E hene, 30.12.2024, 02:24 PM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Dhuratat e miqëve, na gëzojnë (XVII)

E diele, 04.03.2012, 07:55 PM


Ballina e librit

ME NDJENJAT E HOLLA TË ZAPLLUZHËS

 

Nëpër artin poetik të Adem Zaplluzhës

 

Më poshtë, diçka nga parathania

 

Libri poetik “ Mirëmëngjes Imzot” është më i fundit, deri tani, i poetit Adem Zaplluzha. I ndarë

në tre pjesë solide, libri kumton pjesët më të bukura që poezia e një poeti të vërtetë, mund të japë. Është një “libër kompozim”. Idetë filozofike, aq të fuqishme për këtë poet janë ngërthyer e bërë një copë me jetën e njerëzve, me mendimet e tyre, me vetë historinë e tyre. E midis ngjizjeve të tilla, shfaqet me ngjyrat më të ndryshme natyre. Ide, njerëz, natyrë. Është një amalgamë e përgatitur me kujdes nga poeti Adem Zaplluzha. Këto tre pjesë janë: “ Era e kujtesës”, “ Mirëmëngjes Imzot ” dhe “ Më prit qyteti im”.

Poetika e këtij libri është e bazuar në radhë të parë në origjinalitetin e vetë poetit, e në radhë të dytë për kombinimin e abstraktes me realitetin.

Në poezitë e Adem Zaplluzhës e jo vetëm ne këtë libër, por në gjithë krijimtarinë e tij, ndjehet një abstraksion poetik, por që ka vetinë e tretjes në lëngun e madh të jetës. Duke mos qenë i zakonshëm si poet ai është novator në poetikë, duke e sjellë atë në rrugë inteligjente e për të treguar të mirat apo të këqijat e jetës. Era për Zaplluzhën është kujtesë, është simfoni yjesh, është këpucë e bardit të lashtë dhe përfundimisht është instrument poetic i tij. Nëse në poezitë e Adem Zaplluzhës ka guxim në hedhjen e metaforave sa abstrakte aq dhe te logjikshme, a nuk ngjajnë ato  me penelatat e vrullshme të një piktori abstrakt por boll të kuptueshëm. E kjo ndodh pothuaj në çdo poezi. E ç’ të pakuptueshme ka në poezinë “Prizren”, kur poeti thotë qartazi:

 

Më prit qyteti im

Më prit

Unë sërish do të kthehem

Nëpër fshehtësinë e sokakëve

T’i preki pak ato ëndrra

Që askush deri më sot

Nuk i ka prekur!

 

Në pjesën e dytë të këtij libri, autori ka futur poemën delikate “Mirëmëngjes Imzot” ku flitet jo vetëm për Skënderbeun tonë por për historinë e shqiptarëve. Klithmat elegjiake, figuracioni

shumëngjyrësh, tendencat për risjellje të Motit të Madh, qepin në copë mëndafshi të flamurit kombëtar 10 pjesë njëra më emblematike se tjetra, e qepja është me fijen e artë e të padukshme të artit të Zaplluzhës.

Ky libër që nuk largohet kurrë nga ndjenjat për gruan e dashur, është bërë i ngrohtë pikërisht dhe nga kjo dashuri përhershëm. Ajo zë vendin e vet të bukur midis dashurisë për rrugicat dhe

qytetin, për Kosovën dhe për historinë e lashtë të shqiptarëve. E kurrë në gjithë poezitë e Zaplluzhës nuk mungojnë peizazhet që nga oborri i vogël i shtëpisë e deri në Kozmosin plot me yje poetikë. Adem Zaplluzha është ndryshe dallueshëm nga poetët e tjerë. Ai paraqet një teori të tijën në bërjen e poezisë, poezi që ruan portret të plotë pothuaj në shumicën e librave të tij të shumtë.

Libri “Mirëmëngjes Imzot” i jep lexuesit një kërshëri, një interes që vjen e shtohet nga faqja në faqe, e ku jeta e Kosovës shpaloset ashtu siç është. Kjo vjen ngaqë Adem Zaplluzha nuk është

predikues si shumë poetë të cilët bëhen autorë aforizmash. Ai predikimin e hedh tej e guxon të sjellë në vargjet e tij modern atë çka në zemrën e tij. Nëse në poezitë e tij nuk kemi rimën konvencionale, atë të përhapurën gjithandej, ne gjejmë muzikalitetin e mendimit e që transmetohet në të gjithë poezitë e këtij libri.

Nga Fatmir Minguli- kritik

------------------------------------------------------------

NGA KY LIBER I RI ME NDJENJAT E HOLLA TË ZAPLLUZHES,

ZGJODHËM PËR BOTIM KËTO PESË POEZI

 

1. AG

 

Herët në mëngjes

Një zog i kristaltë

Hyri në ëndrrën time

Pranvera fluturoi

Deri në vendbanimin e yjeve.

 

I tërë universi rrëqethej

Prej prekjeve të tua

Nga buzët e fjalëve të lumit

Bleta ethshëm thithte nektarin.

 

Dita si kurrë më parë

Qeli në gjethet e bagremit

Në kopshtin e baladave

Aguliçet e zgjuan dashurinë.

./.

2. HESHTJE PARALELE

 

Nuk më the asgjë

Heshtja bisedoi

Si asnjëherë gjer më tani.

Ti i besove lumit

Dhe bisedove me peshkun

 

Kjo ngjyrë e luleve

Po i përngjan serenatave

Nën penxheren

Me xhama të ngjyrosura

Hëna fërshëllen një melodi.

 

Ti ike atë ditë

Nëpër kujtesën e barit

Dhe i more të gjitha dallgët

Që të rrinin në prehër

 

Mua më lë me vetmin time

Dhe fërshëllimën e trenave

Atë ditë binarët

Ikën paralel

Deri në skajshmërinë

E  pafundësisë së pritjes.

./.

3. KËPUCËT E ERËS

 

Mbathi këpucët e erës

Dhe eja deri te unë

E dashur

Sillmi kujtimet

Me tërë madhështinë e fjalëve.

 

Më kujtohet

Kur vrapoje pas shiut

Dhe i dashuroje retë

Pas teje vinin lumenjtë

Dhe serenatat e muzgjeve.

 

Ti ikje diku

Kurse ne si pa kokë

Kërkonim tërfilin me katër gjethe

E vraponim pas rritjes së barit

Ndonëse pranvera

Qeshte me ne.

 

Kthehu e dashur

Kthehu

Mbathi këpucët erës

Dhe hynë nëpër gjumin e ajrit

Ashtu siç bënë ëndrra e jote

Kur takohet

Me baladat e përgjumura.

***

U ndërprenë sonte

Të gjitha rrjedhat e kujtesës

Era iku

Pas fëshfërimës së gjetheve

 

Kot të prita në zhgjëndërr

Kujtesa ime

Lulet atë çast u venitën

Në të gjitha vazot e qytetit

 

Desha të të gjej

Këndej pari

Nëpër vitrinat e pluhurosura

Qeshën me mua kukullat e dyllta.

 

Ik nga kjo amulli shterpe

Qielli i shtrydh retë

Në qerpikët e meteorëve

Mjegullat lëshojnë rrënjë

 

Sonte do të këndojmë

Deri në mëngjes

Dhe në ëndrrën e kënetës.

Do ta zgjojmë bretkosën e përgjumur

***

Ti fli e dashur

Në krahnezat e pjergullës

E kur të del gjumi

Shprishi flokët e lumit

Dhe më prit të portat e mundësisë

 

Më prit e dashur

Më prit

T’i numërojmë rruzaret

E këputura

Në kambanën e qytetit

Kaherë këtu

Merimangat tjerrin kujtesën

E lagjes

 

Më kujtohet si sot

Kur ti kaloje me nalla të drunjta

Kurse nga gjoksi i yt

Buronte zëri i ëmbël i mëngjesit

 

Për çdo ditë

Te çezma të pritnin me padurim

Poçarët e tërë botës
Deltina e djersitur rrëshqite

Nëpër njomësinë e dehur të barit

./.

4. PRIZRENI

 

Diçka dallova për të mirë

Prizreni ende këndon si dikur

Dhe pret me padurim

Me i prek

Ëndrrat e daulltarëve

Në rrënjët e tymosura të zambakëve

Rriten luleshpatat.

 

Ky lumë i qetë

Një ditë do zgjohet nga gjumi

Do i prek me mall fluturat

Që flenë

Nën flakën e kandilave

Do i prek

Lashtësitë e baladave.

 

Më prit qyteti im

Më prit

Unë sërish do të kthehem

Nëpër fshehtësitë e sokakëve

T’i preki ato pak ëndrra

Që askush deri më sot

Nuk i ka prekur.

./.

5. MIQTË E MI

 

Sa e mistershme

Brendia e këtij libri,

Kur engjëjt dalin nga balta

Kambanat ndryshken në shi.

 

Në daç lexo për së mbari

Në daç për së mbrapshti

Historia si çdo lavire

I ndërron brekët

Nga disa herë në ditë.

 

Pastaj vjen mbrëmja

Ku zihet avulli i dendur në tenxhere

Lypsarët afrohen nëpër kafene

Për t’i lëpirë kockat.

 

Miqtë e mi si çdoherë

Në bixhoz

I humbin dashnoret

Dhe kthehen në shtëpi

Pa rripin e pantallonave.

./.

KUSH ËSHTË ADEM ZAPLLUZHA

Ademi u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga Mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë, të cilën e botoi në revistën ”Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me shokët e punës dhe të penës, themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi u botua përmbledhja“Ngjyra e Kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista, që dlnin në Prishtinë, Shkup dhe Zagreb.

Në vitin 2010 i përkthehet në gjuhën rumune,“Pema e Bekuar”, libër, i cili u mirëprit nga lexuesi.  Po atë vit, në një nga numrat e revistës “Shqiptari”, në Rumani, në bashkëpunim me redaksinë e revistës “Dituria”, në Boras të Suedisë, botohet një antologji, “Jehona e Shekujve”, me autor Sokol Demaku, ku përfshihen edhe disa poezi të Adem Zaplluzhës.

Është prezantuar në LEKSIKONIN I SHKRIMTARËVE SHQIPTAR ( 15O1-1990,) Nga Hasan Hasani, si dhe në LEKSIKONIN SHKRIMTARËT SHQIPTAR PËR FËMIJË, (1872- 1995) nga Odhise K. Grillo, dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behlul, Prishtinë 2002.

Është përfaqësuar në Rumani në një antologji të shkrimtarëve Kosovës nga Monica Marushan KOSOVA LITERARA, (Kosova letrare, përkthyer nga Baki Ymeri, alias Alban Voka, 2011)

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë.

------------------------------

I NDERUAR ZEQIR!

Nuk njihemi personalisht por megjithëatë, vendosa të ju shkruaj.

Do më falësh se jam një “bilmez” në perdorimin e  kompjuterit, por rastësisht te redaksia e revistes ZemraShqiptare, e gjeta adresën e juaj. Krijova një simpati ndaj voglushes, mbesës tuaj që ju ka përqafuar në atë foto që keni si reklamë të redaktorit, dhe mu kujtua mbesa ime në Kanada, ndaj dhe po ju shkruaj. Mos ma shihni për të madhe se, kështu e kemi ne të moshuarit. Po ju dërgoj një libër timin që doli këto ditë "Mirëmëngjes Imzot" . Ndoshta meriton të ma paraqitni në internet nëpërmes revistës suaj.

…Kur ju më shkruat se po pergatisni dicka për librin tim,  ndjeva se po më respektoni shumë. Bile, i thash vetes:- A mos është pak tepër se, nga natyra ime,  nuk jam mësuar që të më gëzojnë shumë të tjerët, sepse nuk ia kam “kruar shpindën”, askujt në jetë.

Me  dëshirë të madhe do të isha takuar një ditë me Ju.

Me shumë respekt ndaj jush dhe ZemrësShqiptare,

Adem Zaplluzha, Prishtinë

------------------------------------------------------------

I NDERUAR, ZOTNI ADEM!

Ju keni falënderime nga ana ime, në emër edhe të redaksisë së ZemraShqiptare. Unë, jam një gazetar i vjetër i shtypit të shkruar, (tani edhe elektronik), dhe të them të drejtën e Zotit, (siç përdoret një shprehje e lashtë, atje në anët tona, Prizren e Tropojë), kur më shkruajnë njerëz që nuk i njoh personalisht, ndjej kënaqësi dhe materialet e tyre, përpiqem ti vlerësoj në maksimum. Pa, me shokët e miqtë e vjetër, kuptohet që je i detyruar per te qenë edhe më korrekt, që të mos i humbësh ata.

Bile, zotni Adem, Ti më ke bërë një nderë, se më ke shpëtuar nga ndonjë kritikë e ndokujt se, “Zeqiri, po boton materiale, veç për shokë e miq të njohur”. Unë, tani do të mbrohem: -Jo more, kam shkruar edhe për librin e Adem Zaplluzhës, që nuk e kam parë as njohur kurrë! (Këtë e them si me shaka  dhe për pak humor, zotni Adem, se na mbyti serioziteti o burrë!).

Ini i mirëpritur i dashur, edhe më shpesh në revistën prestigjioze ZemraShqiptare, ku sigurisht që edhe Ju, nuk vini sot, për herë të parë.

---------------------------------

(Për ZemraShqiptare, nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj, mars, 2012)



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora