| E merkure, 28.12.2011, 11:55 AM |
AGIM MATO
SHQIPONJA
Shqiponja ishte dëbuar nga flamuri.
Ajo vërtitej majë maleve,
inspektonte kështjellat që nga ajri,
ndiqte lëvizjet e ushtrive
me rrapëllima qerresh e re pluhuri,
kontrollonte me sytë e stërvitur
sipër një deti çadrash laramane të fushimeve,
sipër fushëbetejave
dhe merrej vesh me kapedanët kryengritës.
500 vjet me radhë,
në çdo beteje,
një shtizë,
qëndronte e gatëshme
për fronin e saj.
hapni kronikat ku shënohet se ajo, në konspiracion me
Ali Pashën,
priste sinjalin të ulej mbi shtizën
që plaku e kishte bërë gati.
Aliu kishte një ushtar
që do t’i bënte shenjë
kur të vinte çasti.
Dihet pastaj,
se fati i buzëqeshi
Ismail Qemalit.
Kur e panë shqiponjën t’i hapte udhën një diligjence
që e çonte me ngut në Sheshin e përgatitur enkas në Vlorë,
të gjithë e njohën të zgjedhurin e saj.
E kuptuan të gjithë pse iu desh diplomati
të firmoste shugurimin
në sytë e një Europe tekanjoze.
Sarandë, 2011
PASURIA IME
Faleminderit, nënë,
që më le trashëgim zemrën
me tërë pasuritë që kishte brënda.
Pa testament,
pa noterë,
pa u grindur me të tjerë.
E DIEL
Asnjë dorë nuk ngjiti
lajmërime vdekjeje
nëpër shtylla.
Kafen
mund ta surbësh
i qetë këtë të diel.
Mund të surbësh aromën
e këtij mëngjesi
që sot e ka lënë pa punë
agjensinë e varrimeve.
TE KËNDI I SENDEVE TË GJETURA
Te këndi i sendeve të gjetura,
të ngjitur me pineskë,
pashë ëndrrën time të humbur.
Pak e zverdhur nga koha,
e kyçur prapa xhameve,
vjersha e dashurisë
me një emër vajze.
Si mund ta nxirrja që andej?
Të shkoja, në polici?
Atje duhej të vërtetoja rrethanat
dhe policët
do të më keqkuptonin.
Të trokisja në zyrën postare?
Ëndrra nuk kishte adresë,
dhe emri vetëm nuk mjaftone.
Shumë kohë
ngeli ëndërra atje
si në një kënd letrar
dhe vajzat shpërthenin në gaz
kur e lexonin
në mes të çelësave
dhe pasaportave të humbura.
Ku ta dinin ato se ajo copë letër
ishte çelsi dhe pasaporta
e moshës sime rinore?
GJIMNAZI ZBRAZEJ NGA VAJZAT E BUKURA
Gjimnazi zbrazej nga vajzat e bukura
që i fejonin larg dhe dhëndurët u dërgonin unazat,
orët, vathët si dryna të vegjël për të kyçur në embrion
lirinë e ëndërrave të tyre vajzërore.
Dhëndurët - gjeologë e inxhinjerë me rroga të mira -
fusnin njerëz tek shokët e klasës të na pyesnin për qën-
drimin.
Sa prej nesh e ndjenë t’u tronditeshin simpatitë
dhe trishtimi të zinte vend në sytë e tyre të hutuar!
Pas martesës, kur shoqet tona ktheheshin në shtëpitë
prindërore
mbanin një të kuq të errët buzësh
për të mbyllur komunikimin
dhe u ngjanin ca fortesave indiferente.
Ndiqnin moda të reja veshjesh,
për të na mbushur mëndjen se ishin të lumtura,
sa herë vinin të shoqëruara me dhëndurrët,
cilëve u shtoheshin vetëm thinjat.
Po kur vinin me fëmijtë, një mall i kapte befas
në lirinë e tyre të shkurtër
dhe kujtonin çapkënllëqet që u mungonin.
Na përshëndesnin dhe përpiqeshin me këmbëngulje të
mësonin
në se brënda nesh pluskonte ende një membranë
e portretit të tyre.
Sarandë, 1969-2011
NË SE VDES DASHURIA
Edhe në se vdes dashuria,
kufomën e saj
e mbartim brënda vetes.
DITË GUSHTI NË GJIROKASËR
Provo të shkelësh në kalldrëmin e errët
të Qafës së Pazarit, ku çdo plloçkë
është si një furnellë elektrike,
e ndezur në piskun e vapës.
Kalldrëmet, trotuaret, shkallët,
çatitë, oxhaqet, çesmat, harqet,
stolat, kështjella atje sipër, të gjitha, të gjtha
prej guri të ndezur gëlqeror, janë,
si një kamin përvëlues,
pronë e një dielli të pamëshirshëm.
Një avull i nxehtë drite të vesh sytë
tek ky peizazh i humnertë kadarean me një arkitekturë
abstrakte e të hirtë,
me oxhaqet e heshtur sipër rrasave të çative atje poshtë
si gjymtyrët e dimrit që s’i hyjnë më në punë askujt.
E ndërsa mendon se je mbi kafkullin e gurtë të një
përbindëshi,
kur hyn nëpër dyer, ndjen lëngun e jetës, të freskët e
gjallëronjës,
brënda komoditetit të odave,
si në një kabinë kozmike
gati për të udhëtuar në një planet dhe kohë tjetër.
I LODHUR NGA DASHURITË
I lodhur nga dashuritë
dremiste dashi përçor
me herdhet e tij të shkordhura.
Një dele atje pranë e mirrte erë
dhe e falënderonte me blegërima.
Ai ngrinte një hop kapakun e syve
dhe binte prapë
në një dremitje të ëmbël.
Prilli çelte poshtë tij
një luledele
që e guduliste në ëndërr.
I kishte mbaruar
të gjitha punët e paqme
dhe flinte si një dhëndërr.
KA MILIARDA VJET
Ka miliarda vjet që shpërthen
bomba me hidrogjen e diellit.
Në hapësirën inkandeshente
vërtitemi – grimca
të këtij shpërthimi.
Ekzistenca jonë
është ky shpërthim.
Sarandë, 2011
NJË POETI NGA KOSOVA
Kur u dëshirova të vija tek ty, dyert e kufirit
u përplasën para meje.
Ata që do të bëja shokë
vriteshin nëpër rrugë.
Dhe gjaku sërish u përzie me qelqet e ditëve të
tua të thyera,
me shkrumbërat
e netëve të tua të djegura.
Kur do të bujtja në shtëpinë tënde për të të kthyer
vizitën
më ndalën te porta
dhe këngën që mbaja në buzë ma akuzuan,
sepse ishte kënga që këndoje edhe ti,
ajo këngë që e këndojnë të gjithë në gjuhën e vet,
në shpirtin e vet.
Dhe sëpata, që e mprehën tinëz, hyri sërish në
pyllin e rinisë sate,
pa e ditur si harliset një pyll pas krasitjes,
pa e ditur si bëhet më e pamposhtur dëshira për të
mos qenë më
i huaj në shtëpinë tënde.
Limjon, 1981