Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Skënderbeu sipas pikëpamjeve antishqiptare

| E marte, 11.03.2008, 11:44 PM |


Skënderbeu sipas pikëpamjeve antishqiptare

Nga Nuhi Ismajli
Figura e kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që nga ditët e para të lavdisë së tij e gjer më sot, ka frymëzuar vepra të shumta e të larmishme të fushave të ndryshme të krijimtarisë së autorëve shqiptarë e botërorë.

Figura e Skënderbeut është bërë një figurë e admirueshme për autorët shqiptarë e të huaj, në radhë të parë, për luftën e tij heroike, kundër pushtuesit e robërisë, për çlirimin e vendit e të popullit të vet dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, por edhe për kontributin e vlerën që kishte lufta e tij edhe për popujt tjerë dhe veçanërisht për shembullin e pamohueshëm frymëzues që pati e ka vepra e tij për ndjenjat liridashëse dhe virtytet më të shquara njerëzore të të gjithë njerëzimit.

Në kontrast me frymëzimet e fuqishme të veprave të autorëve shqiptarë e botërorë, trajtimin madhështor të figurës së tij dhe përpjekjes për të dhënë kuptimin e natyrën e madhështisë së tij, figura e Skënderbeut, e mbështetur në filozofinë e propagandën e kundërshtarëve të tij historikë dhe në propagandën antishqiptare, ndonjëherë është bërë objekt trajtimi edhe nga pikëpamje të tjera, të kundërta, joobjektive, antishqiptare, sipas të cilave ai del si shembulli i tradhtarit kombëtar, i cili lufton kundër interesave të Shqipërisë (H. Feraj) ; shembulli i heroit te vogël kombëtar (B. Latifi) ; shembulli i cilësive më të ulëta të shqiptarëve dhe të cilësive më të ulëta njerëzore (K.Trebeshina) etj.

Mohimi i heroit kombëtar

H. Feraj në shkrimin e tij të karakterit politik “Skicë e mendimit politik shqiptar”(bot. Logos – A”, Shkup, 1999), ia mohon Skënderbeut tërësisht vlerën e heroit kombëtar dhe, për më tepër, tek ai sheh qëndrime dhe veprime antishqiptare (f. 44, 45 etj.). Skënderbeu, sipas Ferajt, nuk është një hero kombëtar, po një figurë negative (f.84 etj.), pasi nuk e ka pranuar pushtuesin osman dhe robërinë e Shqipërisë, po e ka kundërshtuar dhe e ka luftuar atë për 25 vjet me radhë.

Pra, sipas Ferajt, ai i ka bërë dëm Shqipërisë, pasi ka kundërshtuar P.Osmane dhe nuk ka vepruar si të tjerët, të cilët e kanë pranuar pushtuesin osman dhe i janë bashkuar atij, si Hamza Kastrioti, M.Golemi.S. Balsha,B. Pasha etj. (f. 45) . Duke mos e pranuar P.O. dhe duke luftuar atë, sipas Ferajt, Skënderbeu ka refuzuar të mirat që sillte P.O. për shqiptarët, si: të drejtën e vetëqeverisjes, të drejtën e gjuhës, arsimit etj (f. 45).

E vërteta, siç e tregojnë të gjitha faktet, është se përveç të mirave personale që fitonin integristët, populli shqiptar nuk fitoi asgjë, po përkundrazi, pati humbje e pasoja deri në ditët tona.Kështu, dihet se integristët shqiptarë fitonin pozita e përfitime materiale, por ishin vetëm sherbëtorë të pushtetit osman dhe, si të tillë, duhej të luftonin për të dhe, jo rallë, duhej, për hirë të atij integrimi me P. O. , të udhëhiqnin fushata luftarake edhe kundër Shqipërisë, vendit e popullit të vet.

Përveç luftës së Skënderbeut /dhe skënderbegasve/ kundër P. O. shqiptarët patën edhe integrimin shumëshekullor me P. O. , ku mund të shihen “rezultatet” e atij integrimi.

Integristët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të mirën e kombit. Nuk kanë mundur të frenojnë dhunën e pushtuesit osman, as dhunën e pushtuesit të dytë (sllav e grek) mbi shqiptarët, dëbimet e shqiptarëve…
Duke i identifikuar me turqit, integristët shqiptarë, qoftë edhe ata të pozitave të larta, nuk kanë pasur kurrfarë të drejtash as mundësish që të krijonin kushte për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare, si: gjuha, arsimi, kultura kombëtare etj. Përkundrazi, pozita e integristëve shqiptarë, ka kushtëzuar që ata të jenë faktorë të fuqishëm të ndërprerjes së kulturës shqiptare për shekuj të tërë dhe imponimit e përhapjes së ideologjisë e kulturës së pushtuesit te shqiptarët.

Pranimi i pushtuesit osman, afrimi dhe integrimi i shqiptarëve me të, ka pasur pasoja të mëdha historike për shqiptarët. Kështu, përderisa të tjerët formuan shtetet e tyre ende pa rënë P.O. , shqiptarët, edhe pas rënies së P.O. mbetën me trojet e copëzuara dhe me pasoja që po i vuajnë edhe sot.

Skënderbeu, sipas H. Ferajt, është figurë negative, antishqiptare edhe për shkak se me luftën e tij kundër P.O. ka ndihmuar luftën e sllavëve (serbëve) e grekëve, lakmuesve të tokave shqiptare (f. 145 etj.), pa marrë parasysh faktin se, atëherë, P. O. ishte pushtuesi më i madh, numër një, i shqiptarëve; qëllimi i vërtetë i luftës së Skënderbeut, ishte çlirimi i Shqipërisë (dhe jo favorizimi i orekseve të të tjerëve) , ndërsa lufta kundër P.O. nuk donte të thoshte pajtim me pushtimin sllav (serbë) e grek të Shqipërisë.

Skënderbeu me qëndrimin e luftën e tij kundër P.O., sipas H. Ferajt ka krijuar një traditë politike antikombëtare, e cila, sipas tij, i ka sjellë dëm kombit shqiptar, kurse i ka shërbyer dhe i ka favorizuar pushtuesit ballkanikë të Shqipërisë(f. 84, 129 etj.). Po ashtu, me atë qëndrim të tij politik, sipas H. Ferajt, Skënderbeu ka qenë edhe kundër Perëndimit (f.83).(LOL!!!)

Por, në fund, mungesa e argumenteve, artificialiteti i pikëpamjeve, teorive e skemave të tij politike shihet kur ai e demanton vetveten me përfundimin se të gjitha rrymat politike shqiptare, pra, sipas tij, edhe rryma politike e integristëve, që sipas tij është rrymë “nacionaliste shqiptare”( ! ), nga e cila ka lindur nacionalizmi shqiptar ( ! ) (f. 38, 146 etj.), Skënderbeun e marrin si shembëlltyrë të heroit kombëtar (f. 82-84).

Baza e pikëshikimit dhe e pikëpamjeve të tilla të H. Ferajt për Skënderbeun është e mbështetur në pikëpamjet e filozofisë së pushtuesit, arsyetimet e tij për luftërat pushtuese, në filozofinë e moralit të integristëve, të cilët bashkimin me pushtuesin dhe luftën kundër vendit të tyre e quajnë vepër fisnike kombëtare, në arsyetimet e tradhtarëve të popullit dhe të vendit, të cilët tradhtinë e konsiderojnë nder, krenari, vlerë, dhe në mendësinë e ngulitur anadollake të robit.

Injorimi i heroit kombëtar

Shkrime të ngjashme me veprën “Skicë…” të H. Ferajt, në të cilat Skënderbeu jepet sipas pikëpamjeve antishqiptare, janë edhe shkrimet:“ Kombi, moderniteti, historia” (“Koha ditore”, 15 maj 2004, f. 27) dhe “Minimalizmi religjioz i shqiptarëve” (“Koha ditore”, 20 gusht 2005, f. 28) të Blerim Latifit.

Në shkrimet e tij B. Latifi synon të zhvlerësojë e mohojë figurën kombëtare të Skënderbeut dhe të rrënojë bindjet e shqiptarëve për të si kryehero kombëtar.

Sipas B. Latifit figura e Skënderbeut, si hero kombëtar, është “mit i shpikur” (“Minimalizmi…”) . Mitin për Skënderbeun, sipas B. Latifit, e kanë krijuar romantikët shqiptarë (“Kombi…”) dhe se “ Nacionalistët shqiptarë e kanë marrë figurën e tij dhe prej një princi feudal e kanë shndërruar në hero kombëtar” (“Kombi…”).

Vlerësimi i Skënderbeut si hero kombëtar, nga ana e historianëve shqiptarë, sipas B. Latifit është vetëm “ një konstruksion imagjinar me të cilin vazhdojmë të gënjejmë veten” ( “Kombi…”) etj.

Mirëpo, të dhënat tregojnë se romantikët shqiptarë nuk janë të parët, të cilët janë munduar ta trajtojnë madhështinë e Skënderbeut në veprat e tyre. Përpara romantikëve shqiptarë, krijuesit shqiptarë, që nga koha e Skënderbeut, si dhe krijuesit botërorë, të shekujve të ndryshëm, në veprat më të lloj-llojshme, e kanë përjetësuar madhështinë e Skënderbeut.

Romantikët shqiptarë nuk e kanë lartësuar aspak më tepër Skënderbeun se krijuesit shqiptarë dhe botërorë, para tyre.

Lufta dhe qëndresa njëçerekshekullore e Skënderbeut përballë një fuqie botërore, siç ishte P.O., adhurimi i tij në përmasa botërore dhe krijimi i figurës madhështore të tij në veprat e lloj-llojshme të qindra autorëve shqiptarë e botërorë, vetvetiu e bën figurën e Skënderbeut të pandashme nga figura e heroit mitik.

B. Latifi, në shkrimin e tij, mohon figurën kombëtare të Skënderbeut edhe duke i mohuar atij idetë nacionaliste. Sipas tij, për Skënderbeun “Idetë nacionaliste janë tërësisht të huaja dhe inekzistente…” (“Minimalizmi…”) ; “Ideja e kombit nuk ka ekzistuar fare në periudhën e Skënderbeut” dhe se “…projektimi i kësaj ideje në veprimtarinë e Skënderbeut është kurgjë tjetër përpos një vetëmashtrim” (“Kombi…”) ; Ai nuk është “farkëtues i identitetit nacional shqiptar” (“Minimalizmi…”) etj.

Pohimet e tilla, shtrojnë pyetjen: Ç’motiv e ka nxitur Skënderbeun të braktiste pozitën dhe përfitimet personale në kuadër të P.O. dhe t’i kthehej vendit e popullit të vet, një jete luftërash e betejash të vazhdueshme për vendin, popullin, lirinë dhe identitetin shqiptar, në mos vetëdija dhe synimet kombëtare, të cilat kanë shërbyer dhe shërbejnë edhe sot si model i qëndresës dhe orientimit kombëtar? Si ka arritur, pra, Skënderbeu të jetë shembëlltyrë e heroit kombëtar dhe e luftës çlirimtare, që nga koha e tij e gjer më sot? Mos është verbuar i gjithë njerëzimi dhe i jep cilësitë që Ai si ka?! Apo mos kanë ndryshuar natyra e parimet njerëzore dhe virtytet quhen vese, kurse veset virtyte?!…

B. Latifi i mohon Skënderbeut edhe luftën për kulturën dhe krishterimin perëndimor

Sipas tij, Skënderbeu nuk është “figura që personifikon identitetin nacional dhe perëndimor të shqiptarëve” (“Minimalizmi…”); ai nuk është “ mbrojtës i krishterimit perëndimor dhe farkëtues i identitetit nacional shqiptar…” (“Minimalizmi…”) etj.

Lufta e shqiptarëve kundër P.O. nuk ishte vetëm luftë fizike për çlirimin e vendit, po edhe një luftë shpirtërore e kulturore, kundër ideologjisë dhe kulturës së imponuar të pushtuesit. Luftërat e Skënderbeut frenuan shtrirjen e P. O. drejt Perëndimit. Epitetin “atleti i Krishtit” Skënderbeut ia dha qendra e krishterimit perëndimor.

B. Latifi në shkrimet e tij të përmendura mbron pushtuesin osman dhe synon të shquajë “vlerat” e pushtimit osman për shqiptarët. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë qenë “viktima të invadimit turko-islamik” (“Minimalizmi…”) dhe se vetëdija e tyre kombëtare u formua në shek. XIX: “Identiteti kombëtar në mesjetë nuk ekzistonte…” (“Minimalizmi…”) ; “ është gabim të kërkohen fenomene të vetëdijes kombëtare, ose të lëvizjes nacionaliste më larg se shekulli nëntëmbëdhjetë” (“Kombi…”) etj. , që, domethënë se, sipas tij, është P.O. ajo që e zgjoi vetëdijen kombëtare te shqiptarët!

Kështu, edhe B. Latifi, për Skënderbeun flet nga pozita e pushtuesit osman dhe nga pozita e atyre që përkrahnin pushtuesin osman dhe mbrojnë pushtimin osman të Shqipërisë dhe jo nga pozita e shqiptarëve që luftuan për lirinë e vendit e të popullit shqiptar dhe për kulturën shqiptare me orientim perëndimor.

Sharja e heroit

Pikëpamje të njëjta për shqiptarët dhe Skënderbeun, të cilat H. Feraj i shpreh teorikisht, Kasëm Trebeshina i shpreh artistikisht në veprën “Mekami” (bot. “Buzuku”, Prishtinë, 1992(94).

Trebeshina mohon karakterin kombëtar të luftës së Skënderbeut, e mohon atë si luftëtar për çlirimin e Shqipërisë dhe e quan “rebeli i pabesë” (f. 94) e vegël e pushtuesve të Shqipërisë ( “ …aty nuk po përgatitej një kryengritje, por Napoletanët, të ndihmuar nga Kastrioti, do të ndërmerrnin një fushatë për ta ripushtuar Kështjellën e Beratit” ( f. 58); “ Kastrioti është vegël e tyre (napoletanëve) …” (f. 59) etj.

Sikur në veprën e Ferajt edhe në veprën “Mekami” të Trebeshinës Skënderbeu paraqitet si armik i rrezikshëm për Shqipërinë dhe njeri egoist që lufton për interesa personale.

Një nga tradhtarët shqiptarë që shkon dhe bashkëpunon me turqit, që është zëri i autorit, thotë kështu për Skënderbeun: “ I thashë vëllait tim, Kastrioti është një njeri shumë i rrezikshëm për vendin tonë, ai është një njeri që do vetëm veten dhe familjen e tij, është një njeri i pangopur për pasuri dhe pushtet dhe, për t’i arritur këto dy qëllime të tij, ai mund të bëhet me Napoletanët, me Venedikasit, me Serbët dhe me djallin vetë!…” (f. 84).

Trebeshina ka injoruar dhe përqeshur edhe shkathtësitë luftarake të Skënderbeut dhe në vend të prirjeve luftarake të tij, siç e tregojnë dëshmitë historike, ai e jep atë me përmasat e një luftëtari të vogël, aq sa ai mundet edhe nga luftëtarët turq krejt të zakonshëm: “ I kishim dhënë Kastriotit një mësim të mirë si dhe herët e tjera…” (f. 86) ; “ Që nga ai moment unë vetëm ndoqa me admirim trimërinë e vëllait tim. Ai e ndali Kastriotin dhe iu përgjigj me kundërgoditjen e tij. Goditjet dhe kundërgoditjet këmbyen njëra-tjerën, por im vëlla nuk u praps asnjë hap dhe Kastriotit iu mbyll mundësia për të hapur rrugë…” (f. 93) ; “ Unë si në ëndërr shkova pas Ergynit që u vu të ndiqte Kastriotin…” (f. 94) etj.

Në veprën “ Mekami” të Trebeshinës, Skënderbeun e shohim gjithnjë të mundur, të zënë ngusht nga kalorësit e thjeshtë turq e duke ikur me fytyrë të përgjakur: “ Shumë herë gati sa nuk e bënë copa luftëtarët tanë…Unë pata rastin të shikoja fytytrën e përgjakur të Kastriotit dhe u mbusha me krenari për tim vëlla…” ( f. 94) etj.

Skënderbeu në veprën “Mekami” të Trebeshinës paraqitet si shembulli i shqiptarit më të keq, por i cili dallon prej shqiptarëve të tjerë, vetëm për atë se nuk ka qenë frikacak. Kështu, nëse shqiptarët , sipas veprës “ Mekami” janë: të egër, barbarë, mizorë, kriminelë, spiunë (spiunë të dyfishtë) , armiqësorë, jotolerantë, anarkistë, të pashpirtë, injorantë, mburravecë, maskarenj, të pacivilizuar, të pangritur, të prapambetur, pa identitet, të pasinqertë, të pabesë, tradhtarë, gënjeshtarë, mashtrues, të pandershëm, të pamoralshëm, gojështhurur, të ngathët (si luftëtarë), frikacakë etj. , Skënderbeu “ …i kishte të gjitha cilësitë e racës shqiptare, me përjashtim të frikës.” (f. 97) etj.

Edhe Trebeshina paraqet pushtimin osman të Shqipërisë, si diçka të lartë, të shenjtë dhe për të mirën e Shqipërisë, ndërsa turqit si të flijuarit për të mirën e Shqipërisë. Prandaj, edhe te ky autor, paraqitja negative e figurës së Skënderbeut bëhet nga pozita dhe pikëpamje antishqiptare.