E enjte, 26.12.2024, 10:05 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Engjëll Koliqi: Me fjalë e muzikë u kërkua fuqishëm ribërja e Shqipërisë Etnike

E hene, 19.12.2011, 07:59 PM


REPORTAZH NGA KREMITIMI I FUNDIT I DITËS SË FLAMURIT NË ITALI

 

ME FJALË E ME MUZIKË U KËRKUA FUQISHËM RIBËRJA E SHQIPËRISË ETNIKE

 

Qindëra shqiptarë, nga të gjitha trojet tona etnike, të organizuar nga Shoqata e Lecco-s Sofra Shqiptare, me shumë dinjitet, devotshmëri, por edhe me krenari, muarën pjesë në festën e mrekullueshme të 99 Vjetorit të Pavarësisë dhe të Ditës së Flamurit tonë Kombëtar. Kërkesa këmbëngulëse për ribërjen e Shqipërisë Etnike, nga të pranishmit, u shpreh në mënyra të ndryshme dhe me forma të ndryshme – në fjalimet, në këngët dhe në poezitë e deklamuara në kremte. Kishte të pranishëm, veprimtarë, shkrimtarë dhe artistë, të ardhur nga atdheu, por edhe nga diaspora. Si zakonisht në Lecco, as në këtë kremtim, nuk u la në harresë kontributi humanitar, në të mirë të nevojtarëve.

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

 

Të dielën e 4 dhjetorit, në Lecco u mbajt kremtimi i fundit i festës sonë të shumëfishtë – 28 Nëntorit – Dita e Flamurit, 99 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditëlindja e Heroit tonë kombëtar Adem Jasharit. Siç ishte bërë marrëveshja paraprake, mes shoqatave, organizimin e kësaj feste, një javë më parë, e kishin bërë shoqatat e mërgimtarëve kosovarë, kurse për ta mbyllur ishte caktuar shoqata Sofra Shqiptare. Presidenti i kësaj shoqate, Z. Ndue Qokaj i kishte ftuar të gjitha shoqatat e rrethit dhe më gjerë, si dhe të gjithë mërgimtarët e farës arbërore që duan të festojnë për atdheun dhe flamurin e tyre kombëtar. Në ora 14, gjithçka ishte gati për të filluar.

 

Kjo kremte u hap në një stil shumë të pëlqyeshëm nga të pranishmit, krejt origjinal. Hymni kombëtar nuk u intonua nga një CD, por u këndua origjinal nga të pranishmit. Pastaj artistët hynë nga publiku, nga fundi i sallës, duke vallëzuar mrekullisht vallen e bukur të flamurit. Edhe veshja e larmishme e valltarëve, me kostume të trevave tona të ndryshme, i dha një hijeshi speciale valles. Sidomos bukur rrinin këmishat e kuqe te valltarët e gjinisë mashkullore, me shqiponjën e zezë dykrenare, në shpine.

Pastaj e mori fjalën presidenti Ndue Qokaj, i cili foli për historikun krenar të kësaj kremteje të shumëfishtë, duke u endur nëpër histori, prej 28 Nëntorit 1443, e deri ter 28 Nëntori i vitit 1997, kur ishte paraqitja e parë publike e UÇK-së. Z. Qokaj nuk harroi të porosis, që më 28 Nëntor 2012, në 100 Vjetorin e Pavarësisë, të caktojmë qartë pikat dhe vijat e Shqipërisë, mbi të gjitha trojet arbërore. Ky propozim i tij u duartrokit fuqishëm nga të pranishmit.

Pastaj festa vazhdoi, sipas një regjie speciale që kishin hartuar organizatorët – një fjalë përshëndetëse, një pikë artistike, gërshetim ky që nuk lejonte monotoni te të pranishmit. Fjala e nderit përshëndetëse iu është dhënë mysafirëve specialë: Dr Zef Mulaj-t, shkencëtar dhe shkrimtar tropojan, i ardhur nga Ankona, presidentit të shoqatës “Ura e Kombit” – Petrit Gjinaj, i cili u paraqit edhe në rolin e artistit, me këngë të mrekullueshme, ambasadorit të paqes dhe laureatit të Çmimit të kësaj shoqate “Simbol Nderi i Sofrës Shqiptare” – Engjëll Koliqi, si dhe kryeredaktori i revistës së mirëfilltë kombëtare DRINI – Valentin Bruçaj. Që të gjithë janë përshëndetur me duartrokitje frenetike.

 

Hijeshi te madhe kremtes i kanë dhënë artistët, me këngë dhe valle shumë të bukura dhe domethënëse. Duhet veçuar këngëtarin tropojan, Bardhok Prenbibaj, i ardhur nga atdheu, special për këtë festë, i cili i ka emocionuar shumë të pranishmit, me stilin dhe fuqinë e Gëzim Nikës. Kanë shkëlqye edhe rrapsodët, tashmë të mirënjohur – mërgimtarët mirditorë, Gjergj Kaza dhe Tonin Prençi. Shumë i këndshëm ka qenë edhe këngëtari tjetër, Petrit Gjinaj. Mëkatnojmë të mos flasim për larminë dhe vlerën e madhe artistike të këngëve të kënduara nga Majlinda Kapedani, e cila tashmë eshtë artistja e preferuar e mërgimtarëve të këtushëm. Ka kënduar bukur edhe Luz Koliqi, tashmë i njohur dhe i kërkuar nga mërgimtarët e këtushëm. Sidomos të pranishmit i ka emocionuar zonja Feride Peci, si imituese e denjë e të ndjerës Fatime Sokoli. Gati të gjithë këngëtarët kanë shkëlqyer edhe në vallëzimet e bukura, organizuar mrekullueshëm nga zonja Drita Qokaj. Me shumë entuziazëm është përcjellë humori i lehtë dhe i këndshëm, i interpretuar nga Kastriot Pjetërnikaj. Gjithashtu shumë emocionuese ishte poezia “Anatomia e atdheut tim”, e autorit Zef Mulaj, të cilën mrekullueshëm dhe shumë rrjedhshëm, nga libri i tij poetik, në katër gjuhë (shqip, italisht, anglisht dhe gjermanisht), e deklamoi  Valentin Bruçaj. Një fjalim të zjarrtë e ka berë presidenti i Unionit të Shoqatave Kombëtare Shqiptare, Z. Paulin Kolndreu, që është pritur me shumë entuziazëm nga të pranishmit. Do të gabonim shumë, po të mos falënderonim çiftin bashkëshortor tropojan, ardhur nga Bergamo – Feride dhe Hamit Peci, të cilët veç kontributit të madh në programin artistik, kanë kontribuuar edhe me mjete financiare për shërimin e Ervisit nga Shkodra, prejekt ky i shoqatës “Sofra Shqiptare”.

Ishte vërtetë kënaqësi dhe krenari të shohësh sa bukur dijnë të organizohen dhe të festojnë shqiptarët, dhe për këtë duhet falënderuar shoqatën e lartpërmendur, e sidomos presidentin e saj – Ndue Qokaj. Urimi më i shpeshtë ishte: Rroftë Shqipëria mbi të gjitha trojet arbërore!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora