Mendime
Rexhep Shahu: Histori personale ku unë mund të jemi ti
E diele, 15.04.2012, 10:55 AM
HISTORI PËRSONALE
KU UNË MUND TË JEM TI
(fragment
nga libri ne proces i Rexhep Shahut, Apologji per Udhen e Kombit)
1.
Katër ditë
iu deshën familjes time të siguronte një biletë autobuzi për mua për të ardhë nga
Kukësi në shkollë të mesme në Durrës. Katër ditë humbi xhaxhai Rasimi, që ishte
njeri që kishte hatër, njohje e lidhje jo të pakta, duke patur mikun e tij
biletashitës në axhensinë e udhëtarëve.
Pas 9 orë
udhëtimi, me autobuzin e Kolës, mbërrita në Tiranë. Isha 14 vjeç dhe nuk kisha
shkelë kurrë në Tiranë. Pasdite vonë. Duke pyetë, gjeta stacionin e trenit. Në orën
7 të mbrëmjes nisej treni për Durrës. Në sheshin e stacionit, mu bë se zoti më mbështolli
në gji kur më thirri në emër një vajzë e fshatit tim, që vazhdonte vitin e
fundit në Politeknikumin e Tiranës. Isha i trembur, s’di ta rrëfej se si e sa,
por siç mund të jetë një fëmijë sot që e lëshojnë të vetëm në një metropol të huaj
dhe ai trembet se po e grabisin. Kur më foli
Remzija, mu bë se bota u bë e imja. Mu bë se valixhja e madhe prej kompesatoje
e lyer me bojë shkrimi, që mezi po e ngrija, u bë pupël. Isha i lodhur, i këputur
nga vjelljet gjatë. Ajo më këshilloi, më mësoi, më ndihmoi të blija biletën dhe
më përcolli deri te stoli ku duhej të prisja trenin. Ndoshta duket për të qeshë
sot. Por mendo atë kohë…
Mbërrita
në Durrës natën. Një ditë para se të fillonte shkolla se ashtu u sigurua bileta
e autobuzit. Zbrita nga treni në Durrës. Plot frikë. Nuk dija se si shkohet në Shkozet
ku ishte shkolla e konvikti im. Duke pyetë, duke tërheqë me pikë të zorit valixhen, gjeta stacionin e
autobuzit. Hajde, rruga e fundit…, thërriste faturinoja. Nuk e dija se po
thoshte se është autobuzi i fundit që do ta bënte për atë natë udhën Durrës – Shkozet
e kthim. Të më kishte ikë urbani…
Nuk e
harroj ankthin tim derisa mbërrita në konvikt…
Të tilla
siklete për një biletë autobuzi hoqa katër vjet sa isha në shkollë të mesme në Durrës
dhe gjithë vitet e ndjekjes së universitetit në Shkodër. Sot shkohet dhe vihet
brenda ditës nga Vjena e Austrisë dhe vështirë të besohet se unë që isha në shkollë
konviktor, 215 kilometër larg shtëpisë time, shkoja në shtëpi vetëm dy herë në vit.
Si unë, të gjithë. Se nuk kishte rrugë, nuk kishte autobuzë, nuk kishte bileta
autobuzi… Se shteti në ato kohë ndërtonte bunkerë, bunkerë, bunkerë…
Gjithë ditët
që rendja për të gjetë biletë autobuzi për Tiranë për mua ishin më të lehta se
sa të një nxënësi apo studenti që nuk e kishte shtëpinë afër Kukësit. Unë shkoja
me urbanin e minierës së Gjegjanit në darkë në shtëpi. Ndërsa një nxënës apo
student që e kishte shtëpinë një ditë larg nga Kukësi pa autobus, pa makinë rasti
e pa udhë makine për në fshatin e tij, detyrohej të rrinte 3-4 netë në Kukës
ose në fshatrat afër qytetit, si mik, dhe të kërkonte gjatë ditës një biletë autobuzi.
* * *
2.
Në fillim
të nëntorit, teksa vijoja vitin e parë në shkollën e mesme mekanike, degë të cilën
nuk e doja, por nuk kisha asnjë mundësi tjetër shkollimi, u mërzita shumë. Më ishte
bërë domosdo të shkoja me leje në shtëpi. Nuk flija dot nga lloj – lloj ëndrrash.
Mësuesi Minella Llufi, tashmë miku im,
edhe pse habitej me këmbënguljen time, më dha leje. Dola në mesditë në udhë në Shkozet.
Në orën 3 të drekës më mori një “Zis” mbi karroceri deri në Vorë. Nga Vora deri
në Laç shkova mbi karrocerinë e një “Skodë” të Shkodrës. Në Laç shkova aty ku
ngarkoheshin “Skodat” me qymyr për në Kukës, për uzinën e shkrirjes së bakrit në
Rexhepaj. Lut njërin e lut tjetrin shofer, të gjithë ikën. Mbeti vetëm një skodë.
E fundit. Iu luta shoferit me lotë në sy. I tregova se i kujt isha. I thashë se
babai im punonte në minierën e bakrit me sondat e shpimit në karierë. Ndoshta e
njeh, i thashë. Shoferi nuk fliste. Mbetem vetëm këtu dhe nuk di ku të shkoj,
iu luta. I kam lekët, ia përsërisja dhe ia nxirrja 250 lekëshen… Ndoshta e
njohu babanë tim, ndoshta i erdhi keq të më linte Laç, në shesh të qymyrit natën,
por më në fund ra dakort të më merrte. I kam 6 njerëz të mitë që duhet t’i marr
dhe nuk kam ku të të fus mor djalë, i kam nga dy vetë për sedile… Më merr në karroceri,
i lutesha. Nuk do të mund të rrish mor djalë, më tha shoferi se edhe është ftohtë,
fryn erë por dhe të zë frymën pluhuri i qymyrit. Rri, rri, i thashë. Dhe u nisëm
në 8 të darkës. U ula afër kabinës, mbështeta shpinën në dërrasat e karrocerisë,
ashtu direkt mbi qymyr. Isha i veshur me xhaketën e zezë kadife, të vetmen që kisha,
poshtë saj kisha trikon kafe të Lokes, që ma kishte dhuruar ajo dhe një këmishë.
Kur mbërritëm në Milot dridhesha prej të ftohtit. Frynte shumë. Si në Milot… Isha
mpakur dhe bërë grusht. Sytë dhe gojën duhej t’i mbaja mbyllur se pluhuri i
qymyrit më godiste me forcë në fytyrë. Hundët m’u zunë. Nga sytë e mbyllur më rridhnin
lotë prej të ftohtit. Fytyra m’u bë ashkë. Sikur kisha vënë maskë. Shoferit
duket i erdhi keq për mua. Ndaloi makinën dhe nga dritarja më hodhi një batanije
të vjetër. Ishte batanija që përdorte si shtroje kur hynte nën makinë për ndonjë
defekt. Ishte me njolla të njoma vaji dhe grasojë se m’u ngjitën duart në të. Por
më ndihmoi shumë ajo batanije se u mbështolla komplet me të ashtu i ulur dhe
vetëm hundën lashë jashtë. Megjithatë, i ftohti më kishte hyrë në palcë. Dhëmbët
vetëm kërcisnin në mënyrë të pavullnetshme. Dhe nuk ndaloja dot dridhjen e
trupit edhe pse rrija kruspull me gjunjët te mjekra. Ecnim dhe unë nuk dija se
ku ishim, nuk dija sa kishim udhëtuar, ku kishim mbërritur. Sytë e mi nuk
shihnin dot asgjë. Edhe për shkak të natës edhe për shkak të pluhurit të qymyrit.
Askund nuk më ra të rrija drejt por përplasesha sa andej këndej në qindra
kthesa që kalonim. Në orën 4 të mëngjezit mbërritëm në Kukës tek kafja “11
janari”, pranë bustit të Shote Galicës. Isha dru. Një copë trungu i ngrirë. Nuk
flisja dot nga kërcitja e dhëmbëve. Shoferi më ndihmoi bashkë me një pasagjer
dhe zbrita në tokë. U ula në bordur se nuk rrija dot në këmbë. Shoferi, të cilit
ia kisha dhënë 250 lekëshën pa hypur në makinë, m’i ktheu lekët. Nuk pranova t’ia
merrja. Por ai me të egër m’i futi lekët në xhep. Nuk na doli asnjë polic…, mërmëriti
shoferi. Unë nuk isha në gjendje të kujtoja se a na kishin ndaluar policia në postblloqet
e saj apo jo në Fushë – Arëz apo tek Ura e Drinit të Zi në hyrje të Kukësit. Ishte
terr. Nuk po qetësohesha se trupi më dridhej dhe dhëmbët kërcisnin. Më sillej
toka vërdallë. Nuk ishte më ftohtë se sa mbi karroceri të makinës, nuk frynte
si mbi makinë. Nuk e di sa kam ndënjur aty, por pashë se filloi të zbardhte. Fillova
të ecja poshtë e lart, siç më porositi
shoferi. Por këmbët nuk më punonin. Sikur ishin prej hekuri. Nuk i
ndjeja si pjesë të trupit tim. Pantallonat ishin bërë si mushama makine. Kisha shumë ftohtë. Unë nuk e dija se si isha
bërë, se si isha nxirë. Shkova tek banjot para “Pallatit të Beqarëve” dhe lava
fytyrën. Gishtërinjtë nuk hynin në flokë. Uji bëhej i zi. Me autobuzin e parë të
minierës së Gjegjanit u nisa për shtëpi. Në 6 të mëngjezit mbërrita në minierë.
Më duhej të ecja 30 – 40 minuta deri në fshat. Mbërrita në shtëpi si i vdekur. I
tremba njerzit se isha bërë më i zi se minatorët kur delnin nga galeria.
A more
vesh për lokën, më tha nëna.
Pse, çfarë
ka lokja…
Ka 6 ditë
që na la…
* * *
3.
Pas vitit
1999, më duhej të merrja çdo muaj udhën nga Kukësi në Tiranë e kthim për të bërë
analizat e kontrollet mjeksore të radhës që nuk bëheshin në Kukës.
Një ditë me
borë në dimrin e 2002, u bashkova me shoferët e furgonave që guxonin të niseshin
për Kukës. U nisa në mëngjez, megjithëse më thanë plot njerëz të mos nisesha. Por
është e vështirë të rrish jashtë shtëpie gjatë nëpër miq. Në hotele nuk është edhe
aq e lehtë. Duhej të kisha një rrogë tjetër shtesë vetëm për hotele e
shpenzimet e mia.
Patëm shumë
probleme në Shpal të Mirditës, ku nuk ishte e zakontë të binte shumë borë e të bllokonte
rrugën. Por, në dilemat kthehemi për Tiranë apo të ecim, ne ecëm. Për gjendjen
time shëndetësore ishte aventurë me rrezik ky udhëtim. Por shoferin e kishim të
zotin dhe furgoni ishte i mirë. Me shumë mundime mbërritëm në Fushë – Arëz pas 5
orë udhëtim nga Tirana. Pasagjerët mbaheshin mirë, unë me veshtirsi. Aty, ding
me makina e njerëz. Ishte bllokuar Qafa e Malit. Trashësia e bores, një metër.
Isha
korepondent i Top Albania Radios (TAR), për qarkun e Kukësit. Çdo orë të atij
udhëtimi dhashë lajm në radio. Kur pashë në Fushë – Arëz kolonë të gjatë autoveturash
e autobuzësh me targa të Kosovës plot me pasagjerë fëmijë e gra, e shtova shumë
dramacitetin në lajmet që jepja dhe fillova të jap raporte telefonike direkte
me zë. Numri i makinave të bllokuara, sipas policisë, ishte mbi 300. Nga studio
e TAR, Zamira Koleci, Bert Prifti, Eno Popi e të tjerë mbeten në linjë direkte
duke u interesuar për gjendjen time shëndetësore, përtej raporteve që jepja. Mbërritëm
te Kafja e Lekës. Munda të karikoj celularin. Po vinte dreka. Bora pushoi. U
nisëm. Na thonin se janë çelë segmente rruge dhe ne ecnim si breshka. Pas 2 orësh
mbërritëm nga Kafja e Lekës deri ku nis rruga për Tropojë. Aty u prish furgoni.
Nuk ndizej më. Rruga ishte një kalimshe. Nuk ia hapnim dot udhën makinës që ishte
pas nesh.
Përpiqeshim
ta shtynim për të hapë udhën për makinat e tjera. Por pa rezultat. Këpucët, këmbët,
pantallonat e mbathjet ishin bërë qullë, pasi duhej të zbrisnim herë pas here që
të shtynim furgonin dhe sharronim në borë deri në brez. Po ngrija nga këmbët. Shihja
dhe dëgjoja fëmijë që qanin. Britma, sharje, sharje, sharje…
Shkoi një
orë. Por edhe në raste të tilla rroftë biznesi. Një makinë autoveturë e lartë me
katër rrotat aktive erdhi nga Qafa e Malit deri ku ndahej udha me Tropojën. Ju
nxjerrim ne në Qafë, na ofroi njëri që ishte me shoferin. Ata që donin, duhej të
paguanim nga 4 mijë lekë sejcili pasagjer për copën e udhës nga aty ku ndahej udha
e Tropojës e deri në Qafë të Malit, që besoj duhet të jetë jo më shumë se tre
kilometër. Bileta Tiranë – Kukës kushtonte një mijë lekë. Gjysma hypëm, ashtu
grumbull në prehër të njëri - tjetrit, dhe gjysma e pasagjerëve mbetën në borë sepse
nuk kishin lekë.
Në Qafë të
Malit, mu në majë, na zbritën nga makina. Ata dëgjonin në kasetofonin e makinës
Top Albania Radion. U prezantova dhe ju thashë se unë jam ai që më keni dëgjuar
gjithë ditën në radio. Nuk ju jap lekë. Panë njëri – tjetrin të dy dhe qeshën pak
hidhur. Por nuk ju dhashë lekë. Edhe ky lloj biznesi bëhej në borë. Natyrisht në
bashkëpunim me policë të ndryshëm dhe me ndonjë nga drejtuesit e mjeteve borëpastruese…
Furgoni
ynë pas një ore erdhi. E kishin rregulluar. Isha kërleshë komplet, po dridhesha…
Për shkak
të lajmeve që jepja çdo orë në TAR, merrja mjaft telefonata nga shokë e miq. Isha bërë, burim lajmi për gjithë mediat. Ndjehesha
i këputur. Po ngrija nga mesi e poshtë. Lloj – lloj mendimesh të liga më ligështonin
edhe më shumë. Pasdite, pranë Ujit të Ftohtë, i bërë grusht në sedile, duke numëruar
tik-taket e valvulës së zemrës që dëgjohen në gojë, marr një telefonatë nga
Benet Koleka i Rojterit.
- Nëse e
ndjen se nuk je mirë, po krijojmë mundësinë të vijë helikopteri për ty…, më tha
Beneti. Një ngrohtësi më veshi gjithë trupin…
Kur ramë te
Uji i Ftohtë, drejtori i policisë së qarkut, Ylli Tafili që më kish telefonuar
shpesh, më thotë se kishte mbërritur në Shëmri dhe po vinte drejt nesh të më merrte
në makinën e tij…
Mobilizimi
për të hapë udhën ishte i madh. Por bora ishte më e fuqishme, e pasosme. Mjetet
borëpastruese të pakta, të vjetra.
Mbërritëm
natën vonë në Shëmri, pas 10 orë udhëtim nga Kafja e Lekës. Të paktën u ngroha
në makinën e drejtorit të policisë. Iu luta ta ulte volumin e radios së dorës,
sepse çdo zhurmë më dukej se do më mbyste.
Pas
mesnate mbërrita në Kukës. 18 orë zgjati gjithë udhëtimi Tiranë – Kukës.
Dhe një javë
në krevat…