E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë

Fehmi Kelmendi: Dakoli

E hene, 19.03.2012, 07:04 PM


Tregim

 

Fehmi Kelmendi

 

DAKOLI

 

E takova të mërzitur. Hallet e mundonin. As vetë s’dinte ç’ të bënte. Puna nuk i vete mbarë. Kushtet elementare jetësore i mungonin. Jetonte mizorisht. Vetëm kujtohej si ta qetësonte shpirtin e trazuar. Çoç e pësonte. Përjetonte çaste të vështira. Vuante shpirtërisht. Nga mundi shetiste. Endej poshtë e lart. Vente e vinte. Kot endej poshtë e lart. Lëvizte permanet. Duke ndenjur, diç e pengonte. Sapo ulej, ngrihej. Rrinte si mbi ferra. Këmbët i mpiheshin. Vetëvehtes vend vështirë i gjente. Vetëm me shpresa ngushllohej. Vallë, si mund t’i zgjidhte problemet e grumbulluara? Dertet e gajlet veç i shtoheshin. Gjatë bisedës prekej lehtë. Zhytej në mendime dhe përdorte fjalë patetike. Shpeshherë diskutonte me ashpërsi. Shprehej prerazi, shkurt e trup. Qëndresën e mbronte me pasion. Defetistët e nervozonin. Ndaj tyre mbante qëndrim kategorik. Ata që e njihnin hollë e mirë, jashtëzakonisht e respektonin. Paraqitej shpesh nëpër mbledhje, tubime dhe protesta. Zhvillonte një aktivitet të dendur politik dhe patriotik.

Masa e çmonte, sepse posedonte energji të pashterrshme. Falë talentit të rrallë, u bë i famshëm. Pos profesionit të vet, ushtronte edhe aktivitete të tjera. Pesë gjuhë të huaja i zotëronte. Tamam poliglot. Dhe si i tillë gëzonte autoritet të merituar. Krahas veprimtarisë së frytshme politike e patriotike, merrej edhe me shkrime. Ishte autor i një sërë veprash letrare: tregime, novela dhe balada. Gjithashtu i artikujve të ndryshëm, analizave etj. Me romanin psikologjik “Pishtari i Arsimit”, arriti të dekorohej. Kritikët letrarë e vlerësuan si vepër ndriçuese e llojit specifik të gjinisë së beletristikës. Protagonisti i paraqitur me pseudonim Profani, përfaqësonte tregtarin e luftës që luante rolin negativ në shoqëri. Gjatë promovimit të tij kolegët i uruan suksese të reja në të ardhmen.

Dakoli banonte në një shtëpi përdhese. Ajo kishte dy dhoma me nga dy dritare të vogla fare, dhe katër sharapolle. Shtëpia gjendej rrëzë kodrës Godan, skaj lumit Miran dhe pranë fshatit Shurdhan. Themelet prej gurëve, muret e ndërtuara me qerpiçë, çatia e mbuluar me kashtë thekre, kopshti përpara, vatha përprapa dhe dera e hyrjes e thurur me thupra, pasqyronin stilin e veçantë të saj. Udha zik-zake, që çonte në qytet, kalonte nëpër Luginën e Vaçkës. Fshatarët duhej të kujdeseshin, sepse bishat e malit i befasonin. Mënyra  e jetesës kësisoj,  atij i pëlqente. Për të enkas ishte ambient adhurues. Ndonëse natën me vonesë e zënte gjumi, në mëngjes zgjohej herët. Vazhdimisht ishte në shenjestër të pushtetit. Me të shkelur në pranverën e njëzetë, telashet nisën ta përcjellnin. Sa vinte ato i shtoheshin. Dy shokë me të cilët gati përditë shoqërohej, ia ngjitën një bisht dhe e morën në qafë.

Të kurdisur, ata e denoncuan si organizator i një grupi ilegal revolucionar. Organet e Brendshme, duke u bazuar në dekleratat e gënjeshtarëve, e arrestuan. Prokurori publik, Kusar Tufani, i ngriti padinë në gjyqin e qarkut të Vrianës. Gjatë pretencës ai e rëndoi jashtë mase para kolegjit gjykues me aktakuzën mjeshtërisht të formuluar. Trupi gjykues i përbërë prej pesë anëtarëve dhe tre porotëve, pa prezentimin e avokatit, me kryesuesin Butan Babaxhanin, mikun e ngushtë të prefektit të Trelanit, Tokan Tabanit, u besoi rrugaçëve dhe hiç pa faj të paditurin e dënoi në bazë të shpifjeve me dhjetë vjet heqje lirie. Viktima e dhunës dhe e terrorit shtetëror para syve të të pranishmëve e shqeu aktgjykimin pa presedan. I kërcëlloi dhëmbët nga të cilët dilnin shkëndija dhe nxitonte të sulej por u përmbajt, sepse të të ngatërrohej si humbës, e dinte se pësonte. Me të dalë nga burgu, një mbrëmje, qepazeve u zuri pritën. Aty mëkatarët i bëri kahër. Lajmi rreth e përqark qarkullonte: çdo kriminel, spiun e horr, i jep llogari atentatit. Tradhtarët po e paguajnë haraçin me jetë. Të poshtërit po ndëshkohen. Të gjithë po japin llogari para popullit.

Pata nderin ta njihja. Ishte burrë me trup mesatar. Mashkull i rëndomtë. As i pashëm, as i shëmtuar. Dora e djathtë pakës i dridhej. Për atë ndjehej i kompleksuar. Shpesh përmendte fazën rinore. Zhytej thellë në mendime. Kur i përkujtonte prindërit e vdekur, dhimbshëm rrëfente: Ime ëmë më la në moshën tetëvjeçare, kurse im atë dy vjet më vonë i mbylli sytë përgjithmonë. Disi u rrita. Por veç unë e di se si, thoshte i gjori. Me bukë misri e me dhallë. Mbeta që herët gjithashtu edhe pa disa shokë moshatarë: Jakupi vdiq prej veremit, Tafa ra nga mani, Dinën e mori uji i turbullt, Demën e zuri rrota e qerres, Fata u rrokullis Rrethit tatëpjetë, Zeqën e goditi rrufeja, Danin e mbyti dredha. Ky trim që në fillim të konfliktit të armatosur, u gjet në vijën e parë të frontit. Fishekët i kursente që asnjë plumb të mos i shkonte huq. Pas gjashtë muaj luftimesh të ashpra, ra heroikisht në altarin e Lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Kohë e ndryshueshme. Herë ftohtë, herë ngrohtë. Herë binte shi, herë dielli shkëlqente. Herë vranët, herë moti kthellohej. Era e lehtë fryente dhe freskonte. Gjethet e njoma shushurisnin, të tharat shkundeshin. Flladi blatonte e turfullonte. Aroma e luleve përhapej anë e kënd dhe soste në gërmushat e Karadakut. Bari fije mëndafshi valëvitej porsi valët e detit. Kënga e bilbilit të joshte. Fyelli i bariut larg jehonte. Në majë të Tumës valonte flamuri kuq e zi. Përbri Krastës, zdergjej bagëtia. Te murrizat dëgjohej këmbora e dhive. Në Livadh të Shehut, kecat lodronin. Ujqërit përballë i vëzhgonin. Sohishtës së Sukës tinëz u afroheshin. Kur dolën në rogë gjuetari çiftën ua drejtoi. Matanë Kodërdrenit shtrihej fusha e gjërë ngjyrë ylberi.

Malësorët e lodhur nën hijen e Norçës pushonin. Të rinjtë nga të gjitha anët ngarendnin. Këndshëm relaksoheshin. Thithnin ajrin e pastër dhe pinin ujin e nartë. Duke i shkëmbyer mendimet njëri me tjetrin konsulltoheshin. Menar Mani, të cilit  çifti nuk i gjendej, tregoi se si gjatë luftës bëhej tregtia me gjakun e vëllezërve, motrave dhe fëmijve tanë. Dikush luftonte për liri, duke mos kursyer as jetën. Dikush e shfrytëzonte rastin dhe pasurohej gjatë luftës dhe pas saj. - Ka njerëz gjithfarësh, në secilën shtresë shoqërore, ndaj nuk është për t’u çuditur, ia ktheu Lali Lima. - Prit, prit, e ndërpreu, Nakil Nika. - Domethënë, për shembull, bie fjala, a kupton a jo, a po merr vesh, vermi vesh fjalës, nuk është ashtu siç po thonë disa njerëz tuhafë, më shurdhuat, iu drejtua parafolësve, Latif Liktyri. -Vazhdo se na kënaqe, ia priti Lali Lama. - Gabove, shkretove, e teprove, ia nxore fundin, i tha Shabi Shabi. - S’ka gjë të keqe. Mos u shqetëso Shabi, foli përsëri Lali Lama. - Zgjedhi fjalët, iu përgjigj Shabiu. - E de më, duke shiquar me përbuzje, i bërtiti Shabiut Memish Hadi. - Na shkatërrove nervat, Lalë, ndërhyri Xani Xima.

Habib Kuturi e shiqonte të gabuarin me përbuzje. -Na  prishe disponimin, or matuf, i tha më në fund. - Sa kalamaj i ke, e pyeti Lito Luta Fahri Furkën. - Njëmbëdhjetë, iu përgjigj Fahriu. - I paç me jetë të gjatë dhe me fat, ia priti Dalan Raka. – Faleminderit! Le të rrojnë bashkë me fëmijët e tjerë, kudo që janë në botë! Kështu iu mirënjoh ai. - Emrat si i kanë, ripyeti i njejti? - Burimorë-kombëtarë, u përgjigj Fahriu. - I gëzofshin! Ndërhyri Taip Tifa. – Amin! Bido Mula matej e çmatej, dikur shpërtheu: Njerëzit me karakter të atrofizuar kanë idealin kombëtar të kufizuar. Trimat tanë nuk janë as të parët, as të dytët, as të tretët, as të katërtët e as të pestët, po kushedi të satët në radhë, që luftuan brez pas brezi kundër pushtuesve të ndryshëm. - Ç’u bë vallë me Vedat Vadin? Humbi pa shenjë e pa dukë. E lëshoi toka. Eshtë i gjallë, apo i vrarë? U interesua Ragip Rudi. Ai u çorr duke thirur në luftë për vetëmbrojtje, por kot, sepse shumica nuk e përfilli zërin e kushtrimit. - Kam pasë nderin ta njihja atë, duke aluduar në Vedat Vadin. Me të vërtetë ishte atdhetar i devotshëm, tha Hasim Kacimici. - Disa thonë është gjallë, disa se është vrarë, një zot e di. Kryesorja humbi pa shenjë e pa dukë, sikur e lëshoi toka, tha Tanush Taka. - Ne njerëzve të dëshmuar meritat ua njohim pasi ata të vdesin, ia behu Lazim Hallaçi. - Gajle tjetër nuk keni, iu bërtiti Ukë Hashani. - Mos na ço tugën pizeveng, more vesh, ia ktheu Nanur Duma.

- Pse flet jerëm, pa lidhje! Mati fjalët! Dje mjaltË, sot helm qet nga goja, i tha Halim Budumi. - Njeriu nuk e njeh as veten e lëre më të tjerët, pohoi Daut Paçarizi. - Më shurdhofsh! Tuhafi që qenke! Edhe ti më! Na kënaqe! Përdor fjalë me peshë që të zënë vend e të mos i luaj as topi, foli me zë të ulët, që mezi dëgjohej, Nail Dumani. - Nëse dikush nuk e ka zanat të flasë më mirë, i bie me heshtë. Fjalët pa shije as nuk shiten, as nuk blihen, tërhoqi vërejtjen Zef Pali. - Bëhu serioz! Mos u cirit e mos u zgërdhi or horr! Sharlatan që bën gafa! Erozioni ta paska rrënuar trurin! Je person me xanxa! E ke vdjerrë rrugën në oborr, i tha Mezan Meçe Ukë Hashanit. - Zekthi e ngacmon, shtoi Memo Duro. - Mbylle Ukë! Mbaju se e ngrëne vetë atë që s’duhet, iu kërcënua duke belbëzuar, Ajvaz Kacabashi. I mbushur plot me vrer, Elez Lisi e pështyu në fytyrë. Mezan Meqe dhe Edip Bajra e shanë. Sado Hoti u mat t’i mëshonte. - Hiquni tij, mos u fëlliqni me të, i këshilloi Nafi Naka. - Bejtarët, ambiciozët, karieristët e tekanozët, yshqehen me kritika, sulme dhe pamflete. Ata hedhin baltë në ajkën e kombit. Figurat më të shquara i denigrojnë, ndërsa veten e hipin në majë të piramidës, tregoi Rahim Ruhani. -Derisa tradhtarët qëndrojnë në pushtet, çështja kombëtare do të pësojë fiasko. Me këso shprehje, e mbylli bisedën shtatëorëshe, Gafur Garja.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora