Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Selim Nëngurra: Gjurmë shqiptare në Norvegji

| E marte, 06.03.2012, 08:04 PM |


GJURMË SHQIPTARE NË NORVEGJI

(Për respekt të shqiptarit të madh z. Hysen Çelaj)

 

Nga Selim M. Nengurra

 

Asht ba e mundëshme sot që mbrenda natës njeriu "modern shqiptar" të bahet shkrimtar, poet, artist, e besa edhe Dr. i shkencave. Gjithandej trojeve tona na dolën krijues, që po pjellin libra po sikur minjët të vegjlit e tyne, dhe po i numrojnë sa copë kanë botue. Mandej,  me numura “veprash të botueme” po kapërdisen e hiqen se janë dikushi. A kanë vlerë apo nuk kanë ato libra, njerëz të tillë nuk shqetësohen. Kujtojnë se mund të vërbojnë botën me numrin e veprave të tyne pa vlerë. Mjerë ne për rritjen e numeri të ….. injorantave me libra.

Para disa ditësh dëgjova se nji "shkrimtar" shqiptar, i lindun diku në malet e Kaçanikut , por me vendbanim në afërsi të Oslos në Norvegji, po pritka t’i dalë nga shtypi libri i tij i katërmbëdhjetë e se për temë paska marrë burri i botës SHQIPTARIN E PARË NË NORVEGJI.

Në ndejat e tija private, diku tue u gostitë me çaj rus (sikur po i thonë) dhe tue e përzie çajin në bardakët turq, apo në objektin e xhamisë të shqiptarmohuesëve në Oslo, ku ky kaçanikas me mburrje e rrahagjoksje ka edhe nji "SHKOLLË SHQIPE " për femijët shqiptarë, paska pasë dëgjue nga dikush se si njifarë Aliu, diku andej nga trojet shqiptare në Maqedoninë e sotme, paska pasë ardhë i vetmuem në Norvegji dhe kur paska pasë ardhë, nuk paska pasë takue shqiptarë të tjerë dhe tash po i thaka vetes se asht shqiptari i parë që ka shkelë tokën e vikingëve.

Unë që në fillim të shkrimit i kerkoj falje z. Ali dhe familjarëve të tij, sepse as e di kush janë, e se ky shkrim imi nuk u kushtohet atyne. Unë shkrimin e baj për ta njoftue opinionin shqiptar gjithandej, në veçanti ate të mërgimtarëve tanë në Norvegji, mbi të vërtetën, të argumentueme me fakte, cilat janë gjurmët e para shqiptare në Norvegji dhe për të mohue librin e këtij narcisoidi vetëreklamues nga rrethi i Kaçanikut.

Në librin " HOXHAS HEVN " në gjuhen norvegjeze të diplomatit CARL SCHIØTZ WIBYE para dy-tre vitesh pata lexue se si personazhi i librit të z. Wibye në nji dialog me nji shqiptar tjetër, pohon se shqiptarët e parë që kanë shkelë tokën norvegjeze ishin mbreti Zog i Parë dhe Diplomati e intelektuali Faik Konica.

Mbreti Zog paska pasë ardhë për të gjetë ndonji vajzë nga gjaku mbretnor e për t’u martue me te, ndërsa Faik Konica paska pasë ardhë me porosinë e bashkveprimtarit të tij Peshkopit Theofan S. Noli.

Fan Noli i madh paska pasë lexue dramen NORA  të Henrik Ibsenit të përkthyeme në anglishte dhe kjo i kishte lanë aq shumë mbresa, sa ai, me një letër porositë dhe lutë Faik Konicën që nga Brukseli të vizitojë këtë shtet nordik dhe të gjente në origjinal dramën NORA, e cila u ba shkak që Fan Noli edhe të mësonte gjuhën norvegjeze ma vonë dhe ta perkthente atë dramë në gjuhen shqipe. Simbas dialogut të personazheve të librit të z. Carl Sch. Wibye mësohet se Faik Konica paska pasë ardhë dhe si duket paska pasë fjetë në Hotelin  " FROGNER ". Pra, gjithmonë sipas këtij dialogu, mësojmë se kur kjo paska pasë ndodhë, paska pasë qenë vjeshtë e vitit 1936. Asht per t’u hulumtue se a ishte Mbreti Zog, apo Faik Konica, i pari që ka shkelë tokën norvegjeze. Dhe tek e fundit kjo edhe nuk ka aq randësi për shkakun se as i pari, as i dyti nuk erdhën në Norvegji për të jetue; ata erdhen për interesa personale dhe mund t’i quejmë turistët e parë shqiptarë në Norvegji.

Mirëpo asht me randësi të dihet se cili ishte shqiptari i parë që erdhi për të jetue në Norvegji. Ja kjo histori në disa pika të shkurta.

Unë në fund qershor të vitit 1989 pata fatin të jetoja si azilkërkues në strehimoren e refugjatëve në fshatin VEYBYSTRAND afer Ängelholm në Suedi. Aty edhe njoha nji burrë, i cili mbet përgjithmonë në kujtesen time. Ky ishte z. Hysen Hysaj, që e quenin edhe Hysen Çami, Hysen Çelaj dhe Hysen Megasuli.

Baca Hysen, sikur e thirrnim ne disa shqiptarë refugjatë nga Kosova, ka lindë me 15.08.1919 në Golem, në Malësinë e Gjirokastrës, në familjen e njohun patriotike e bujare të Lifto Hysajt. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe ma vonë edhe gjimnazin "ZOSIMEA " në Janinë. Regjistrohet në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Athinës. Kishte prirje për gjuhët e hueja dhe simbas asaj që tregonte ai me gojen e vet, gjatë ndejave të mia personale me të gjatë muejve fillimqershor-fundgusht të vitit 1989, qoftë në lokalet e strehimores në Veybystrand, apo edhe në shtëpinë e bacës Hysen në Ängelholm, ku bashkëshortja e tij e nderueme, zonja Arife Çelaj, na gostiste me langje e kafe, ndërsa unë baja veshin katër për të dëgjue atë burrë të madh, atë patriot të flaktë, atë poliglot, i cili fliste disa gjuhë botënore, se si tregonte për historitë e dhimbëshme të patriotëve shqiptarë, të cilet ishin detyrue ta braktisin Atdheun dhe familjen për t’i shpëtue përsekutimit e torturave komuniste të Enver Hoxhës, dhe po sikur baca Hysen, ishin arratisë në Greqi. Pra, për shkaqe të qendrimeve të tija patriotike dhe anticomuniste, Hysen Çelaj detyrohet të arratiset në Greqi. Aty jeton disa vite mbas Luftës së Dytë Botënore, dhe mbas shumë e shumë vujtjeve aty, përfundon në Minhen të Gjermanisë, ku në vitin 1952 jeton për disa kohë në kampin e refugjatëve të hapun për antikomunistët e shteteve të Europës juglindore. Nji kohë jeton edhe në Kaiserslautern dhe në vitin 1956 përfundon në Oslo të Norvegjisë.

Në Oslo baca Hysen vendoset dhe fillon jetën e vet të re. Merret me punë të ndryshme sa për fillim, dhe mbas nji kohe mbaron kursin për drejtues tramvaji. Punësohet në kompaninë OSVB, si vozitës i tramvajave dhe ishte shqiptari i parë që jetoi e punoi për 14 vite rresht në Oslo. Pra në Oslo jetoi deri në vitin 1970. Mbas kësaj shpërngulet në Suedi dhe vendoset në Ängelholm, ku në moshë pak të shtyeme, martohet me zonjen Arife dhe ju falë Zoti 5 fëmijë, dy djem e tri vajza. Djali i madh i baces Hysen, z. Avni Çelaj, asht major i armatës suedeze. Baca Hysen vdes në shtëpinë e vet i rrethuem nga grueja dhe femijët me 12.08.2004.

Unë këtë shkrim nuk e bana për të përshkrue kush ishte i madhi Hysen Çelaj, sepse për të ba portretin e nji njeriu të tillë duhet të bahet nji liber i tanë; unë shkrimin e bana për të denoncue librin e porsadalun nga shtypi, në të cilin autori i tij, gabimisht, do të njoftojë mërgaten tonë se cili paska qenë shqiptari i parë që erdh dhe u vendos me jetue në Norvegji. Ky autor shpresoj të mesojë nga gabimet e veta dhe tjera herë mos të ngutet, sepse shkrimet duhet me u mbrojtë me fakte, ndërsa librat duhet me pasë fakte të dyfishta, sepse ato mbesin per t’i pa brezat.

Për z. Hysen Çelaj ka shkrue bukur shumë miku dhe bashkveprimtari i tij, z. Emin Fazlija, dhe shpresoj se nji ditë ma të mirë do shkruej edhe unë, mos tjetër, së paku për kujtimet e mia, që i kam nga ndejat me atë burrë Shqipnije.

 

Sarpsborg:05.03.2012