E diele, 22.12.2024, 10:36 PM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Xehetaria në Mbretërinë e Dardanisë

E merkure, 28.12.2011, 11:58 AM


Xehetaria në Mbretërinë e Dardanisë

Nga Qazim Namani

Koha e zhvillimit intensiv të jetës në kështjella dardane në këto anë dhe ndërtimeve të hershme të fortifikimeve sigurisht se duhet kërkuar  kah fundi i shekullit të V dhe shekullit të IV para erës sonë, pra në kohën e lulëzimit të mbretërisë Dardane. Në këtë periudhë metalet fisnike si ari dhe argjendi përdoreshin për përpunimin e stolive të ndryshme. Këto stoli shërbenin edhe si mjet shkëmbimi me qytetet e zhvilluara në Greqi dhe qytetet tjera të Gadishullit Ilirik. Edi Shukriu shkruan se E. Çershkovi kishte vënë re lidhje më të shpeshtuara dardane me botën helene në shekullin e VI para erës së re. Në bazë të të dhënave të pakta dhe gjetjeve në shpatijet e kalasë së Tenezhdollit dhe në Gumnishtë të Artanës (NovoBërdës), Çershkovi ka konsideruar se këto lidhje kanë qenë të imponuara nga eksploatimi i pasurisë së bollshme xehetare. Kjo dëshmohet edhe me gjetjet arkeologjike në rrënojat e vendbanimit pranë zgafelleve xehetare të Artanës.[1]

Nga të dhënat që dihen deri më tani për dardanët mund të pohojmë se edhe dardanët i kanë farkuar monedhat e veta. Madje duket se në Dardani janë farkuar tipet më të hershme të monedhave të emituara e të ashtuquajtura monedha “barbare”.[2]

Shkrimtari antik Plini shkruan se meshkujt mbanin mbi llërë (rrathë ari) që vinin nga Dardania, andaj edhe quheshin  dardane.[3]

Ndonëse sipas përshkrimit gjetjet nga Artana i përkasin periudhës helenistike mund të flitet për një kontinuitet të eksploatimit të xeheve që në faza të hershme në Artanë dhe në Veletin.[4]

Gërmimet arkeologjike mundësuan që të njihemi me veglat e punës si: dalta, kazma, qyskia, enë, kopça, varëse, stoli etj., si dhe me varreza që u zbuluan në lokalitete dhe vendbanime xehetare që dëshmojnë rolin e xehetarisë në zhvillimin ekonomikë të këtyre vendbanimeve.

Nga shekulli IV para erës së re qyteti Damastion farkoi monedhat  e veta që zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të monedhave si shkëmbim në këto troje.[5]

Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të qytetit xehetar Damastion, për të cilin thuhet se ka pasur si simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar Çekiçin dhe Qyskinë.[6]

Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por ende nuk është e sigurtë vendndodhja e tij në Kosovë.[7]

Në rrethinën e Janjevës dhe Prishtinës janë gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit.[8]

Zbulimi i këtyre monedhave në pellgun xehetar të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës dhe në rrethinën e Prishtinës mund të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.

Nëse bazohemi në mendimet e studiuesve tanë si: Dr.Zef Mirditës, Dr Edi Shukriut, Dr. Jahja Drançollit etj., dhe atyre të huaj si: Emil Çershkov, Fanulla Papazoglu, Dusaniq etj mund të pohojmë se qytetin ilir Demastionin duhet kërkuar në Dardani, e pikërisht në lokalitetet xehetare në rrethinën e Prishtinës, Janjevës dhe Artanës si dhe mund të konstatohet se kjo trevë pa tjetër duhet të ketë qenë në mos kryeqendra (sipas mendimit tim) gjithsesi qendër primare për ekonominë dardane. Rëndësia e këtij territori të Dardanisë dëshmohet edhe nga ekzistimi i shumë qyteteve të zhvilluara të cilat te studiuesit e ndryshëm na paraqiten gjithnjë në lidhje me eksploatimet xehetare.

Me gjithë mendimet e kundërta rrethë ubikimit të këti qyteti duke ndjekur metodën e rrahur deri më tani, Zef Mirëdita mendonë se Demastionin duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të Dardanisë, respektivisht në trevën e sotme të Kosovës. Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës në vendin e quajtur “toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik. Kjo trevë bashkë me Artanën dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende xehetare, dhe duhet theksuar se në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Demastionit, pastaj edhe Straboni si edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit të cilat gjindeshin në afërsi të Demastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë ta kërkojmë atë në afërsi të Kishnicës respektivisht Janjevës apo të Prishtinës.[9]

Mendoj se mendimi i dr. Zef Mirditës për ubikimin e Demastionit në pjesën qendrore të Kosovës, e pikërisht në Gallap është i qëlluar duke u bazuar te gjurmët xehetare të cekura më lartë në rrethinën e Janjevës, Artanës dhe të Prishtinës, por kësaj duhet ti shtohet edhe fakti se pjesa verilindore e Artanës është shumë e pasur me lokalitete xehetare dhe gjurmë të lashta antikiteti për të cilat nuk është shkruar nga autorët bashkëkohor, pasi nuk janë bërë hulumtime të duhura në këtë trevë.

Duke pasur për bazë gjurmët e xehetarisë në anën përendimore të Artanës, por edhe vendet e cekura më lartë në anën verilindore si dhe gjetjen e monedhave të Demastionit në rrethinën e Artanës, por dhe afër Leskocit, kemi arsye të plotë që këtë qytet Ilir ta kërkojmë në Gallap e pikërisht në rrethinën e Artanës. Rëndësia e rajonit xehetar të Ulpianës, Vendenisit (Gllamnikut), Soçanicës, Bollasicës, Artanës, Shkupit, Vranjës, Leces, Rogoznës dhe minierave tjara në Dardani u shtua në periudhën e eksploatimit të mineraleve dhe ndërtimit të kështjellave të para në territoret dardane. Mendoj se Ulpiana si qendër e rëndësishme urbane dhe ekonomike ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me minierat e rajoneve përreth vendbanimeve xehetare si: Artana, Vendenisi, Bërveniku, Vushtrria, Vërbani etj. Pasuria minerare e këtyre rajoneve dëshmohet edhe me rrënojat e kështjellave ilire e më vonë romake të këtyre anëve. Rrënojat e kështjellave në anën Juglindore si: Janjevë, Veletin, Vogoçincë, Gadime, Vrellë, Kishnopole, Terpezë Gërnçarit, Binçës, Vërbocit, Surçinës, Cërrnicë etj., si dhe rrënojat e kështjellave në anën verilindore si Grashtica, Siçeva, Rimanishta, Tenezhdolli, Vendenisi, Keqekolla, Koliqi, Batllava, Baraina, Braina, Gradishta në fshatin Marec, Artana, Gllama etj., tregojnë për rolin që e kishte xehetaria në zhvillimin ekonomik dhe rëndësinë  e nxjerrjes së xehes së arit, argjendit, dhe hekurit  në rrehinen e këtyre lokaliteteve.

Duhet theksuar se xeheroret e Kosovës janë shfrytëzuar që nga periudhat e para të shfrytëzimit të metaleve, dhe si duket në antikë meqë xehetaria në tërë viset veriore dhe lindore të Kosovës dhe rrafshit të Dukagjinit ishte degë mbisunduese e ekonomisë, ato ndikuan edhe në zhvillimin e qyteteve në këto anë gjatë fazave të mëvonshme  historike.

Nga këto të dhëna mund të supozojmë se në galeritë e xeheroreve ilire do të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre xehetare edhe romakët, ku galerit e eksploatimit të xeheve që nga kjo periudhë janë ruajur deri në ditën e sotme



[1] Edi Shukriu, “Dardania Paraurbane”, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq.49

[2] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.82.

[3] Edi Shukriu, Dardania Paraurbane, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq..106

[4] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.49

[5] Po aty fq.82.

[6] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Skara 1, Prishtinë, 1999, fq.92

[7] Emil Çershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.82

[8] Emil Çershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76

[9] Zef Mirdita: “Studime Dardane” Prishtinë 1979, fq. 104



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora