Përjetësi » Ismajli
Nuhi Ismajli: Skënderbeu sipas pikëpamjeve antishqiptare
E marte, 11.03.2008, 11:44 PM
Skënderbeu sipas pikëpamjeve antishqiptare
Nga Nuhi Ismajli
Figura e kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që
nga ditët e para të lavdisë së tij e gjer më sot, ka frymëzuar vepra të shumta
e të larmishme të fushave të ndryshme të krijimtarisë së autorëve shqiptarë e
botërorë.
Figura e Skënderbeut
është bërë një figurë e admirueshme për autorët shqiptarë e të huaj, në radhë
të parë, për luftën e tij heroike, kundër pushtuesit e robërisë, për çlirimin e
vendit e të popullit të vet dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar, por edhe
për kontributin e vlerën që kishte lufta e tij edhe për popujt tjerë dhe
veçanërisht për shembullin e pamohueshëm frymëzues që pati e ka vepra e tij për
ndjenjat liridashëse dhe virtytet më të shquara njerëzore të të gjithë
njerëzimit.
Në kontrast me
frymëzimet e fuqishme të veprave të autorëve shqiptarë e botërorë, trajtimin
madhështor të figurës së tij dhe përpjekjes për të dhënë kuptimin e natyrën e
madhështisë së tij, figura e Skënderbeut, e mbështetur në filozofinë e
propagandën e kundërshtarëve të tij historikë dhe në propagandën antishqiptare,
ndonjëherë është bërë objekt trajtimi edhe nga pikëpamje të tjera, të kundërta,
joobjektive, antishqiptare, sipas të cilave ai del si shembulli i tradhtarit
kombëtar, i cili lufton kundër interesave të Shqipërisë (H. Feraj) ; shembulli
i heroit te vogël kombëtar (B. Latifi) ; shembulli i cilësive më të ulëta të
shqiptarëve dhe të cilësive më të ulëta njerëzore (K.Trebeshina) etj.
Mohimi i heroit kombëtar
H. Feraj në shkrimin
e tij të karakterit politik “Skicë e mendimit politik shqiptar”(bot. Logos –
A”, Shkup, 1999), ia mohon Skënderbeut tërësisht vlerën e heroit kombëtar dhe,
për më tepër, tek ai sheh qëndrime dhe veprime antishqiptare (f. 44, 45 etj.).
Skënderbeu, sipas Ferajt, nuk është një hero kombëtar, po një figurë negative
(f.84 etj.), pasi nuk e ka pranuar pushtuesin osman dhe robërinë e Shqipërisë,
po e ka kundërshtuar dhe e ka luftuar atë për 25 vjet me radhë.
Pra, sipas Ferajt, ai
i ka bërë dëm Shqipërisë, pasi ka kundërshtuar P.Osmane dhe nuk ka vepruar si
të tjerët, të cilët e kanë pranuar pushtuesin osman dhe i janë bashkuar atij,
si Hamza Kastrioti, M.Golemi.S. Balsha,B. Pasha etj. (f. 45) . Duke mos e
pranuar P.O. dhe duke luftuar atë, sipas Ferajt, Skënderbeu ka refuzuar të
mirat që sillte P.O. për shqiptarët, si: të drejtën e vetëqeverisjes, të
drejtën e gjuhës, arsimit etj (f. 45).
E vërteta, siç e
tregojnë të gjitha faktet, është se përveç të mirave personale që fitonin
integristët, populli shqiptar nuk fitoi asgjë, po përkundrazi, pati humbje e
pasoja deri në ditët tona.Kështu, dihet se integristët shqiptarë fitonin pozita
e përfitime materiale, por ishin vetëm sherbëtorë të pushtetit osman dhe, si të
tillë, duhej të luftonin për të dhe, jo rallë, duhej, për hirë të atij
integrimi me P. O. , të udhëhiqnin fushata luftarake edhe kundër Shqipërisë,
vendit e popullit të vet.
Përveç luftës së
Skënderbeut /dhe skënderbegasve/ kundër P. O. shqiptarët patën edhe integrimin
shumëshekullor me P. O. , ku mund të shihen “rezultatet” e atij integrimi.
Integristët nuk kanë
mundur të bëjnë asgjë për të mirën e kombit. Nuk kanë mundur të frenojnë dhunën
e pushtuesit osman, as dhunën e pushtuesit të dytë (sllav e grek) mbi
shqiptarët, dëbimet e shqiptarëve…
Duke i identifikuar me turqit, integristët shqiptarë, qoftë edhe ata të
pozitave të larta, nuk kanë pasur kurrfarë të drejtash as mundësish që të
krijonin kushte për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave kombëtare, si: gjuha,
arsimi, kultura kombëtare etj. Përkundrazi, pozita e integristëve shqiptarë, ka
kushtëzuar që ata të jenë faktorë të fuqishëm të ndërprerjes së kulturës
shqiptare për shekuj të tërë dhe imponimit e përhapjes së ideologjisë e
kulturës së pushtuesit te shqiptarët.
Pranimi i pushtuesit
osman, afrimi dhe integrimi i shqiptarëve me të, ka pasur pasoja të mëdha historike
për shqiptarët. Kështu, përderisa të tjerët formuan shtetet e tyre ende pa rënë
P.O. , shqiptarët, edhe pas rënies së P.O. mbetën me trojet e copëzuara dhe me
pasoja që po i vuajnë edhe sot.
Skënderbeu, sipas H.
Ferajt, është figurë negative, antishqiptare edhe për shkak se me luftën e tij
kundër P.O. ka ndihmuar luftën e sllavëve (serbëve) e grekëve, lakmuesve të
tokave shqiptare (f. 145 etj.), pa marrë parasysh faktin se, atëherë, P. O.
ishte pushtuesi më i madh, numër një, i shqiptarëve; qëllimi i vërtetë i luftës
së Skënderbeut, ishte çlirimi i Shqipërisë (dhe jo favorizimi i orekseve të të
tjerëve) , ndërsa lufta kundër P.O. nuk donte të thoshte pajtim me pushtimin
sllav (serbë) e grek të Shqipërisë.
Skënderbeu me
qëndrimin e luftën e tij kundër P.O., sipas H. Ferajt ka krijuar një traditë
politike antikombëtare, e cila, sipas tij, i ka sjellë dëm kombit shqiptar,
kurse i ka shërbyer dhe i ka favorizuar pushtuesit ballkanikë të Shqipërisë(f.
84, 129 etj.). Po ashtu, me atë qëndrim të tij politik, sipas H. Ferajt,
Skënderbeu ka qenë edhe kundër Perëndimit (f.83).(LOL!!!)
Por, në fund, mungesa
e argumenteve, artificialiteti i pikëpamjeve, teorive e skemave të tij politike
shihet kur ai e demanton vetveten me përfundimin se të gjitha rrymat politike
shqiptare, pra, sipas tij, edhe rryma politike e integristëve, që sipas tij është
rrymë “nacionaliste shqiptare”( ! ), nga e cila ka lindur nacionalizmi shqiptar
( ! ) (f. 38, 146 etj.), Skënderbeun e marrin si shembëlltyrë të heroit
kombëtar (f. 82-84).
Baza e pikëshikimit
dhe e pikëpamjeve të tilla të H. Ferajt për Skënderbeun është e mbështetur në
pikëpamjet e filozofisë së pushtuesit, arsyetimet e tij për luftërat pushtuese,
në filozofinë e moralit të integristëve, të cilët bashkimin me pushtuesin dhe
luftën kundër vendit të tyre e quajnë vepër fisnike kombëtare, në arsyetimet e
tradhtarëve të popullit dhe të vendit, të cilët tradhtinë e konsiderojnë nder,
krenari, vlerë, dhe në mendësinë e ngulitur anadollake të robit.
Injorimi i heroit kombëtar
Shkrime të ngjashme
me veprën “Skicë…” të H. Ferajt, në të cilat Skënderbeu jepet sipas pikëpamjeve
antishqiptare, janë edhe shkrimet:“ Kombi, moderniteti, historia” (“Koha
ditore”, 15 maj 2004, f. 27) dhe “Minimalizmi religjioz i shqiptarëve” (“Koha
ditore”, 20 gusht 2005, f. 28) të Blerim Latifit.
Në shkrimet e tij B.
Latifi synon të zhvlerësojë e mohojë figurën kombëtare të Skënderbeut dhe të
rrënojë bindjet e shqiptarëve për të si kryehero kombëtar.
Sipas B. Latifit
figura e Skënderbeut, si hero kombëtar, është “mit i shpikur” (“Minimalizmi…”)
. Mitin për Skënderbeun, sipas B. Latifit, e kanë krijuar romantikët shqiptarë
(“Kombi…”) dhe se “ Nacionalistët shqiptarë e kanë marrë figurën e tij dhe prej
një princi feudal e kanë shndërruar në hero kombëtar” (“Kombi…”).
Vlerësimi i
Skënderbeut si hero kombëtar, nga ana e historianëve shqiptarë, sipas B.
Latifit është vetëm “ një konstruksion imagjinar me të cilin vazhdojmë të
gënjejmë veten” ( “Kombi…”) etj.
Mirëpo, të dhënat
tregojnë se romantikët shqiptarë nuk janë të parët, të cilët janë munduar ta
trajtojnë madhështinë e Skënderbeut në veprat e tyre. Përpara romantikëve
shqiptarë, krijuesit shqiptarë, që nga koha e Skënderbeut, si dhe krijuesit
botërorë, të shekujve të ndryshëm, në veprat më të lloj-llojshme, e kanë
përjetësuar madhështinë e Skënderbeut.
Romantikët shqiptarë
nuk e kanë lartësuar aspak më tepër Skënderbeun se krijuesit shqiptarë dhe
botërorë, para tyre.
Lufta dhe qëndresa
njëçerekshekullore e Skënderbeut përballë një fuqie botërore, siç ishte P.O.,
adhurimi i tij në përmasa botërore dhe krijimi i figurës madhështore të tij në
veprat e lloj-llojshme të qindra autorëve shqiptarë e botërorë, vetvetiu e bën
figurën e Skënderbeut të pandashme nga figura e heroit mitik.
B. Latifi, në
shkrimin e tij, mohon figurën kombëtare të Skënderbeut edhe duke i mohuar atij
idetë nacionaliste. Sipas tij, për Skënderbeun “Idetë nacionaliste janë
tërësisht të huaja dhe inekzistente…” (“Minimalizmi…”) ; “Ideja e kombit nuk ka
ekzistuar fare në periudhën e Skënderbeut” dhe se “…projektimi i kësaj ideje në
veprimtarinë e Skënderbeut është kurgjë tjetër përpos një vetëmashtrim”
(“Kombi…”) ; Ai nuk është “farkëtues i identitetit nacional shqiptar”
(“Minimalizmi…”) etj.
Pohimet e tilla,
shtrojnë pyetjen: Ç’motiv e ka nxitur Skënderbeun të braktiste pozitën dhe
përfitimet personale në kuadër të P.O. dhe t’i kthehej vendit e popullit të
vet, një jete luftërash e betejash të vazhdueshme për vendin, popullin, lirinë
dhe identitetin shqiptar, në mos vetëdija dhe synimet kombëtare, të cilat kanë
shërbyer dhe shërbejnë edhe sot si model i qëndresës dhe orientimit kombëtar?
Si ka arritur, pra, Skënderbeu të jetë shembëlltyrë e heroit kombëtar dhe e
luftës çlirimtare, që nga koha e tij e gjer më sot? Mos është verbuar i gjithë
njerëzimi dhe i jep cilësitë që Ai si ka?! Apo mos kanë ndryshuar natyra e
parimet njerëzore dhe virtytet quhen vese, kurse veset virtyte?!…
B. Latifi i mohon Skënderbeut edhe luftën për kulturën dhe
krishterimin perëndimor
Sipas tij, Skënderbeu
nuk është “figura që personifikon identitetin nacional dhe perëndimor të
shqiptarëve” (“Minimalizmi…”); ai nuk është “ mbrojtës i krishterimit
perëndimor dhe farkëtues i identitetit nacional shqiptar…” (“Minimalizmi…”)
etj.
Lufta e shqiptarëve
kundër P.O. nuk ishte vetëm luftë fizike për çlirimin e vendit, po edhe një
luftë shpirtërore e kulturore, kundër ideologjisë dhe kulturës së imponuar të
pushtuesit. Luftërat e Skënderbeut frenuan shtrirjen e P. O. drejt Perëndimit.
Epitetin “atleti i Krishtit” Skënderbeut ia dha qendra e krishterimit
perëndimor.
B. Latifi në shkrimet
e tij të përmendura mbron pushtuesin osman dhe synon të shquajë “vlerat” e
pushtimit osman për shqiptarët. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë qenë “viktima të
invadimit turko-islamik” (“Minimalizmi…”) dhe se vetëdija e tyre kombëtare u
formua në shek. XIX: “Identiteti kombëtar në mesjetë nuk ekzistonte…”
(“Minimalizmi…”) ; “ është gabim të kërkohen fenomene të vetëdijes kombëtare,
ose të lëvizjes nacionaliste më larg se shekulli nëntëmbëdhjetë” (“Kombi…”)
etj. , që, domethënë se, sipas tij, është P.O. ajo që e zgjoi vetëdijen
kombëtare te shqiptarët!
Kështu, edhe B.
Latifi, për Skënderbeun flet nga pozita e pushtuesit osman dhe nga pozita e
atyre që përkrahnin pushtuesin osman dhe mbrojnë pushtimin osman të Shqipërisë
dhe jo nga pozita e shqiptarëve që luftuan për lirinë e vendit e të popullit
shqiptar dhe për kulturën shqiptare me orientim perëndimor.
Sharja e heroit
Pikëpamje të njëjta
për shqiptarët dhe Skënderbeun, të cilat H. Feraj i shpreh teorikisht, Kasëm
Trebeshina i shpreh artistikisht në veprën “Mekami” (bot. “Buzuku”, Prishtinë, 1992(94).
Trebeshina mohon
karakterin kombëtar të luftës së Skënderbeut, e mohon atë si luftëtar për
çlirimin e Shqipërisë dhe e quan “rebeli i pabesë” (f. 94) e vegël e pushtuesve
të Shqipërisë ( “ …aty nuk po përgatitej një kryengritje, por Napoletanët, të
ndihmuar nga Kastrioti, do të ndërmerrnin një fushatë për ta ripushtuar
Kështjellën e Beratit” ( f. 58); “ Kastrioti është vegël e tyre (napoletanëve)
…” (f. 59) etj.
Sikur në veprën e
Ferajt edhe në veprën “Mekami” të Trebeshinës Skënderbeu paraqitet si armik i
rrezikshëm për Shqipërinë dhe njeri egoist që lufton për interesa personale.
Një nga tradhtarët
shqiptarë që shkon dhe bashkëpunon me turqit, që është zëri i autorit, thotë
kështu për Skënderbeun: “ I thashë vëllait tim, Kastrioti është një njeri shumë
i rrezikshëm për vendin tonë, ai është një njeri që do vetëm veten dhe familjen
e tij, është një njeri i pangopur për pasuri dhe pushtet dhe, për t’i arritur
këto dy qëllime të tij, ai mund të bëhet me Napoletanët, me Venedikasit, me
Serbët dhe me djallin vetë!…” (f. 84).
Trebeshina ka
injoruar dhe përqeshur edhe shkathtësitë luftarake të Skënderbeut dhe në vend
të prirjeve luftarake të tij, siç e tregojnë dëshmitë historike, ai e jep atë
me përmasat e një luftëtari të vogël, aq sa ai mundet edhe nga luftëtarët turq
krejt të zakonshëm: “ I kishim dhënë Kastriotit një mësim të mirë si dhe herët
e tjera…” (f. 86) ; “ Që nga ai moment unë vetëm ndoqa me admirim trimërinë e
vëllait tim. Ai e ndali Kastriotin dhe iu përgjigj me kundërgoditjen e tij.
Goditjet dhe kundërgoditjet këmbyen njëra-tjerën, por im vëlla nuk u praps
asnjë hap dhe Kastriotit iu mbyll mundësia për të hapur rrugë…” (f. 93) ; “ Unë
si në ëndërr shkova pas Ergynit që u vu të ndiqte Kastriotin…” (f. 94) etj.
Në veprën “ Mekami”
të Trebeshinës, Skënderbeun e shohim gjithnjë të mundur, të zënë ngusht nga
kalorësit e thjeshtë turq e duke ikur me fytyrë të përgjakur: “ Shumë herë gati
sa nuk e bënë copa luftëtarët tanë…Unë pata rastin të shikoja fytytrën e
përgjakur të Kastriotit dhe u mbusha me krenari për tim vëlla…” ( f. 94) etj.
Skënderbeu në veprën
“Mekami” të Trebeshinës paraqitet si shembulli i shqiptarit më të keq, por i
cili dallon prej shqiptarëve të tjerë, vetëm për atë se nuk ka qenë frikacak.
Kështu, nëse shqiptarët , sipas veprës “ Mekami” janë: të egër, barbarë,
mizorë, kriminelë, spiunë (spiunë të dyfishtë) , armiqësorë, jotolerantë,
anarkistë, të pashpirtë, injorantë, mburravecë, maskarenj, të pacivilizuar, të
pangritur, të prapambetur, pa identitet, të pasinqertë, të pabesë, tradhtarë,
gënjeshtarë, mashtrues, të pandershëm, të pamoralshëm, gojështhurur, të ngathët
(si luftëtarë), frikacakë etj. , Skënderbeu “ …i kishte të gjitha cilësitë e
racës shqiptare, me përjashtim të frikës.” (f. 97) etj.
Edhe Trebeshina paraqet pushtimin osman të Shqipërisë, si diçka të lartë, të shenjtë dhe për të mirën e Shqipërisë, ndërsa turqit si të flijuarit për të mirën e Shqipërisë. Prandaj, edhe te ky autor, paraqitja negative e figurës së Skënderbeut bëhet nga pozita dhe pikëpamje antishqiptare.