E shtune, 21.12.2024, 02:02 PM (GMT)

Kulturë

Qerim Hysenbegasi: Humor nga burgjet e diktaturës

E shtune, 10.12.2011, 01:55 PM


Humor nga burgjet e diktaturës

 

Nga Qerim Hysenbegasi

 

Shvejku i burgut komunist

 

            Sa herë që të burgosurit “politikë”, “politikanët”, siç thirreshin ndryshe, do të delnin në pajdos (pushim i shkurtër në oborrin e burgut), kapiten Bektashi do të thërriste dhe Shvejkun e tij të preferuar.Sulon e shkretë, me qellim që të “argëtohej”, kur Sulua të godiste me romuzet dhe shpotitë e tij “politikanët”, “armiqtë” siç e quante kapiteni.

Një ditë komandant Bektashi i thotë Sulos:

- Hë, more Sulo, çdo të na thuash sot për këta derra?

- Vallahi, or kapiten Bektashi, këtë radhë s’do të flas për këta, por për ju. Për sa kohë ju qetë në mal e luftonit “murdarin” që na zaptoi vatanin, thosha: Me një sy të jem, vetën ata djem, vetëm ata trima t’i shohë, t’i përqafojë, t’i puth, me ata të jem për jetë!...Krenohesha me ju, bre kapiten! Ama, tani që ju pashë, tani që ju provova ç’gjellë jeni, tani që ua piva atë lëngun e hidhur, them të dy sytë të mos i kem e vetëm të mos t’ju shoh më, vetëm ju mos t’ju dëgjoj më!

Oborri i burgut ushtoi prej gazit të “politikanëve”, ndërsa kapiten Bektash Pronjari....

 

Sulua në gjyqin e dytë

 

Sulua e pagoi shtrenjtë. 

Disa kohë në “psikiatri”, në binxat e “famshme”, pastaj sërish në gjyq. Kësaj radhe “si pulitikan” siç thoshte i ndjeri. Prokurori kishte qenë ai që i pati bërë gjyqin e parë, ndërsa trupi gjykues këtë herë përbëhej nga disa femra. Sipas procedurës pyesin të pandehurin:

- Jeni dakort me trupin gjykues.

- Me cilin?!-pyet Sulua i habitur.

- Ja, me këtë,- dhe i treguan tri shoqet që kishin zenë vendin e duhur.

- Ah, jo, zotërinj, mos u tallni me mua! S’ka bërë emër  Zoti që një burrë si unë të dënohet nga femrat,- foli Sulua i dalldisur.- Më mer malli për ato viranka. E…,- vazhdoi ai mendjeprishur.

(Thoshin se Sulua si askush, pat patur dobësi të rrallë për këtë lloj seksi. Gjynahet ia paçin! Flisnin se tërë telashet dhe zollomahitë i patën ardhur nga sevdaja dhe “bilbili”).

- Jo, zotërinj, ato s’mund të më gjykojnë e aq më tepër të më dënojnë mua, por…- dhe sakaq iu mbërçel fjala në grykë.

- Na thuaj, je apo s’je dakort me trupin gjykues! Lëri romuzet dhe pallavrat e tua bajate!- i bërtitën ata gjithë mllëf.

-Këto?!...Këto?!...Jo, jo këto!...

Dhe Sulua që në ato çaste ishte gati t’i hiqte zvarrë dy policët që e shoqëronin, dalldisi drejt trupit gjykues:

- Jo, jo!...Këto kanë ardhur!... E di unë pse kanë ardhu!...O Zot! Më mirë thuajani vetë, mos shejtankat e Sulos, mos syçkat e bukura të Sulos, thuajani këtyre derrave pse keni ardhur, tregojuani se keni bërë tenezyl të na urdhëroni këtu për hir të sevdasë…

Ky qendrim para trupit gjykues e dërgoi sërish atje ku kishte qenë, në psikiatri.

 

Fundi

 

Kur pa dyert e psikiatrisë, bluzat e bardha, e mblodhi radaken, por qe vonë… Thonë se thirri me sa fuqi kishte:

- Amani, bre burra, vetëm këtu jo!

Dhe…ia dëgjuan lutjen Sulos. I injektuan një ampulë për “qetësi” dhe i thanë:

- Ik tani! Mos thirrë, se je i lirë!...

Iku sa mundi. U shplodh nën hijen e një gorrice, e zuri gjumi dhe fjeti gjate atje. Ende është në gjumë…Ende është atje… jo më ai…, as gorrica, por vendi që mban emrin “Gorrica e Sulos”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora