Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Vizatime në “Qytetin e erës”

| E shtune, 26.11.2011, 05:56 PM |


Kostaq Duka

 

Vizatime në “Qytetin e erës”

-Triptik-

 

Nën “pushtimin” gri

 

Prej liqenit

a prej qiellit të plumbtë

u ngjyen rrugët, fasadat e grataçieleve ,

pardesytë e palltot e njerëzve supembledhur

që me erën shkëmbejnë thashetheme pa fund?!

Chicagoja

nën pushtimin gri.

Hijerëndë, më shumë se trishtim

trajtëson frikshëm - madhështi.

 

Një grua…

 

Një grua

nën pallton e zezë,

çapitet si një hije buzë liqenit-det

shkumbëzuar në valë zemërimi……

E vetme,

larg lëvizjes marramendëse,

shuan me liqenin

pikëllimin.

 

Në pritje të dekorit të ri

 

Qyteti i erës

e flaku tej dekorin e blertë.

Degët e pemëve dridhen

si fëmijët jetimë lënë rrugëve.

Njerëzit u hedhin vështrimin me dhëmbshuri,

në pritje të çastit kur ato të mbështillen me mantelin farfuritës të dritave.

 

Chicago, Nëntor 2011