Kulturë
Ali Mehmetaj: Shtriga
E shtune, 21.01.2012, 05:37 PM
Tregim nga Ali Mehmetaj
SH T R I G A
Një javë përpara se Ujkani, 17 vjeç djalë, ta mbyste shtrigën, ungjesha e tij lindi djalë. Që t’i largonin shtrigat dhe shpirtrat e tjerë të këqij, gratë e shtëpisë kudo nëpër rafte të kthinave vunë kurora hudhrash dhe fshesa prapa pragjeve të dyerve.
Shtrigat siç dihet kanë një instinkt të rrallë nuhatës, me të cilën hetojnë menjëherë aromën e të porsalindurit dhe ngarendin si të ndërkryera se cila më parë t’ia hajë zemrën. Sado që njerëzit e dinë rrezikun dhe i marrin të gjitha masat mbrojtëse, është punë sizifi ta ruash foshnjën prej tyre. Sepse shtrigat që rëndomë janë plaka, po në të rrallë edhe pleq, që quhen shtriganë, nga pragu i derës, çojnë një rrasë guri dhe nxjerrin që andej një hejbe bërë nga lëkura e dhisë me lloj-lloj rraqesh: pare të moçme, thëngjill flokësh, thonj, gjilpëra, eshtra fëmijësh kopilë, penj të zinj prej leshit të dhisë tërë nyje-nyjë... Pastaj hynë në dhomat e veta dhe me një kazmë magjike nxjerrin nga fundi i vatrës një qyp dheu me gjithfarë barnash magjike. Lyhen me to dhe sa të hapësh dhe të mbyllësh sytë shndërrohen në xixa e shkojnë fill e të shtëpia e foshnjës. Presin te pragu deri sa të erret, hyjnë nëpër vrimë të bravës në dhomën ku fle foshnja. Herë-herë fare të padukshme, e herë-herë duke marrë forma të ndryshme, edhe të fluturave të bukura, tinëzisht derisa të tjerët flenë, (kur ka njeri zgjuar, shtrigave u ngurrohet goja), ato pa i lënë kund shenjë me thithin që qet flakë të verdhë, ia shkulin me shpejtësi zemrën foshnjës dhe ia kullufisin. Rreziku nga shtrigat përherë i rri pezull mbi kokë, si shpatë, çdo familje ku lind foshnja, por i madh është sidomos tri netët pas lindjes – fëmija vdes pa “egjel “– derisa të vijnë tri zanat-fati dhe t’ia përcaktojnë fatin foshnjës. Po rreziku nuk është aspak më i vogël as ditën, ngaqë foshnjës i turren djajtë të shndërruar në engjëj të padukshëm dhe përpiqen ta bëjnë për vete me lloj-lloj truqesh. Kur qesh foshnja me vete, është shenjë më se e sigurt se i vardisen djajtë, të cilët duhet shporrur nga të pranishmit duke bërë me buzë. “Puuuccc”, sikur i mat njeriut bërrylin.
Ungjesha, gjyshja, nëna dhe halla e Ujkanit, duke ruajtur me rend, nuk e lanë foshnjën për asnjë çast vetëm. Sapo erdhi foshnja në jetë njëra pas tjetrës se nga depërtuan fluturat në dhomë një zot e di. Ato herë sillen mbi djepin e foshnjës, herë rreth e përqark llambës me vajguri. Me gjithë drojën e madhe që kishin gratë nga fluturat, askush nuk kishte guxim që me ndonjë fshesë a rrëfatë t’i shporte nga dhoma. Sepse edhe tri fatitë ndonjëherë edhe ato të shndërruara në flutura, ndodh të vijnë te djepi i foshnjës – njëra me furkë në dorë, tjetra duke e dredhur boshtin dhe e treta me gërshërë që pret fijet – për t’i endur pëlhurën e jetës, të gravura me vija e shenja të pazbërthyeshme nga vdekatarët që mund t’i interpretojnë disi si hieroglifët vetëm falltaret e rryer duke i lexuar në shuplakë të dorës. Dhe po nuk u tregova dashamirës me fatitë, të cilave nga fundi i arkës duhet t’u nxjerrësh ndonjë mollë të kuqe a ndonjë varg oshafësh të dardhave o kumbullave, të ruajtura nergut për t’i gostitur, sepse ato dinë të jenë edhe më mizore se edhe vetë shtrigat. E kanë në dorë të bekuarat t’ia këpusin menjëherë foshnjës pëlhurën e jetës a t’ia caktojnë fatin e keq e nopran që do t’ia bëjnë jetën barrë. Pastaj fatitë po t’u mbetet hatri për çka do qoftë mund të bëhen dorështrënguara në dhuntitë siç janë: burrnia, mençuria, bukuria, trimëria, gojëtaria, fati në dashuri...
Gratë, të ndodhura midis kudhrës e çekanit: frikës nga shtrigat dhe respektit për fatitë, me buzëqeshje shpesh herë të shtirur, sepse nuk dinin se kujt i drejtoheshin dhe me syrin pishë, përcillnin lojën enigmatike të fluturave misterioze, (të vetëdijshme se kjo lojë mund të ishte edhe truk, siç ndodhi me të vërtetë, për t’i vënë në gjumë), derisa ato të mos iknin me këngën e parë të gjelit, pa u diktuar fare nga dhe si.
Megjithatë, natën e tretë, pak para se të lindte ylli i mëngjesit, ndodhi mynxyra. Ishte e shkruar. Fatit nuk mund të ikësh dot.
Si u mor vesh më vonë, rendin për të bërë rojë e kishte halla.
Në dhomë, do t’i kujtohej asaj sa qe gjallë, kishte mbetur vetëm një flutur, e cila befas kishte shtuar shpejtësinë e vërvitjes rreth e përqark llambës aq shumë, saqë për një kohë fare të shkurtër kishte arritur t’ia merrte mendtë hallës dhe ta vinte në gjumë për një çast por që i kishte mjaftuar fluturës shtrigë që shpejt e shpejt t’ia kullufiste foshnjës zemrën edhe të ikte.
Halla e shkretë dha britmën e frikësuar. Njerëzit e shtëpisë u mblodhën rreth foshnjës dhe derdhën lumin e lotëve të dhembjes për foshnjën, dhe të pezmit kundër shtrigës – flutur dhe të keqardhjes për ungjin dhe ungjeshën, për të cilët që fëmija i tretë që në vijim ia hanin shtrigat pa i mbushur tri net.
Hallës papritur iu kujtua se në pamjen e fluturës së shëmtuar kishte dalluar fare qartë tiparet e Fanës së Lugishtës, të cilën të gjithë e dinin për një shtrigë aq të pamëshirshme saqë thimthit të saj kobzi nuk i kishin shpëtuar as nipat e mbesat, as reja dhe djali i vet. Tash Fana mbetur si një qyqe pa njeri të vetin në këtë botë ngrysej e gdhihej fillikat vetëm në kasollen e vet të rrëzbitur, e rrejtur fort e keq nja njerëzit dhe nga zoti.
Dyshimi për ngrënien e fëmijëve të ungjit edhe më parë kishte rënduar mbi Fanën, por tash që halla ne personin e fluturës kishte njohur shtrigën, u vërtetua.
Barra për të ndërmarrë diçka kundër së keqes rëndon mbi burrat, nëse nuk duan ta hanë bukën e turpit. Por, edhe në vetë burrat përgjegjësinë më të madhe, sipas një ligji të pashkruar, por të zbatuar me përpikëri e kanë të rinjtë, ndoshta, në mënyrë që pastaj veprimet e tyre të moçmit të mund t’i arsyetonin me të famshmen: “Mendtë e të riut si riga e shiut” . Andaj, në ato çaste të ndera, tingëlloi fare i natyrshëm kushtrimi i Ujkanit.
- Nuk durohet më.
- Mos humbni shpirtin se asgjë nuk dihet me saktësi! –
ndërhyri gjyshja e tij.
Dhe i ati:
- Dihet mirë bollë. Shtrigën duhet çarë për dy këmbësh
e dy kuaj, njëri andej, tjetri këndej.
Gjyshja u përtyp të ndërhynte prapë, por i përpiu fjalët. E kishte të qartë se dyshimi për shtrigën rëndonte mbi çdo plakë.
Ungji i Ujkanit megjithëse i pangushëlluar , i kanosej
rreziku të mbetej pa trashëgimtar, në pozën e ortakullit bëri kompromis:
- Vrasja është mëkat, po që vlen t’i bëhet me be, e vlen
që ç ’ke me të.
Me një vendim kaq të shkurtër që s’u zu ngoje kurrë
më. Iu mblodhën betë Fanës së Lugishtës.
Ditën e gjashtë pas varrimit të foshnjës, në të përendur
të diellit Ujkani buzë lumit i zuri pritën.
Shtriga kur bredh e gjezdisë, nuk mund të kapërcejë as
lumë, as përrua, as kurrfarë uji, përveç se në shpinë të tenecit, i cili është një burrec i kërleshtë e i përçudnuar.
- Qe heneci, o shtrigë! – u përpoq Ujkani i maskuar me
postaçi, krejt lecka-lecka të shtirej si tenec.
- O zot, Pashë madhërinë tënde më liro nga qoftëlargu-
shtangu Fana nga frika.
Ujkani iu hodh në shpinë me ashpërsi të bishës. Pasi ia
zhveshi rrobat me lemeri dhe e la në fill të këmishës që i binte deri në fund të gjunjëve, këmbët e thata si shtaga ia futi në dy vrimat e shoshës që i kishte zgavruar më parë për këtë qellim. Pastaj trupin e saj e mori para duarsh dhe e lëshoi deri në brez në ujin e ftoftë, lëngë bore që shkrihej nga majat e shpateve nga vapa e verës.
Shtrigën nuk e mbanin dot këmbët, kolovitej të binte në lumë, por Ujkani e mbante me gjoks dhe me duar.
- Betohu tri herë: ngrënça gërhanë e gërshërë, në
ngrënça më zemra njerëzish! – bërtiti Ujkani me zë rrufeje, duke u përpjekur ta imitonte tenecin kur hip mbi re që ta kërcënonte shtrigën.
Shtriga duke cakëlluar nofullat për lemeri, këlthiste
përvajshëm gjithfarë lutjesh sikur bënte magji.
- Betohu se të mbyta! – po e humbiste durimin Ujkani.
Nuk kishte pritur një kokëfortësi të tillë të shtrigës. Një mijë herë kishte dëgjuar se shtriga kur bie ngushtë nga teneci, betohet si duhet.
Ndesh zakonit që ende pa nxjerrë betimin solemn të
shtrigës, u ngut t’i fuste djathë në gojë, pas ngrënies së të cilit, ajo kurrë më nuk do të mund të hante zemra njerëzish, as t’i bënte keq njeriut. Po goja e shtrigës ishte shtangur, trupin e saj e kishte lëshuar shpirti, ende pa e zënë djathi. Kështu që të këqijat e saj nuk pushuan as pas vdekjes. Ato së pari e goditën Ujkanin, të cilit ndjenja se e kishte marrë në qafë një shpirt, i shkaktoi tërmet katastrofe në vetëdije. Në atë dridhje përpëlitjesh shpirtërore një zë i brendshëm i tha: “Mbase nuk qe shtrigë?”
Dyshimi e dërmoi fare. Me panik e ngriti këmishën,
t’ia shikonte bishtin. Po në prapanicën e saj të zhvoshkët e të vogël sa një grusht nuk kishte as gjurmë që do ta dallonte nga njerëzit e tjerë.
Ia shpërvol buzët t’i gjente thimthin. Për një çast iu
dukë se sytë gacë e të hapur për lemeri të shtrigës, lëviznin me shpejtësi në vend, thuajse kërkonin shpirtin e tij. E lëshoi trupin e shtrigës i tmerruar, sikur të qe gjarpër që kishte qitur thimthin ta pickonte. Përnjëherë qielli iu përmbys mbi kokë. Shtrigat e futën në mes. I ulërinin me britma çjerrëse në vesh, i binin me bishta dhe i ngulnin thimthat në trup. Bëri të ikë. Këmbët iu kapërthurën. Lumi u bë det. “O nëna ime!”
Të nesërmen me vijë drite Marrashi i Sutës, duke gjuajtur si zakonisht bretkosa në lumë, i gjeti të dytë në vorbullën e rrënjëve të një shelgu. I frikësuar për vdekje duke tërhequr jargët zvarrë rrugëve të fshatit dha kumtin. Po atë natë i kallën në të njëjtat varreza.
Atë natë Ujkani u qua lugat, si u interpretua më vonë, të kërkonte llogari nga të vetët por edhe nga i tërë fshati që e kishin lejuar atë ferrishtën në një luftë të pabarabartë me shtrigën. Magjen, enët, raftet, çdo gjë të mbarë në kasollen e vet e kishte përmbytur me aq zhurmë e rrapëllimë, saqë u kishte futur tmerrin e njerëzve të shtëpisë. Tani e tutje deri në ditën që do ta vrisnin, nëna e vet do t’i linte mbi magje për çdo natë, para se të flinte, hisen e ushqimit siç i lihet një burri që kthehet vonë nga puna. Dhe Ujkani më nuk i trazoi njerëzit e shtëpisë me zhurma si më parë, po ata shpesh herë natën dëgjonin hapat e tij të lehtë kur kthehej për darkë. Ndonjëherë edhe ditën kur dikush teshtinte ai nën trapazan i përgjigjej: “Shëndet”.
Pas disa dite vonakët që ktheheshin natën nga qyteti e nga stanet verore e takonin Ujkanin duke bredhur rrugëve të fshatit dorë për dore me Fanë shtrigën. Më vonë u mur vesh se ai vizitonte edhe të fejuarën e vet, Zakën e Bërrakës, e cila pas disa javësh mbeti shtatzënë. Në ditët që do të vinin, Ujkani u harbua fare. Kudo: shkurreve, livadheve, lamave, natën krejt lakuriq bënte orgji me shtrigat.
Ahengjet i shtronin në varreza me kufoma të freskëta. U desh të thirrej Ker Zhuji i Podgurit, që ishte i biri i lugatit (vetëm i biri i lugatit mund të vrasë lugatin) që të shpëtonte Gurrajën nga ankthi i Ujkanit. Po në Gurrajë shtrigat ende ua hanë zemrat fëmijëve. Ende shihen lugetërit. Tash aty është edhe i biri i Ujkanit që po të harbohet ndonjë lugat si i ati i vet, t’ia ndalë turrin.