Shtesë » Lajme
Dobruna: diaspora shtylla kryesore e zhvillimit
E merkure, 23.05.2012, 05:43 PM
Projektet nga Nisma
Ekonomike për Kosovën ( ECIKS), kanë rezultuar deri më tani në më shumë se 20
investime të huaja në Kosovë si dhe kanë përkrahur me shërbime profesionale mbi
400 investitorë potencial nga vendet e Evropës Perëndimore. ...shfrytëzojeni
ndihmën profesionale kur investoni në vendlindje.
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Në sferën e ekonomisë dhe
biznesit, tani kemi ekspertë të aftë, të angazhuar në shoqata dhe institucione
me renome në Europë. Në Vjenë tani dhjetë vite vepron me sukses shoqata, Nisma
Ekonomike për Kosovën (ECIKS) të cilën e drejton Mr.Kujtim Dobruna.
Fakti Ditor, zhvilloi një bisedë
rreth aktiviteteve aktuale të saj.
Fakti Ditor: Sa janë mërgimtarët tanë biznesmen aktiv në investime në Kosovë?
A investojnë kapitalin e tyre atje?
Një numër i madh i investimeve të huaja që vijnë aktualisht në Kosovë janë investime që gjenezën e tyre e kanë tek
diaspora. Diaspora pra po vazhdon të luaj një rol jashtëzakonisht të vlefshëm në
zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbetët shtylla kryesore e këtij zhvillimi. Është
shumë më rendësi që përpos dërgesave të rregullta të parave në Kosovë tani
diaspora ka filluar të investon në projekte që sjellin kthim të kapitalit dhe
kjo është një situatë nga e cila do të përfitojnë ata vet, familjet e tyre në
atdhe dhe ekonomia e Kosovës në përgjithësi.
Fakti Ditor: Shkurtimisht mbi veprimtarinë e juaj të fundit?
ECIKS ka themeluar një Komitet të Përkujdesjes me qëllim të rritjes së përkrahjes për investimet e huaja dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ky komitet i nivelit të lartë i përbërë
nga personalitete ndërkombëtare të jetës akademike, ekonomike, politike dhe
shoqërore do të përkrahë aktivitetet e ECIKS drejt promovimit të bashkëpunimit
ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Evropës Perëndimore.
Fakti Ditor: Cili ishte
efekti i konsultave, këshillimeve të organizuara nga Forumi Ekonomik Vjenez dhe
ECIKS , me qeveritarët nga vendlindja?
Që nga themelimi në vitin 2003,
ECIKS është angazhuar vazhdimisht në promovimin e investimeve të huaja në Kosovë
dhe në përkrahjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe vendeve të
Evropës Perëndimore. ECIKS ka implementuar disa projekte të rëndësishme për të
mirën e ekonomisë së Kosovës, përfshirë edhe promovimin e investimeve të huaja,
në emër të Agjencisë së Kosovës për Promovim të Investimeve (IPAK) dhe me
financim nga Qeveria e Austrisë.
Projektet e implementuara nga
ECIKS kanë rezultuar deri më tani në më shumë se 20 investime të huaja në Kosovë
si dhe kanë përkrahur me shërbime profesionale mbi 400 investitorë potencial
dhe partnerë afarist nga vendet e Evropës Perëndimore.
Qe këto projekte të bëhen të
mundshme, duhet të bëhet promovim i vazhdueshëm i vendit, veçmas kur kemi
parasysh faktin që Kosova vazhdon të ketë si sfidë imazhin e saj negativ në perëndim.
Prandaj edhe Forumi Ekonomi i Vjenës edhe konferenca e nivelit të lartë e
mbajtur në Berlin, me 7 mars 2012, synojnë krijimin e parakushteve për një
paraqitje sa më reale të gjendjes në Kosovë dhe për tërheqjen e investimeve të
huaja. Në bashkëpunim me IPAK dhe me mbështetjen e Qeverisë së Austrisë dhe
qeverive tjera perëndimore, besojmë që sukseset nuk do të mungojnë as në të
ardhmen.
Fakti Ditor: Komiteti i Përkujdesjes,
i formuar ku Lunacek, Busek etj. janë pjesë e tij, cila do jetë risia e tij,
efekti i tij konkret?
Me përvojën dhe me reputacionin e tyre të lartë, anëtarët e komitetit të patronancës do ta ndihmojnë ECIKS ta promovojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe të ndikojë në vazhdimin e përkrahjes së shteteve euro-perëndimore për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Fakti Ditor: Shumë nga biznesmenët
austriak ankohen se nuk mund të depërtojnë në investimet e tyre në Kosovë
nga strukturat korruptive qeveritare. Çka mund të konkretizoni apo mohoni këtu?
Së pari dua të them që gjatë realizimit të më shumë se njëzet projekteve të cekura më lartë, nuk jemi ndeshur me sfida të natyrës së korrupsionit. Por, kjo nuk do të thotë që korrupsioni nuk ekziston. Prandaj, ne vazhdojmë t’i rekomandojmë investitorëve që të shfrytëzojnë ndihmën dhe shërbimet profesionale në procesin e investimit në Kosovë, në mënyrë që të mos kenë vështirësi serioze gjatë procesit investues.
Fakti Ditor: Cila është rruga profesionale që duhet ndjekur një investues i ardhur rishtas në Kosovë?
Rruga profesionale që rekomandojmë të ndiqet është këshillimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me institucionet profesionale, duke filluar nga Agjencia për Promovimin e Investimeve të Kosovës, ECIKS, Odat Ekonomike etj e deri tek kompanitë konsulent.
Fakti Ditor: Planet e juaja mbi efektet në bartjen e investimeve në Kosovë?
ECIKS mbetët i përqendruar të jap kontributin e vet në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës, qoftë përmes tërheqjes së investimeve të huaja, qoftë përmes ofrimit të shërbimeve për sektorin privat, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Fakti Ditor: A keni hapësirë
veprimi edhe në territoret tjera jashtë Kosovës ?
ECIKS, siç tregon edhe emri, pra
Nisma Ekonomike për Kosovën, i mbetët besnike angazhimit të vet për arritjen e
mirëqenies për qytetarët e Republikës së Kosovës në radhë të parë.
Kujtim Dobrun
është ekonomist. Studimet e rregullta
dhe ato pasuniversitare i ka përfunduar në Austri dhe në Britani të Madhe. Është
ekspert i sferës së zhvillimit ekonomik dhe ka një përvoje të gjatë në fushën e
investimeve të huaja. Ka të publikuara shumë hulumtime shkencore. Është njëri
ndër ekspertët e parë të Kosovës në fushën e investimeve të huaja direkt me një
përvojë 15 vjeçare.