Kulturë
Ejup Ceraja: Toka dardane e ngritur në metaforë malli dhe krenarie
E shtune, 26.11.2011, 05:50 PM
TOKA DARDANE E NGRITUR NË METAFORË MALLI DHE KRENARIE
-Shaban CAKOLLI: “Tokë dardane”, poezi,
(Vështrim i shkurtër)
Nga Ejup CERAJA
Në vend të hyrjes
Këto ditë, pas 15 vitesh të botimit, më ra në dorë libri me poezi lirike i poetit, tashmë të afirmuar, të pjekur e të zhuritur rrugëve të kurbetit, Shaban Cakollit. Dhe, pas leximit të parë të rëndomtë përshtypjet e para për librin si tërësi ishin mbresëlënëse.
Dashuria për tokën dardane përmes mallit zhuritës
Nëse poezia është ritëm, melodi, muzikalitet, figurë, zjarr i brendshëm, afsh i zemrës, flakë e shpirtit, sentiment, ide etj. Nëse poezia është diçka që kur e lexon ose e dëgjon, të prekë, të rrëmben, të çon peshë, të nxitë dhe t’i lëndon telat më të fshehtë të zemrës etj. (Nonda Bulka) Atëherë me plot arsye qëndron maksima se poezia lirike nuk shpjegohet (nuk komentohet), por ajo shijohet e përjetohet sipas aftësive thithëse të lexuesit apo të dëgjuesit, në çastin e takimit me te. Dhe, shikuar nga ky rrafsh, sa herë që ta lexojmë akëcilën poezi lirike, fjala është për atë më të mirën, për atë që e kalon shekullin e mbi jetimit (Lasgushi), lexuesi gjen (heton) diçka që herën pararendëse i ka shpëtuar “kamerës” së trurit pa e regjistruar dhe “radarit” të zemrës pa e fiksuar. Pra, gjen diçka të re që më parë s’e ka hetuar. E arsyet e mos hetimit të mëhershëm janë të llojeve të ndryshme, po gjithnjë objektive, me të cilat teorikisht, këtu, kësaj radhe, nuk do të merrem...
- A i plotëson këto kritere libri (përmbledhja) në shqyrtim Tokë dardane e Shaban Cakollit?...
Unë mendoj bindshëm: –
- Pse?...
Sepse të gjitha poezitë e përfshira në këtë përmbledhje janë të shkruara e të përjetuara me afshin e shpirtit dhe të zemrës së poetit, i cili, si shumë të tjerë të asaj kohe, qe i shtrënguar me zemër të thyer e me shikim prapa t’ia kthej shpinën vendlindjes e kësaj hiseje të atdheut, që lëngonte dergjur nën thundrën e pushtuesve, që u ndërruan në këto troje si liqtë në tezgjah jo me vite e dekada, por me shekuj... Pra ishte mërgimi, që u bë jo për përfitime materiale, po për shpëtimin e kokës, duke vazhduar që nga viti tashmë bukur i largët 1981, e veçan nga fillim vitet e nëntëdhjeta të dekadës së fundit të shekullit të njëzet, që kaloi një dekadë që e lamë pas. Ishin ato vite kur mërgimtarët nuk do të mund të ktheheshin në këtë pjesë të atdheut sa për një çmallje nga ata, që e kishin humbur çdo lidhje me të devotshmen e me njerëzoren...
Poeti Shaban Cakolli të 37 poezitë sa ka ky libër i vogël në vëllim, por i madh në përmbajtje dhe mjaft cilësor, i ka grupuar në gjashtë cikle me tematikë e motive të përafërta.
Koha është barometri i të gjitha ngjarjeve nëpër rrjedhat e historisë. Sado që për ne, në të shumtën e rasteve, historia qe një njerkë, të themi shprehimisht, e cila në momente të caktuara na i gërvishte plagët, që shëroheshin me vështirësi, apo nuk shëroheshin fare, duke i shkallmuar trojet tona etnike në të mirë të fqinjëve tanë e në dëm tonin... Dhe, për të gjitha këto poetit i duket (i bëhet): “Ka kohë/ që më janë ngatërruar kohet/ dhe nuk di ku fillon e ku mbaron ëndrra.”
Autoktonin e lashtësisë së trojeve tona, Shaban Cakolli, e fillon me Arbërinë dhe e vazhdon me Dardaninë antike. Ashtu si edhe populli ynë që ka kaluar gjatë zhvillimit historik të tij nëpërmes emrave: pellazg, ilir, arbëror, alban e deri në emrin e fundit shqiptar, ashtu edhe trojet tona që nga lashtësia kanë kaluar nëpërmes emrave: Pellazgia, Iliria, Epiri (Verior e Jugor), Arbëria dhe Shqipëria. Që të tjerët edhe sot e kësaj dite e quajnë
Sikurse Naimi i ynë i madh dikur, që shkruante: “Bota që kur është zënë,/ Shqipëria gjall ka qënë...” – ngjashëm edhe Shaban Cakolli shprehet për Arbërinë nëpërmes vargut: Më e moçme se Hëna është Arbëria. As Naimi atëherë nuk shkruante histori, as Shaban Cakolli tash, po ashtu, nuk shkruan histori. Si Naimi atëherë, ashtu edhe Shaban Cakolli në dekadën e fundit të shekullit të njëzet “bënin histori” nëpërmes fjalës së bukur poetike...
Ndërsa Dardania e lashtë stërgjyshore për poetin kalon nëpër acarët e shekujve për të arritur, më në fund, në tokën e premtuar. Edhe pse për të arritur këtu ku jemi në Dardanin e tkurrur, që tash quhet Kosovë, u deshtë të kalohej nëpër shumë e shumë beteja..., ku historia i ra hiles përballë nesh e nuk i regjistroi ato, që të mbeten si testamente për breza e breza, po i heshti, të themi shprehimisht, si mumie egjiptiane, se:
Kjo tokë është Dardania
e gdhendur në atë mburojë
që e mbajnë
luftëtarët e saj
nëpër betejat që s’i regjistroi
historia.
(Dardania)
Poeti Shaban Cakolli, në vazhdim, do të shkruaj për Europën te poezia Zhgënjime, ku përmes dy vargjeve të para, shprehet: Evropen e krijuan së pari/ me mite e legjenda. Ato mite e legjenda kanë ardhur nga antikiteti. Për të përfunduar: Djepi i saj/ ku iu dhamë qumësht legjendash/ ende përkundet bosh/ në gërmadhat e Ballkanit...; në vijim poeti do të shkruaj për legjendën e Kështjellës së Rozafës, që i ishte bërë mburojë qytetit të djepit të kulturës shqiptare, për ta mbrojtur atë nga ushtat e legjioneve romake...; për orën në kuptimin kronologjik të rrjedhave të historisë në trevat arbërore-shqiptare deri në përfundim të epokës së gjakut...; për drurin e jetës, që është një meteorë e fuqishme dhe për ëndrrat e vendlindjes në dhe të huaj, se:
Vetëm një grusht
dhe Kosovë
do të na sjellë
pushimin e trupit
dhe qetësinë e shqisave tona.
(Ëndrrat)
Në vazhdim poeti do të shkruaj me ngashërimin më të thellë për rasat e mërgimtarit, që, them se është strumbullari i kësaj përmbledhjeje me poezi, ku spikatë poezia me të njëjtin titull. Nëpërmes së cilës poeti e ngritë në metaforë emrin e mërgimtarit, që është: “Në emërore: Iliri!/ në kallëzore: Dardani!/ në rrjedhore: Kosovë!/ Thirrorja është zhdukur/ se nëna s’na dëgjon”. – shprehet poeti me mallin e pashuar të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar...
Me pietet do të shkruaj më tutje poeti për këngët e Bacë Nazifit; për mallin që atë e ka kapluar në kurbet për fshatin e tij të lindjes; për plagët e kurbetit, që nuk do të mbyllën...etj.
Në vijim poeti do të këndojë për kroin e ahut me ujë currilash të kristaltë; për nënën, që, sipas mendimit tim shpreh një kuptim dyzash...; për dallëndyshen në stilin e poetit Filip Shiroka...; për këngët e qyqeve të mbështjella me ëndrra kobzeza... etj.
Poetit Shaban Cakolli një breng të madhe në shpirt ia shkaktonte fati i brezave, që, hëpërhë atëherë ishin të pa perspektivë jetësore e që e bënin “ushtrinë” më të pazakontë të skamnorëve të papunë. E të cilët i mbushnin tregjet për shitjen e krahut të tyre të lirë të punës vetëm e vetëm, siç thuhet, për bukën e gojës sa për vete, për familje e për fëmijë...
Poeti shkruan në vijim me përkushtim për vendin e vet, ku për çdo natë bredh në bulevardin e ëndrrave, por atje ku i pikas zemra në shtëpinë e tij të lindjes, nuk arrin dot. Ishin kohë të pa kohë për poetin që të arrinte atje ku i zhuriste zemra dhe i digjte shpirti eshkë përbrenda... Dhe, krejtësisht e natyrshme dhe plotësisht e arsyeshme se poeti do ta kërkojë pareshtur Itakën e vet. Edhe pse frikësohet ku haptas, ku në heshtje se nuk do të mund të arrijë dot...
Ka edhe tema e motive të tjera të trajtuara me përkushtimin më sublim, që zbulojnë shpirtin e Shabanit poet, si fjala vjen: Pishtar drite – kushtuar Fadil Sylajmanit, I humburi, Ushtrimi i durimit, Mallëngjim e ndonjë tjetër, që e begatojnë edhe më këtë përmbledhje të bukur me poezi lirike...
Përmbledhjen me poezi Tokë dardane e përmbyll vjersha
ëndrra jonë shekullore.
(
Shprehje më të dalluara metaforike
Përmbledhjen me poezi Tokë dardane të poetit Shaban Cakolli e fuqizojnë dhe i japin peshë artistike shprehjet e herëpashershme metaforike, të cilat edhe lexuesin e freskojnë gjatë leximit të tyre. Këtu do t’i përmendim ca prej tyre:“... pa i pirë dy-tri pika qumësht nga legjenda e këtij shekulli; pena ime gërryen mbi shekuj hieroglifët; dhe ngrysemi mbi pjalm gjumi në bebëzën e lulëzuar; nga malli ynë ngjyrë bakri; bërlyket shpresa për çdo ditë; era zgjon mallin e fjetur në zemër; bredh bulevardeve të ëndrrës; nëpër pragun e dy stinëve; u rrëzua në gurin e moshës; nën flakën e ftoftë; që digjet nëpër fjalë; qerrja e kuqe me katër rrota kohe.” etj.
Në vend të përfundimit
Përmbledhjen me poezi lirike Tokë dardane të Shaban Cakollit e përshkon fund e krye, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, një gjuhë e sintaksë e pastër dhe e pasur, me fjalë e fraza të zgjedhura, që u rrinë gjerdan poezive edhe nga kjo anë. Poeti Shaban Cakolli ka trajtuar një gamë temash e motivesh, të cilat në kohët kur janë shkruar ato ishin preokupim i tij shpirtëror, e që çonin peshë në unin e tij atje në kurbetin e largët. Larg vendlindjes dhe hises së atdheut të tij të dashur, duke ia shtuar edhe më mallin për te...
(Korrik - gusht, 2011)