Kulturë
Cikël poetik nga Gjon Neçaj
E enjte, 12.01.2012, 07:51 PM
GJON NEÇAJ
Poet, shkrimtar dhe publicist. U lind më 17 qershor 1951, në fshatin Peraj të krahinës së Nikaj-Merturit, Tropojë. Ka mbaruar studimet për financa në Tiranë. Me krijimtari letrare është marrë që herët, duke botuar në shtypin letrar të kohës, poezi, prozë e publicistikë. Ka fituar disa çmime letrare. Bashkëpunon me disa të përditshme në Tiranë, duke botuar herë pas here shkrime kulturore. Bashkëpunon edhe me shtypin kosovar. Është përkthyer në disa gjuhë te huaja dhe krijimtaria e tij poetike është e përfshire në disa antologji. Gjithashtu është fitues i shumë çmimeve letrare brenda dhe jashtë vendit, si dhe redaktor dhe recensues i shumë veprave në poezi, prozë e publicistikë. Deri tani ka botuar: Në hijen e mrizave - poezi, Tiranë, 1994, Në folezë të këngës - poezi për fëmijë, Tiranë, 2003, Hijet e shpirtit - novelë, Tiranë, 2005, Ju që më shihni çdo ditë - poezi, Tiranë, 2006, Pezull-haiku, shqip-anglisht, Elbasan, 2007, Tropoja - vendlindja ime - tekst mësimor, Tiranë, 2008, Hëna pikon mbi Alpet e mia - poezi, Tiranë, 2008, Haiku i bjeshkëve, shqip-anglisht, Elbasan, 2009, Sinus, poezi, shqip, anlisht, italisht ,greqisht, Tiranë, 2011. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve, dega Tropojë dhe i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i Haik-Klubit Shqiptar, anëtar dhe sekretar për degën e “Pegasit” në Tropojë, si dhe anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë të Globit (W.P.S.). Jeton dhe punon në Bajram Curri, Tropojë.
MESHA E PARË
Pastori grumbulloi pasthirrmat jetësore
Qetësia mbizotëroi katërciperisht Kishën e Zojës
Jezu Krishti në kryq
Pagëzoi bejtexhinjtë nikajmërturas
Në përvjetorin e shugurimit të mëshës së parë
Të lumturuar prej priftit At Zef Pllumit
Në Nikaj…
Mbi Dri ushton maja e Çllumit.
TORNADO
Në mizanskenat perëndimore
E në kalldrëmet shekullore të miteve
Rrin varur ku jetojnë bijtë e fisit tim
Një lahute e vjetër me dru arre….
Qimet e saj hingëllijnë
Sa herë kuajt e mbretëreshës Elizabete
Bëjnë roje me ushtarët në kështjellë.
Tornadot nuk bien në Tropojë
Në Uells mbase po…
METROPOLEVE TË ASKUNDIT
Nëpër udhëkryqet moderne
Të metropoleve europiane
Iku rinia pa bujë, rrodhi gjaku i Arbërit
Mbeti skalaktikave kulmore të një jete varfanjake.
Gjaku i shpirishur i Arbërit
Kuqlon metropoleve të askundit
Mjediseve të salloneve në pritje nomade…
BRIGJEVE TË KOTËSISË
Kot, kot, kot
Lindja, rinia, jeta…
Vetëm pleqëria dhe vdekja
Ujisin livadhin e jetës
Brigjeve të kotit.
Sivjet nuk i dihet,
Mbase duhet t’i ruhemi motit…
ÇBURRËRIM I VONË
Termopile në jetën me standarte absurde,
Miklojmë vitet e sotme moderne;
Ne,bijtë e Jezusit të murosur në kryq
Tash dymijë vjet.
Edhe sa mijëvjeçarë
Na duhen për t’u çburrëruar.
EKUINOKS
Në pesë të premtet
në pesë të shtunat
e në pesë të dielat
kapërceva ylberin në majë të Shkëlzenit...
Asnjë çik nuk ndryshova
veç u bëra më lazdran
teksa fëmijërinë time mendoja
mbajtur në fijen e penit te Vorret e Shalës
me Dervish Luzhën e Rexhep Belin...
MORFOLOGJIA E FJALËS…
Ngarendje përditë n’vitrinat ndjesore,
Prej antikitetit deri në palcën e gurit;
Gjymtyrët kockorë të endjeve rrugëtare,
vallëzojnë trishtueshëm në token e nemun…
Ndërsa morfologjia e fjalës mat kutin galaktik,
Në rrugët e fjetura të vendlindjes sime…
Mbaruan fjalët,
e tashmë flasin vetëm egërsirat…
SINUS
Nuk është ndonjë formulë shkencore,
As prirje për të vazhduar studimet im bir;
Me sinuse ka rrjedhur shekujve galaktika e jetës,
Derisa një ditë u zhduk shkrimi hënor…
POTPURI DHE LËMSHI I MACEVE
Dikur motit macet ishin zonjat e shtëpisë,
Plakat tallaziteshin n’prushin e zjarrit vjeshtor;
Duke rikujtuar se prekja me lëmsh e kokës së maceve,
qetësojnë mendjen e tyre të trazuar,
Për t’u larguar nga punët e shumta në kullat çatibrejtur.
Vetën kur ndihej potpuria e minjve në trarët e moçëm,
Macet kërkonin lëmshin e plakave…
Sot ndodh fenomeni i dyzimit.
CURRAJ E EPËR
Nën peshën prehistorike të shekujve,
U ngrit trimërisht për t’u rrënuar një ditë;
E qyqet s’pushuan kukamën asnjëherë,
majave trishtuese lartësuar n’rrokaqiell…
Ikën mëngjeset e agut me zëra fëmijësh,
Ikën netët e gjata të bubulakut dimër me pleqtë mendimtarë
ballë oxhakut…
Ikën nuset dhe çikat e reja në mjegullnajën e kohës;
Tashmë nuk lajnë teshat breglumit,
Kur qysh larg dritësonin në çdo stinë vetëm diell…
Sot…
Sot kullat e shkretuara mbajnë peshën e viteve,
E shembjen trishtuese të mureve rrënuese,
Nën rrfanat e jetës të plakave motit netëve dimërore.
Ajkuna qan përmallshën për ikjen e banorëve,
E bjeshkët veç lotojnë e ngushëllojnë…
Curraj e Epër!
Fillimi dhe fundi i një epoke.
Sado të mallohemi, veç shkruajmë fjalë lojcake,
Se zëri ka mbetur varur bjeshkëve të fëmijërisë
Prapa një rudine, prapa një kodre…
Delir i trazuar vargu im,
E ndjej dhimbje mikluese për këto rreshta,
Përzier me britma, imazhe dhe kujtime të rinisë.