| E marte, 10.01.2012, 07:55 PM |
Neki Lulaj
MURET E FJALËS
Fjalës një herë
Ia numërova muret
Ia numërova shkronjat
Ia numërova faqet
Ia qëndisa fytyrën -
Pasqyrë e bardhë
Në petalet e manushaqes.
Në muret e fjalës
Vjerra legjenda
Thurra mite
Qëndisa metafora
I mbulova mirë
Me zjarrin e zemrës
Me prushin e jetës
Që mos t’i ngrijë koha.
Engjëlli i fshehur
Në zemër
Të murit e murit
Më pëshpëriti:
Numëroja shekujt
Pa rrudha
Muret e fjalës shkëlqenin
Si ari i praruar
I Arbërisë
Në flakën e Diellit
Gavruar.
Fjalës
Ia gjurmova themelet
Arkeologjia më tha ilirisht
Janë te thella muret
Bota e qielli dhe
Globi me huqet e veta
Prehet mbi ta
Duke e pritur ardhmërinë.
Mbi muret e fjalës
Në zenit vallëzojnë
Engjëjt me emrat
Besë
E Nderë
Dhe Shpresë
E Dashuri
Kodi i Gjergj Kastriotit
Hymni i Flamurit
Lutja e Nënës Terezë
Testamenti i Rugovës
Për Pavarësinë e Kosovës
Ishin muret e fjalëve
Të prarura
Me bekimin e Zotit.
HEJ TI
Mos ma kafsho
Gjoksin
Se nga mënia
Porsi një vullkan
Shpërthen dashuria.
Mos ma plagos
Diellin
Se më nuk duron
Zotërat e tij
Bëjnë erozion.
Mos ma ndalo
Pranverën
Se gjelbrimi i vonuar
Di t´jua mallkojë
Cynamin shkatërrues.
Mos ma prek
Kurorën e Ylberit
Se hynjnitë hidhërohën
Për t’i dërguar
Shpirtërat e zi në skëterrë.
MALLI
Malli e shtrydhi zemrën
E Doruntinës
Reth e rreth e praruar
Në ari
Helm i kullonin ndjenjat
Vashës
Morenë pa e parë.
I luti engjëjt natë/për/natë
E ditë/për/ditë
T´ia falin
Flatrat e arta
Që të kthehet në More
Në prehërin e etërve
Në trojet e zjarrta.
Malli
Eh mall i përmalluar
Prrush i pashuar
Për një fjalë e besë
Të dhënë
Deti i bekuar
E shtjerr mallkimin
E thatësisë
Hap rrugët e shpëtimit
Të dashurisë.
Besa shpërthen qelitë
E burgut
Konstandini gjallë
E mban fjalën e dhënë
Duke e prurë Doruntinën
E vërtetë
Një befasi e bukur
Që mrekullirat
Na i dhuroi në jetë.