e gojëdhëna,
pa mos e ditur burimin e vërtetë. Kjo tashmë heq dilemat për shumë gjenerata se
kemi të bëjmë me realitete të së kaluarës, që kanë personazhe e autor të njohur.
Nëse vërtetë është arritur që të sillet këtu gjithë ai thesar i mendimit dhe
veprimtarive si dëshmi e së kaluarës, nuk ka se si të mos ndihemi mirë me këtë thesar
të grumbulluar rreth një tryeze mendimesh ku akcili në versionin e vet mund të absorboj
vlerat dhe mendimet filozofike të dalura nga përvojat e mendjendriturve të kombit
tonë.
3. GJAKU GATOI LIRINË
Riza Greiçevci
sikur nuk mjaftohet me dy përmbledhjet antologjike me shkrime të larmishme me tematikë historinë. Për
të përmbushur këtë mesazh, sjell edhe librin e tretë, ku përmbledh përkushtimet
poetike nga krijimtaria e tij dhe një përzgjedhje poezish nga disa autor, që me
shkrimet e tyre i përkasin më përafërt këtyre ngjarjeve që përfaqësohen si emra
dhe vlera të periudhës së luftës së fundit, duke mos lënë jashtë edhe ngjarje
nga e kaluara po aq e lavdishme historike. Poezitë dhe poemat e përfshira në librin
e tretë “Gjaku gatoi lirinë” janë kryesisht
përkushtime heronjëve dhe dëshmorëve të luftës së fundit për çlirimin e
Kosovës, duke e paraqitur një pasqyrë më gjithëpërfshirëse të atyre që ishin
pjesë e kësaj periudhe plot vuajtje, trishtim dhe tortura nga më çnjerëzoret që
përjetuan, por edhe krenarinë, guximin dhe heroizmin e trimave liridashës që nuk
kursyen as jetën për të realizuar lirinë.
Portrete heronjësh e dëshmorësh, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Galica dhe Shaban Palluzha vijnë këtu si frymëzues të brezave për një luftë të parreshtur drejt çlirimit të trojeve etnike shqiptare pëllëmbë për pëllëmbë. Figurat si Shaban e Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Rasim Kiçina, Gani Elshani e të tjerë trima si këta, që për ideal kishin lirinë e atdheut skaliten mjeshtërisht nga pena e autorit, duke i kthyer në lapidarë të përjetësisë së lavdishme, që brezave ju lënë mesazhin e dashurisë për atdheun dhe lirinë. Poezitë kushtuar Abdyl Krasniqit dhe Ymer Elshanit dëshmojnë se autori i sheh personazhet e tij që i trajton në vargun poetik si të pandarë nga pjesa e lavdishme e kauzës sonë, vlerat e të cilëve gëzojnë vend meritor dhe respekt të veçantë për angazhimet dhe kontributin e pakontestueshëm për lirinë dhe pavarësinë, gjithsecili në kufinjtë e veprimtarive të tyre. Poezi të përzgjedhura nga opusi krijues i Mitrush Kutelit, që i paraprinë kësaj vepre, pastaj Zeqir Gërvallës, Dibran Fyllit, etj. e plotësojnë synimin e autorit që të paraqes një pasqyrë komplete të kësaj pjese të heroizmit dhe vyrtyteve të këtyre emrave liridashës dhe kontribues të pakontestueshëm në rrugën e lavdishme të lirisë.
4. PËRMBYLLJA SI BASHKUDHTIM NËPËR HISTORI
Trilogjia
antologjike dhe letrare “Orë historie” e Riza Greiçevcit është ndërtuar me përkushtim,
duke sjellur vlerat artistike, me një leksik të pastër, duke shfrytëzuar citate
e frazeologji të mjaftueshme, që paraqesin emblemën e kohës. Në poezinë që prezanton
këtu autori fton në bashkëveprim vargun lirik dhe epikën legjendare për të nxjerrur
fuqinë e poezisë me elemente këngësh për trima e trimëri të kësaj periudhe. Kjo
e bën më të qëndrueshme poezinë, duke ia ruajtur frymën e lirikës dhe funksionalizimin e saj në bashkëdyzim me
vargun epik, që kujtojnë krijimin e rapsodive dhe këngës për heroizmat dhe
lavdinë shekullore për çlirim nga zgjedha e huaj.
Por, sado
i përkushtuar rreth këtij projekti madhor, mbetet ende për tu lakmuar në realizimn
dhe përsosjen e trilogjisë, si veprimtari e
veçantë. Trilogjia si tërësi, prezanton mjaft të dhëna e dëshmi të kohës,
por asnjëherë në masën shterruese, meqë
kjo pjesë e veprimtarisë që preket këtu ende është e panjohur dhe e pa vjelur në
tërësi. Mjetet tjera përcjellëse në hartimin sa më komplete të antologjisë, si:
Fjala hyrëse, mbresat e lexuesit të parë (recensentit), fotografi e portrete
personalitetesh dhe të dhënat e autorit e kompletojnë njohurinë për më shumë se
kaq. Është paksa e tepërt prezenca e
biobibliografisë në të gjitha librat, kur kemi parasysh se trilogjia lexohet
dhe kuptohet si një tërësi. Megjithatë edhe kjo e ka arsyen e vet, kur lexohet
akcili libër në veçanti.
Sidoçoftë, mund të konkludohet se edhe aty ku vjen si
hartues antologjie, edhe si autor me krijimet e tij poetike, vlera dhe mesazhi
ia shpaguajnë mundin dhe angazhimet, me faktin se Riza Greiçevci ka sjellur një
thesar të shumtë nga pasuria e fjalës dhe mendimit të personaliteteve kombëtare.
Në përmbyllje
të krejt kësaj kujtojmë se që nga libri i parë, lexuesi do të mbetet bashkudhëtar
i denjë nëpër epokat historike, për të shfletuar dhe kuptuar në esencë atë që na
bën të ndihemi krenar si popull liridashës dhe paqësor këtu e shekuj me radhë.