E hene, 30.12.2024, 04:19 PM (GMT)

Kulturë

Elida Bucpapaj: Esse për kohën e pamjaftueshme të Helena Kadaresë

E diele, 15.04.2012, 12:14 PM


ESSE PËR KOHËN E PAMJAFTUESHME TË HELENA KADARESË

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Po i shkruaj këto rradhë kur posa kam mbaruar "Koha e pamjaftueshme". Kur lexova faqen e fundit të librit nuk mund t’i ndalja lotët. Besoj se nuk kam qenë e vetmja, as e para dhe as e fundit. Gjatë leximit gjashtëditor pata ndjeshmëri të ndryshme, të cilat ndikonin edhe në humorin e gjithë ditës, diku edhe hatërmbetje, por kur mbarova rreshtat përmbyllës, më kishte mbetur një sensacion i ngrohtë, paqtues, pa asnjë pikë zemërate, dyshimi apo dileme, vetëm se ndjehesha disi e përhumbur nga përftimi real i nocionit të kohës së kufizuar, kur papritmas vë re praninë e limiteve që na e kondicionojnë jetën.

 

Në shkrimet e mia të shumta kushtuar Kadaresë diku kam shtjelluar se gjatë sistemit totalitarist dhe këtij tranzicioni torturues një fatlumësi e kemi patur, se kemi qenë bashkëkohës të këtij vigani të letrave dhe të ndërgjegjes kombëtare, koha e të cilit ka prodhuar fatlumësi edhe në kontekstin si komb, sepse na ka larguar nga fataliteti i shuarjes. Ashtu si Homeri i shpëtoi grekët, për shembull.

 

Kadare në mendjen time, ashtu edhe Helena bashkë me të, sepse nuk i është ndarë kurrë, kanë qenë gjithnjë pa moshë ose, më mirë të them, pa plakje. Këtë ndjesi e kam patur edhe me tim atë, deri sa u godit nga depresioni dyvjeçar që i mori jetën, fytyra e tij nuk kishte asnjë rrudhë dhe shpirtin e kishte të pastër e naiv si prej fëmije dhe kjo kishte një efekt çudibërës e ringjallës tek unë. Ndërsa efekti i mosplakjes së Kadaresë duhet të ketë patur një ndikim ringjallës në subkoshencën jo vetëm të lexuesve të tij, të cilët i mbeten atij miqtë më besnikë, por edhe të kundërshtarëve apo tek ata që nuk e kanë lexuar kurrë, apo që nuk kanë lindur ende.

 

Kur e mbarova librin, ai trishtim përmbysës nuk më erdhi prej faktit se Kadare ka vendosur që të mos shkruajë më romane, pasi njeriu vendos, i merr vendimet dhe më vonë zhvendos, i anullon ato, aq më tepër kur vepra e tij e shkruar, për nga volumi dhe nga vlera është kaq e madhe dhe e barabartë me atë që do të shkruanin të gjithë gjigandët e kulturës shqiptare të shekullit XX, të cilët për shkaqet e ditura nuk arritën ta shkruanin.

 

Kombin në grykë, ngjashërenjat që nuk i ndalja dot prej trishtimit shkretëtues ma dha ideja e përgatitjes të tyre për ikjen. Kur merr valixhet e nisesh në rrugëtimin përmbyllës drejt qiellit. Natyrisht memuaristika si zhanër i letërsisë nuk e përjashton fiksionin, aq më tepër kur flitet për të ardhmen, për diçka që nuk ka ndodhur dhe që askush prej nesh nuk e di se si do të jetë, gjithsesi kjo më tmerroi. Gjatë diktaturës i kemi mbijetuar të keqes duke lexuar librat e Kadaresë. Këto lexime na e kanë konservuar gjeninë kombëtare, identitetin kulturor me të cilin dallohemi prej kombeve të tjerë, duke i shërbyer ndërkohë edhe mbijetesës së individit gjatë periudhës totalitariste dhe përbindshit tranzicion, ku gjysma e shqiptarëve është shpërndarë prej eksodit biblik në të katër anët e globit, prej ku i është dashur ta nisi jetën nga zero, por prapë ia ka dalë.

 

Por tranzicioni ndërkohë na ka hapur sytë, na ka bërë syçelë, shpesh edhe cinikë për t’i shqiptuar të vërtetat, politikanët na gërdisin sepse e kanë shkretuar nocionin e moralit, ndërkohë që varfëria e elitës, e cila pothuaj nuk ekziston dhe shterpësia kulturore e bën Kadarenë të jetë shumë i domosdoshëm me praninë e tij çka është në antitezë të plotë me të gjitha llojet e ikjeve.

 

Në këtë shterpësi të politikës e të elitave Kadare duhet të jetë. Koha nuk është assesi e lamtumirave, në këtë krizë të besimit, ku shteti i së drejtës është një nocion abstrakt, ndërsa rinia, ajo ushtri e njëzetëvjeçarëve, ndihet e braktisur nga kujdesi i shtetit, kur shteti do të duhej të ishte Babai i të gjithëve dhe jeta e tyre, ende pa nisur, i ngjan një xhungle. Këta njëzetvjeçarë kanë sidomos nevojë për Kadarenë, edhe të gjithë ne të tjerët padyshim, sepse na duhen energji pozitive që të vazhdojmë më tutje.

 

Tani nuk kemi më idole, as idhuj. Kultura shqiptare ka mbetur e varrosur, ashtu si shtëpia e Ndre Mjedës lënë në mëshirën e fatit. Korifejtë e kulturës shqiptare kanë mbetur me atë status tragjik që i la diktatura, të ndëshkuar me dënimin më makabër të mundshëm që vepra e tyre të mos bjerë kurrë në dorën e lexuesit. Ka mbetur Skënderbeu, Nënë Tereza dhe Ismail Kadare. Nënë Tereza është gati e panjohur pasi diktatura sa ishte gjallë e la syrgjyn, ndërsa tranzicioni periudhën postum e la në dorën e çakejve që ta marrin nëpër gojë e nëpër këmbë sa herë të duan. Skënderbeu është i njohur, por ireal, ndërsa Kadare është gjeniali sureal dhe tokësori i gabueshëm, i cili ndërkohë është një nga banorët më elitarë të globit, duke tërhequr respektin dhe nderimin elitës botërore, teksa identiteti i tij është emërues i përbashkët me tonin.

 

Në këtë periudhë të kohës të begatë prej Zotit, por të shpërdorur prej nesh, kemi nevojë për entuziazëm, për "jois de vivre", për të rigjetur vetveten, për të rizbuluar vetveten nga indercia e fatit tragjik, që kemi patur, sepse, për çudi, paçka se jetojmë në kohën më oportune për ne, bash ne po e humbim kohën tonë, po e përdorim në disfavorin tonë, jemi ne vetë ata të cilët po vonojmë veten në këtë kaos të pashkak, të paarsye, ndërsa Kadare me veprën dhe praninë e tij, ka forcën dhe magjinë për të na shkundur, për të na shpëtuar nga thikat e honeve përpirëse, pa gjurmëlënëse. Askush nuk e ka më këtë forcë në Planetin Shqiptar veç Kadaresë. Dhe ti Helena, sepse në kuptimin e plotë të fjalës je Ëngjëlli tij Mbrojtës, sepse nuk i je ndarë asnjë çast të kësaj jete.

 

Në nëntorin që shkoi të dy me Skënderin ishim në Paris dhe një miku ynë, gazetar në Radio France na solli në Kopshtin e Luksemburgut dhe në Kafe Rostandku kërkuam në cepin e njohur Kadarenë. Nuk ishte. Kaluam dhe nga shtëpia, ju morëm edhe në telefon dhe ju nuk ishit.

 

Nuk duhet të ishit në Paris ose ndofta ju kishte ftuar dikush për drekë. Atë ditë binte pak shi, por Kopshti i Luksemburgut prapë dukej i jashtëzakonshëm. Në mendje kisha një poezi të Nervalit mësuar përmendsh kur isha adoleshente, "Une allée du Luxembourg". Nuk e kisha lexuar ende "Koha e pamjaftueshme", ku Helena shkruan aq shumë për këtë Kopsht.

 

Të nesërmen ishte diell e ngrohtë, një nëntor si maj tepër i rrallë për Parisin, i cili duket na mirëpriste në mënyrën e tij më sublime. U rikthyem prapë në Kopshtin e Luksemburgut, sepse na orientonte mrekullisht me Kafe Rostand, ku Kadare mungonte prapë tek ajo tavolina e tij në cepin nga ku shkruan dhe zakonisht sheh rrugën e kalimtarët. Pastaj kaluam nga Panteoni, pastaj rishtaz nga Kopshti i Luksemburgut, i cili ishte magjik dhe ndjellës tamam si e përshkruan Helena tek "Koha e Pamjaftueshme" dhe filluam të shëtisnim të dy duke e marrë me mend se edhe Helena e Kadare shëtisni këtu, duke bërë ndalesa e duke u ulur nëpër stolat ngaku soditet Senati i Republikës franceze, të këtij vendi i cili bëri për Kadarenë atë që nuk mund ta bënte dot Shqipëria, sepse pa tek Kadare një Shqiptar që është po aq vigan sa emrat më të përveçëm me të cilët krenohet Franca, Europa dhe bota, pasi kultura dhe letërsia është universale, bashkuese, komunikuese që i fshin kufijtë pa armë e pa luftë. Kjo lloj letërsie universale që shkruan Kadare i fshin edhe kufijtë e kohës, ia heq kohës kufizimet, limitet, caqet, pamjaftueshmërinë, fatalitetin dhe i jep kuptimin e pakufishmërisë, infinitit, ku asgjë nuk mund të shuhet, veçse vazhdon, në kontuininitet…

 

Këtë desha të thosha kur lexova „Koha e Pamjaftueshme". Unë e kuptoj Helenën shumë mirë, sepse sikur të dy ata të jenë bashkë edhe një milenium të tërë, të pandërprerë, Helenës prapë koha do t‘i duket e pamjaftë, e pamjaftueshme, e cungët, e mangët. Por kjo mangësi vjen nga dashuria e saj e pacak e pakufishme, ku përpara saj sfidantja kohë ngjan gjithnjë sa të hapësh e të mbyllësh sytë !



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora