Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Demokraci alla rusçe (II)
E merkure, 28.12.2011, 11:55 AM
DEMOKRACI ALLA RUSÇE -- II
Nga Frank Shkreli
Në fund të Shtatorit që kaloi, në një artikull me të njëjtin titull, shkrova mbi shkëmbimin e posteve më të larta të shtetit dhe qeverisë ruse -- atë të kryeministrit dhe presidentit -- midis zotërinjve Vladimir Putin dhe Dmitri Medvedev, sikurë këto poste të larta të ishin molla, ti merr këtë, unë po marr atë. Ky vendim, sipas ekspertëve të çeshtjeve ruse, mund të ketë qenë një gabim, reagimet negative ndaj të cilit ai ndoshta nuk i ka parashikuar. Ç’ prej pothuaj dy-tre muaj më parë, shihej se diçka nuk ishte në rregull në politikën ruse, sepse qyshë atëherë i ''vinte era'' kësaj që po shohim sot nepër rrugët e Moskës dhe të qyteteve të tjera anë e mbanë Rusisë, si reagim ndaj manipulimeve dhe planeve afatgjata të Zotit Putin për të qendruar në fuqi. Në protestat, që sipas korrespondetëve të huaj në Moskë, janë më të mëdhatë në atë vend ç'prej rënjes së Bashkimit Sovjetik, me dhjetëra mijëra rusë janë duke protestuar për ato që ata i konsiderojnë si vjedhje to votave dhe manipulime të zgjedhjeve parlamentare të fundit nga ana e Vladimir Putinit dhe partia e tij Rusia e Bashkuar. Si shëmbull manipulimesh e vjedhjesh, mediat e ndryshme përmendin rastin e Çeçenisë, e cila qe shkatrruar nga lufta e Putinit disa vjetë më pare, por ku sipas autoriteteve, në zgjedhjet e fundit morën pjesë 99 për qind e votuesve dhe 99.5 e tyre votuan për partinë e Zotit Putin, Rusia e Bashkuar.
Manipulimet u vërtetuan jo vetëm nga udhëheqsit e opozitës ruse por edhe nga vërejtësit ndërkombëtarë. Të hënën që kaloi, vërejtësit e zgjedhjeve nga Organizata për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) njoftuan për shumë shkelje të rregullave të zgjedhjeve në favor të Partisë Rusia e Bashkuar që qeverisë vendin. Administrata amerikane e Presidentit Obama si edhe organizata të shumëta qeveritare dhe jo-qeveritare kanë shprehur ‘’shqetësime serioze’’ mbi porcedurat e zgjedhjeve në Rusi, ndërsa nga pikëpamja zyrtare e Kremlinit, Presidenti rus Medvedev u shpreh për mediat se zgjedhjet ishin ‘’të ndershme dhe demokratike’’. Megjithkëte, Zoti Medvedev tha javën e kaluar se akuzat për manipulime që çuan në protesta anë e mbanë Rusisë duhet të hetohen, ndërsa Kryeministri Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara se nxitën grupet e opozitës pas zgjedhjeve. Ndërsa ish-udhëheqësi sovjetik Mihail Gorbaçov bëri thirrje për zgjedhje të reja.
Është e kollajt për Zotin Putin që të akuzojë Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë për nxitjen e protestave, por e vërteta është se pakënaqësitë në shoqërinë ruse, që ishin gjatë gjithë kohës në sipërfaqe, janë shtuar dukshëm ç’prej kohës që Zoti Vladimir Putin njoftoi se do të këthehej në detyrën e presidentit të Rusisë. Këjo për më tepër sepse nëqoftse ai merr atë detyrë rishtas Marsin që vjen, për të cilën gjë ekspertët thonë se ka shumë pak dyshim, atëherë ai do të shërbejë edhe për dy afate prej gjashtë vitesh në detyrën e presidentit, d.m.th., deri në vitin 2024. Prandaj, përveç vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve të javës së kaluar, është regjimi i tij autoritar, mundësia dhe përspektiva e zgjatjes ose përjetësimit të këtij regjimi autoritar deri më 20024, ajo që ndër të tjera, shkakton pakënaqësitë dhe protestat në Moskë dhe në qytete të tjera anë e mbanë vendit.
Nuk është e qartë se çdo të bëjë Zoti Putin dhe togeri i tij Medvedev me situatën e krijuar prej tyre. Ata mund ta përmirësojnë ose mund ta bëjnë më keq, por ama nuk mund t’a injorojnë, pasi zërat për më shumë demokraci në Rusi po shtohen, ndërkohë që qëndrimi ndaj tyre, nga ana e autoriteteve ruse, duket se po bëhet gjithnjë e më pak tolerant, siç u pa gjatë javës së kaluar, kur sipas lajmeve, mbi 50-mijë policë ishin venë në gjëndje gatishmërie në Moskë për tu përballuar me protestuesit. Shtypjet brenda vendit si dhe deklaratat retorike anti-përendimore siç bëri Zoti Putin javën që kaloi duke kërcënuar se Rusia mund të drejtojë raketat kundër instalimeve anti-raketore amerikane në Evropë, të sjellin ndër mendë periudhën sovjetike të luftës së ftohtë, një periudhë këjo që nuk nuk i solli dobi as gjëndjes së mbrendshme as marrëdhënjeve ndërkombëtare.
Tani për tani, regjimi i Zotit Putin nuk duket të jetë në rrezik, por protestat ruse kundër manipulimeve të zgjedhjeve dhe vjedhjes së votave, që organizuesit thonë se do të vazhdojnë në ditët e ardhëshme, janë një vazhdim i protestave që ndodhën gjatë këtij viti – e të cilat shprehën pakënaqësitë me udhëheqësit autoritarë anë e mbanë botës. Megjithëse kushtetuta ruse mund t’i japë të drejtë Zotit Putin të qeverisë edhe për 12 vjetë të tjera, siç duket Rusia po ndryshon, dhe shpresojmë se protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve të së Djelës që kaloi, të shënojnë fillimin dhe jo mbarimin e një ringjalljeve demokratike.