Kulturë
Sinan Kamberaj: Antihymni i Flamurit me Gjashtë Yje
E hene, 02.01.2012, 07:50 PM
Sinan Kamberaj, u lind në Syriganë të Burimit (Istog) më 1949. Ka mbaruar studimet për Gjuhë e Letërsinë Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ka qenë gazetar i Gazetës së Studentëve “Bota e Re”, gazetar i kulturës në Televizionin e Prishtinës dhe redaktor i Gazetës Shqiptare-Amerikane “Illyria” në New York. Ka botuar poezi e skica satirike në shtypin e Kosovës. Jeton me familje në New York.
(Nga poema satirike "Këngë ç'heroike kosovare - Epopeja e Qeverise", Prishtinë 2010)
Sinan Kamberaj
Antihymni i Flamurit me Gjashtë Yje
(Kënga e Parë)
Ky është Antihymni i Flamurit me Gjashtë Yje, të cilin e këndoi Rapsodi i Pavarur Popullor, Sabri Kaçamaku, në një dasmë të madhe, në një fshat të decentralizuar përtej Urës së Ibrit, në Veri të Mitrovicës.
Me akuzën se e kishte kaluar Urën pa leje, EULEX-i e kishte denuar Z. Kaçamaku me një muaj burg shtëpiak.
Por, ku ta vuante burgun i shkreti Sadri? Tash njëmbëdhjetë vjet, qëkur serbët ia kishin djegë shtëpinë, ai jeton fikall vetëm nëpyllin e fshatit, pa kulm mbi krye!
Qeveria është në dijeni për hallin e Sadriut, por edhe për këngët që po i këndon ai nëpër ziafete.
Ne e nisem, ne e kallem!
Ne e bëmë e ne shpallem!
Ne e morem, ne e mbrojmë!
Dhe, s’e lëshojmë!
Prej Postit veç ay largohet
Që është i lindur - budallë!
Atdheu veç njëherë çlirohet -
Dy herë s’i dilet në ballë!
Gënjeshtra kanë qenë të gjitha
Ç’janë thënë deri sot mbi dhe!
T’vërtetën e thotë Historia -
Dhe, Ajo fillon me - NE!
Prej Postit, pra, veç ay largohet
Që është hut, kokrra e hajvanit!
Kush është trim e nuk frigohet
Lëkurën ia rrjep - Vatanit!
Vatanit me thonj lëkurën ia rrjep -
Për daulle, xhybe, rryp, a uçkur!
Dhe, që të mbahet mend ndër breza -
Si bëhet lëkurë e Vatanit - Flamur!
Oi, oi, oi!
------------------
Ç’i tha Presidentit Zana e Muçibabës!
(Kanga e shtatë)
I stërkënaqun me koalicionin qeveritar, por edhe i lodhun shumë nga ritmi i shpejtë i zhvillimeve mbrenda vendit dhe përreth, Presidenti ynë, kohëve të fundit jo rrallë po flinte ma shumë se ç‘duhej. Ora e Maleve të Gollakut, ajo e Muçibabës, e qorton paksa Presidentin dhe e fton të jetë ma syçelë për procesin e shtetndërtimit, nëpër të cilin po rru-gë-ton Kosova jonë e Pavarur, Sovrane, Multietnike, Demokratike…
N’Prishtinë ka ra nata, pa rrymë e pa hanë!
Presidentin tonë - gjumi na e kish nxanë!
Ora e Muçibabës e preku leht’ n’krah:
- Zgjohu, o President, po bahet sabah!
Çou, o President, shiko Vilajetin -
Se me Karar-Name Ti e shpreh Unitetin!
Për kolltuqe t’buta, saraje e ofiqe -
Ka rrezik Vatani me t’u nda n’çifliqe!
Cep e m’cep Kosova t’asht nxjerrë n’Ankand
T’janë shitë fusha e male - si n’Zululand!
Gjithë irati i shtetit, n’Spin-off e n’Tendere!
Fabrika e miniera - krejt me dallavere!
Qytetarët e fshatrave kanë ra n’Kryeqytet
Arat - krejt batall, livadhet - mbetë shkret!
Kanë braktis’ kopshtije, kullosa e zabele
Kravatat në dorë - hygjym e n’fotele!
Orës seç na i rridhnin fjalë e lot - lumë
Presidenti ynë - ia kish’ futë prap’ gjumë!
- Zgjohu, President, sa nuk asht ba vonë!
Se kur flen i Pari - s’e njeh qeni t’zonë!
Në mes t’Vilajetit, që e keni shpallë shtet
T’i ka mbledhë UNMIK-u, tebdil - qe dhetë vjet:
(N’biçim t’Bordeve të veta dhe të Agjencive)
Shumë Grupe t’Hajdutëve dhe të Dilinxhive!
Nga Liga e Sarhoshëve dhe e Dallkaukëve,
Rrencat e Pavarur nga Këshilli i Kopukëve
Nga Klubi i Llaskucëve - Lobi i Hilexhive
Grupi i Edepsuzëve dhe i Dallaverexhive!
Ky lloj mahlukati, po bani e u ba bashkë -
Gjithë paret e pista, do t’i “shpërlajnë” jashtë!
Po s’u dolët përballë dhe po i latë rahat -
Pa u ba motmoti - do t’fleni n’nji shtrat!
Më vjen keq për Ju, që hoq’t t’zitë e ullinit
N’procesin e randë - Oh! të ‘shtet-ndër-ti-mit‘!
Se mileti i shkretë asht mësu’ kështu ngusht
Jeton, me nder Jush, veç me k… n’grusht!
Qëkur e batë shtetin - shpallë me Di-nji-tet:
Mjekët janë ba xharrahë, kasap’t - deputetë!
Profesor’t - taksistë, kovaçët - inxhinierë
Telallët - gazetarë, fajdexhijtë - bankierë!
Ministrat - tregtarë, hajdut’t - “biznesmenë”
Nallbanët - “artistë“, çatipat - sejmenë.
Mihësit e varrezave janë ba “ndërtimtarë”
Nipa e djem t’tezeve, kalavesh - “këshilltarë“!
Mirë ka thanë nji natë - Sabri Kaçamaku
N’nji syneti t’madhe, n’ish-katundin Dubë:
“Kam drojë, - tha i shkreti, - mos më ngjesin bisht
Se këtij Hyqymeti - i kisha thanë: Kubë!
Mos me kanë inati - i Shtrigës Serbi -
Rrafsh 100 vjet - ka dashtë me na zhbi!
Sa për këtë Pari, dalë në ballë t’Vatanit -
Do t’kish’ ikë mileti përtej Oqeanit!
Ç’na paska nemë Zoti, prej senes s’Hyrrjetit -
Mos m’na u nda gazepi der’ n’Ditë t’Kiametit!
Por, n’zgjedhjet e reja që do t’mbahen n’mot -
Ka ba be mileti, nji be n’t’Madhin Zot:
- Po vazhduet kështu - me kopalla e dokrra
N’vend se nga nji votë - do t’ua jepë Dy k..okrra!
-------------------
Konferencë me habertarë: “Gëzuar 2010, ‘11...’20!”
(Kënga e Tetë)
Në këtë këngë bëhet fjalë për Konferencën e shtypit të fundvitit 2009 të Lidershipit tonë, Presidentit dhe Kryeministrit.
Imagjinojini dy trupa, të bashkuar si një, pra - një trup me dy koka, si ato të shqiponjës së Flamurit të Shtetit Tonë Fqinj, - me katër sy, që vështrojnë të ardhmen e ndritur; katër vesh që presin njohje të reja të shtetit tonë; katër duar që presin me dy palë gërshërë shirita inaugurimi urash, rrugësh, sheshesh…
Ata shkojnë bashkë në Amerikë e në Evropë, nënshkruajnë bashkë, me katër duar, marrëveshje e protokolle...
Ata mbajnë bashkë konferenca shtypi, flasin me një gojë…Ata kanë një interes madhor të përbashkët!…
Ishalla!
Lidershipi se ç’na i mblodhi
N’Kryesaraj - habertarët!
N’Konferencën e Fundvitit -
T’u shpërndajë - “margaritarët“!
Ekspertë, lumë si ata, vetë
Komentojnë për Sigurinë -
Për Klimën e Korrupsionin
Për Lirinë - Demokracinë!
Herë duet, herë veç e veç -
Zbërthejnë çështje aktuale:
Si përçiten dhitë n’Marec -
E deri te Ngrohja Globale!
Presidenti dhe Kryeministri:
- Gëzuar, o djem të kalemit,
T’ekranit e të mikrofonit!
Habertarët:
- Për shum’ mot, Ju burra t’Shtetit
T’Jaranisë, pra - t’Koalicionit!
Habertarët:
- Falë mendjes që ua dha Zoti
Po e ruani Stabilitetin!
Veç n’Kosovë e në Ballkan -
Apo dhe - në tërë Planetin?
Presidenti dhe Kryeministri:
- Kosovën na e ruan Zoti -
Ajo e ka Orën e vet!
Sot jem’ ne - mbas 20 vjetësh
Të tjerët mund t’vijnë n’pushtet!
Apo, jo?
Habertarët:
- Po, mor, po! Ne jem’ rahat!
Ishalla - e mbani ma gjat‘!
Presidenti:
- Kë votuat, kë s’votuat -
Nuk çon fare në kandar!
Ne bëjmë shpejt koalicione
Për “interesin kombëtar“!
Të dy krahët i bëjmë bashkë -
T’djathtë e t’majtë, si një vëlla!
Kur është “Procesi” n’rrezik -
Bedena bëhemi - n’Kala!
Apo, jo?
Habertarët:
Po, mor, po! Po si jo?
Se ashtu e do Zakoni!
Ndaj, na rrofshit sa malet! -
Dhe, Ju rroftë Koalicioni!
Kryeministri:
- Ju do të thoni:…Opozita?!
Ç’t’i bëjmë ne asaj të ngrate?
Edhe kur marrin tendere -
Na e çajnë trapin me debate!
Thonë: Kush vodhi n‘Polici?
N’Zyra t’saj - ditën me diell!
Katër thasë me Dosje t’Rënda
Dhe tre, bardh si bora - “miell”!
- Kush vodhi? - pyesim dhe ne!
Por, s’ndërhyjmë në Drejtësi!
Njëqind vjet le t’zgjasë hetimi
Krimi mbetet prapë - i ri!
Thonë: Po vlon korrupsioni!
Thonë: Të gjithë hajdutë jeni!
Thonë: Jo pak, po - miliona!
Vidhni, se Ju shpirt nuk keni!
Dhe, ia fusin …kot së koti -
Për t’bërë opinion tek bota:
Se - qenkemi pronarë Pallatesh!
Dhe, mbi t’gjitha - vjedhim vota!…
Ne u themi: Ju çfarë bënit -
Kur ishit hyqymet - dikur?
Nga dhjami desh pëlcisnit -
Ne “Në Hije” - asht e lëkurë!
A po jo?
Habertarët:
Po, mor, po! Asht e lëkurë!
Vërtet ishit Ju - dikur!
Kryeministri:
- Nuk është kështu gjith’ Opozita
Një pjesë ka fjalor t’përdalë!
Kur ua kujtojmë ish-ministrat -
E fusin bishtin nën shalë!
Presidenti:
Ne at’herë vërtet bashkë ishim
Me Ata… si tash me Këta…
As at’herë - e as tash s’jemi
Veç me Këta… o me Ata!
Habertarët:
Po, mor, mirë - s‘po i jepni lak!
Me Këta… e me Ata - nga pak!
Kryeministri:
- Ju do të thoni: “Zanzi-Bari“!
N’Koalicion - ç’bëri vaki?
Me vetëdije e bëtë Puçin -
Apo ishit bërë tapë - raki?!
- Do t‘jua them, sinqerisht!
Midis nesh kish’ hyrë një dreq!
Por, në saje t’Zyrës s’Madhe -
Sot prap’ hamë bashk’ - përpeq!
Habertarët:
O, bo-bo, çfarë nuk bën Dreqi!
Na rroftë Zyra dhe - përpeqi!
Presidenti:
- Ju do t’thoni: Vetëvendosja?!
(Me OJQ s‘bëjmë muhabet!)
Po Ju jap një vlerësim t’tyre -
Dhe, pastaj gjykoni vet‘:
“Si të majtët, si të djathtët -
Janë njësoj - s’dallojnë aspak
Ditën shahen, grinden, zihen -
N’mbrëmje hanë në një çanak!
Dhe, çanaku është i madh -
I thellë po, por grykëngusht
Llaskucët marrin me gishta,
Kodoshët marrin me grusht“!
- Ja çfarë thonë, ja kush janë!
T’Vetëvendosjes - djemat tanë!
Habertarët:
O bo-bo, ç’çuna shejtanë!
Presidenti dhe Kryeministri:
- Ju do të thoni: Po, Veriu?
A do t’zgjidhet, si është puna?
Si ta shtrijmë sovranitetin -
N’Mitrovicë dhe n’tri Komuna?
Ne Ju themi: Fleni dathë!
Po e hartojmë nji Strategji:
I rikthyem, a s’i rikthyem -
Vatani do t’ketë prapë Veri!
Habertarët:
- Po mor, po, Veri do t‘kemi! -
Sakat, por ç‘t’bëjmë, o burra!
S’bëhet nami, pse nën Ibër -
Veriu të na mbesë - tek Ura!
Kryeministri:
- Ju do të thoni: Papunësia!?
Mund t’Ju them - fleni rahat!
Jo Arsimi… jo Shëndetësia -
S’ndreqen t’gjitha n’nji mandat!
Apo jo?!
Habertarët:
Jo, mor, s‘mërzitet mileti -
Për shëndetësi as për arsim!
Kryeni Ju doktoraturat -
Keni vuejtë shum’ në mërgim!
Presidenti:
- Po na shajnë për nepotizëm!
Por nuk kanë të drejtë aspak!
Ne e fusim n’punë ndo’j dhëndërr
Dhe, tek-tuk ndo’i baxhanak!
…E po, dhe ndo’i djalë, a vëlla
E fusim nëpër Borde(le)
Pse s‘kanë shkollë - s’mund t’i lëmë
çobanë dhensh - nëpër zabele!
A po, jo?
Habertarët:
- Jo, jo s’lihen ata burra!
Me dhen as me dhi ndër shkurra!
Dhe po t’kenë veç pak haber -
E kryejnë dhe ndonji “Master“!
Presidenti dhe Kryeministri:
- Por, një gjë s’e kemi t’qartë!
Mileti… pse ka kaq siklet ?:
“Jo, s’durohet Qeveria!
Jo, këta s‘dijnë me ba shtet“!
- E duruat dreqin e t’birin
Qe nji shekull, mbi kurriz:
Kriminelë, xhelatë, hajvanë
Shkje t’çartun, edepsyzë!
Duroni, xhanëm, dhe pak!
Sokolat, djemtë tanë azganë -
Vërtet, s’dinë si bëhet shteti
Po, ama - Tanët janë!
Apo, jo?!
Habertarët:
- Po, mor, po! Tanët janë!
Na rrofshin djemat luanë!
Kryeminstri:
- Ju do t’thoni: ç‘presim n‘mot?
- Do i heqim yrrnek sefasë!
Ngritje rrogash - qindpërçyl!
Nga - “Tepsi e Bakllavasë“!
A po jo?!
Habertarët:
Po, mor po, e keni hak -
Çylpërqind - mbase është pak!
Presidenti:
- Sa u përket njohjeve t’reja
Me meritë, jo për sevap! -
Do t’na njohin aq shum’ shtete -
Zor e kem’ m’u dhanë xhevap!
…Ujëdhesat e Buggu - Rahdit,
N’Mammu Pigg e Khaka-Dadhë…
Ato, dhe nja njëqind t’tjera -
Varg e varg - po presin n’radhë!
Apo, jo!
Habertarët:
Oh, ho-ho!
Kryeministri:
- NATO na i mbron kufijtë
Me ushtarë e me Traktate!
Qeveria e ruan miletin -
Të mos mbushet taksirate!
Të mos çmendet nga lezeti
I Shtetit me te ri n’Ballkan!
Të mos ikë pa pasaporta -
Të kërkojë - tjetër Vatan!
Apo, jo?!
Habertarët:
- Po, mor, po! Rroftë Qeveria!
Budallenjtë s’dinë ç’është liria!
Kryeministri:
- Kjo është Qeveri e popullit!
Ndaj, mos bëni shumë yrysh -
Rrjedh nga Ju dhe është e Juaja!
Tranzicioni nuk shkon ndrysh!
- Qëkur është kurdisë dynjaja
Mbani mend, o habertarë:
Me ujë, zjarr e hyqymet -
Luan veç ai që është i marrë!
Shumë selam redaktorëve -
Për çfarë ndodh’, jepni habere!
Shtypi i lirë…e i “pavarur”
Meriton dhe ca … Tendere!
U shkreh n’vajë nga emocionet
Lidershipi - për Atdhe:
- Gëzuar 2010, ’11... ‘20-tën!
Ne me Ju e Ju me Ne!
Habertarët:
Gëzuar! Aq gjatë - me Ju?
O, ku-ku!
(Nga poema satirike "Këngë çheroike kosovare - Epopeja e Qeverisë", Prishtinë 2010)