Shtesë » Lajme
Milazim Kadriu: U përkujtuan 6 dëshmorët e UÇK-së të ZOLL-it
E diele, 25.03.2012, 04:59 PM
U përkujtuan 6 dëshmorët e UÇK-së të ZOLL-it që ranë në ditën e fillimit të bombardimeve të NATO-s
Nga Milazim KADRIU
Në 13-të vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit të ZOLL të UÇK-së Sabit Rrahimi, Bedri Ahmeti, Ismet Asllani, Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi u organizuan manifestime përkujtimore. Në këtë ditë kur forcat e NATO-së filluan bombardimet ndaj caqeve serbe në të gjitha frontet e luftës u zhvilluan beteja të ashpra në të cilat ranë edhe shumë dëshmorë të kombit. Kështu Sabit Rrahimi, shef i shërbimit informativ pranë Brigadës 152 “Shaban Shala” ra heroikisht në fshatin Dobërdol derisa ishte në frontin e luftës për të penguar forcat serbe që të depërtojnë nga fshati Dumnicë. Bedri Ahmeti, komandant kompanie pranë Brigadës 151 “Zahir Pajaziti” ra në fshatin e lindjes në Llapashticë ku ishte gjatë tërë luftës. Ismet Asllani, shef i logjistikës së Brigadës 153 “Hyzri Talla” ra në afërsi të Lipjanit, ndërsa dëshmorët Fatmir Selmani, Hamdi Sejdiu dhe Ragip Ademi ranë në Tashefc në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi prej nga tentonin të depërtojnë forcat serbe që të hyjnë në Kosovë. Në shenjë përkujtimi për këta dëshmor u bën homazhe dhe u vendosen kurora lulesh në vendet e rënies dhe pranë varreve të tyre në Dobratin, Llapashticë, Prapashticë, Repë dhe Zhiti. Në këto manifestime morën pjesë shumë qytetar të Llapit e më gjerë si dhe familjarë të dëshmorëve,përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtar të dëshmorëve dhe atdhetar tjerë. Me këtë rast u evokuan kujtime për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit.