Kulturë
Shpëtim Kastrati: Mëkati i Gurit
E enjte, 29.12.2011, 01:55 PM
Shpëtim Kastrati,
ka lindur ne qytetin e Fierit, 1959. Arsimin 8-vjecare e ka mbaruar ne Levan, Fier. Ka mbaruar shkollen e mesme mekanike-industriale ne Fier dhe Gjuhe-letersi me korrespodence ne Universitetin e Tiranes.
Ka botuar kater libra me poezi:
"Qielli i Krisur"
"Pellumbat e Eger"
"Vajze e Valeve"
"Mekati i Gurit".
Nga vellimi "Mekati i Gurit".
PESHPERIMAT E DURRESIT
Ndoshta nuk ishin delfinët që mbrritën
Të parët në Durrës, sepse romakët
Erdhën disa herë me fortesa nëpër det
Duke tramaksur peshkun, pastaj bizantët
Nëpërmjet nje tuneli venash ja dolën
Të zgjasnin kokat mu në mes të Durrësit
Dhe përgjonin romakët më nga afër.
Kjo ndodhi nëpër vite të mbrapsht, ku retë
Mateshin me thesare në një ëndërr perandori
Që vizitonte shpesh Durrësin, duke u mbërthyer
Nëpër kuarcet e valë, herë nga gjaku dhe herë
Nga zjarret që digjnin kurorat në pasqyra.
Qëmtonin shënimet ndër shkëmbinjë nga era
Dhe shirat duke matur me pëllëmbë misterin
E të folurit në një të çarë të dërrasës së truallit
Përmbysur nga një mal i vjetër ku yjet
Pulsojnë ende ngadalësinë e kohës së paqetuar.
Megjithatë këtu bëhet kripa dhe drithi.
Ngjyra e peshkut vjen si pëshpërimë e argjendë.
Deti rënkon mbi myshqet e vet,
Herë - herë i zbuluar në freski, misterioz.
VARGJE
Dhe kështu me fraza të thjeshta transparente
Për të hedhur vargje në letër
Të kandisësh një rrjetë,
Një rrjetë përpos melodisë
Që nuk prishet por i shërben të mirës
Me befasinë pa shmangur lëndimin,
Lëndimin që nuk mbaron kurrë
Derisa të krrusemi të hijshëm
Të përkëdhelur me dritën,
Oh, me dritën, që me kaq saktësi
E ka vën nën vete dëshpërimin
Dhe tenton shpirtin, qiellin thellë.
BREGU I LUMIT
Këtu rritet tërfili dhe drethkëza qumështore,
Shkurret gjysëmbojë njeriu mbajnë leshin e dhenëve
Sikur t’i ken kafshuar nga një çik ato me saktësi.
Shirat e rrallë trazohen me pluhurin dhe dosido
E zbardhin nga pak rrafshin e gjelbërt.
Zërat e barinjëve çunakë përzihen ëngjëllisht
Me klithmat e mëllënjave dhe blegërimat,
Teksa lajmëron mbrëmjen dielli gjumash syskuqur,
(sepse koha e saktë dhe lajmi i çastit mungon).
Megjithëatë, bregu këtu është shumë i populluar,
Sa kërshëria e lumit të mbetet në kujtesë, sidomos,
Kur bagëtia njëra pas tjetrës pinë ujë
E tundin krifat e tyre tërë zhele nga kënaqësia
Duke bekuar të zotët për ditët që ato i dinë.
Dhe fundi nuk mbetet këtu, madje i pakrahasushëm
Ritmi që prapëseprapë i theksuar nga jeta
Baritore e kompozimit mendërisht të vazhduar.
BUAJT
Kësaj here buajt gabuan.
Ata lanë malet dhe përrenjtë
Dhe nëpër mjegull zhduket traga e tyre.
Dhe ende vazhdojnë të vijnë rrotull
Nëpër qytete, buaj dhe bullica,
Të mbetur në këmbë vetëm nga kujtesa e tyre.
Tani edhe jehona është larg, shumë larg,
Sa edhe hëna netëve, as e ndjen dhe as e sheh,
Vërtet, kësaj here buajt gabuan.
PRELUD
Nata paloset si faqe gazete, në rubriken e re
Dita faqoset për së gjati; në fushat dhe kodrat
Përtej. (Zyrat me burokratë ende nuk janë çelur.)
Dielli na këshillon: të thurim thekët e tij delikatë
E të frutshëm që hapërndahen në tokën e ëmbël,
Përtej bukurisë dhe erërave pasardhëse për nga,
Dëshira se si mbulohet me gaz krenaria
E ullinjëve dhe lavdia e drithit që përmbush
Boshllëkun e zemrave në horizontet e thella ku,
Punët tona janë shpërndar, me fatin se si
Ta kërkojmë me maturi mënyrën, sepse koha
Është aq e vyer, që do të rrojë në ne me të vërtetë.
DIKU NE NJE CEP TE BOTES
Diku në një cep te botës
Një shesh i vogël provincial,
Sheshi i qytetit tim, bërë pis,
Mbledh burrat të qetësohen.
Çdo mbrëmje dikujt dhe më pak,
U nxjerrin të ftohtin gjërave
Ashtu siç janë ngjizur, të
Thella, të lehta si pëshpërima,
Midis reales dhe dridhjes së thatë.
Sepse ndodh dhe është e ngjashme,
Ndonjëherë e padukshme,
E patëkeq për shkak të gjumit,
Apo të një arsyeje tjetër fatale,
Vështrimet shkasin ngadalë
Nëpër njëri - tjetrin, fërkohen
Si në mëndafsh, anohen
Me rozën e tyre në anën
Tjetër, ku duhej të ishte dikush
Nga ata që çapisnin lehtë
Dhe mjaltonin si bleta, nëpër
Këtë qytet frazash të thella.
INTERVAL
Dita
Ka veshur kemishën time të re
Dhe gëzohet.
Kopështi
Zgjon rimën
Dhe shumëfishon të gjelbrën.
Merimangat thurin smeraldin e tyre
Mendushëm,
Në heshtje të plotë.
Rrënjët ruajnë sekretin e çuditshëm
Dhe rrëmojnë me sqimë
Nëpër tokë.
Trumcakët ziliqarë
Grinden si përhera
Për thërrimet.
Unë
Kaloi në vaun më të afërt të vegimit
Dhe shalojë jehonën e përzierë…
Koha e mbetur;
Për të zënë flutura të flakërimta,
Ato më të përshtatëshmet,
Përthyhet e ujëshme në tingujt e beftë.
SAMUELIT
nipit tim
U shtua edhe një pemë midis pyllit të gjallë,
Që papritur gëzon dhe zbukuron ditën
Të ngjyer me diellin e flakërimtë.
Ai është duke ngritur pushtetin dhe sfidat,
Duke sistemuar ëndërrat, dëshirat,
Që patëkeq do të sfidojë gjyshrit, stërgjyshrit.
Ende fluturat pyetje pa përgjigje vardisen
Në njëvjetorin e tij me xhelozinë e heshtjes
Pranë një rreze drite që ndjek një aureole ëngjëlli.
PARAVJESHTE
Ka diçka serioze duke thyer heshtjen
Midis këtyre ferrave me fletë të pluhurosura
Dhe pak më tutje atyre plepave
Që dorezojnë në kesh faturën e tyre
Paravjeshtës, madje është e përshpirtshme
Puhia se si përshëndet gjithëandej
Nëpër vagullimin që drithërohet
Nga vrulli fizik i pashmangshëm,
I pamëshirshëm tek zbon mërzinë.
PORTRET
Ai lindi ketu duke u shkrirë një mëngjes
Të vesuar me filiza drite ndezur
Në të katër anët e pikëllimit, lindi
Si një lodër duke ngalluar çurg
Nëpër tokë, duke nderur gjethe hardhije,
Duke ngritur barin dhe duke u ligatur
Me kërminjtë dhe mizat e dheut, duke
Gogësitur ndonjëherë nga dobësia, por
Duke lëmuar okrën e shtuar, duke përqafuar
Netëve paqen, të lehtë si një pulëbardhë,
Duke qëmtuar ëndjen e rezhgur të bletëve
Si një llampë që digjet pa pushuar së qëni.
NASTRADINI
Pas mohimit, më kujtohet kufoma e një
Shenjti duke fërshëllyer brigjeve, pa pjesë.
Duke rehatuar veten, Nastradini, ëndërrat
I mbante në xhep si letra bixhozi
Dhe bënte krye në çdo rrugëdalje.
Dhe ca nga ne i pati mësuar mjaft,
Duke bluar hollë të mirën dhe
Të keqen, nëpërmjet arsyes së kulprës
Pikë pikë e predikuar. Duke qëmtuar
Subjektet me pirunin e kurajës së vjetër,
Duke rripuar shtigje dhe duke lakmuar
Një botë që mund ta hajë ne anën tjetër.
MALL
Nuk jam i pastërvitur por dhimbja
Me kërciti si nje shkarpë, ajo plakë
Që s’më njohu e tha pa të keq:
Fjalët ishin duke përgjuar ndërsa ikja
Dredhoi jashtë, mbaj mend një bardhësi
Të vogël të zymtë fshati, qëkurse
Zogjtë e habitur dhe pëshpërimat
E pemëve ishin te lodhur nga vera,
Unë krejt anonim bëja përpara, atje
Ku mblidheshin muzikantët e fshatit
Dhe më dukej diçka e pambaruar
Apo që shpresoja ta rrihte era,
Plaka bënte me dorë, ndoshta shënonte
Matan diellit, ku duhej të ishte
Për ata, mëngjesi dhe mbrëmja.
BUNACE
Gurët bien në gjum kësaj mbrëmjeje
Kaq bindëse dhe fare pran detit ngushëllues.
Shpirtrat e vegjël, mbi gurët dhe nën gurët
Habiten nga kjo lidhje e sapombrehur që merr
Zgjerim në çastet, kur nevoja për hapsirën
Duhet ndriçuar më me nxitim, e pazvogëluar.
HIJET E BARDHA
Përsëri jetova në Itali me orët zhurmëlehta
Dhe në mendje më mbeti gjithëçka në peshore.
Duke prekur, Hijet e Bardha, kam menduar
Aq shumë per ty sa jam po aq i sigurtë,
Që dielli ndriçon më përkryer sepse ne
Duhemi dhe rrezet e tij te paanëshme
Zhvendosen në ëmbëlsinë e errët. Të paformë,
Hijet në Verona; - Romeo u shkatërrua me tepri
Dhe Zhuljeta nuk mund te rrojë më pa atë.
Gjërat e shkuara janë edhe me kryeneçe
Nga ato që ngjasin tani, të befta, të përkohëshme,
Por shpirti rrëfen me siguri: - të dua dyfish tani!
LYPSI
Lypsi kërkon një prift ku mund të ulet
Dhe të rrëfehet.Tashmë është prerje delikate
Dhe i parehatshëm për të pranuar çikërrima.
Ai është duke kërkuar një prift dhe shfaqet
Pa shkak në një qoshe tjetër. I lodhur, mbështet
Kokën te ylli i mëngjesit dhe fle përsëri.
ZGJIM I PRANVERES
Pranëveres, i qoftë e qeshura jote,
Tek vjen pas mesnate, plot e vërtetë;
Agimi akordohet shenjtë, pa u mashtruar,
Syçelët me lulet e verdha si muzikë e përjetshme,
Varur në degët, si në duart e tua, rreth e qark,
Burim pa trishtim dhe imagjinata ëngjëllore
Riçel të fshehtën në të çarat e çadrës
Si të çara në qiell, yshtja e sythit ndjell
Fytyrën tënde, krelat rriten dhe shumohen.
ROZAFA
- baladë -
Spiralja e hidhur merr gjatë. Koha
Ka ngecur rrëzë maleve ku rrokullisen
Gurët. Yjet kullosin dhe hëna e lodhur,
E pluhurosur mpihet nga pagjumësia.
Muri rritet nga pak si mjekra dhe shembet
Po atë natë. Miti ngre krye dhe bishtnohet
I paemër me njerëzit që kacaviren veshur
Me plagë. Trualli prêt të njomet me gjak!
Enigma e çarë, natën me gratë, i mundin
Shtrembër të mëdhenjtë vëllezer. Fati digjet,
Rozafa muroset në mëngjes në grackën
E më të vogëlit torollak. Ajo shtrihet nën gurët
Siç do vetë; me gjysmën e trupit dhe gjirin
Jashtë për djalin, ndërsa të lëmyshkur gjysmën
E trupit për burrin shtrirë në themel. Muret
Marrin hije, psherëtima e flladit mekëron idenë.
Burimi i qumështit xixëllues pike - pikë kaheret
Të lëbardhë përgjakjen. E gjelbra e pemëve përqark
Mbart qetësi, jeta mërmërin me orët e gjata. Burrat
Heshtazi shtegëtojnë nga humnerat e shpirtit të tyre
Për të zbrazur pirgun e gurëve në shpinë. Thurur
Nga erërat e dritës, djali stolis grinë e djeshme,
Puhia fërfërin qytetin e tij të ngjyrosur, ndërsa shkel
Shkretëtirën e zakonit të zymtë, zhbër nga rënkimet.