Kulturë
Lis Bukuroca: E para dashuri
E enjte, 22.03.2012, 07:58 PM
Lis Bukuroca
E para dashuri
(kushtuar N.R.)
Xhani,
S’ ishte detyrë e tij, të zgjedhë të dashurin e motrës; edhe nga të tjerët qe ndihmuar
Kujtim për Ty mbetet: i çiltër, vezullues, naiv, i shtrenjtë dhe në shpirt ngurosur
Dashuria është e pafajshme, Xhani, e nxirosë njeriu i sëmurë, njeriu i rrembosur...
Kupidi:
Gjatë pushimit shkreptinë shikimet e praruar
Në oborrin e shkollës, skuqur mollëzat tua
Dy vështrime, pastaj nxitove e turpëruar
Rrahjet e zemrës, desh më ngulfatën mua!
Shkallëve:
Me fustan dallgëzuar, kombinezon qëndisur
Me flokë valëzore, e bukur si zanë
Këmishën e bardhë, deri në fyt kopsitur
Shikimi tretë, shitim, frymën më ndali!
Në dalje:
Me shoqet tutje, çantën duke shtrënguar
Fshehurazi pas teje, për të mësuar shtëpinë
Edhe katër herë ktheve kokën, ndjehesha i ftuar
Mbylle derën pas, pash qiellin dhe luta Perëndinë.
Letërkëmbimi:
Rita t’ i shtrydhte letrat e mia, tinëz në dorë
Në çdo pushim, vetëtonin vështrimet tona
Buzëqeshje, por të matur dhe të përkorë
Lexonim e rilexonim, deri në orët e vona!
Xhani:
Dhjetëra letra qenë shkruar, muaj të tërë net me dritë, të gjata e gjumë çakërdisur
Çdo ditë para pasqyrës, veshje varfërore, por e dëlirë, vetëm për ty shpirtndritur
Së shpejti do të takoheshim, më shkrove, ditë e natë përgatisja shprehje e fjalë
Ç’ ka do të ndodhte në takim, e pas takimit, kur dhe ku do të ritakoheshim vallë?
Pikniku:
U përvodhe nga shoqet, me ecje lozonjare
Tek shelgu lotues arritëm me nxitim
Me aureolë shndritëse si rreze polare
Gjë s’ më binte ndërmend! Epsh dhe Shtangim!
Guximi:
Të putha dorën, zemra përjashta desh më doli
Sy pulitur e shtrëngove plot ngrohtësi
Si e magjepsur, lëshove kokën mbi gjoksin tim
Të përkëdhela flokët dhe ofshana me ngashëri.
Drithërima:
Afruam buzët vrullshëm, për herë të parë në jetë
Pa fjalë shtrënguam njëri tjetrin si në vegim
Furishëm u shkëpute, ike me vrap, Xhani, ike vetë
Me sy të përcolla i shituar, i pari dhe i fundit takim.
Juda
Vëllai yt me dy tjerë dhe të dashurën e tij pranë
Më mbërtheu për krahu, me shumë harbutëri
Rrefkëtoi me piskama, paskëshim bërë hatanë
Dekada pas, ndjesë për atë vëlla, për atë dashuri?
Ah Xhani!
Shkaku:
Thuaj, siç fali Krishti, mund ta fali edhe unë,
Por Xhani, rrënoja të tilla, nuk falin Perënditë
Nuk i falen vëllait, atit, ndjesa ime s‘ vlen shumë
Jo kur rroposen afshet, jo kur rroposen dashuritë!
Pasoja:
Thuaj vëllait, ta qajë vetëm bijën e helmuar
Për dashuri ajo në amshim paska ikur
Ndryshe nuk e falë as djalli i mallkuar,
As krijuesi i dashurisë, vet Zoti i ndritur!
Mizoria:
Xhani, shtrëngoja receptorin i zemëruar; vëlla dhe prindër kundër bijës, me vrull e tërbim
Zëri yt disi më qetësonte, njeriu mplaket e dashur, ai mbetka, i njëjtë deri në çjetim
Të përfytyroja plot njomësi, në piknikun e shkollës; engjëllore, qëndisur me ojna e petale
Të dashurit tanë Xhani, vrasjen quanin nder, kurse dashurinë, marrëzi dhe vepër penale!
Karma
Oh, Xhani, e di, dhe Çika është njeri me shijet e veta, me dëshirat për këtë jetë
Ta përqafojë kohën, para se ta godasë fatkeqësia tjetër, do mbetet i shtangur vetë
Mund ta përlajë një tjetër mallkim, e të përfundojë si birbo e babazi i zgjebosur
Të mirat kthehen, dhe të ligat Xhani: rrëgjohen nga mëkati, njerëzit e marrosur!
Shkaku dhe Pasoja:
Jemi prodhim i antidashurisë, i njerëzve turpshëm të trullosur, deri në vetëdëmtim
Shumë jetë të katranosura...ndoshta rishihemi lart, në qiell, atje në amshim
Këtu nuk mundëm, Xhani, këto kujtime i shkrova zemërplasur e me lot në sy
I trishtuar, pse ai vetëm të përulura dhe pa ego, i donë bijat dhe motrat e tij!