Kulturë
Resmi Osmani: Hallet e Shqipërisë
E marte, 21.02.2012, 07:16 PM
Tregim
Resmi Osmani
HALLET E SHQIPËRISË
Kambana e plumbtë e qiellit të dhjetorit kishte mbuluar kryeqytetin.Bora në Dajt kishte zbritur deri poshtë. Era e ftohtë e veriut,priste si brisk. Kishte ditë që nga retë kullonte një shi i imtë, si i shkuar në sitë, që herë-herë kthehej në llohë bore të squllët e të ftohtë. Muzgu i parakohshëm mbrëmësor bëhej edhe më i mugët, ndërsa nata ngutej të shpërndante mbretërinë e errësirës. Mjegulla e përhinjtë, si frymëmarrje e ftohtë mbrëmësore e gojës së natës, që era e veriut e shtynte rrugicave, me perden e saj kufizonte pamjen. Dritat e zbehta të vendosura majë shtyllave të ronitura, bënin të dukeshin piklat e shiut, që zbrisnin tatëpjetë nga lartësitë si ca shpirtra pa prehje. Gropat e rrugës me asfalt të shkatërruar ishin mbushur me pellgje uji të verdhë. Për të mos shkelur në ta, kalimtarët dukej sikur ecnin duke vallëzuar. Në këtë buzëmbrëmje të zymtë, me shi e të ftohtë acar, anëtarët e kryesisë së partisë”E ardhmja e Shqipërisë”, që sapo ishte miratuar, duke kaluar një e nga një, rrugicë më rrugicë, të lagur e të squllur,të mardhur nga të ftohtit, që u kishte skuqur hundë e duar dhe u kishte hyrë deri në palcë, kishin lënë rehatin dhe të ngrohtit e shtëpisë dhe nxitonin për të arritur në kohë në mbledhjen e paralajmëruar, që do të mbahej në selinë e re të partisë,një bina e zymtë dhe e ftohtë, që kishte qenë dikur vila e një kolaboracionisti.
Të sapoardhurit, kur hynin në sallën e vogël të mbledhjeve, mezi shihnin të pranishmit, ngaqë tensioni i rrymës ishte i ultë dhe mezi skuqte telat e llambës së vetme që varej në mes të tavanit. Ajri i rënduar nga duhani, ishte akull i ftohtë njësoj si përjashta, fryma mjegullohej sa dilte nga goja. Rezistenca e reflektorit elektrik gjysmë e skuqur, nuk arrinte të ngrohte. Pasi përshëndeteshin, anëtarët e kryesisë uleshin rreth tryezës së madhe me syprinë të ciflosur ku binin në sy dy tavlla të mëdha duhani të mbushura me bishta cigaresh. Kryetari Dr.Isuf Kuçi, që shkurt i thoshin Cufe, vej e vinte nëpër sallë duke fërkuar duart. Me shtat mesatar e të lidhur mirë, shapka e lëkurtë strehëgjerë, që s’e hiqte asnjëherë, i mbulonte flokët e valëzuar që i binin mbi supe. Mustaqet e plota, pisë të zeza, që i mbante me merak, e rrëfenin më burrëror. Qafën e kishte mbështjellë me një shall leshi të trashë. Çibuku, që s’e hiqte nga goja, si ta kishte biberon, tymoste si oxhak. Kur zotërinjtë dhe zonjat erdhën të gjithë, kryetari u ul në krye të vendit. Në të djathtë të tij, zuri vend Harallambi, sekretari i përgjithshëm , kishte ulur para vetes një qeskë fara luledielli, që si i babëzitur, kishte vendosur t’u nxirte fundin. Brente, pështynte ceflat mbi një gazetë dhe përtypej gjithë lezet. I shijonin shumë.
Kryetari hapi mbledhjen:
-Zonja dhe zonjusha,zotërinj, vëllezër dhe motra,shokë dhe shoqe! Do tu jap një lajm të gëzuar. Sot është dita e madhe që do hyjë në histori. Bekuar qoftë demokracia dhe pluralizmi! Për hir të punës së grupit nismëtar, kurorës së bukur të partive iu shtua edhe një lule. Kam në dorë aktin ministerial të miratimit të partisë sonë politike “E Ardhmja e Shqipërisë”, e firmosur dhe e vulosur nga ministri i Drejtësisë, dora vetë. Shikojeni dhe admirojeni. Dua ta ndaj me ju këtë gëzim!
Akti kaloj dorë më dorë, si të ishte gjë e rrallë, apo relike e shenjtë. Kryetarit iu përlotën sytë,nuk u mor vesh nga tymi i çibukut apo nga mallëngjimi. Shpërthyen duartrokitje. Ai thithi thellë çibukun dhe shfryu një fjollë të gjatë tymi, që iu shtua resë nën tavan.
-Vëllezër dhe motra, ky është vetëm fillimi. Dëgjomëni mua. Na pret punë e madhe, jo thjesht e madhe, por titanike! Kjo barrë, që është në të mirë të Shqipërisë, do të rëndojë mbi shpatullat tona.-Të pranishmit u kërrusën si ta ndjenin rëndesën e asaj peshe.- Së shpejti do të thërresim Kongresin e Parë të partisë. Ngjarje kjo me rëndësi për gjithë jetën dhe të ardhmen e vendit. Sonte do të parashtroj disa teza programore. Dua të dëgjoni me vëmendje dhe të merrni pjesë në diskutim, të gjithë, pa përjashtim dhe të shfaqni mendimet tuaja që i konsideroj të vyera. Ashtu de!
Pa pritur u ndërpre korenti. U dëgjua një ah! Sallën e pllakosi errësira e plotë. Edhe përjashta ishte xëc. Tufani tërbohej dhe rrihte me kamxhikun e shiut dritaret. Vetëm prushi i cigareve xixëllonte dhe pikëzonte terrin.
-Dreq, po kjo ç’qe! Kemi qirinj? Jo. Qirinj nuk kishte- Ah mor Harallamb, që të ka shtënë nepsi pas farave të lulediellit, t’i kishe blerë ca qirinj!
-Fjalët dëgjohen njësoj, o Cufe,vazhdojmë pa drita do të vijë-qe përgjigja e Harallambit.
-Dëgjo, miku im, dëgjoni dhe ju te tjerët. Cufen harrojeni, i përket së kaluarës, që sot e tutje unë jam person publik: Dr.Kuçi, apo zoti Kryetar. Ashtu de!
Errësira nuk e linte të dukej, por kuptohej se fjalët u thanë me zemëratë e me një far mllefi që nuk e duronte mospërfilljen e personit të tij.
-Në errësirë nuk mund të bisedojmë. Kjo mbledhje është pjesë e historisë. Lejlaja duhet t’i hedhë në procesverbal. Bido, ti je më i ri, nxito dhe na blej ca qirinj.
Bidua doli dhe nga dera që u hap, hyri vrundulli i akullt i erës së veriut. Ra heshtja, dëgjohej kërcitja e farave që Harallambi vazhdonte t’i brente edhe në errësirë. Pas disa minutash, Bidua erdhi me një pako qirinj që i ndezën sakaq. Flaka e qirinjve luhatej dhe fytyrat e të pranishmëve dukeshin të zbehta e të shformuara.
Para se tw fillonte bisedën, ai tha si të kishte bërë një zbulim:
-Ja,zotrinj dhe zonja të kryesisë. Kjo është Shqipëria jonë. E zhytur në terr.e mardhur, e përbaltur, e uritur, e mjerë, e sëmurë. I dëgjoni bubullimat? Nuk janë bubullima por ulërima,i shihni vetëtimat? Nuk janë vetëtima por rrufetë e zemërimit! Ajo na thërret dhe pret që ta shpëtojmë dhe ne do ta shpëtojmë, sepse shpirti ynë dhemb, zemra na ther. Ta shpëtojmë Shqipërinë tonë të dashur, ky është misioni historik i Partisë sonë- tha këto dhe heshti që fjalët të zinin vend si gur themeli,pastaj vijoj:
-Vazhdojmë. Lejla, ji e shpejtë dhe e kujdesshme, ti hedhësh të gjitha në procesverbal. Së pari, pozicioni politik i partisë. Ne do të jemi parti e qendrës, ose siç thotë Baca i Partisë Ekologjike, si shalqiri, jashtë jeshil e brenda të kuq! Aleancat do të përcaktohen nga konjukturat politike! Merret vesh,të gjithë do të na e kenë nevojën!
-Me leje, doktor Kuçi ?- ai që e ndërpreu ishte Abdulla Kërrnaja, një gërmadhë, që vinte nga radhët e të burgosurve dhe përndjekurve politikë,thoshte se kishte bërë njëzet vite burg- Në këtë pikë kam vërejtje. Si është puna e atij shalqirit të kuq?
-Zoti Kërrnaja, emri dhe vuajtjet e tua i bëjnë nder partisë sonë, ne krenohemi me ty, por mos u ngut. Lere mënjanë filozofinë e urrejtjes dhe hakmarrjes. E drejta juaj do të vihet në vend. Eshtë një nga përparësitë tona programore. Ku e lamë? Ah, po. Në çështjen kombëtare. Qëndrimi ynë do të jetë i një partie nacionaliste, por që të mos na keqkuptojnë, i një partie kombëtare progresiste. Liri, pavarësi nga zgjedha barbare serbe dhe më pas bashkim me trojet kombëtare i popullit martir të Kosovës; njohje e të drejtës së pronës dhe rikthim në trojet e tyre të popullsisë çame. Realizimi i të drejtës kombëtare të shqiptarëve në vendet e ish Jugosllavisë. Në politikën e jashtme, orientim Euro-Atlantik dhe lidhje të ngushta vëllazërore me SHBA.
-Zoti kryetar, kam një sugjerim- tha Kiçua.
-Dr.Kiço, të njohim si një dijetar e statisticien të shquar, nuk është në tagrin tënd politika e jashtme. Kurseji mendimet për tjetër rast. Ju lutem, mos më ndërprisni se ma këpusni fillin e mendimeve. Ku e lamë? Ah, po te politika e brendshme. Nga ta nis e ku ta bitis? Shqipëria jonë e gjorë, ka më shumë halle sesa male! Varfëri dhe uri, më dridhet shpirti kur mendoj fëmijët që bjenë në gjumë pa ngrënë dhe zgjohen të uritur, apo që mërdhijnë dhe dridhen nga të ftohtit. Prindërit e papunë, që kthehen në shtëpi pa u sjellë fëmijëve bukën e gojës, mizerja është ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare, sëmundjet bëjnë kërdinë ....Fshati i zhytur në mjerim, pa drita, pa ujë, pa shkolla, pa rrugë, pa ura, pa qendra shëndetësore dhe i kërcënuar nga uria. Në ekonomi duhet të ndërmarrim reforma të thella në fushën e pronësisë, ndërsa në fshat një reformë të re agrare, të ndershme e të drejtë. Hallet e Shqipërisë duhet të marrin fund. Po. Po. Duhet të marrin fund. Erdhi koha e bekuar që edhe ne të rreshtohemi në krah të vendeve të zhvilluara. Jo më kot Lëvizja e Dhjetorit kishte slogan të sajin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Shqipëria jonë e varfër, ka burime të begata. Ne, do të punojmë që ta bëjmë atë, siç thoshte Konica i Madh, kopshtin e lulëzuar të Evropës, Zvicër të Ballkanit! Ky duhet të jetë përkushtimi ynë madhor. Ashtu de!
-Po më lejuat,zoti kryetar,dua të bëj një shtesë të vogël.
Kryetari e pa me akërrim.Si guxonin që e ndërprisnin!
-Doktor Fehmiu, i njohim dituritë e tua prej eruditi, ti je intelektual i shquar i Partisë sonë, por specializimi i ngushtë e i thelluar në fushën e florës, nuk ta ka mundësuar njohjen e politikave ekonomike, ndaj mbaj vendin tënd, mos u ngut,do vijë dhe radha jote! Këto probleme, sidomos ato të ndërtimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës, i kam biseduar gjerë e gjatë me Harallambin, që është njohës i shkëlqyer i terrenit. Apo jo, Llambi?
Harallambi, pështyu farat e lulediellit dhe pohoi me kokë, pa nxjerrë zë.
Llamba elektrike shkreptiu dhe u shua disa herë radhazi, pastaj më në fund u ndez. Tensioni ishte më i lartë dhe rezistenca e ngrohësit u skuq. Sakaq u ndje një afsh i ngrohtë. Qirinjtë i shuan dhe u ndje era e pakëndshme e stearinës. Nën tavan varej reja e tymit të duhanit. As që mund të bëhej fjalë për të mos pirë duhan. Llulla e kryetarit tymoste si oxhak. Grave nisën tu lotonin sytë dhe filloi ti ngiste kolla, por dyert nuk i hapën për ajrosje, jashtë era uturinte dhe shiu rrihte xhamat, do të hynte të ftohtit. Kjo ishte e tepërt, por duhej duruar. Aty bisedohej për hallet e Shqipërisë. Kur kryetari mori fjalën sërish, drita u shua. Rituali u përsërit. U ndezën sërish qirinjtë që kërcisnin. Flaka e tyre e zbehtë lëkundej dhe fytyrat, prapa shtëllungave të avullit të frymës që kondensohej sakaq, dukeshin të zbehta, të shformuara e si të dala nga një ëndërr e mërzitshme.
-Do të ishte e pafalshme të mos flisnim për gruan, nënat dhe motrat tona, këtë forcë të madhe, që i jep vazhdimin e jetës shoqërisë njerëzore, butësinë, dashurinë, qetësinë dhe ëmbëlsinë, për të jemi të gjithë borxhlinj. Atë duhet ta vendosim në vendin e nderit, në themel të shoqërisë, si të barabartë në të drejta, në detyra dhe pjesëmarrjen në politikë dhe jetën shoqërore.....Ashtu de!- u vetëkënaq kryetari. Kishte shumë vetëbesim se ato që thoshte do të bëheshin. Jo më kot në librat e shenjtë thuhej se e para ishte fjala!
- Në rast se më lejoni,zoti Kryetar, desha të thosha nja dy mendime për gruan.
Ishte Dorina e bukur. Kryetari, që e admironte për bukurinë dhe hiret e saj femërore, nuk kishte mendim të mirë për mençurinë e saj. I dukej si fyçkë. Por, sidoqoftë partisë i duheshin vajza e gra të tilla. Ai u mendua një çast, pastaj iu kthye:
- Dorinë, zoti të ka dhënë bukurinë, por ta ka kursyer diturinë. Nuk dua që nga ajo gojë e hijshme të dalë ndonjë fjali e pamençur. Besomë mua për ato që të them se ne gratë në shtëpi i kemi dhe hallet e gajlet e tyre i dimë më mirë se ju.
-Po më fyen- protestoj Dorina.
-Një vajzë, s’ka pse të fyhet, kur i lëvdojnë bukurinë!
Pa pritur, forca e vrundujve të erës, hapi kanatat e dritares dhe shkulmi i ftohtë u sul si i harbuar brenda. Qirinjtë u shuan dhe fletët e letrave mbi tavolinë u shpërndanë nëpër sallë. Të gjithë u ngritën në këmbë, e mbyllën dritaren dhe teksa po ndiznin qirinjtë, erdhi drita. Kryetari pa orën. Ishte bërë vonë.
-Mirë-tha ai-Mbledhjen do ta mbyllim. Të gjithë folën, të gjithë shfaqën mendime me shumë vlerë, që ne do t’i kemi parasysh për zgjidhjen e halleve të Shqipërisë. Ju faleminderit. Të gjithë jeni pjesë e grupit të punës për hartimin e programit. Në krye është sekretari i përgjithshëm, zoti Harallamb.Mos harroni ti bleni një kilogram fara luledielli! Nga puna do të fillohet që nesër. Edhe një herë urime dhe faleminderit. Natën e mirë!
Ata u nisën për në shtëpi, mes shiut e erës, të krrusur dhe me jakat e palltove të ngritura, të shumtit pa ombrella, por edhe ata që i kishin ishin telathyera dhe era i shpartalloi më keq. U shpërndanë rrugicave, duke kapërcyer pellgjet. Shiu u qullte veshjet, dhe nga flokët u rridhnin currila uji, kurse nga shojet e shqitura e të shqepura të këpucëve, uji u lagte këmbët. Era u rrihte fytyrat. Ata ecnin të mardhur e të ngrirë nëpër natë, duke u menduar për hallet e Shqipërisë.
Tiranë,qershor 2011.