E enjte, 26.12.2024, 10:15 AM (GMT)

Kulturë

Biondja që na rikthen në vitet ‘50

E diele, 02.03.2008, 05:21 PM


E kanë krahasuar me divet si Marilyn Monroe apo Grace Kelly. Por vajza që shihni në foto quhet Olta Gixhari dhe është 100 për qind shqiptare. Një aktore e re e teatrit, që pati fatin të bëhej menjëherë e famshme

Olta Gixhari
Kushedi se cilën ka pasur në mendje Arthur Miller, kur me penën e tij gdhendi personazhin e Ketrin në dramën “Pamje nga ura”: një vajzë e hijshme rreth të 17-ave, me flokë të zi dhe tipare të errëta. Në shfaqjen e Albert Mingës, Ketrin, interpretuar nga aktorja 21-vjeçare Olta Gixhari, vjen krejt ndryshe nga përshkrimet e Millerit. Ndoshta ngjashmëria e saj me Marilyn Monroe, e martuar me dramaturgun Milleri, ikonë e bukurisë femërore e viteve ‘50, bindën regjisorin e shfaqjes të mos lëvizte asnjë fije floku nga portreti Gixharit. Më mirë se ajo, askush nuk mund ta sillte aq pranë aromën e viteve 50, kohë nga e cila vinin ngjarjet e dramës. Në fakt nuk mund të thuhet që Marilyn – Olta Gixhari është një sozi e Monrosë sesa një ndërthurje mes hijeshisë së Grace Kelly-t,  sensualitetit të Brigittw Bardot-së dhe melankolisë të Julie Cristi-t. Në ditët tona kur, aktore të njohura të Hollivudit bëjnë të pamundurën që të ngjajnë sadopak me divet e kinemasë të viteve ‘50-‘60, Olta thjesht ka lindur e tillë, një femër që rrezaton sharmin, sensualitetin dhe bukurinë klasike.

Nga bankat e shkollës në skenën e teatrit

Fati i Oltës dukej sikur ishte shkruar të gjendej brenda personazheve klasikë. Në përfundim të vitit të tretë, në provimin e dramës “Tramvaj me emrin dëshirë” të Tennnesi Williams”, Olta u përzgjodh në rolin e  protagonistes dikur e interpretuar nga Vivien Leigh, një tjetër dive e kinematografisë së viteve ‘50, rol ky i një gruaje të bukur por depresive, që rron mes një realiteti të varfër dhe ëndrrës për të qenë një zonjë e madhe. “Roli im ishte shumë i vështirë. Duhej të interpretoja një grua depresive, e cila është e varfër, por vazhdon të vishet dhe sillet si aristokrate”, rrëfen Olta, duke çapëlyer sytë,  për të treguar mimikën e personazhit. “Për mua ky ka qenë një rol i vështirë, por e kam realizuar me një përkushtim dhe dashuri të madhe”.

Roli kërkonte një feminilitet dhe sensualitet klasik, që karakterizonte femrat e atyre viteve. Teksa ajo ishte e pushtuar nga ethet e provimit, Albert Minga kishte projekte më të mëdha në kokë, në të cilat pak më vonë do të bëhej pjesë dhe studentja e vitit të tretë të dramës. Ndërsa ai kishte planifikuar për të vënë në skenë kryeveprën e Artur Miller -it, dhe kërkonte një aktore të re që të interpretonte Ketrin, ishte e thënë që ta gjente pikërisht në provat e studentëve, ku u bind se Olta mund ta luante Ketrin, edhe pse mes të dyjave nuk kishte ngjashmëri të madhe. Por ja që kjo aktore e re diçka kishte që të sillte ndërmend ato vite të shkuara. Kështu u bë: Olta Gixhari u përzgjodh mes dhjetëra studentesh të tjera për të interpretuar në dramën “Pamje nga ura”, krahas një kaste të zgjedhur aktorësh.

Të punosh me profesionistë

Të bukurat e famshme, qoftë edhe ato të viteve ‘50, gjithmonë janë paragjykuar si femra të bukuroshe por mendjelehta, e sidomos nëse je dhe bionde klasifikohesh më shumë si pjesë e kësaj kategorie. Olta i ka ndjerë këto paragjykime, por para se të bëhej e njohur “Sepse tani unë kam bërë diçka të rëndësishme”, thotë aktorja 21-vjeçare. “Tani kam luajtur një rol të rëndësishëm në teatër. E gjithë pjesa pati sukses. Unë isha pjesë e këtij stafi, element kryesor i tij dhe mund të them se realizova një rol të mirë, sepse kam marrë aprovimin e regjisorit, i cili është shprehur shumë i kënaqur nga puna ime si dhe e “kolegëve” të mi”, - guxon si rrallë herë ajo të quajë kolegë Timo Fllokon apo Yllka Mujon. “Dhe njerëzit që deri tani mund të më kenë parë thjesht si një bionde (edhe mendjelehtë) tani do të shohin se si ajo biondja ka realizuar një rol të mirë”, flet Olta tashmë me një ton të sigurt, sepse për të kjo është shumë e rëndësishme.

Në fakt, kishte gjasa që të dështonte po aq sa për t’ia dalë me sukses: të punosh me aktorë të mëdhenj mund të të ndihmojë ndoshta po aq sa të të bëjë që të sfumohesh krejtësisht. “Isha pak e trembur në fillim. Nuk ishte e lehtë të interpretoja krahas Yllka Mujos dhe Timo Fllokos. Në këto raste një aktore pa përvojë si unë mund të ndihej inferiore”. Në fakt, ndodhi krejt e kundërta, sepse “ata janë profeisonistë, sillen si të tillë, të bëjnë të ndihesh si e tillë”, -thotë Gixhari.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet me stafin të jenë të mira, sepse nëse diçka çalon, ajo pasqyrohet në shfaqje. Prandaj, bashkë me Indrit Çobanin, ata kanë qëndruar deri në orën 12:00  të natës për të ndrequr atë që çalonte te puthja e tyre. “Me Indritin nuk njihesha më parë, ndaj dhe nuk kishim shumë afrimitet”,- tregon Olta, e cila gjatë shfaqjes shkëmben një puthje pasionante me Indrit Çobanin që luante rolin e Rudolfos, të dashurit të Ketrinit. “Ndoshta ftohtësia mes nesh ndikonte që skena e puthjes të mos na dilte mirë. Kemi qëndruar deri në orën 12:00 të natës, derisa e realizuam ashtu siç duhej”, kujton Olta duke dalluar mes të gjithave marrëdhëniet e shkëlqyera që pati me Yllka Mujon, në skenë tezja e saj, Bea. E duke qenë se në atë shfaqje ishin të vetmet aktore femra, ato u bënë dhe mikeshat më të mira pas kuintave. “Ajo më ka dhënë dorën dhe më ka thënë hajde me mua”,- thekson fort Olta, duke treguar se një pjesë të suksesit ia dedikon edhe Yllkës. “Rrallë njerëz të ndihmojnë vërtet, e sidomos kur janë të së njëjtës fushë. Unë nuk e di nëse do të më dalë gjithë jeta për ta falënderuar”.

Papritur  e famshme

Olta ka pasur fatin që rrallëkush e ka: që në daljen e parë në skenë i qëlloi të bënte pjesë në një nga shfaqjet më të suksesshme, nga të rrallat suksese në teatër kur biletat shiten disa ditë përpara. Një nga ato sukseset e papritura edhe për Oltën, që të bëjnë të famshme sa hap e mbyll sytë: deri dje mund të ecësh në rrugë dhe askush nuk e di se kush je, dhe vetëm pak ditë më vonë, je në të gjitha faqet e gazetave apo kopertinat e revistave. Një famë që shumëkush do ta kishte zili. Por që për Oltën nuk do të thotë dhe aq shumë. “Unë nuk e kuptoj fare famën. Pse vërtet jam bërë e famshme?”, ngre supet ajo me një naivitet fëminor.

Ajo nuk ka pasur kohë t’i gëzohet gjithë këtij publiciteti, sepse gjithë preokupimi i kësaj kohe kanë qenë shfaqjet e përnatshme. “Kam pasur shfaqje njëra pas tjetrës dhe pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në parukeri për të bërë grimin për personazhin. Vetëm aty kam dëgjuar njerëzit që flisnin për shfaqjen. Në fakt, mua më bëhej qejfi për tërësinë dhe jo sepse më njohin mua”.  E me gjithë modestinë ajo nuk e mohon se për të, e gjithë kjo që njerëzit e quajnë famë, ka gjithsesi rëndësinë e vet. “Fama për mua është e rëndësishme, sepse kështu unë njihem nëpërmjet punës time. Është fryt i punës”.

Puna e saj vërtet nisi mbarë, por Olta është ende në hapat e parë të karrierës si aktore.  Dhe për të qenë një aktore e mirë, nuk mund të identifikohesh vetëm me një rol, e sidomos me një stereotip karakteri. Olta Gixhari vërtet ngjan me divat e Hollivudit të viteve ‘50-‘60, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e aftë për të interpretuar edhe role të tjera që sfumojnë pamjen dhe i japin rëndësi karakterit. “Më pëlqen të bëj një rol karakteri” thotë Olta, duke sqaruar se edhe aktore të tjera të bukura kanë bërë role të tilla. “Te filmi “Monster”, Charlize Theron është shformuar krejtësisht për të interpretuar rolin e saj”. Bukuroshja Charlize, e cila ka fituar një Oskar për këtë rol,  jo vetëm që shtoi më shumë se dhjetë kile, por në sajë të grimit, nga një venerë u shndërrua në një grua-monstër. E ta mendosh se edhe Olta dëshiron të bëjë të njëjtën gjë, të vjen pak keq. Nëse sheh fotot e saj dhe të duket si një dive e ardhur nga të tjera kohëra, si një Marilyn Monroe apo Grace Kelly, nuk mund të rrish pa menduar që ajo të vijonte të mbetej dhe ca kohë kështu siç është, duke na rikthyer nostalgjinë për të artat vite ‘50.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora