E enjte, 26.12.2024, 10:06 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Xhelal Marku: Me turoperatorët polakë, që vizituan Shqipërinë

E shtune, 17.12.2011, 04:08 PM


Me turoperatorët polakë, që vizituan Shqipërinë

 

Nga Xhelal Marku

 

Sezoni turistik i këtij viti, që përfshiu në gjirin e tij edhe muajin Tetor, shënoi rekordet e veta me prurjen më të madhe të vizitorëve të huaj brenda një dite, të cilët kësaj radhe, vinin nga një tjetër  vend mik i Shqipërisë, po i kontinentit – Polonia. Kjo vizitë pesëditorëshe e  turoperatorëve polakë, erdhi jo vetëm si një surprizë e re për Turizmin shqiptar, por dhe si një promocion shpërthyes për vlerat turistike të këtij vendi, ende sekret për vizitorët e rajonit e të mbarë globit. Ka qënë ora 14 e 30 minuta e datës 12 Tetor, kur në aeroportin “ Nënë Tereza “ të Rinasit, ulet avioni me 180 turoperatorët polakë, midis të cilëve edhe gazetarë, përfaqësues të mediave polake, deputetë dhe biznesmenë, që për herë të parë vinin në vendin tonë me një organizim të tillë e kaq të kompletuar, për të vizituar Shqipërinë turistike, për të cilën gjatë këtij viti, kishin dëgjuar aq shumë të flitej në mediat dhe në shtypin më prestigjioz të botës. Dhe ja, prezantimi i parë nis me pamjen e aeroportit modern të Rinasit, për të vazhduar më pas me mikpritjen shqiptare, me udhëtimin komod në autobuzat albturistë shqiptarë, që kishin hapur dyert e mirëseardhjes për miqtë polakë. Takime e përshëndetje të ngrohëta, shtrëngime duarësh dhe mesazhe mirënjohjeje mes homologësh shqiptarë e polakë, këtu në mjediset e aeroportit të Rinasit. Kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, zoti Sadik Malaj bashkë me drejtorin e Agjensisë Kombëtare të Turizmit, zotin Klodian Pajuni, të shoqëruar dhe nga një grup specialistësh të AKT-së, lëvizin me shpejtësi nga një grup tek tjetri për të pritur mysafirët polakë. Ishte hera e parë, që ata prisnin një grup kaq të madh turistësh të huaj, që vinin enkas për të vizituar vendin tonë: sitet turistike, bregdetin, pasuritë e shumta të trashëgimisë tonë kulturore, bukuritë e natyrës shqiptare, etj, etj. Dhe në këtë mes vjeshte, duket sikur mikpritjes shqiptare i është bashkuar edhe vetë moti, që si rrallë herë, kishte rezervuar një nga ditët më të veçanta dhe me plot diell për miqtë polakë, ç`ka e bëri edhe më të bukur e më interesante këtë vizitë të tyre. Fillimisht udhëtimi nis drejt Durrësit, njëri nga qytetet më të vjetër të vendit dhe me shumë monumente të trashëgimisë kulturore, ku spikat Amfiteatri antik, rrugët dhe muzetë e këtij qyteti bregdetar, mjaft interesant e tërheqës për vizitorët e huaj. Hoteli “ Adriatik “ dhe Hoteli “Resort Tropikal”,  janë përzgjedhur si mjediset më të mira për akomodimin e turistëve polakë. Rrugës drejt tyre, përkthyesit në gjuhën polake, ish studentë shqiptarë të viteve `50-të në Poloni: Leonard Zissi, Arqile Teta, Neki Shehu e Luan Hajnaj, nëpërmjet mikrofonave të autobuzëve, i njohën miqtë polakë me gjeografinë e zonës dhe me objektet e trashëgimisë kulturore, që shfaqeshin gjatë udhëtimit, si: Kalaja e Prezës, qyteti i Vorës, zona e re industriale e  ndërtuar gjatë këtyre viteve të tranzicionit, në të dy anët e autostradës Tiranë – Durrës, etj. Tek ky informacion i pandërprerë gjatë udhëtimit për në Durrës, ishin përqëndruar sy e veshë të miqëve polakë, që kishin ardhur në vendin tonë për të mësuar nga afër për historinë dhe kulturën e lashtë shqiptare, për të parë e prekur vlerat turistike të Shqipërisë, ende të panjohura e të pazbuluara për ta. Ndaj, kur në sfond shfaqet qyteti i lashtë bregdetar i Durrrësit, turistët polakë shpërthyen në breshëri duartrokitjesh e thirrjesh entusiaste. Dhe, si pasionantë të “çmendur” të rërës që ishin, ata preferojnë të çohen në këmbë, madje dhe të afrohen pranë dritareve të autobuzëve, për të rrëmbyer uritshëm pamjet e mrekullueshme, të bukura e të pastërta të këtij bregdeti, të transformuar rrënjësisht këto vitet e fundit, që e bëjnë atë aq të njohur e konkurues në tregun rajonal turistik e më gjërë. Është kjo arsye, që akomodimi në hotelet përkatëse, ka zgjatur vetëm pak minuta, për t`i lënë kohë më shumë detit. Dhe ja tek i shohim turistët polakë të zbresin me shpejtësi shkallët e hoteleve, duke nxituar ashtu grupe – grupe drejt bregdetit. Edhe pse është mesi i Tetorit, rrezet e forta të diellit, rëra dhe uji i pastër i Adriatikut, duket sikur i grishin ata për një zhytje në det. Dhe sakaq, turistët polakë me kostumet e tyre të plazhit, i drejtohen thellësisë së Adriatikut, duke i dhënë gjallërinë e një dite gushti bregdetit të Durrrësit. Përballë, shtrihet zona muzeale e qytetit me shumë objekte arkeologjike, që hedhin dritë mbi historinë e lashtë tremijëvjeçare të Durrësit, të njohur me emrin e vjetër Dyrrachium. Një vizitë në mjediset e kësaj zone arkeologjike ishte tërheqëse dhe mbresëlënëse për ta, që lidhet sa me pasionin për monumentet, aq edhe me qëllimin e turit të tyre, për të njohur nga afër jo vetëm hapësirat turistike, por dhe historinë e kulturën e lashtë të vendit tonë. “ Ja, këto janë thesaret e trashëgimisë tuaj kulturore”, i dëgjojmë të shprehen turistët polakë, gjatë vizitës në Amfiteatrin Antik të Durrësit. “Ne jemi të dhënë shumë pas tyre, i duam monumentet dhe historinë që konservojnë ato nga thellësi e shekujve”. Dhe nxitojnë për të fiksuar në aparatet e tyre fotografikë pjesë nga vlerat e këtij Muzeu antik, mjaft interesant e tërheqës për të gjithë vizitorët e huaj e vendas. Nga antikja tek arkitektura moderne e kohës - ky ishte itinerari i lëvizjes së turistëve polakë në ditën e parë të vizitës në qytetin e Durrësit. Dhe ja tek i shohim ata, të ngjiten me ashensor në lartësitë e pallateve të reja, atje ku peisazhi i Durrësit natën është një tjetër emocion, një tjetër imazh për bregdetin e magjishëm shqiptar të këtij qyteti, ku larmia e ngjyrave dhe e dritave të japin një relaks të veçantë. Dhe pikërisht, në lartësitë e taracës së pallatit të ri 15-katësh “ Fly”, ishte planifikuar një kafe për miqtë e nderuar polakë. Një pikë mjaft romantike e frymëzuese kjo, ku Durrësi dukej si në pëllëmbë të dorës. Ndaj dhe një gotë verë, apo një gotë konjak “Skënderbeu”, nga kantina e pijeve “Gjergj Kstrioti - Skënderbeu”, produkte të vjetra e aq të njohura  në tregun turistik të vendit e të rajonit, i dhanë më shumë jetë romantizmit të kësaj nate të bukur durrsake, që ishte rezevuar posaçërisht për miqtë polakë, të cilët tek trokisnin gotat me homologët shqiptarë,  preferuan të urojnë në shqip: “ Gëzuar”! Dhe kur moderatori i veprimtarive të ditës ju tha se duhet të çvendosemi në një mjedis tjetër, po kaq të këndshëm për të vazhduar programet tona, turistët polakë nuk e patën me qejf lëvizjen, pasi në këtë lartësi ata u ndjenë tepër komod e të relaksuar.

 

Darka durrsake e mirëseardhjes

 

Ka qënë bar - restorant “ Blu Star”, i ngritur në lartësitë e një pallati të ri në Durrës, që priti miqtë polakë të turizmit në një darkë mirëseardhje. Këtu edhe shkallët për tek lokali, ishin zbukuruar si për festë. Në hollin e tij, një shatërvan i bukur e bënte edhe më tërheqës, më shlodhës, më romantik e më relaksues këtë mjedis të përzgjedhur të bujarisë durrsake, në këtë natë të mikpritjes shqiptare për turistët polakë. Është darka e shtruar nga vetë kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako, që në këtë rast u tregua mjaft bashkëpunues dhe bujar me Turizmin Shqiptar. Salla, shërbimet, muzika dhe gatimet e mrekullueshme sipas traditës durrsake, ishin befasuese për miqtë, por dhe për të gjithë pjesëmarrësit në këtë darkë, që me të drejtë u quajt darka e mirëseardhjes për miqtë polakë. Pak fjalime dhe më shumë argëtim, ky ishte programi i kësaj darke të tejngopur me bollëkun e sofrës e të pijeve dhe me kulturën e lartë të shërbimeve, ku turizmi i bashkoi bindshëm kulturat e të dy vendeve: Shqipërisë dhe Polonisë, aq sa polakët u shqiptarizuan në vallet tona, madje edhe duke prirë në vallet tona të traditës. Nisi kështu një hare dhe argëtim i paparë, që i dha ngjyrimet e një feste kësaj salle të bukur, të madhe e pa asnjë kolonë. Dhe ky darkim i agëtuar, i shoqëroi ata gjatë më se katër- pesë orëve, të cilët siç u shprehën me njëri – tjetrin, patën kënaqësinë ta ndiqnin deri në fund. Një natë për t`u mbajtur mend, e vlerësuan  disa nga miqtë e tjerë. Dhe vërtetë ishte gjithshka perfekte dhe e mirëorganizuar, frut i një bashkëpunimi mjaft efektiv i drejtuesëve të Turizmit shqiptar me partnerët privatë, agjensitë turistike dhe pushtetin vendor. Mjaftoi vetëm një ditë, që Durrësi të hynte në zemrat dhe në preferncat e turistëve polakë. Thirrjet: “ E duam Durrësin”! ishin prezente gjatë gjithë darkimit në Durrës. Ishin këto vlerësime, që e bënë polakun, Pawel Niewiadomski – zv. President i Organizatës Turistike Europiane, të thoshte shkurt e saktë: “ Ju keni një vend fantastik me shumë resurse turistike.  Më vjen mirë që me investimet e bëra, këto resurse po i ktheni në një Industri të fuqishme turistike të vendit, e cila sigurisht do ta zhvillojë me rime të shpejta ekonominë e Shqipërisë. Jeni në rrugën e duhur. Ne jemi këtu për t`ju mbështetur në investimet tuaja, duke forcuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë dypalësh në fushën e turizmit. Suksese”! Kështu,  natyrshëm dhe në një atmosferë të këndëshme e  miqësore u mbyll darka durrsake për turistët polakë, për të vazhduar të nesërmen me Asamblenë e tyre të Përgjithshme të Dhomës sëTurizmit Polak (PIT).    

 

Asambleja e turistëve polakë, për herë të parë në Shqipëri

 

Mëngjesi i ditës së dytë të turoperatorëve polakë ka nisur me grupimin e tyre në një nga sallat e mëdha të Hotel “Adriatikut”, këtu në bregdetin e Durrësit, ku ata do të zhvillojnë Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Turizmit Polak (PIT). Delegatët  nxitojnë të mblidhen në sallën përkatëse, ku vetë kryetari i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptar, z. Sadik Malaj i pret miqtë me disa dhurata simbolike. Janë kryesisht veshje kombëtare popullore shqiptare, që preferohen nga të huajt, si: kësula të bardha, çanta me qëndije të flamurit shqiptar, bluza me shqiponjën dykrenare, etj. Dhe në shenjë respekti e miqësie, miqtë polakë nxitojnë t`i venë kësulat në kokë, duke krijuar një tjetër atmosferë miqësore para fillimit të mbledhjes së tyre. Përballë kësaj pamje të ngrohtë e miqësore, fotografët nxitojnë të blicojnë me aparatet e tyre, për të fiksuar sa më shumë kujtime, në prag të çeljes së këtij eventi turistik polak. Në këto çaste, në sallë ka mbërritur edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, i cili ka ardhur posaçërisht për t`i takuar e përshëndetur ata në eventin e tyre të radhës, Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Turizmit Polak, që fatmirësisht kët vit zhvillohet në Shqipëri.

 

- ” Është kënaqësi për mua, u shpreh ministri Bumçi, që nga tribuna e këtij  eventi të rëndësishëm turistik të Polonisë, siç është Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës së Turizmit Polak – PIT, të  prezantoj mundësitë më të mira turistike të vendit tim – Shqipërisë, për tregun turistik polak.  Destinacionet tona më të preferuara për pushimet verore, siç dihet, janë: Durrësi,Vlora e Saranda, që i përfkasin zonës bregdetare, si dhe qendrat e rëndësishme historike e kulturore të vendit, si: Kruja, Tirana, Berati, Vlora, Apollonia, etj”. Më tej, ministri, duke u ndalur në potencialet turistike të vendit, vlerësoi ofertat turistike shqiptare për pushuesit, si një vend i vogël, por që ofron një gamë të gjërë produktesh turistike me turizëm të shumëllojshëm, ku përfshihet jo vetëm turizmi bregdetar, por dhe ai malor, trashëgimia e pasur kulturore, mikpritja tradicionale dhe bashkëjetesa e harmonia fetare, si në asnjë vend tjetër të botës.“ Janë këta faktorë, shtoi z. Bumçi, që shumë agjensi prestigjoze botërore e kanë cilësuar Shqipërinë si destinacionin e parë për 2011-ën, nën slloganin: “Shqipëria, sekreti i fundit i Europës”. Me këtë rast, dua t`ju falenderoj për vlerësimin, që i bëtë vendit tim, duke e përzgjedhur atë si më të përshtatshmin për të zhvilluar kongresin tuaj të radhës të Dhomës së Turizmit Polak – PIT, ç`ka përbën dhe eventin më të rëndësishëm turistik në këto vitet e fundit. Suksese”! Duke e marrë fjalën në këtë mbledhje, kryetari i Dhomës së Turizmit Polak, z. Jan Korsak, pasi falenderoi ministrin për pjesëmarrjen, shprehu  mirënjohjen e tij për  mikpritjen shqiptare, si dhe për kushtet e përshtatshme, që u janë krijuar nga organizatorët, për të zhvilluar veprimtaritë e tyre të planifikuara gjatë këtij turi.  Më pas, Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës së Turizmit Polak, e kanë përshëndetur edhe ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, znj. Irena Tatarzinska dhe ambasadori ynë në Poloni, z. Florent Çeliku, të cilët vlerësuan marrëdhëniet e mira e miqësore tradicionale midis dy vendeve tona.

 

Një vizitë mbresëlënëse në Apolloni dhe në Kalatë e Beratit e të Krujës

 

Ka qënë mëngjesi i ditës së tretë të vizitës së turoperatorëve polakë në Shqipëri, që startoi me udhëtimin për në njërin nga objektet më të rëndësishëm arkeologjik të vendit – Qytetin Antik të Apollonisë, aq i preferuar dhe interesant për turistët e huaj. Rrugës drejt tij, miqtë polakë panë një infrastrukturë të re e moderne, por dhe disa nga objektet e trashëgimisë tonë kulturore, si: Manastirin e Ardenicës, të njohur për vlerat e tij historike e kulturore që bart, si dhe disa objekte të tjera kulti të trevës së Myzeqesë me vlera të veçanta arkitekturore dhe që njihen si mbrojtëse të veprimtarisë kryesore ekonomike bujqësore. Duke qënë se koha në dispozicion nuk mjaftonte për ta vizituar Manastirin e Ardenicës, polakët sapo e panë nga larg, kërkuan shpjegime rreth këtij objekti mjaft interesant e tërheqës për turistët. Dhe specialisti i njohur e me përvojë në fushën e turizmit, Sokol Kongoli – përgjegjës i sektorit të promocionit në Agjensinë Kombëtare të Turizmit, që i shoqëronte në vizitat e tyre miqtë polakë, theksoi disa nga vlerat kryesore historike, kulturore, arkitekturore, ikonografike, turistike e arsimore të këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të vendit.          

 

-“Po e nis me kohën kur është ndërtuar, tha ai. Mendohet se themelet e këtij manastiri janë hedhur në vitin 1282. Në altarin e Kishës së manastirit të Ardenicës, është bërë edhe kurorëzimi i martesës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me Andronika Arianitin. Siç dëshmon për herë të parë në vitin 1940, historiani italian A. Lorenconi,  ceremoniali i kësaj martese u bë në mesditën e 21 prillit 1451 nga peshkopi i Kaninës Feliks, në prani të princave shqiptarë dhe të ambasadorëve të Napolit, Venedikut e të Raguzës. Kanë kaluar shumë kohë nga ajo ditë, e megjithatë në respekt të saj, këtu organizohet për çdo vit një ceremoni festive e  simbolike martesore, duke improvizuar një çift të ri martese. Por, manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur edhe për pasuritë e bibliotekës së tij, ku  vinin për të studiuar edhe priftërinj e murgjë grekë.  Fatkeqësisht, kjo bibliotekë, që ishte një thesar i çmuar kulturor i vendit me 32 mijë vëllime, u dogj aksidentalisht nga zjarri në vitin 1932?! Manastiri i Ardenicës gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare ka shërbyer edhe si një nga vatrat e arsimimit në gjuhën shqipe, pasi nga dyert e tij, kanë dalë disa shkolla shqipe, derisa në vitin 1817, këtu u hap edhe gjimnazi i parë shqip me konvikt. Duke qënë në një pozitë dominuese 237 metra mbi nivelin e detit, Manastiri i Ardenicës, duket si një ballkon natyror në zonën e Myzeqesë, nga ku vizitori mund të shohë edhe Krujën, malin e Dajtit, Tomorrin, detin Adriatik, lagunën e Karavastasë dhe më tej deri në jug, malet e Labërisë. Kjo e bën Ardenicën një vend të vizituar nga turizmi shplodhës dhe argëtues, vlerat e të cilit ia shton edhe pylli halor dhe ullishtat, që ndodhen në bregoret për rreth manastirit. Dhe jo vetëm kaq, por nisur nga vlerat që zotëron ky tempull, e bëjnë atë edhe një nga qendrat më tërheqëse të turizmit studimor. Ka dhe një fakt tjetër, që Kisha e Shën Mërisë në Ardenicë është zbukuruar me afreske të mrekullueshme të punuara mjeshtërisht në vitin 1744, nga dy vëllezërit korçarë: Kostandin dhe Athanas Zografi, që njihen si ikonografët më të shquar shqiptarë”. E ndërsa lëmë pas Ardenicën, rruga na afron gjithnjë e më shumë me një tjetër objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të vendit, siç është – Parku Arkeologjik i Apollonisë, një kryevepër e qytetërimit të lashtë në trevën e Myzeqesë. Arkeologu vendas Arian Dimo, një djalë i ri dhe energjik, që bën ciceronin, pasi u uron miqëve polakë mirëseardhjen në këtë qendër të madhe arkeologjike të Shqipërisë, u prinë atyre me shpjegimet përkatëse për çdo objekt, që nga monumenti i Agonotetëve, odeoni,  biblioteka, shetitorja, stoa, muri rrethues, portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik e deri tek kisha e Shën Mërisë. Ai e quan Apolloninë:  “Një qytet të madh dhe hijerëndë”, ku perandori August ka studiuar për oratori. Ndërtesa simbol (me e shquar) e Apolonisë, që shpesh jemi mësuar ta shohim nëpër foto, quhet ndryshe edhe Monumenti i Agonotetëve, i cili shërbente edhe si vendi, ku bëheshin mbledhjet e këshillit të qytetit. Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peisazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik nga njëra anë, pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve të mëdha dhe plazheve të jugut nga ana tjetër, e bëjnë Parkun Arkeologjik Apolonia një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri. Pas Dyrrahut, Apollonia ishte qyteti më i rëndësishëm në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 24 qytetet e tjera të botës mesdhetare, që mbanin të njëjtin emër në kohën antike. Ajo ishte një qendër e madhe tregtare dhe industriale e vendit dhe zinte një sipërfaqe prej 140 hektarësh të rrethuar nga një mur rreth katër kilometra të gjatë, ku një pjesë e qytetit ishte ndërtuar edhe jashtë mureve rrethues. Qyteti antik i Apollonisë llogaritet të ketë pasur rreth 60 mijë banorë, një shifër rekord kjo për periudhën e Antikitetit! Qendra e qytetit ishte rezervuar për ndërtimet me karakter shoqëror, ku pjesën kryesore e përbënte agoraja (sheshi kryesor i qytetit), ku gjendej teatri, stoat, godinat zyrtare etj. Stoa (shëtitorja antike e qytetit), me një gjatësi prej 78 metrash dhe gjërësi 12 metra, kishte funksion të dyfishtë. Ajo shërbente jo vetëm për forcimin e qëndrueshmërisë së murit ndaj presionit të dheut, por dhe për vendosjen e skulpturave, që zbukuronin shetitoren. Një monument tjetër, që i përket periudhës së shek. IV-III p.e.sonë është edhe teatri me një kapacitet prej rreth nëntë mijë vendesh dhe që klasifikohet ndër teatrot mesatarë të botës antike. Kërkim – zbulimet me ekipe të specializuara në Apolloni vazhdojnë prej vitesh, duke sjellë në dritë pjesë të tjera të qytetit. Ndaj, me siguri, Apollonia si njëri nga terrenet më të mëdha arkeologjikë të Shqipërisë edhe në të ardhmen do të nxjerrë në dritë të tjera monumente të trashëgimisë tonë kulturore, të zbuluara në këtë vatër historike kërkimesh - dëshmi e qytetërimit të lashtë ilir. Ashtu siç ndodhi në Tetor të vitit të kaluar, ku arkeologët nga Apollonia dhanë një tjetër sihariq me kërkimet e tyre, duke zbuluar një bust të periudhës romake të shekullit të dytë, që sipas ekspertëve, vlerësohet si  zbulimi më i rëndësishëm arkeologjik në Shqipëri. Statuja është bust i një atleti, i përmasave të mëdha dhe i gjetur në gjendje shumë të mirë. Duke u shprehur për këtë zbulim, profesori francez, arkeologu i njohur Jean - Luc Lamboley, i cili i ka udhëhequr gërmimet në Apolloni, së bashku me arkeologët shqiptarë, do ta konsideronte këtë zbulim si ngjarjen më të jashtëzakonshme në Apolloni, madje spektakolare. Ai do ta vlerësonte atë si zbulimin më të rëndësishëm në  këto 50 – vitet e fundit në Shqipëri, pasi është i paprekur dhe i ruajtur në gjendje mjaft të mirë. Dhe zbulimet këtu në Apolloni nuk kanë të sosur, thonë banorët vendas. Ato pasojnë njëri – tjetrin, duke nxjerrë në pah historinë dhe kulturën e lashtë ilire të këtij vendi të qytetërimit antik. Të tilla ishin dhe zbulimet tjera të një viti më parë, si: këmba prej bronxi e luftëtarit të periudhës romake, si dhe busti i një femre zbuluar nga ekspedita shqiptaro - franceze, të cilat mendohet se i përkasin periudhës romake të shek. të dytë ose të tretë pas lindjes së Krishtit. E ndërsa vizitorët polakë ishin zhytur në botën arkeologjike të Apollonisë, këtu në mjediset antike, shfaqet befas një çift i ri me kastumet e tyre të dasmës, të cilët në ditën e martesës kishin zgjedhur Qendrën Arkeologjike të Apollonisë për t`u relaksuar dhe për të fiksuar kujtimet e tyre më të bukura nga kjo ditë e shënuar e jetës bashkëshortore. Për disa çaste vëmendja u përqëndrua tek ata, me të cilët miqtë polakë të turizmit bënë foto dhe i uruan për martesën. Më pas, mikpritja apolloniate për polakët, ka vijuar me një kafe pranë mjediseve të qytetit antik. Një pushim i shkurtër dhe udhëtimi nga Apollonia për në qytetin 2500 - vjeçar të një mbi një dritareve të Beratit, tashmë të mbrojtur nga UNESCO që nga viti 2005, ka qënë surpriza e radhës për turistët polakë. Rrugës, organizatorët ofrojnë një tjetër pushim të shkurtër në qytetin e Kuçovës, ku ngrihet busti i gjeologut të talentuar polakë, profesorit të nderuar Stanisllav Zuber, vepër e skulptorit të njohur shqiptar - Mumtaz Dhrami, e përuruar në Maj të këtij viti. Prof. Zuber, gjatë viteve 1927-1947, ka dhënë një kontribut të çmuar në kërkim - zbulimin e vendburimeve të naftës e të mineraleve të tjerë në Shqipëri. Ai njihet si autor i shumë veprave shkencore dhe i hartave gjeologjike të Shqipërisë. Për këto kontribute të çmuara, prof. Zuber, është nderuar me titullin: “Martir i Demokracisë” dhe është shpallur edhe qytetar nderi i Kuçovës, pas vdekjes. Dhe këto simbole të miqësisë së vjetër shqiptaro – polake, sigurisht që janë ngacmuese dhe të ftojnë për të fiksuar edhe një kujtim të ditës pranë këtij busti. Ndaj dhe blicojnë dendur aparatet fotografikë të turistëve, që në fokus kanë mbresat pranë këtij monumenti të ngritur në kujtim të jetës dhe veprës së profesorit të nderuar polak. Por, mbresat dhe emocionet e kësaj dite për miqtë polakë do të kulmonin me vizitën e shumëpritur në qytetin e Beratit. Gjithshka tërheqëse për ta, që nga Kalaja, rrugët e kalldrëmta, shtëpitë e lagjet karakteristike, të cilat i ndanë mes për mes lumi i Osumit me luginën e tij të përmendur për sportin beratas të rafting. Ngado që të vështrosh syri të ngopet me pamjet e një arkitekture krejt të veçantë me fasadat e ndërtesave plot dritare, por miqtë sytë i mbajnë tek kalaja, atje lart majë kodrës, ku fshihet prej shekujsh misteri i historisë beratase, ndaj nxitojnë të ngjiten sa më shpejt drejt saj. Papritmas një shi i dendur i ka detyruar ata të strehohen tek bar – restorant “Nova - Kala”, që vërtet i ngjanë një minikalaje, këtu përballë Kalasë historike të Beratit. Në mjediset e këtij lokali të bukur, ku do të drekojnë turistët, miqtë polakë priten me traditën e vjetër shqiptare të mirëseardhjes nga vëtë kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Fadil Nasufi, si dhe përfaqësues të shoqatave turistike e biznesmenë beratas, të cilët me bujarinë e tyre kanë sponsorizuar  këtë drekë me gatimet me të mira tradicionale të zonës. Tanimë, pas tre ditësh, mysafirët polakë, kanë mësuar ta shqiptojnë mirë fjalën: “Gëzuar!”, të cilën kanë dëshirë ta përdorin atë tek trokasin gotat edhe me kolegët e tyre. Këtu në Berat, ata kanë rastin të shijojnë edhe prodhimet e mrekullueshme të pijeve të kantinave beratase, si: verërat “ Luani”, “Shpiragu” e “Malinati”,  që pronarët: Pëllumb Berberi e Çobo Nurellari, i kanë sjellë enkas për ta. Berati, thotë kryetari i Bashkisë njhet jo vetëm për vlerat e trashëgimisë kulturore, por dhe si një vend i prodhimeve cilësore të bujqësisë, si të ullirit, fiqëve, etj. Në Berat vitet e fundit ka marrë një zhvillim të veçantë edhe sporti i bukur i ujit Rafting, i cili këtë vit u njohë dhe si federatë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pra, Berati ofron kushte e mundësi të mira dhe tërheqëse për turistët. Tek drekoheshin, miqtë polakë përsëri nuk e ndanin vështrimin e tyre nga Kalaja përballë, e cila nga lokali shfaqej bukur si në pëllëmbë të dorës. Ndaj, menjëherë pas drekës, kur dhe shiu kishte pushuar, ata i drejtohen portës së Kalasë. Kjo është kala e banuar thotë ciceroni, pasi këtu brenda në kala vazhdon të jetojë një lagje e tërë banimi, me rrugica e sheshe antike, me Muzeun Ikonografik “Onufri”, një kompleks kishash bizantine e postbizantine, rrënojat e Xhamisë së Kuqe, etj. Gjithshka antike këtu në mjediset e Kalasë së Beratit, që nga emrat karakteristikë të rrugëve, si: “Mbrica”, “Shën Sofia”, “Shën Triadha”, të rrugës hyrëse për në Kala, që mban emrin: “Mihal Komneini” e deri tek portat e shtëpive. Kontaktin e parë, turistët polakë e patën me tregtarët ambulantë të mallrave tipike shqiptare, si: objekte zbukurimi të qëndisura, objekte dekorative metalike prej bakri e bronxi të punuara nga mjeshtrat beratas, perde për shtëpitë të punuara me thurje nga vetë amviset vendase, etj., të cilët zhvillonin veprimtarinë e tyre tregtare në të dy anët e rrugëve të kalldrëmta, që nga harku i madh i portës, e deri në thellësi të rrugicave të Kalasë. Kudo miqtë polakë shfaqën preferencën e tyre për mallrat tona të artizanatit, ndaj dhe blenë disa prej tyre duke mbushur çantat me mallra antikë në kujtim të Beratit – qytet me një trashëgimi të rrallë kulturore. Por, surpriza më e mirë për mysafirët polakë në Kala, ishte vizita në Muzeun Ikonografik

“Onufri”, ku u befasuan me kulturën e lashtë dhe të ruajtur aq mirë të këtij muzeu antik. “Një thesar i vërtetë” i gëgjojmë tek shprehen me njëri-tjetrin miqtë polakë. “Bravo Shqipëria”! ishte një tjetër opinion i tyre i çastit. Pas vizitës në Berat, ishte qyteti i Elbasanit, që i priti turistët polakë në një darkë argëtuese me këngë e valle popullore të krahinës, që shënoi dhe mbylljen e veprimtarive të ditës së tretë me miqtë polakë.

Dita e katërt e vizitës së tyre ka nisur me udhëtimin drejt qytetit historik të Krujës, një tjetër ballkon natyror i vendit, një tjetër qytet me pasuri të shumëta të trashëgimisë tonë kulturore, një tjetër Kala e mrekullueshme, për të cilat Kruja vazhdon të jetë në preferencën e vizitorëve të huaj e vendas. Kontaktin e parë edhe këtu, turoperatorët polakë e nisën me tregun e mallrave artizanale vendase, duke përshkuar mes për mes rrugicat e kalldrëmta drejt portës së Kalasë historike të Krujës. Më pas ata kanë preferuar një vizitë në Muzeun Etnografik të ngritur këtu në mjediset e Kalasë, për të mësuar për traditën e veshjeve popullore dhe për kulturën e lashtë të mikpritjes shqiptare, ku sipas traditës për mikun rezervohej një dhomë e veçantë, gatuheshin ushqimet më të mira për të, por dhe që miku ishte dhe në besë të të zotit të shtëpisë, për të cilin kudo kishte dhe një shkallë të lartë sigurie, etj. Dhe, si të dhënë shumë pas historisë, polakët kanë planifikuar një hapësirë më të gjatë kohore për një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar Gergj Kastrioti - Skënderbeu. Me gjithëse figura e Heroit tonë Kombëtar, nuk ishte e panjohur prej tyre, ata i vizituan me shumë interes të gjitha sallat e muzeut, ku mësuan nga afër historinë e qëndresës e të luftërave të popullit tonë në shekuj për liri e pavarësi, për mbrojtjen e trojeve të veta. Çdo sallë një histori më vete, çdo histori e fiksuar në stendat dhe ekspozetë e këtij Muzeu monument kulture i vendit. Dhe pas vizitës në muze, vjen vetiu një tjetër relaks i veçantë për miqtë polakë. Janë peisazhet panoramike, që shpalosen para vizitorëve këtu nga lartësitë e njërës prej taracave të Muzeut. Hapsirë e gjërë dhe bukuri e rrallë për vizitorët kjo pikë vështrimi, e ndërtuar enkas për ta. Ndaj polakët i thërrasin njëri – tjetrit për të fiksuar me foto pjesë nga ky peisazh i rrallë i lartësive të qytetit të Krujës. Dikush vendosi dhe kësulën e bardhë shqiptare për një foto e dikush tjetër veshi dhe bluzën e kuqe me stampën e shqiponjës së zezë, simbol i flamurit tonë kombëtar. Janë emocione dhe mbresa të shumëta të miqëve polakë nga kjo ditë e fundit e veprimtarive të planifikuara për këtë tur të madh të tyre në Shqipëri. Ata tashmë largohen nga mjediset e Kalasë së Krujës dhe i afrohen bar – restorantit “Panorama”, ku i pret vetë kryetari i Bahkisë së Krujës, z. Shkëlqim Hoxha, një djalë i ri e simpatik, i cili ka organizuar një drekë të mrekullueshme për ta me gatimet më të mira e karakteristike krutane, nga mishi i shijshëm i zonës e deri tek ëmbëlsira e veçantë e kabunisë, që edhe ne shqiptarët ia kishim harruar shijen. Të kënaqur nga ky drekim, turoperatorët polakë nisen drejt kryeqytetit të vendit – Tiranës, e cila ka rezervuar të tjera surpriza për miqtë.

 

Darka e lamtumirës

 

Ka qënë darka e lamtumirës, surpriza e radhës për miqtë e nderuar polakë këtu në Tiranë, e organizuar  në një nga mjediset më të preferuara të saj, në Resortin “Stela”, një nga prodhuesit më të njohur të birrës shqiptare, nën logon: “Biznes Albania”. Fillimisht vizita e miqëve polakë në Tiranë, ka nisur me një shetitje të lirë përgjat Buleverdit të Madh “Dëshmorët e Kombit”, për të ardhur më pas tek busti i kompozitorit të shquar polak Frederik Shopen, një figurë e madhe e botës së artit e të muzikës me përmasa botërore, të cilës i referohet shpesh arti shqiptar. Tek po afronte ora e darkës, mysafirët tanë të turizmit nga Polonia mblidhen grupe-grupe, duke mbushur sallën e madhe të Resort Stela. Të ftuar në këtë darkë lamtumire, janë edhe përfaqësues nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ambasadat e të dy vendeve tona: Polonisë dhe Shqipërisë,  si dhe trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve e Valleve Popullore të Shqipërisë, prania e së cilës do ta bënte edhe më të këndëshme e argëtuese këtë natë, të cilën për nga përmasat e organizimit, do ta quanim natë të miqësisë shqiptaro – polake. Darka ka nisur me fjalime të shkurtëra prezantuese, për t`i lënë më tepër hapësirë argëtimit të miqëve, nëpërmjet programit të artistëve shqiptarë, në krye të të cilëve qëndronte vetë drejtori i Ansamblit, z. Sulejman Baltëza. Sapo startoi kjo mbrëmje, miqtë        

 

polakë u mrekulluan me bukuritë dhe larminë e kostumeve tona kombëtare, por dhe me ritmet e dinamizmin e veçantë të valleve tona tradicionale nën drejtimin e Mjashtrit të Madh, koreografit virtuoz, Rexhep Çeliku; ashtu siç pëlqyen e duartrokitën shpesh edhe interpretimet mjeshtërore të këngëve nga këngëtaret e talentuara të Ansamblit: Irini Qirjako e Sabahet Vishnja. Mbresat dhe emocionet e kësaj mbrëmje të madhe sa vinin e shtoheshin, aq sa miqtë polakë u bënë pjesë organike e programit të Ansamblit tonë. “Një mbrëmje e rrallë, një natë shqiptare për t`u mbajtur mend gjatë”, do ta vlerësonin këtë darkim lamtumire ata. Shumë foto mes artistëve tanë, por dhe në valle bashkë me ta, duke kërcyer bukur vallet tona shqiptare, kjo ishte panorama e asaj nate argëtuese pa kufi e organizuar për nder të miqëve polakë, që vizituan Shqipërinë. “Do të dëshironim që kjo natë e bukur të zgjaste pakufi, thotë Aleksandër Ronikier – Rektor i Shkollës së Lartë të Turizmit në Varshavë, por nuk mund të ndodhë kjo. Ne ju sigurojmë, se mbresat dhe emocionet e shumëta të akumuluara gjatë këtyre ditëve të vizitës tonë pesëditorëshe në Shqipëri, do t`i përcjellim edhe tek studentët tanë në Poloni, por dhe në mbarë opinionin polakë, që e preferon dhe e don Shqipërinë turistike. Mirë u gjetshim herë tjetër!”, tha ai. Kështu, në një atmosferë të shkëlqyer miqësore e argëtuese, mbyllet darka e lamtumirës me 180 turoperatorët polakë, që padyshim shënuan një nga eventet më të rëndësishme të zhvillimeve turistike të Shqipërisë për vitin 2011.



(Vota: 236 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora