E hene, 23.12.2024, 10:43 AM (GMT)

Mendime

Flet Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

E marte, 13.03.2012, 08:00 PM


KUR NJERËZIT VUAJNË PËR SHKAK TË  KEQQEVERISJES

 

Flet ILIR ÇUMANI, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë: -  “Mendoj se duhet filluar nga një zgjim qytetar,  nga një emancipim i ndërgjegjes kombëtare, me qëllim që vendit t’i  sigurohet  demokratikisht promovimi i një lidershipi të ri politik me një mentalitet dhe vizion përcaktues europianizues të vendit, për të lënë pas një epokë që i përket së shkuarës  dhe të rendim me hapa të shpejtë drejt fqinjëve tanë perëndimorë.…”

 

Shqipëria endet mes “dallgëve të stuhisë detare”, ku varfëria po troket në shumë dyer të banorëve të zonave rurale. Dhe në kohën kur politika është me temperaturë të lartë, në çdo stinë (edhe në këtë dimër zemërak), mijëra familje shqiptare vuajnë për bukën e gojës, për një ilaç shërimi, ndërsa politikanët zhurmojnë me karige për një post, për një udhëtim, për një tender, për një ndryshim ligji në favor të tyre…

E gjithë kjo zallamahi bëhet ndoshta për të sfumuar qindra probleme që e brejnë shoqërinë shqiptare. Në këtë mori njerëzish mbushur me probleme, janë dhe jetimët, pjesa më e pambrojtur e shoqërisë shqiptare. Ata enden mes tymnajës së politikës, pa orientim, ku ti përplasë dallga e radhës,  e politikës demagoge. Përveç medias, vetëm ndonjë zë tek tuk, apo ndonjë pjestar i shoqërisë civile e ngre zërin e ndërgjegjes qytetare, civilizuese për këtë armatë të pambrojtur të shoqërisë së venitur, ku hareja duket e pa shëmbëlltyrë në horizont. Dhe mes këtyre zërave që është në krye për mbrojtjen e të drejtave të jetimëve,  është z. Ilir Çumani,  Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Ç’farë i shqetëson qytetarët sot ?

E sotmja e frikshme dhe e nesërmja plot ankth  e pasiguri për jetën. Sot qytetarët po vuajnë koston e lartë të sakrificave të mëdha për mbijetes, përmes varfërisë dhe skamjes totale, përmes një polarizimi të skajshëm mes shtresave të shoqërisë nga politika e keqe qeverisëse.

Në Shqipëri  ka me qindra familje që nuk plotësojnë nevojat bazë të jetesës së përditshme. Ato  sot ndodhen në kufijtë e ekstremit të varfërisë ku shumë prej tyre janë familje të riskut që rrezikojnë shkatërrimin e bërthamës familjare duke lënë edhe fëmijë jetimë.

Ngjarja e 4 fëmijëve - engjëj në Sukth të Durrësit  që në rrethana absurde humbën jetën për shkak të mjerimit dhe pamundësisë për të jetuar  një jetë normale, është preludi i një realiteti rrëqethës për të kuptuar se ç'farë ndodh sot nëpër familjet e thjeshta shqiptare, të cilat  s’kanë asnjë të ardhur dhe shteti nuk mundet ti asistoi nëpërmjet programeve  sociale mbështetëse dhe ndihma ekonomike.

Tragjedia  tejet e dhimbshme   familjes Xheka  në fshatin Sukth të Durrësit,  ku   vocërrakë  u kallën nëpër flakët e territ të natës, brenda  një kasolle pa dritë, në mes të të ftohtit  dhe mjerimit të pa anë, të rënë në gjumë e të urritur dhe me barkun bosh, (mbase duke parë edhe ëndërra për gjëra të bukura që ata kurrë si kishin parë dhe provuar në jetë), është ende e freskët në memorien dhe shpirtin e trazuar të të gjithë shqiptarëve.   Roberti, 13 vjeç, Vilsoni, 11 vjeç, Kasandra 9 vjeçe dhe Nertila  6 vjeçe, ishin fëmijë  që s’këronin gjë tjetër,  veçse  ëndërronin dhe dëshironin t’a jetonin jetën në botën e  tyre, si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. Si shumë fëmijë që kanë patur fatin e tyre të keq,  këta engjëj të pafajshëm  ishin të përjashtuar nga vëmendja e të gjithëve, larg syrit indiferent  dhe mbështetjes sociale me ndihmë ekonomike nga shteti dhe  pushteti lokal atje në Sukth

Është rast unik do të thosha në mes të rajonit dhe të Evropës, ku në mënyrë flagrante nga abuzimi me pushtetin, njerëzit e politikës nuk mendojnë seriozisht për fatet e qytetarëve, por për interesa të ngushta partiake e klanore, ku rrjedhimisht prodhojnë edhe kriza të  rënda  me kosto të lartë në kurriz të qytetarëve të vet.

Si shfaqet sot tablloja sociale e gjëndjes së fëmijëve jetimë në veçanti, dhe shtresave të tjera në nevojë në përgjithësi. Mund të na flsini me gjuhën e statistikave?

Familjes  së madhe të pjesës  së margjinalizuar të shoqërisë shqiptare, i janë shtuar dhe po i shtohen dita - ditës qindra fëmijë të braktisur nga prindër të divorcuar, qindra të tjerë të mbetur jetimë nga krimi brenda familjes, ku si shkak kryesor ka qënë dhe është papunësia, varfëria dhe pamundësia e tyre për t´i  rritur këta fëmijë.

Sot, institucioni i  Shërbimit Social Shtetëror mbulon me ndihmë sociale  65- 67 %  të njerëzve që  janë në nevojë,  numri i të cilëve arrin në 464.800, ose  14% të numrit të përgjithshëm të  popullsisë. Realisht numri i atyre që kanë nevojë për dorën  e shtetit dhe asistencë sociale është afërsisht 697.000.

Nga këta, 184.000 janë fëmijë, ku më shumë se 2/3  e tyre jeton  nën minimumin jetik dhe përballen me ekstremin e varfërisë në luftë me mbijetesën. Afro 100.000 persona janë me aftësi të kufizuara,  31.000 është numri i fëmijë jetimë në mbarë vendin, ku 400 prej tyre trajtohen sot në  9 qëndra rezidenciale shtetërore që janë nën juridiksionin e shtetit dhe 360 të tjerë në 16 qëndra rezidenciale joqeveritare, (OJF).

Në këtë shërbim,   vepron rrjeti i shërbimit social me   12 zyra rajonale në të gjithë vendin, i cili,   për hir  të së vërtetës,  nuk ka  funksionuar si duhet në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri.

Në të shumtën e rasteve,  ky rrjet shërbimi  ka qenë informal,  duke i sjellë shtetit dhe imazhit të vendit dëme të konsiderueshme në aspektin  social dhe ekonomik,  ashtu edhe në planin moral dhe në çështjet e integrimit në përgjithësi.

Kjo ka bërë  që vitet e fundit,  partnerët ndërkombëtarë të jenë skeptik ndaj institucioneve tona të shërbimit social, pasi ata kanë qenë rregullisht edhe donatorët kryesorë në implementimin e  programeve sociale në favor të shtresave në nevojë.

Edhe pse në vendin tonë veprojnë 140 operatorë  të Shoqërisë Civile (OJF)  që merren me trajtimin e shtresave të varfëra dhe  fëmijëve në nevojë, ky fakt,  nuk ka mundur aspak të ndikoj në mënyrë të ndjeshme në zbutjen e fenomeneve sociale që prekin këto shtresa, pasi këto të fundit, në disa raste  nuk shihen nga institucionet shtetërore si partnerë serioz,  por konsiderohen  si konkurrent në një garë pa fund, duke i prerë rrugën  bashkëpunimit, koordinimit dhe bashkërendimit të punëve mes partnerëve social - joqeveritar dhe atyre institucionalë.

Skamja dhe uria,  të  shkaktuara  nga korrupsioni tradicional i 21 vjetëve të fundit, ka pllakosur në mjerim të thellë  shumë familje shqiptare dhe ka sjellë për pasojë viktimizimin e shtresave të pambrojtura.

Mjafton të marrim si shembull rrethet Tiranë, Shkodër, Sarandë, Durrës, Berat, Korçë, Fier, Elbasan, Gjirokastër, ku nëpër konviktet e shkollave te mesme në këto  qytete,  të cilat  kanë të vetmin destinacion strehimin e nxënësve konviktorë  të ardhur nga rrethet,  ndodhen sot të strehuar me qindra të rinj jetimë të papunë në kushtet e getove, ku nuk u sigurohet as minimumi jetik dhe s´kanë asnjë shpresë  për të ardhmen e tyre.

Të mbetur dyfish  jetmë në gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, mes nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor dhe shpresës së premtimeve boshe e demagogjisë pafund prej  ministrave dhe ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve, qeveritarëve lokalë e nënpunësve të administratës që përgjigjen për ta,  këta të rinj, sot janë kontigjenti më vulnerabël i shoqërisë shqiptare.  Ky realitet i hidhur,  vjen  si një dëshmi e gjallë  dhe  akuzë e rëndë për papërgjegjshmërinë e një klase të tërë politike me frymë   antihumane.

Prej gjashtë vjetësh, Amnesty International, ka bërë publike raportin vjetor çdo fundviti mbi gjëndjen e mjerueshme të jetimëve në Shqipëri. Ky raport i është bërë prezent çdo vit qeverisë shqiptare, institucioneve ndërkombëtare dhe parlamentit evropian duke vënë theksin se këtyre jetimëve prej 21 vjetësh të tranzicionit në Shqipëri, u janë shkelur dhe mohuar në mënyrë flagrante liritë dhe të drejtat themelore për një jetë të dinjitetshme. Atyre u është mohuar e drejta e strehimit, e punësimit, e asistencës shëndetësore dhe shumë të drejta të tjera të cilat i kanë pozicionuar si shtresa më e margjinalizuar dhe më e pashpresë e shoqërisë.

Në fazën në të cilat ndodhen të gjitha strukturat e pushtetit lokal, të cilat në procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale,  kanë të gjitha tagrat dhe instrumentat ligjorë të nevojshëm për të vepruar në përmirësimin e kushteve sociale të komunitetit, është koha  t´ju sugjerojmë  këshillave bashkiakë dhe atyre komunalë në të gjithë vendin, të shfrytëzojnë të gjitha rezervat, hapësirat ligjore dhe administrative për hartimin e një pakete  të plotë ligjore dhe implementimin   një statusi  të avancuar social në mbrojtje  të fëmijëve jetimë dhe të rinjve jetimë të papunë  e të pastrehë.

Nuk duhet harruar  nga ana tjetër se, ngujimi i 900 familjeve në rrethet  Shkodër, Malësi e Madhe, Lezhë,  Tiranë,  dhe në periferitë e Durrësit, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës si shkak i gjakmarrjes,  sot 400 fëmijë jetimë të mbetur nga ky fenomen janë të izoluar  dhe nuk shkojnë në shkollë, me shpresë se edhe dita e sotme u´a  kurseu jetën e tyre nga gryka e pushkës vrastare të hasmit, por  në të njëjtën kohë,  me shpresën  se  shteti duhet të vërë dorë sa më shpejtë mbi ta.

Janë  afro  530  fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, të cilët nuk e kanë ndjerë realisht dorën e ngrohtë të shtetit, të paktën si një obligim moral dhe shenjë respekti edhe  për 322 baballarët - Dëshmorë të Atdheut,  që dhanë jetën në këtë tranzicion të dhimbshëm në mbrojtje të rendit e qetësisë,  lirisë dhe vlerave të saj.

Janë plotë 1.300 fëmijë jetimë të mitur nga komuniteti romë, që i kemi  përditë në sytë tanë,  që shihen  me përbuzje e përçmim tek lypin buzë Lanës, në bulevardet plotë  shkëlqim të kryeqytetit tonë dhe luksit të pa masë të pjesës tjetër aristokrate  e indiferente, që ndoshta disave prej tyre nuk u luan asnjë shqisë kur i shohin në mbrëmje nga ekranet e televizioneve se si trafikohen matanë vendit fqinjë.

Nga varfëria, kequshqyerja dhe braktisja e shkollës, janë me dhjetra – qindra  fëmijë jetimë që nuk kanë mundësi për të realizuar ëndërrat e tyre, për të shfrytëzuar dhe shpalosur aftësitë e tyre, për të marrë pjesë  në jetën demokratike.

Ngjarja e ditëve të fundit me  familjet rome që jetojnë në qiell të hapur në mes të këtij të ftohti të acartë, dhe nga ana tjetër indiferenca e pushtetit lokal dhe e autoriteteve zyrtare shtetërorë përgjegjëse  për të zgjidhur çështjen e strehimit të tyre, përbën një lajm tronditës që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj dhe të institucioneve ndërkombëtare.

A nuk mendoni se në një situatë të tillë, njerëzit durojnë, pasi nuk kanë asnjë rrugëdalje ? Sipas jush, nga ç’farë duhet të fillohet për një ndryshim thelbësor të situatës?

Njerëzit, përveçse janë të zhgënjyer tradicionalisht nga demagogjia dhe retorika boshe e politikës së ditës, ndjehen  totalisht të lodhur dhe të pashpresë edhe sot pas 21 vjetësh.

Po ti referohesh të Drejtës Ndërkombëtare, një nga detyrimet bazë të qeverive në të gjithë botën demokratike është fakti që këto qeveri detyrohen me ligj dhe kushtetutë të garantojnë një jetë të dinjitetshme për qytetarët që kanë një status të dobët social, ku hyjnë femijët jetimë, invalidët, të moshuarit e braktisur, të papunët dhe njerëzit e sëmurë. Për të gjitha këto kategori, në Shqipëri asnjëherë nuk është menduar seriozisht nga të gjitha qeveritë, nga e gjithë klasa politike shqiptare në tërësi.  Përkundrazi. Edhe pas 21 vjetësh, (pasi kemi lënë pas  një nga rregjimet totalitare që në mënyrë flagrante shkelte hapur Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut),  ende sot e kësaj dite na ndjekin pas reminishencat e së kaluarës të keqqeverisjes dhe abuzimit me pushtetin në dëm të qytetarit, e veçanërisht në dëm të kategorive më vulnerabël të shoqërisë. Sigurisht, mendoj se është në ndërgjegjen popullore për të kërkuar një ndryshim rrënjësor të gjëndjes në të cilën ndodhet e gjithë shoqëria shqiptare, pikësëpari në kërkim të  një lidershipi të përgjegjshëm që të mendoj serozisht për fatet e vendit, për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të shumta që ka populli. Qytetarët, nuk mund të vazhdojnë të zgjedhin të zgjedhurit e tyre  në mënyrën tradicionale,  që me votën e tyre  të qeverisen  nga njerëz  të cilët pasi kane marrë në dorë mandatin për qeverisje, kanë prodhuar më pas konflikte dhe kriza  me kosto të lartë që e kanë goditur rëndë paqen sociale dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Mendoj se duhet filluar nga një zgjim qytetar,  nga një emancipim i ndërgjegjes kombëtare, me qëllim që vendit t’i  sigurohet demokratikisht promovimi i një lidershipi të ri politik, me një mentalitet dhe vizion të qartë  përcaktues dhe europianizues të vendit, për të lënë pas një epokë që i përket së shkuarës  dhe të rendim me hapa të shpejtë drejt fqinjëve tanë perëndimorë.

Ç’farë roli po luan media dhe intelektualet në gjithë këtë ? Si e shihni rolin e tyre ?

Mendoj se media dhe intelektualët e vërtetë kanë luajtur një rol mjaft civil dhe kontribuitiv në  opinionin e gjerë për ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe të mbarë shoqërisë. Një ndikim shumë pozitiv media  ka patur  në rritjen e shkallës së sensibilitetit  të prezencës së huaj në vend, por edhe    faktorit ndërkombëtar,  sikurse nga ana tjetër, kam rezerva për një pjesë  tjetër të medias, që për fat të keq prej vitesh e vitesh është kthyer në një megafon dhe instrument propagandistik të politikës, në një mjet represiv e shantazhi  ku flitet me gjuhën e urrejtjes dhe ndasisë për shkak të bindjeve dhe mendimit ndryshe dhe  ku institucionet e pavarura  kushtetuese goditen pa të keq.

Mendoj se atë që nuk e ka bërë dhe nuk po e bën si duhet opozita e një vendi demokratik, duhet ta bëjë opozita e opozitës që është dhe duhet të jetë media e pavarur dhe mendimi intelektual i pavarur nga politika.

Jam tepër pesimist për sa kohë do të vazhdohet të qeveriset me këto mënyra arkaike që i përkasin një të shkuare e cila nuk ka lidhje aspak me të ardhmen dhe botën e lirë demokraktike.

Ç’farë  duhet të ndryshoj tek njerëzit e politikës?

Duhet të ndryshoj  filozofia mbi konceptin  që ka qeverisja në sistemet demokratike në funksion të shtetit ligjor. Pa dashur të hyj në politikë, më duhet të them se, është e domosdoshme që një nga mekanizmat që ka lidhje me frymëmarrjen e demokracisë dhe që do ta shpëtoj vërtet këtë vend nga mbajtja peng e politikës dhe institucioneve të kapura  prej saj siç është drejtësia,  është aplikimi i disa standardeve që ka të bëjë me heqjen përfundimisht të imuniteteve të deputetëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe titullarëve të lartë të administratës shtetërore, të cilët,  pa këtë imunitet nuk do të mund të kenë kurajo të shkelin kushtetutën, ligjet e këtij vendi.  Pa këtë imunitet,  ata do të duhet të tregohen të përgjegjshëm  në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe do të mund të ndjehen të dobët, të respektueshëm  dhe të barabartë përpara ligjit kur ata e shkelin atë.

Kjo është një praktikë e njohur në përvojën botërore në vendet me demokraci solide.  Në asnjë vend të botës demokratike,  një deputet,  një  zyrtar i lartë  apo një gjyqtar,  kushdo qoftë, presidenti, kryeparlamentari,  kryeministri apo prokurori i përgjithshëm, nuk e gëzojnë imunitetin për të siguruar në mënyrë ta pandershme përfitime personale  ekonomike e politike duke shkelur ligjet dhe kushtetutën e vendit, porse ata me pozicionin  e tyre i  gëzojnë të gjitha  beneficet jo me imunitet, por me ligjin  dhe statusin që ata kanë  duke garantuar kështu një normalitet në ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese.

Ç’farë ju bën të ndiheni mirë në fund të ditës ?

Ndjehem mirë kur përballem me zgjidhjen e problemeve në favor të fëmijëve jetimë me të cilët unë dhe Instituti që drejtoj merremi prej kaq kohësh për të ndikuar në zbutjen e halleve të shumta që ata kanë në integrimin e tyre në shoqëri. Por, shpesh herë ndjehem i dobët dhe fajtor kur nuk mundemi të zgjidhim rastet që janë për t’u zgjidhur, për shkak të pamundësive dhe pengesave  të shumta burokratike që na dalin përpara nga institucionet dhe njerëzit me mungesë ndjeshmërie që punojnë në administratën shtetërore .

Janë të shumta rastet e atyre familjeve që kërkojnë ndihmë nga Instituti ynë, për të ndikuar pranë Institucioneve të pushtetit vendor dhe të pushtetit qëndror, për t’ju asistuar me ndihmë këtyre familjeve, që dita ditës kërcënohen nga uria dhe të ftohtit, nga shëndeti i keq dhe mungesat jetike për të bërë një jetë me dinjitet.

Njerëzit që vijnë tek ju, për ç’farë trokasin ?

Janë shumë fëmijë jetimë nga komuniteti rom, që lypin rrugëve, keqpërdoren nga prindërit e tyre dhe ligji nuk vepron mbi këta prindër që do t’i konsideronim abuzuesit permanent të këtyre  krijesave të pafajshme.

Kërkojnë ndihmë nga ne për të ndikuar pranë institucioneve të adminstratës publike, që t’ju jepet dhe t’ju garantohet një ndihmë ekonomike, një strehë,  vijnë për të drejta studimi ku këta prindër kërkojnë dhe shpresojnë që ne të ndikojmë në sigurimin e bursave për shkolla të mesme dhe të larta për fëmijët e tyre, me qëllim që edhe ata të mund të sigurojnë një të ardhme të sigurt me një profesion  që ti përgatit dhe integroj  nesër për në tregun e punës. Kërkojnë të ndërmjetësojmë për një vend pune, apo edhe për zgjidhjen e problemeve shëndetësore, ku indiferenca e pushtetit lokal për raste të tilla është evidente.

Jemi ndjerë mirë kur këto probleme i kemi zgjidhur në favor të këtyre njerëzve, por ka patur raste që  jemi ndjerë keq kur ndonjë rast nuk ka marrë zgjidhjen e duhur.

Gjatë punës suaj, cilat kanë qenë rezultatet më të rëndesishme që keni arritur

Mbi të gjitha sot Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë është një derë e hapur për jetimët në mbarë vendin,  ka ngjallur dhe rritur shpresat për këtë kategori, për zgjidhjen  e shumë  problemeve dhe halleve të shumta që e shqetësojnë këtë komunitet.

Kemi mundur të sigurojmë një legjislacion shumë të mirë dhe të avancuar i cili  përmirëson statusin e këtyre fëmijëve jetimë, siç është ligji i ri i birësimit që garanton një proces shumë cilësor dhe efektiv për fëmijët që birësohen brenda dhe jashtë vendit. Ligjin e kujdestarisë, i cili është një ligj bashkëkohor dhe me standarde evropiane, që parashikon mbështetjen sociale dhe ekonomike nëpërmjet programeve mbështetëse në komunitet të këtyre fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror. Është një Projekt që po aplikohet në Durrës dhe në Shkodër, ku shumë fëmijë jetimë përfitojnë shërbimin e kujdestarisë në komunitet, ku për çdo fëmijë të braktisur u sigurohet një e ardhur mujore prej 9.000 Lekë të reja, si ndihmë ekonomike  për nevojat e përditshme që ata kanë.

Kemi mundur të sigurojmë shkolla të larta  për dhjetra  e dhjetra të rinj  në sektorin e arsmit universitar privat dhe atë shtetëror, dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për të riformuluar një ligj të ri mbi “Statusin e Jetimit”, ku është hedhur ideja që statusi i ri, të perfshijë dhe t’ju vijë në mbrojtje edhe fëmijëve jetimë  socialë, të cilët nuk kanë mundësi financiare dhe e kanë humbur kujdesin prindëror, edhe pse prindërit ata i kanë gjallë, por këta të fundit nuk janë në gjëndje t’ju përgjigjen ekonomikisht këtyre fëmijëve për shkak të problemeve të shumta sociale që kanë,  si: sëmundjet, paaftësia dhe pamundësia për të përmbushur detyrën e prindërimit ndaj këtyre fëmijëve, duke marrë parasysh edhe shkakun kryesor që është  varfëria  e tejskajshme e cila u kërcënon dita ditës ekzistencën  dhe jetën këtyre familjeve.

Cili është mesazhi në fund?

Është për politikën. Shtetarë dhe udhëheqës që drejtoni këtë vend i cili mban në shpinë një histori tragjike shumëshekullore, plotë padrejtësi e vuajtje të panumërta: Kini parasysh thënien e mendimtarit, filozofit dhe humanistit Konfuc, mbi filozofinë e të cilit është ngritur dhe qëndron sot  historia e shtetit modern  Kinez,  kur  thotë se: “Testi më i mirë për një udhëheqës, politikan, burrështetas, është fakti se sa ai ka ndikuar gjatë sundimit të tij në përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve të zakonshëm. Tjetër test nuk ka…”.

E nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë këta “burrështetas”, “politikanë”, apo ç'farëdo tjetër, janë të destinuar të marrin me vete njollën e zezë të turpit dhe të krimit social, njollë e cila do t’i identifikojë si dështakë në histori, e padyshim, do të ikin të mbuluar njëherë e përgjithmonë edhe  nga pluhuri i harresës  për kohën kur ata kanë  keqqeverisur në dëm të popullit të tyre, në dëm të interesave të vendit të tyre.

Intervistoi: Albert ZHOLI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora