Mendime
Pirro Misha: Një vizitë që ka lënë pas shumë pikëpyetje
E enjte, 19.04.2012, 06:04 PM
Një vizitë
që ka lënë pas shumë pikëpyetje
Nga Pirro
Misha
Si kurrë ndonjëherë
më parë, vizita e një kryeministri shqiptar në një vend të konsideruar përgjithësisht
mik si Turqia, ka lënë pas një sërë pikëpyetjesh, e pse jo dyshimesh. Shkak janë
bërë deklaratat e kryeministrit Berisha, por jo vetëm. Shkak është bërë sigurisht,
dhe konteksti i përgjithshëm në të cilin u bë kjo vizitë, duke nisur nga
situata gjithnjë e më e komplikuar e raporteve Shqipëri – BE, deri te fakti se
tashmë është e qartë se Turqia, një vend me një popullsi që po i afrohet të 80
milionëve dhe një zhvillim ekonomik të shpejtë, ka ambicje të kthehet në një fuqi
globale që kërkon të ketë zonën e saj të influencës, kryesisht në ato territore
ku dikur shtrihej Perandoria Osmane. Jo rastësisht një pjesë e madhe e
propagandës së sotme turke ka për qëllim të promovojë të ashtuquajturën trashëgimi
të Perandorisë Osmane, e shoqëruar kjo me fonde të konsiderueshme si të qeverisë
turke, ashtu dhe të një sërë organizatash të tjera që veprojnë në Shqipëri apo
dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor. Në një shikim një strategji e tillë
mund të konsiderohet mëse e natyrshme për një fuqi të re që kërkon hapësirën e
vet. Problemi është se në Ballkanin Perëndimor këtij projekti i duhet të konkurrojë
gjithnjë e më hapur me një tjetër projekt, atë të BE-së, që prej vitesh e
konsideron këtë pjesë të Europës si territorin e vet. Ndaj dhe s’është e rastit
pse një gazetë si Today Zaman, varianti anglisht i gazetës më të madhe turke,
Zaman, e njohur për afërsinë e saj me qarqet qeveritare, shtron pyetjen: “A mos
Shqipëria, apo dhe Kosova dhe Bosnja, po shndërrohen në pikë përplasjeje mes BE-së
dhe Turqisë”. Dhe vetë titulli i shkrimit është domethënës: “Ballkani mes dy
botëve: Turqisë dhe Europës” (tetor 2011). A s’i di këto kryeministri ynë?
Sigurisht që i di. Atëherë si shpjegohet që gjatë vizitës së tij në Turqi ai
zgjodhi qartazi të mbronte disa prej tezave qëndrore me të cilat përligjet
strategjia e re e politikës së jashtme turke në Ballkanin Perëndimor, që shtypi
ndërkombëtar shpesh e quan neo-otomane. S’do ishte e udhës të nxitohej duke
nxjerrë përfundime. Por ndërkohë, disa prej atyre që tha kryeministri padyshim
meritojnë të diskutohen, për shkak të implikimeve që mund të kenë.
Së pari,
le ta themi se, ndoshta për herë të parë gjatë historisë tashmë 100 vjeçare të shtetit
shqiptar, një drejtues kaq i lartë i tij bën një përpjekje të tillë serioze jo
vetëm për një rivlerësim tërësor të vendit që zë trashëgimia e periudhës osmane
në historinë dhe qenien shqiptare, por madje duke këmbëngulur për të parë tek
ajo një faktor me një domethënie të veçantë politike. Siç dihet, që me krijimin
e lëvizjes kombëtare shqiptare, e aq më shumë pas krijimit të shtetit shqiptar,
qëndrimi i mbajtur ndaj kësaj trashëgimie ka qenë përgjithësisht stigmatizues,
qartazi i ndikuar nga klishetë romantike nacionaliste të shekullit të XIX. Në ligjërimin
mbizotërues të gjithë kësaj periudhe, trashëgimia osmane fajësohej jo vetëm për
prapambetjen e trashëguar, por dhe për hendekun e madh që na ndante nga pjesa
tjerë e kontinentit. “Mallkuar qoftë dita kur shkeli këmba e aziatikut në tokën
tonë” shprehej në vitet 20-t të shekullit të shkuar Mit’hat Frashëri, një ndër
korifejtë e nacionalizimit shqiptar, me një gjuhë që, ç’është e vërteta, sot
zor se mund të përdoret. Në të njëjtën mënyrë trashëgimia osmane u stigmatizua
edhe në Turqi gjatë gjithë periudhës kemaliste. Vetëm pas vitit 2002, pra pas
ardhjes në pushtet të AKP, partisë me orientim islamik të kryeministrit
Erdogan, ky qëndrim jo vetëm ndryshon, por bëhen përpjekje maksimale për ta rehabilituar,
duke e konsideruar trashëgiminë osmane si një ndër elementët qendrorë (sigurisht,
krahas fesë muslimane) të identitetit kombëtar turk. Duke e kthyer dhe në një instrument
të politikës së jashtme.
Në këtë kontekst,
pra, s’mund të konsiderohet diçka e rastit kur kryeministri i një vendi si
Shqipëria, e kthen temën e trashëgimisë osmane në lajtmotivin kryesor të mesazhit
të tij politik. Në fakt, kjo nisi që gjatë vizitës së fundit në Azerbajxhan, ku
po ashtu u përmend e ashtuquajtura “çati e përbashkët osmane”, temë kjo që,
sigurisht, në Ankara u shtjellua mjaft më gjerë. Në mesazhin e tij zyrtar
Berisha shpalli se kjo e shkuar e përbashkët, sipas tij madhështore, jo vetëm përbën
bazën e lidhjeve të fuqishme që bashkojnë dy kombet e vendet tona, por është dhe
një “frymëzim për horizonte të reja bashkëpunimi.” (RD, 7 prill 2012). Gjatë digresionit
të tij në histori, ai hodhi dhe dy ide të tjera, njëlloj të diskutueshme. Sipas
tij, Perandoria Osmane na paskesh qenë një Perandori në të vërtetë gati gati duale.
Dmth, turko-shqiptare. Pra, gjithnjë sipas tij, frenat e komandimit aty i
paskan patur jo vetëm turqit por dhe ne shqiptarët. Sigurisht, po të pranohet
ky variant i historisë, tash e tutje s’di nëse kemi më arsye ta shohim si
pushtuese një Perandori të cilën e paskemi drejtuar. Përkundrazi, duhet të jemi
krenarë. Sigurisht, ka një problem, psh. me një figurë si ajo Skënderbeut që siç
dihet, luftoi për një çerek shekulli pikërisht për të mos lejuar pushtimin nga
kjo perandori. Por në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së pas kthimit nga
Turqia, kryeministri i dha zgjidhje dhe këtij problemi. Duke qenë krenarë për
heroin tonë kombëtar, tha ai, s’do të thotë se s’duhet të krenohemi dhe me
Hajredin Barbarosën që, për ata që s’e dinë, është një pirat i famshëm i
shekullit të 17-të, që nga Algjeri, në Afrikën e veriut, i binte kryq e tërthor
detrave, duke u bërë tmerri i Mesdheut. Sipas kryeministrit, Barbarosa na paska
patur gjak shiptar në damarë dhe kjo duhet të na bëjë të ndjehemi krenarë? S’na
mbetet veç të urojmë që kjo histori do lihet me kaq dhe s’do bëhet pjesë e idesë
së kryeministrit për rishkrimin e historisë.
Sidoqoftë,
duke iu kthyer idesë së dualitetit së Perandorisë Osmane, le të mjaftohemi duke
thenë se sado që të kërkosh në vëllimet e panumërt të shkruar për Perandorinë Osmane,
vështirë të gjesh ndonjë historian serioz që të pranojë një ide të tillë. S’ka
asnjë dyshim se ka patur jo pak individë apo qoftë dhe familje me prejardhje
shqiptare, që u ngjitën në nivelet e larta të piramidës së shtetit osman, por
siç e sqaron më së miri prof. E. Çabej, kjo situatë s’kish të bënte aspak me
Shqipërinë në tërësi, që mbeti një ndër provincat më të paqeta e të shtypura të
Perandorisë. Sidoqoftë, meqë gjatë fjalës së tij në Ankara kryeministri Berisha
përmendi Faik Konicën, le ta mbyllim këtë kapitull, duke kujtuar dhe një herë atë
që ky shkruante në vitin 1903, duke iu kundërvënë propagandës së disa qarqeve
turkoshake të kohës kundër lëvizjes sonë kombëtare, që çuditërisht përdornin
argumente mjaft të ngjashëm me këta që përdoren sot, duke pretenduar se
shqiptarët paskeshin qenë të privilegjuarit e Perandorisë Osmane, ndaj dhe s’kishin
arsye përse të ngriheshin kundër saj. “Çuditem si u perhap ky gomarllëk (se
shqiptarët komandojnë në Perandorinë Turke). – shkruante Konica te Albania. – Shqiptarët
janë një e katërmbëdhjeta pjesë e Turqisë (llogariten dy milion). Në Turqi ka 80
vilajete. Vetëm Abedin pasha është vali shqiptar sot për sot. Mutasarifë nga 250
që qeverisin Turqinë, ka vetëm 7 shqiptarë…Gjeneralë në 3-4 qind janë nja dhjetë
shqiptarë. Në diplomaci përveç një kryeshkronjtor. Gjithë vendet e mira janë për
turq, për grekër e armenë… Mua nuk më vjen keq fare, për kundrë më pëlqen t’i dëbojë
Sulltani të gjithë shqiptarët pak nga pakë, se atëherë do të zënë të mësojnë ment…Pse
nuk njohin se në ka shumë shqiptarë në punë të qeverisë, janë për vëndet e
ulta, zaptie, çaushë etj, vende ku s’mundin të “zotërojnë” një mbretëri?….”
Ndër
gjithë ato që tha Berisha në Turqi, ajo që ngjalli më shumë reagime qe idea e
hedhur prej tij për të ashtuquajturat lidhje gjaku. “Në atë shtet (Turqi) ka më
shumë shqiptarë se në Ballkan, ky është realiteti – kumtoi ai. – Janë mbi 6
milionë shqiptarë në Turqi, ka me miliona martesa, është botërisht i njohur
pasioni i turqve për të marrë gra shqiptare. … Mund të them që lidhjet e gjakut
janë të fuqishme.”
Sigurisht,
pyetja e parë që të vjen në majë të gjuhës është: ku i gjeti këto shifra, kur
dihet që në Turqi s’është bërë asnjëherë ndonjë census i tillë. Studjuesi që është
marrë më seriozisht vitet e fundit me këtë temë, duke botuar në vitin 2008 dhe
studimin më të plotë të titulluar, “Shqiptarët e Stambollit” (Dossiers de l’IFEA,
nr. 3, Stamboll) është padyshim francezi Gilles de Rapper. Ai sqaron se në të vërtetë
s’ekziston asnjë shifër e saktë dhe e verifikuar përsa i takon numrit të shqiptarëve
që jetojnë aktualisht në Turqi. Sipas tij, ajo çka ekziston janë vetëm vlerësime,
që shkojnë nga 65.000, sipas një sondazhi të Eurobarometrit të vitit 1999, tek
katër apo pesë milion, shifër kjo e shpallur nga një farë Instituti Kombëtar për
Diasporën, në Tiranë. Ç’është më e rëndësishmja, De Rapper nënvizon se duke i
konsideruar këta njerëz shqiptarë, në të vërtetë s’mbahet parasysh asnjë prej
kritereve objektivë që përdoren zakonisht në kësi rastesh, siç janë kriteri i
kombësisë (shtetësisë), ai gjuhësor, apo i vendlindjes. “Pjesa më e madhe e të ashtuquajturve
shqiptarë në Turqi, - shkruan de Rapper, – s’e vënë aspak në dyshim përkatësinë
e tyre si pjesë e kombit turk.” De Rapper, njohës i mirë i historisë së Shqipërisë
si dhe asaj të Ballkanit, na kujton se, “Ndërkohë që prej fillesave të nacionalizimit
shqiptar në shekullin e 19-të, ishte gjuha ajo që konsiderohej si elementi
themelor i të qënit shqiptar, duhet thënë se ndër shqiptarët e Turqisë vihet re
një braktisje e shpejtë dhe thuajse radikale e gjuhës shqipe.” Kush e quan
veten shqiptar, tregon ai, ‘e bën këtë vetëm në bazë të një kujtese të origjinës…”,
çka shpjegon përse në të vërtetë në Turqi, shtet ky që njeh zyrtarisht vetëm
tre minoritete, atë armen, atë grek dhe atë çifut, asnjëherë s’është diskutuar
për praninë e ndonjë minoriteti “etnik” apo
‘kombëtar’ shqiptar.
Është për
t’u shqetësuar kur një kryeministër nxjerr nga sënduku i historisë koncepte të tilla
si “lidhjet e gjakut”, që tashmë prej dekadash konsiderohen anakronike e të papranueshme
shkencërisht. Por nga ana tjetër, ky rast duhet përdorur për të venë në dukje
gjithë paradoksin ku mund të çojë një logjikë e tillë, aq më shumë në një vend
si Shqipëria që ka qenë pjesë e aq shumë perandorive. Sepse natyrshëm do
shtrohej pyetja: pse s’qenkemi vëllezër dhe me latinët, kur dihet sa shekuj qemë
pjesë e Perandorisë Pomake; e pse jo me grekët, kur, në fund të fundit,
periudha e përfshirjes sonë në Perandorinë Bizantine zgjati edhe më shumë se në
atë Otomane? Pastaj, s’ka ndonjë arsye të dyshojmë që dhe këta mund të kenë patur
për zemër gratë shqiptare! Aq më tepër, në rastin e grekëve dihet dhe se rreth 20%
e grekëve të sotëm janë me prejardhje arvanitase, pra shqiptare. Po me malazezët,
kur dihet origjina e përbashkët me disa prej fiseve? Eh, po këta kanë kohë që janë
asimiluar, mund të përgjigjej ndokush. Epo, atëhere paska të drejtë Arbër
Xhaferi kur shprehet se duke dëgjuar disa të krijohet përshtypja se po të bëhesh
turk qenka gjë e mirë, ndërsa po të bëhesh grek apo italian na qenka gjë e keqe.
U zgjata
disi në këtë pikë jo pa arsye. Sepse tashmë kuptohet se përmendja vend e pavend
e të ashtuquajturve shqiptarë të Turqisë s’është e rastit. Në fakt në Sarajevë,
Davutoglu e bëri fare të qartë se një ndër elementët në të cilët mbështetej
legjitimiteti i pretendimeve gjeopolitike turke ndaj një sërë zonash të Ballkanit,
të Kaukazit e gjetkë, qe i ashtuquajturi ‘faktori demografik”, pra pretendimi
se aktualisht në Turqi paska më shumë shqiptarë, bosnjakë, çeçenë apo abkazë sesa
në vetë vendet e tyre respektive, gjë që, sipas tij, i jep Turqisë të drejta të
veçanta mbi këto vende apo rajone! Këtë ide ai e shtjellon gjerësisht në një shkrim
të botuar në revistën ‘Foreign Policy’ në 2010. Ka vite që ky pretendim është kthyer
në një refren të përsëritur nga mjaft zyrtarë të lartë turq në shtypin ndërkombëtar.
Berisha s’bëri gjë tjetër veçse shifrën 4-5 milion që përmendin zakonisht
zyrtarët turq, e ngriti në 6 milion.
Pyetja që shtrohet është, përse? Përse pikërisht tani Berisha vendosi të japë mesazhe të tillë, që ai e di që do ngjallnin reagime, të shprehura e të pashprehura? Kjo pyetje nga ana e vet, të çon te një pyetje tjetër: A ishte ky një mesazh që i drejtohej thjeshtë mikpritësve turq, për të fituar mbështetjen e tyre në një çast delikat? Apo kanë të drejtë ata që, duke e lidhur këtë vizitë me ato të paradokohëshmet në Azerbajxhan apo Hungari, shohin te e gjithë kjo një mesazh që i drejtohet para së gjithash një pjese të politikës europiane, si për t’i thënë: më lini rehat, përndryshe ekzistojnë gjithnjë alternativa të tjera. Si është e vërteta? Vështirë ta thuash. Po ashtu, mund të pyetet, përse vallë e rihapi problemin e përfaqësimit të shqiptarëve nëpër botë nga konsullatat turke, kur kjo çështje u diskutua dhe dy vjet të shkuara? Si dhe atëherë, mund të bëhet pyetja, pse Turqia dhe jo Italia, apo cilido vend tjetër i BE-së? Përse befas shpallëm mbështetjen për kandidaturën e Turqisë në Këshillit të Sigurimit? Dihet që tashmë Turqia pretendon të ketë vendin që i takon në institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu pranimin e saj si antare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si përfaqësuese e të ashtuquajturave vende muslimane. Ambicje më se normale për një fuqi në rritje. Por që njëkohësisht dihet se ngjall reagimin e një serë vendesh që kanë të njëjtat pretendime, duke nisur nga Gjermania apo Italia. Pra, si përfundim mund të thuhet se vërtet vizita e fundit e Kryeministri në Turqi ka lënë shumë pyetje që presin përgjigje.