| E shtune, 28.01.2012, 05:45 PM |
Ylldije Sulka
Im atë dhe Shqipëria
Shqipëria hoqi pelerinën e tmerrshme të komunizmit por ne kemi mbetur përsëri ata; të persekutuarit politikë
Ende jemi nën torturat komuniste
Pyesni tim atë
Ai përgjigjet se edhe lot nuk kemi më
Vetëm shpresë dhe dinjitet që mundohen të na e zhvatin çdo ditë, çdo çast
Shqipëria po mundohet të ecë nëpër rrugën drejt demokracisë, thotë im atë
Por edhe ne do ta gjejmë një shteg dhe të ndërtojmë të ardhmen
Nuk ka dyshim, ka vetëm vonesë
Shqipëria bën përçapje që t’i ikë darës komuniste, thotë im atë dhe kujtimet i sjell para nesh
Duke vënë të sotmen që shqyhet çdo ditë nga komunistët e djeshëm
Im atë dhe Shqipëria janë një
Të ndarë veç e veç nuk mund të ecë dot askush
Nëse im atë ende ka dhimbje, Shqipëria tkurret
Nëse im atë nuk flet dot
Shqipëria vritet çdo ditë pak nga pak
Dhe pak nga pak verbohet dhe helmon botën me të kaluarën dhe të sotmen
I mban peng, fëmijët nuk i le të rriten, pleqtë nuk i le të vdesin
Muret nxihen ende dhe duart dridhen para drejtësisë dhe mbeten bosh
Pa dritë, pa të ardhme populli i tim eti
Rrugët mbushen ende me padrejtësi,
Im atë dhe Shqipëria janë NJË
Nëse pyet dikush se çfarë emri ka krimi ende në Shqipëri dhe nuk i hiqet
Im atë do të thotë – komunizëm
Nëse do të thotë dikush se kush është fajtor për Shqipërinë
Eshtë ende jashtë portave të botës
Im atë do të përgjigjej – këto porta i mbyll ende komunizmi
Nëse do të pyeste kush se pse fëmijët tanë
Ende janë pa të nesërme edhe në shekullin e ri, XXI
Im atë do përgjigjej për të gjithë baballarët – Komunizmi po na e vret ende të ardhmen
Por, ne jemi këtu, në Shqipëri
Dhe do të jemi përherë se jemi shqiptarë.
Duke të telefonuar ty
Jam duke të telefonuar ty dhe stacionet ndryshojnë si dëshirat e mia
Por ëndërra mbetet një, të të kisha tani këtu
Bota ndryshon në përjetësinë e saj dhe përsëritjet janë plasaritjet që ajo ka si zbukurim
Janë orët e pritjes që e mbajnë në jetë ndërsa unë vazhdoj të të telefonoj ty
Planeti ndërron
Dhe faqen tjetër ia kthen luftës teksa ëndërron në çarçafët e vjetër paqe dhe qetësi
Ne jemi ende një ndërsa unë të telefonoj ty!
Përhumbje
Kur të përqafoj
Kur humbasim në dashuri
S’jam unë
Unë kërkoj veten time nëpër qeli
Dhe këlthas teksa policët
Dhe komisarët
Përdhunojnë mësuesen që e sollën sot
Dhe këngëtaren që gjuhën ia prenë
Se edhe ajo klithi
E s’donte përulësinë
Dhe ëndërrat e bardha fëmijrëore
I ka nderur në telat e kujtimeve
Ku qëndrojnë pëllumbat
Dhe gugasin plot dashuri.
Mos m’u zemëro
Kur unë iki larg në vite
E nëpër terr rikthehem
Duke gjetur udhën përmes aromës tënde.