Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Gashi: I dashur biri im, Ninel!

| E marte, 24.01.2012, 07:59 PM |


I dashur biri im, Ninel!

Ti e di që të kam shkruar poezi, të kam shkruar këngë, të kam përkujtuat çdo vit, por letër,o biri im s‘të kam shkruar dot. S‘të kam shkruar se gjithëherë të kam pasë në kujtimet e mia ashtu si ke qenë, i buzëqeshur gjithmonë, pak i lazdruar, gjithmonë faqekuq dhe disi si me marre....

Të mbaj mend edhe kur ishe shumë i vogël e kur bërtitje:“Unë jamë sciptal“ . Kështu thoshe se akoma nuk mundje ta shqiptoje mirë fjalën shqiptar. Atëherë unë nuk e dija se ty do ta merrte jetën mu kjo fjalë e cila kishte zënë vend në kokën tënde.

Ninel i dashur!

Ti, shumë shpejt lëshove shtat. Kur ika në kurbetin e zi, ti nuk ishe rritur akoma, por si për inatin tim, sapo u largova, ti lëshove shtat thua se doje ta prekje qiellin ose të zgjateshe aq shumë për të më parë se ku gjendem, sa larg gjendem dhe se a do mundesh të më mbërrish. Thoshin njerëzia: Si gufoi ky kështu, ore?Mos është kob?!

Po të shkruaj, o biri im, me dhimbje të madhe shpirti, që po të mos ishe vrarë pafajësisht, sot do t‘i kishe 35 pranvera, do të ishe njeri i pjekur e me familje të formuar. Nusja jote do të ishte shumë e bukur, e mençur dhe e sjellshme. Do të kishit disa fëmijë të cilët do t‘i edukonit njerëzisht, kombëtarisht, që të rriteshin të drejtë e të ndershëm. Të vranë, o biri im i shtrenjtë, nuk të lanë t’ia arrish asaj dite.Të vranë për një fjalë goje, të vranë pafajësisht, të vranë e të shanë ty e mua. Por mua, o bir, s‘më vranë, por duke të vrarë ty, më vranë edhe mua. Ta morën kufomën dhe u frikësuan nga kufoma jote, nga kufoma e një fëmije me rrezatim drite, me rrezatim Kosove, me rrezatim lirie...Dhe babai yt i mjerë,as varrin nuk ta di.

Por ti mos u mërzit, biri im Ninel, sepse babai shumë shpejt do ta marrë rrugën e amshimit, atje ku je ti me shumë engjëj të pafajshëm, engjëj, që para kohe ikën nga kjo botë për t‘i dhënë asaj tjetre bukurinë që ka. Atje unë patjetër do ta gjej çerdhen tënde.

Deri atëherë s‘më ka mbetur edhe shumë të këndoj këngë për Ty, të ta shkruaj ndonjë poezi apo edhe ndonjë përkujtim.

Bëhu burrë si je e prit se do të vi!

 

Babai yt Agimi nga kurbeti i Zi!

 

 

PAFAJËSI E NDËSHKUAR

Kushtuar birit tim Ninelit, Diellzës, mbesës së mikut tim Adem Berishës dhe të gjithë atyre që u vranë ose vdiqen pafajsisht në moshat e njoma të jetës së tyre!

 

Sot sharkia më thirri vet

të ia dridh telat, ta lajë me lotë

nga mërgimi, kjo plagë që vret

për të kujtuar për jetë e mot.

 

Ninel bir or skifter mali

ty qe të kisha të mirin djal

shtatëmbëdhjetë vjeç shkjau jetën të ndali

që për jetë të jetëve s’ia bëj hallall.

 

Prehu i qetë bir në përjetësi

bashkë me motra e vëllezër plot

që humbën jetën qysh në fëmijëri

pa asnjë borxh atëherë dhe sot.

 

Merre Diellzen e i shtrëngo dorën

bashkë parajsën ju zbukuroni

babë e gjysh ju vejmë kurorën

nga parajsa ju ne na mbroni.

 

Ju jeni yje të përjetësisë

që shkëlqeni kurrë pa u ndalë

ndonëse viktima të çmendurisë

të mos ndaheni si pëllumba të bardhë.

 

Ne për juve shkruajmë poezi

rrahim telat nëpër sharkia

si dallëndyshet ju kem’ përmbi

qoftë e juaja pavdekësia.

 

Edhe motra e vëllezër shumë

poezi që u kanë kushtuar

mallkojnë vrastarët të bëhen shkrumb

për mizoritë që kanë treguar.

 

16.06.2010

Düren