Mendime
Alfred Lela: Eksportimi i Islamizmit Made in Albania
E merkure, 11.04.2012, 04:48 PM
Kemi qenë kryesisht
shoqëri konsumi e tregtimi, e shumë pak, sa pak, shoqëri prodhimi e mendimi.
Arsyet gjenden te një duzinë faktorësh, por shkaqet e këtij dështimi nuk prekin
qëllimet e opinionit të këtushëm. Duke qenë se ka një lidhje mes
industrializimit të një vendi dhe prodhimit intelektual, edhe kur vjen puna te
eksportet shqiptare të ideologjisë, mendimit apo religjionit, inventari ynë
është ose mungues ose grotesk. Të vetmen herë kur elitat shqiptare kanë
‘eksportuar’ prodhimin e tyre ‘intelektual’ ka qenë ai lloji qesharak i
internacionalizmit proletar, një variant shqiptar i stalinizmit, mbrojtës solo
i socializmit botëror: enverhoxhizmi paranojak i mbështetjes në forcat tona. Pas
shkëputjes nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik, e së fundmi nga Kina, totalitarizmi
dhe izolacionizmi mbetën i vetmi mall Made in Albania që ne ‘eksportonim’.
Edhe në sferën e
religjionit kemi qenë më shumë një shoqëri pritëse, pra importuese. Mes
nënshtrimit para taksave ose fe-ndërrimit shoqëruar me lehtësira e ofiqe,
zgjodhëm këtë të dytën dhe e zëvendësuam shpejt e shpejt kryqin me gjysmëhënën.
Në masë, ndryshe nga fqinjët tanë, edhe ata të sunduar nga i njëjti pushtues,
osmanët, edhe ata të yshtur me të njëjtat mjete, aspak ortodokse.
Feja e re,
muslimanizmi, bashkë me praktika të tjera të besimit që u shndërruan në pakica,
erdh’ e u zëvendësua me ateizmin, në kohën kur komunistët shpallën vdekjen e
Zotit. Me rënien e Murit të Berlinit, Rendin e Ri Botëror, Luftën Kundër
Terrorizmit, gjeopolitika e botës, dhe bashkë me të Shqipërisë, ndryshoi.
Ndërkohë që bëjmë pjesë në NATO dhe rrekemi të kandidohemi në BE, jemi
gjithashtu anëtarë të Konferencës së Vendeve Islamike dhe, si pasojë e një
konteksti historik, i cili është shpallur edhe doktrinë së fundmi,
neo-otomanizmit. Pavarësisht të gjithave, ato që na duken sot si komoditete,
por mund të jenë risqe, le të mos mundohemi që, për interesa politike të çastit
t’i paketojmë si eksporte Made in
Siç ka bërë së
fundi kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili duke folur para
studentëve të një universiteti privat turk ka shpallur se ky institucion do të
jetë përhapësi në botë i islamizmit shqiptar. Sigurisht që modeli i
muslimanizmit shqiptar është i admirueshëm; por merita e madhe e tij është
pikërisht toleranca, e cila është dëshmuar te mungesa e vullnetit, njëfarë
plogështie beninje, ndaj proselitizmit. Nëse atusë më të madhe të muslimanizmit
shqiptar synohet t’i ndërrohet kahje duke ia shumuar përpjekjet për
proselitizëm, para se të jetë një eksport i lakmuar, ai do të jetë një risk.
Në Amerikë, disa prej shteteve që votojnë rregullisht Republikanët njihen si Bible Belt states; aty e gjen mbështetjen edhe ajo që etiketohet si e djathta evangjeliste. Përfitimet politike që mund të vijnë nga konturimi në Shqipëri i një Rripi Kuranik, ose më keq akoma i Shqipërisë si eksportuese e islamizmit, do jenë gjithherë më të ulëta se krijimi i një nën/mbi Shkumbini tjetër në plan të brendshëm dhe i një hapësire që shihet e mbushur me mbetje osmane në plan ndërkombëtar. Jemi papërballueshëm të vegjël për të eksportuar ideologji dhe fe të mëdha.