Kulturë
Vullnet Mato: Shtegtimi i dallëndysheve
E diele, 18.12.2011, 06:34 PM
Vullnet Mato
SHTEGTIMI I DALLËNDYSHEVE
Shkuan kohët kur
ndonjë zog ferrak i vetmuar,
arratisej nga padurimi
në dimrin e maleve të acartë.
Bëhej shpend armiqësor
me kthim të penguar,
duke lënë pas mallkimin
për të gjithë zogjtë farrakë.
Tani trojet kanë vargane
me koloni dallëndyshesh flatrore,
që shtegtojnë qiejve
në pranverat e vendeve të tjera.
Emigrojnë në vjeshtrat
e shpërngljeve perëndimore,
dhe kthehen bashkë me lulëzimin
te foletë e zgjimeve të vjetra.
Kthehen krahëhapur,
me sqepin e përmalluar,
të sodisin e shijojnë brigjet
me freskun mbi pullaze,
të plapuriten në detin kaltërosh
dhe në lumenjtë e kulluar,
ku i pret malli i pashuar
i vendlindjes buzagaze.
Vijnë duke sjellë me vete
dallandyshet e reja,
të lindura në foletë e buta,
të një tjetër kontinenti,
që shohin me habi shqiponjat,
mbi shpate ku zbardh kopeja,
shkrepat ku gurgullojnë
gurrat kristalore të këtij vendi.
Kështjellat që lundrojnë
si vaporë përmes reve,
kalldrëmet e legjendave,
ku koha e re ngre kate të lartuara,
minaretë e gjata ku islamizmi
shpall pajtimin e njerëzve,
kambanoret ku krishtërimi
i ringjallur fal mëkatet e kalura.
Krahët e miqësuar ikin sërish
por mezi presin rikthimin e stinës.
me ecejake të përmalluara,
me cicërimat e gëzimit të ri.
O zot, sa e magjishme
qenka kjo tokë e origjinës,
sikur perënditë e lashta
e kanë mbrujtur me puthje e dashuri !