| E merkure, 02.05.2012, 03:21 PM |
Timo Mërkuri
Pragmbrëmje lundrimi në Otranto
Ecim duke u lëkundur mbi kuvertë
si kortezhi rrugës për në varrezë.
Kjo erë që fryn me ulërimë
mos është klithmë njerëzish që kërkojnë ndihmë.
Dhe dallgët që hidhen mbi kiç e mbi bash
ngjajnë me duar të zgjatura fëmijësh e grash.
Dielli mbyllet në qepallat e horizontit
si një sy i skuqur nga lotët e mortit.
Dhe ne ecim duke u lëkundur mbi kuvertë
si kortezhi rrugës për në varrezë.