Faleminderit
Një jetë në shërbim të Shqipërisë Abaz Ermenji <BR>
E enjte, 20.03.2008, 04:53 PM
Abaz Ermenji |
Datëlindja:12.12.1913
Arsimi: fillor në Berat, i lartë në Faculte de Lettres, Sorbonnes, Paris 1934-1938
Profesioni: Profesor Historie.
Aktiviteti profesional: 1938-1939, Profesor në Liceun e Korçës.
1939 në Normalen Elbasan.
Aktiviteti politik: 1939 organizator i rinisë së Liceut të Korçës kundër pushtimit italian.
1939-1941, internim në Ventoten nga italianët.
1941, anëtar i Ballit Kombëtar.
1943, anëtar i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.
1948, anëtar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” krijuar nga Mid’hat Frashëri në mërgim më 26 gusht 1949.
1955, një nga organizatorët e “Lidhjes kosovare”.
10 mars 1957, kryetar i Komitetit Kombëtar Demokrat “Shqipëria e Lirë” deri në vitin 1992.
1992 deri në dhjetor 2002 kryetar i Ballit Kombëtar.
Anëtar i“Lëvizjes Evropiane” dhe pjesëmarrës në të gjitha kongreset e saj.
Botimet
1968, “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”.
Një studim mbi historinë e Shqipërisë, botimi i parë Romë, Itali dhe botimi i dytë Tiranë.
Kultura dhe morali kombëtar.
Autor i shumë artikujve dhe shkrimeve mbi Shqipërinë dhe çështjen shqiptare te gazeta “Flamuri”, “Le Monde”, “Përmbledhja” , “Albania”, “Balli i Kombit”, etj.
Nderuar me Dekoratën “Ajzenhauer” si luftëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në 5-vjetorin e vdekjes së Profesor Abaz Ermenjit në këtë shkrim dua që në mënyrë të përmbledhur të nxjerr sadopak në pah kontributin e shquar të këtij nacionalisti të palëkundur në luftën gjysmëshekullore kundër komunizmit dhe i vendosur deri në vdekje për të mbrojtur, kontribuar në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Shumëkush e di që Profesor Abaz Ermenji ka qenë ndër luftëtarët e parë kundër okupatorit italian. Së bashku me nacionalistët e tjerë, ai u vu në krye të demonstratës së 28 nëntorit 1939 në qytetin e Korçës, duke kundërshtuar haptas politikën aneksioniste dhe pushtuese të Italisë. Pikërisht ishte kjo demonstratë e cila e lidhi Ermenjin në mënyrë të pazgjidhshme me fatet e Atdheut dhe kombit të tij. Internimi i tij në ishullin Vetontenë të Italisë do të shtonte akoma më shumë në shpirtin e Profesorit urrejtjen ndaj okupatorit, ashtu sikundër do të rriste më tej ndjenjën e kulluar të nacionalizmit të tij.
Me ardhjen në Shqipëri, në vitin 1941, Profesori do të merrte menjëherë kontakte me Lëvizjen Nacionaliste Shqiptare dhe në mënyrë të veçantë me forcat e jugut të komanduara prej udhëheqësve të tillë të shquar si Hysni Lepenica, Muharrem Kapllani, Safet Butka, Tefik Cfiri, Maliq Dusharit, Nezir Muzhaqi, etj. Më tej, duke patur si busull të pagabueshëm “Dekalogun” e “Ballit Kombëtar” të ideuar prej Mid’hat Frashërit, Ermenji drejton një varg luftërash kundër forcave italiane, në mënyrë të veçantë në Skrapar, Kuçovë, Mallakastër, Berat e Pogradec... Janë të shumta dokumentet e huaja dhe shqiptare, që na bëjnë me dije rreth këtyre luftërave, të cilat pavarësisht pse u anashkaluan nga historiografia komuniste 50-vjeçare, kanë hyrë dhe bëjnë pjesë në fondin e artë të luftërave të popullit tonë ndaj pushtuesve të huaj.
Pikërisht në këto momente kur nacionalçlirimtarët dhe nacionalistët po bashkëpunonin në luftë kundër okupatorit italian, pikërisht atëherë kur përfaqësuesit e këtyre dy grupimeve politike firmosën marrëveshjen e Mukjes, u shfaq tragjedia e madhe shqiptare. Beogradi, me anën e misionarëve të tij në Shqipëri Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, nxitën luftën vëllavrasëse me qëllim që shqiptarët t’i ngrinin armët njëri-tjetrit dhe të linin mënjanë Kosovën martire. Nga ana tjetër, klika e Titos nuk u gabua në parashikimet e saj. Me një urdhër të drejtpërdrejtë të kriminelit Enver Hoxha, forcat nacionaliste u goditën me tërbim të jashtëzakonshëm, shto këtu edhe djegien e shumë fshatrave të tëra që patën shërbyer si baza e nacionalizmit shqiptar.
Në këto momente do të shfaqeshin haptas edhe prirjet antikomuniste të Profesor Ermenjit. I orientuar drejt civilizimit perëndimor, i doktoruar në Sorbonë të Francës, i pajisur me shijet e vyera të kulturës së moralit tonë kombëtar, ai do të shmangte gjakderdhjen duke komentuar se “shqiptarët janë të paktë si komb dhe po u vranë njëri me tjetrin, atëherë do të fitojnë të huajt”.
Vite më vonë, duke kujtuar këtë luftë vëllavrasëse si dhe pikat ku nacionalizmi shqiptar binte ndesh me parimet komuniste, Abaz Ermenji do të shkruante në librin e vet “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, tekstualisht: “Balli Kombëtar ishte ndën kryesinë e Mid’hat Frashërit, udhëheqës i provuar që përfaqësonte traditën e vërtetë nacionaliste dhe aspiratat e drejta të kombit shqiptar. Ai mundohej t’i tregonte popullit se si qëndronte e vërteta, se si paraqiteshin problemet dhe mundësitë e tij dhe si parashihej e ardhmja e Shqipërisë, kurse Partia Komuniste i tregonte ëndrra fantastike, përralla fëmijësh, dhe gënjente në mënyrë më të paturpshme. Një tjetër problem që e vinte Ballin Kombëtar në kundërshtim të papajtueshëm me Partinë Komuniste ishte çështja e Shqipërisë etnike. Dihet se Kosova dhe Çamëria kishin qenë shkëputur nga zgjedha jugosllave e greke prej fuqive të Boshtit, dhe se bashkimi i tyre me Shqipërinë nuk mund të quhej çështje e rregulluar. Balli ishte i pari që e kuptonte atë punë dhe çlirimi i këtyre krahinave nuk e lidhte me rrethanën e një fitoreje të përkohshme të Gjermanisë naziste, por me të drejtën e vetëvendosjes së popujve që mbahej si parimi themelor i Kartës së Atlantikut, shpallur prej Rosveltit dhe Churchillit, më 14 gusht 1941. Që popullsia e Kosovës dhe Çamërisë të ishin në gjendje për ta kërkuar dhe për ta mbrojtur atë të drejtë, duheshin organizuar dhe ndihmuar prej vëllezërve të tyre të Shqipërisë politike. Nëpër këtë rrugë e kuptonte Balli Kombëtar çlirimin e atyre krahinave dhe kjo ishte lufta që ky desh të bënte për Shqipërinë etnike, e cila ka filluar zgjidhjen e saj në fillim të këtij shekulli”.
Në nëntorin e vitit 1944, pavarësisht se komunistët e quajtën çlirim i vendit, në të vërtetë ky quhej robërim i vendit prej ideve komuniste. Pushteti i sapovendosur i bolshevikëve të Tiranës do të niste nga dhuna dhe terrori i paparë ndonjëherë, i cili do të vazhdonte për 50 vjet me radhë. Abaz Ermenji, në lidhje të ngushtë me prijës të tjerë të nacionalizmit shqiptar, do të përballej në këto momente me të ashtuquajturën forcë të “Mbrojtjes së popullit” që në të vërtetë ishin kthyer në forca të zhdukjes së kundërshtarëve politikë të komunistëve të Tiranës. Që nga nëntori i vitit 1944 e deri në pranverën e vitit 1946, Ermenji përkrah vëllezërve Kazazi, Muharrem Bajraktari, Hysni Dema dhe prijësve të tjerë nacionalistë të Kosovës dhe trevat e Maqedonisë shqiptare, do të zhvillonte një varg betejash duke rrëfyer përveç antikomunizmit të tij dhe cilësi të tjera si prijës i talentuar ushtarak. Pushka e tij do të gjëmonte në Postribë, Çermë, në Malësi të Madhe, Golaj, në Orosh dhe Bajzë, ndërkohë që klika e Tiranës e pati shpallur kriminel lufte dhe i kishte burgosur të atin. Më pas, kur lufta e prijësve nacionalistë në Shqipëri u bë krejt e pamundur, profesor Ermenji largohet nga atdheu i bindur në vetëdijen e tij se nuk do të ndalte kurrë të ndihmojë kombin e vet për të zhdukur komunizmin.
Jeta dhe vepra e profesorit tonë të nderuar në mërgim është padyshim shembulli i njeriut të palodhur, trim e të zgjuar, zemra e të cilit në çdo minutë rreh për kombin. Në mjaft takime, biseda dhe kontakte me diplomatë të shquar perëndimorë, Ermenji do të përcillte idenë se komunizmi është një sëmundje e keqe për shqiptarët, se Shqipëria në shekuj me radhë kishte ëndërruar ta shihte veten në radhën e popujve të Evropës Perëndimore dhe aspak të kthyer me fytyrë nga Lindja. Ai vihet në krye të komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe udhëheq grupet politikë shqiptare në Evropë, në rezistencën e tyre aktive antikomuniste.
Janë me dhjetëra shkrimet e tij në faqet e gazetave më të lexuara franceze, italiane dhe ato amerikane, siç janë me dhjetëra fjalët e tij në disa radio të Parisit dhe Romës, ku profesori jo vetëm dënon dhunën dhe terrorin komunist në Shqipëri, por u bën thirrje kancelarive perëndimore të kontribuojnë me çdo mjet për të rrëzuar këtë sëmundje vdekjeprurëse për bashkëkombësit e vet. Ai ndjek nga afër stërvitjen e bashkëkombësve të vet të inkuadruar në “Kompaninë 4000” në Gjermani, më pas ka qenë i pari që ka kundërshtuar futjen e tyre të fshehtë në Shqipëri, pasi ishin ndeshur lojërat e dy prej kundërzbulimeve më të mëdha: KGB-së dhe CIA-s. Për luftën e tij të vendosur për lirinë dhe prosperitetin e kombit shqiptar, në mesin e viteve 70-të të shekullit që lamë pas, profesor Abaz Ermenji dekorohet nga SHBA-ja me dekoratën “Ajzenhauer” me motivacionin “Luftëtar i shquar në luftën kundër komunizmit”. Në këtë takim, midis të tjerave, Profesori ynë i shquar do të falënderonte administratën e lartë të SHBA-së dhe do t’i kërkonte asaj angazhimin më të madh për të ndihmuar popullin e tij të vogël. Ndërsa në New-Jork, në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përveç të tjerave do të shprehej: “Duhet të themelojmë një shtet shqiptar të plotë që të jetë një faktor përparimi dhe paqeje krahas me popujt e tjerë të Ballkanit. Në Shqipërinë politike dhe jashtë saj kemi sot afro pesë milionë shqiptarë që kanë vetëdije kombëtare shumë më të zhvilluar se e kishin në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Që e shikojnë me helm në zemër se Prizreni, qendra e Shqipërisë së atëhershme, nuk bën pjesë në Shqipërinë politike të sotme. Këta shqiptarë nuk do t’i lëshojnë kurrë armët nga dora, derisa të gjithë bijtë e kombit të mblidhen nën një Atdhe të përbashkët. Me të gjitha mjetet brutale që përdorën armiqtë tanë, drita jonë nuk do të shuhet kurrë sepse nuk shuhet shpirti i një kombi. Jemi regjur me të gjitha vuajtjet dhe përpjekjet, prandaj vullnetin tonë s’ka forcë që e thyen. Do të luftojnë të papërkulshëm ata që vijnë pas nesh”.
Duhet theksuar se antikomunizmi i Ermenjit, si tipar kryesor i jetës dhe veprës së tij ra në sy edhe në vitet 90-të, atëherë kur ngrehina e komunizmit u shemb si në krejt Evropën Lindore edhe në Shqipëri. Të gjithë ne e kemi parasysh se Ermenji u përpoq të luftonte komunizmin në thelbin e vet, në mentalitetin dhe jo me parulla boshe dhe bombastike.
Ndonëse i shkuar në moshë, ndonëse i lodhur prej brengave në çdo fjalë dhe ide ku rrezatonte nacionalizmi i kulluar,
Profesor, Ju e keni kryer detyrën ndaj Atdheut! S`keni lënë gjë tjetër pa bërë për të mirën e Shqipërisë! Dhe për këtë s`kërkuat kurrë shpërblim!
Kërkesa për dekorimin
Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes, kryesia e Partisë Balli Kombëtar vendosi t’i drejtohet Presidentit të Republikës, Bamir Topit, për dekorimin e tij.
Më lejoni Z. President, që në emër të Partisë Balli Kombëtar dhe në emrin tim personal, T’ju drejtohem për dekorimin e Profesor Abaz Ermenjit.
Mendojmë se ka ardhur koha që të vlerësohen në vazhdimësi kontributet e të gjithë nacionalistëve shqiptarë që e dhanë jetën e tyre për bashkim dhe vëllazërim kombëtar.
Nga ky proces i nisur shqiptarët do të dalin më të bashkuar dhe është një hap drejt pajtimit kombëtar.
Ju lutemi Z. President, pranoni kërkesën tonë dhe ne mbetemi me shpresën se Ju do t’i jepni vlerat që i takojnë këtij personaliteti me përmasa kombëtare.
Nga libri i përshtypjeve për profesor Ermenjin, datë 21.03.2003.
Shqipëria humbi një figurë të rëndësishme politike, atdhetare dhe njerëzore. Bashkohem me nderimin e merituar të veprës dhe investimit të tij për kombin.
Fatos NANO
Intelektualit, historianit, luftëtarit të shquar kombëtar, Abaz Ermenjit.
Prof. Doktor Sali BERISHA
Një figurë e ndritur e kombit shqiptar, bashkëpunëtor i ngushtë i Mid`hat Frashërit, Safet Butkës, Hysni Lepenicës, Skënder Muços, luftëtar i paepur i lirisë në luftë kundër nazifashizmit dhe komunizmit, intelektual i elitës shqiptare të viteve `40, drejtues e frymëzues i brezit të ri, antifashist i orëve të para dhe organizator i demonstratave antifashiste kundër pushtimit italianë, i internuar në Ventotene, qëndrestar dhe luftëtar antikomunist, themelues dhe lider i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. I pavdekshëm ka hyrë në historinë e kombit dhe i tillë do të mbetet.
Uran BUTKA
Për një njeri të madh të historisë sonë
Genc POLLO
Demokrat, luftëtar, patriot dhe njëherësh historian i lirisë kombëtare
Spartak NGJELA
Me humbjen e profesor Abaz Ermenjit ra një kolonë e Panteonit të historisë moderne, e moralit, e dinjitetit, e vizionit kombëtar. Ndërkohë, po vepra e vetë profesorit e ngre këtë kolonë përgjithmonë.
Visar ZHITI
Në emër të Partisë Lëvizja e Legalitetit, shprehim ngushëllimet më të thella për vdekjen e profesor Abaz Ermenjit, i cili gjithë jetën ia kushtoi Shqipërisë dhe kombit shqiptar. I përjetshëm kujtimi i tij!
Eqerem Spahiu
Shuarja e Abaz Ermenjit është shuarja e kolosit të fundit të politikës tradicionale shqiptare, shuarja e simbolit të nacionalizmit modern. Ai arriti të bashkojë në një personalitet të fuqishëm politikanin idealist, luftëtarin trim, intelektualin e shquar. Ai mbetet një shembull e model i papërsëritshëm për klasën politike shqiptare të këtij shekulli ku hymë. I përjetshëm kujtimi i tij!
Arben Imami, Preç Zogaj
Profesor Abaz Ermenji ka qenë dhe ngelet simbol i qëndresës kombëtare, nacionalist dhe antikomunist i vendosur. Jeta e tij pati vetëm një qëllim, shërbimin karshi kombit. Në periudhën e demokracisë ai ishte simbol i njeriut të lirë dhe pa kompromis me të keqen. Emri dhe vepra e tij i bën nder jo vetëm ballistëve, po edhe republikanëve dhe mbarë shqiptarëve.
Fatmir MEDIU
Është një dhimbje e madhe jo vetëm për grupin politik ku bënte pjesë, jo vetëm për të afërmit e miqtë, por edhe tërë shpirtin patriotik të shqiptarëve. Qoftë e paharruar figura e Abaz Ermenjit e përjetësuar në kujtesën mbarëkombëtare!
Për një Shqipëri të lirë e zonjë të vetvetes
Prof. ABAS ERMENJI
Në robërinë e përgjaktë ku rënkon populli ynë, 28 Nëntori me të gjithë kujtimet e tij vjen të na mallëngjejë, por edhe të na forcojë ndjenjën e përgjegjësisë e të detyrës ndaj Atdheut. Dita e Flamurit, në këtë periudhë kaq të turbullt të jetës sonë kombëtare, mbetet gjithmonë si një fener nd’anë të valëvet, ku bashkohen sytë, zemrat e shpresat tona për një liman të sigurtë: për një Shqipëri të lirë e zonjë të vetvetes. I dimë vuajtjet e theroritë e panumërta të shqiptarëve gjatë errësirës së shekujve për t’arritur në çlirimin e Shqipërisë, në 28 Nëntorin e 1912-s. E dimë se ç’gëzim kombëtar zgjoi ajo ditë, se ç’shpresa e ç’enthusiazmë ngjalli për një t’ardhme kombëtare të lirë, të ndritur, të lumtur. E prandaj, sa m’i madh që ishte gëzimi e besimi në pamvarësinë e Shqipërisë, aq m’i thellë u ndie edhe dëshpërimi i shqiptarëvet kur flamurit tonë iu mbërthyen si vegla robërie, më parë “shenjat e Liktorit”, e pastaj “ylli i kuq”, ylli i tiranisë gjakësore. Populli ynë që e pat fituar lirinë me sakrificat më të rënda, që e pat provuar më fort se kushdo tjetër zgjedhën e plumbtë të robërisë, u gjend i bashkuar grusht rreth flamurit të tij, në të dy çastet historike që kërcënuan ekzistencën tonë kombëtare në këto kohët e fundit. Dhe në të dy rastet u përpoq për vetëmbrojtje me të tëra fuqitë e tij, gjersa u shkel e u doq me zjarr e me hekur prej forcash të papërballshme. Ka dhjetë vjet që Shqipëria është ndërruar në një burg mizor, në një ferr të përgjithshëm torturash e urie. Ka dhjetë vjet që populli shqiptar ndodhet i lidhur këmbë e duar me vargonjtë e tiranisë komuniste. Që anë e mb’anë vendit tonë s’pipëtin gjëkundi, jo një shenjë lirie, por as hija e mugët e së drejtës njerëzore. Që Dita e Flamurit, si çdo tjetër kujtim kombëtar, merret me tallje prej xhelatëvet të kuq. Por jemi të sigurtë se populli ynë fatkeq, i kërcënuar siç është ndënë grushtin e tmerrit, i rrahur nga kamzhiku, nga e ftohta, nga uria, e ndjen Ditën e Flamurit me dridhje mallëngjimi, ashtu siç e ndjeu në Vlorë më 1912, e përshëndet në heshtje shenjën e lirisë dhe pret orën e çlirimit ndënë palët e tij.
Mundimet dhe torturat i kanë paralizuar trupin, por nuk ia kanë thyer shpirtin popullit shqiptar, nuk ia kanë shuar vullnetin as shkëndijën për jetesë. Ai, me forcën e qëndresës dhe durimin e zakonshëm, ka kapërcyer shumë shtigje të vështira gjatë historisë së tij, e prandaj është i vendosur ta kalojë edhe këtë. Kësaj here është m’i fortë akoma, sepse vuajtjet e pashembullta e kanë bërë ta ndjejë më mirë nevojën e bashkimit, t’i shohë më larg interesat e tij dhe të paraqitet në skenën e veprimit kombëtar me një vetëdije politike të re. Populli shqiptar sot nuk është me një rezervë rekrutimi për mercenarët dhe politikanët e tregut të zi, as bëhet mish për topa për hesap të tjetërkujt. Gjaku i derdhur, peripecitë e kohëvet të fundit, rrahjet e përpjekjet në ferrin e tiranivet, i kanë dhënë eksperiencën e duhur dhe e kanë bërë ta shohë sigurimin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor të tij vetëm e vetëm në bashkimin kombëtar, rreth flamurit tonë të nderuar, dhe mb’udhën politike që e çon në çlirimin e vërtetë të Shqipërisë. Ai udhëhiqet vetëm prej idesë së lartë të interesavet të tij, të vetëmprojtjes së tij, dhe do t’eci i bashkuar drejt çlirimit të tij. Shqiptarë!
Në përvjetorin e Ditës së Flamurit, Balli Kombëtar, që e ndjen veten të lidhur trup e zemër me popullin e robëruar brenda, e çon mendimin me devocion tek të mjeruarët e Shqipërisë, tek ata që dergjen burgjevet, tek ata që çkallmohen nëpër punë të detyruara, tek ata që vdesin me durim martiri, tek ata që mundohen qytetevet, tek ata që qëndrojnë fshatravet dhe malevet. Balli Kombëtar beson në shpirtin e pathyer, në vetëdijen politike e në ndjenjën e bashkimit të popullit shqiptar, beson në t’arthmen e Shqipërisë. Prandaj e ka marrë me gjithë zemër luftën e çlirimit t’Atdheut, prandaj e mban lart me dinjitet flamurin tonë të lavdëruar, prandaj është i sigurtë se liria do të fitohet dhe Shqipëria do të rrojë.