E shtune, 21.12.2024, 02:15 PM (GMT)

Kulturë

Marius Chelaru: Eshtrat e fjalëve duke kurdisur formulën e jetës dhe të vdekjes

E marte, 13.03.2012, 06:50 PM


Eshtrat e fjalëve duke kurdisur formulën e jetës dhe të vdekjes

 

(Mendime kritike për poezinë e Vezir Ukajt në gjuhën rumune)

 

Nga Marius Chelaru

 

Nuk jam i pari që thotë se vargjet e shkruara në burg nuk mund të kundrohen përmes të njëjtës grilë me poemat e tjera, të shkruara nga pikëshikimet e tjera të botës së lirë. Substanca lirike e vargjeve të shkruara në universin koncentracionar, mund të jetë zakonisht e ngjyrës psikologjike, sociale, politike dhe patriotike, kudoqoftë në botë, madje edhe në këtë vëllim të Vezir Ukajt (i përkthyer me mjeshtri artistike në gjuhën rumune nga Baki Ymeri), një libër vlerash të veçanta, i cili mund të inkuadrohet përgjithësisht ndërmjet kufinjve të asaj që don të thotë poezi e mirëfilltë.  Këto shkrime me qëndisje dhe cicërima zogjsh të kushtrimit ndaj lirisë, i lexova duke dëgjuar gjëmat poetike të shkrira në një ansambël estetik dhe tematik.

Jo çdokush mund t’i trajtojë tekstet e këtij libri si do ashkla të hijeshisë apo “objekte të punës” për ndonjëfarë analize, e cila mund të bëhet, me siguri, hap pas hapi. Mundet, por është vështirë pa e provuar vetë tmerrin që ka përjetuar autori. E pamundur është të diskutosh për një poezi “okazionale” të Qëndresës shqiptare, e shkruar më 1964, kur autori i persekutuar nga korbat e komunizmit jugosllav kishte kuptuar për vdekjen e Fazli Greiçevcit në burg. Apo të kërkosh kufijtë e biografizmit e të ditarizmit me vargjet e tipit të këtillë. Kam dëgjuar njerëz, të cilëve burgu ua ka gëlltitur nga një kafshatë të madhe të jetës, e të cilët më kanë thënë se për ta lektura, pra edhe poezia, edhepse ishte e skalitur nga fjalë që mbanin në to “ngjyrën e zezë” të mureve, të testamentit të cilit i ishin nënshtruar, shkrimi për ta ishte një shkallë hyjnore për t’u ngjitur në qiej, apo për ta gërshetuar zymtësinë e kohës së brendshme me një gamë përfytyrimesh të “jashtme”.

Në kazamatet serbe, atje ku muret e vlagta dhe errësira e krijuar nga njerëzit, e shtyn njeriun të bëjë çmos për të kapluar dimensione të tjera, ndërsa Vezir Ukaj, një poet persekutuar i Kosovës shqiptare, ka krijuar përfytyrime që e gërshetojnë në mënyrë personale shtypjen e duarve të padukshme të trishtimit, siç e vizaton vetminë si në një kartë postale. Koha është myshkur në trupin tim prej peme të freskët, thotë autori duke shtuar se “Muret e lagështa dhe Terri/ Terri dhe lagështia gjithnjë/ m’i zbrumin Eshtrat e fjalëve./.../ Mes Murit Territ e Lagështisë/ zbrazëtia e shenjave në Mur/ Hieroglifi emrat anonim/ të të munduarve të Vdekur.../ Muri me shenja me grafe të zeza/ Formula të Jetës e të Vdekjes/ shenja të mbuluara me Kufomë/ asnjëherë të varrosura...” (Në shtëpinë e bardhë).

Kur liria është e mbërthyer në pranga, kur bota ka mure burgjesh, nganjëherë të duket se është më e arsyeshme të shfrytëzosh “eshtrat e fjalëve”. Atëherë kur gjithçka duket e mbuluar me njëfarë terri, i lindur nga njeriu, kur dashuria gjendet më shumë në kohën e kujtimeve, kur bredh e molisur dashuria, apo, kur dasma e bën dashurinë të harruar, “derisa dëshirat numërojnë ditët e fundit në trastën e kujtimeve”, sot ato shndërrohen në një përkujtim të burgut të zi. Madje edhe gjumi e gjen belanë, “kur shkon tehut të varrit.” Atëherë gjithçka kaplon stërshkëlqimin e një tipi të veçantë të thjeshtësisë. Atëherë emri i “Vetmisë”, i dashurisë “dashuri”, apo i urrejtjes “urrejtje”, “nuk i shkojnë për shtati poezisë fjalët e hijeshme”.

Për fat të keq, në këtë anë të botës, ku e çojmë jetën ku defilojnë “hyjneshat e kohës” dhe “eshtrat e fjalëve”, një album kujtimesh ku universi koncentrionar e ka një histori tejet të ngarkuar me hidhërim. Pos shqiptarëve, e kanë njohur skëterrën e diktaturës edhe rumunët dhe kombe të tjera. Fati ka ndikuar që kjo pjesë (juglindore) e Evropës sonë, të ketë një të shkuar të komplikuar, që i ka lëshuar vlastarët deri në ditët tona. Ende ka aq dhembje dhe aq vuajtje pranë nesh. Por, paralelisht me to, është edhe entuziazmi dhe fuqia shpirtërore për të shkruar. Dhe “fjalët janë të vjetra”, ato “nuk sosen asnjëherë”. Me to mund të shkruajmë edhe për lumturi, edhe për dashuri, edhe për vuajtje, në mënyra dhe këndvështrime të ndryshme. Mund të kërkosh t’i shtrosh fjalët, ashtu siç ta kërkon shpirti, duke i shtruar mendimet, kujtimet, shpresat, në formë të vargut. Këtë e ka bërë Vezir Ukaj me përkushtim atdhetar dhe mjeshtri artistike, ashtu siç e ka parë të arsyeshme, atëherë kur shkonte “tehut të varrit”, duke e kuptuar se “nuk duhet të habitesh” pse kaq shumë “humnera ka kjo jetë”.

Prandaj, lexuesi mund ta shikojë, me siguri, këtë vëllim kujtimesh të hidhura, ku defilon edhe dashuria, me mendimin te gjykimet dhe analizat e njërës apo tjetrës mënyrë, por mundet edhe ta marrë si të tillë, si një fragment shpirti nga jeta e një jeriu që jeton në Kosovën e ditëve tona, duke e përjetuar tejmatanë kufijve të saj, para dyzet vitesh, skëterrën e kazamateve serbe. Atë fragment shpirti, në të cilin errësira ka depërtuar brenda, duke u përdredhur në varg, në kërkimin e dritës, të dritës shqiptare që kërkon të depërtojë në poezi  “kopshti i fjalëve të bukura”.

 

(Impact cultural, Tërgovishte, Nr. 383, 2011)



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora