E diele, 22.12.2024, 05:49 AM (GMT)

Mendime

Bajram Peçi: Te prekesh historine

E shtune, 23.02.2008, 10:35 AM


Te prekesh historine

Mbresa nga shpallja e Pavarësisë

Nga Bajram Peçi

Në familjen tonë, që fëmijë kisha vënë re se një dekoratë e certifikuar në nëntorin e vitit 1962, nderonte gjyshin tim si pjesëmarrës në ditën e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Gjyshi, së bashku me një çetë vullnetarësh kuçiotë, s‘kishin bërë gjë tjetër veç ishin vënë vullnetarisht në shërbim, si rojet e shtetit të ri të saposhpallur. Ata ishin pak, shumë pak në krahasim me detin e njerëzve "roje" që ndeshëm në Prishtinë, Prizren e Rahovec. Ethet e ndërmarrjes së një udhëtimi në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të qenies të pranishëm në ditën historike, na kishte kapluar neve, një grup shokësh të "Shqip", ditë më parë. Ëndrra për të prekur historinë e kësaj dite u shndërrua në një makth pritës, deri më 13 shkurt, ditë në të cilën u vendos grupi dhe nisja.

Ndalesa e parë në Prizren, qytet i cili i ka dhënë Kombit Shqiptar Lidhjen, e para e më e rëndësishmja datë historike në përpjekjet për mëvetësi. Në sheshin qendror, te Shadërvani, na pret Mehmet Kodra, biri i një familjeje të madhe, e cila nga fundi i marsit e deri më 12 qershor 1999, u strehua në Tiranë. Së bashku me këtë djalë të arsimuar si mjek stomatolog, të kulturuar e atdhetar deri në amshim, të ngarkuar me emocionet e ditës kulmore, e hamendësuar për 17 shkurt, por që askush nuk e kishte dhënë si përfundimtare, iu kthyem të kaluarës së dhimbshme të gjysmës së kombit që ngeli në robëri. Fodullëku i hapur i shkjaut gjatë 87 vjetëve sundim, u zgjoi atyre instinktet më të këqija. Shqiptarët duruan serbët me zë e pa zë, gjithë ato tortura, poshtërime, shkelje të dinjitetit, nëpërkëmbje si qytetarë të dorës së dytë në Jugosllavi, burgosje, reprezalje e gjenocid. Në këtë luftë racash, ata të armatosur e ne të zhveshur nga gjithçka, por të mbrujtur me atdhedashuri, s‘mundesh përpos të ndjesh një nderim të madh për madhështinë e shpirtit të tyre vetëmohues. Kujtuam me Metin budallallëqet që vazhdojnë të flasin serbët, me fjalë që lëvizin nëpër dhëmbë me gjuhën e trashur, me dokrra pa kuptim, që nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën, tregojnë se sa i neveritshëm mund të bëhet njeriu, por dhe një popull, kur mendja dhe vullneti i tij janë errësuar, kur argumentet i zgjedhin në interes të tyre e jo të shoqërisë. Në kundërshtim me arsyen e shëndoshë, por krejt në përputhje me natyrën e miteve të ndërtuara së prapthi.

Përpara nesh, në muzg, drejt rrugës për Prishtinë, shtrihen fushat e kodrinat e bukura të Kosovës. Në shpinë, një varg malesh, që shënjojnë ndërkohë kufirin shqiptaro-shqiptar. Ndërsa udhëtojmë, tokat e begata që shohim, na shtyjnë të diskutojmë se çfarë dëmesh të mëdha i solli botës sociale e ekonomike të Shqipërisë së epërme e asaj lindore, copëtimi i trojeve e mbyllja e kufijve. Shkodrës, këtij qyteti të zhvilluar për kohën në qarkullimin e prodhimin e mallrave, iu prenë krahët, sistemi i vjetër rrugor i lëvizjes humbi efektshmërinë, lidhjet e vjetra midis popullsisë u dënuan me izolim.

Prishtina, e zhytur në një ngjyrosje flamujsh të vendeve që me trupat e NATO-s sigurojnë nga 1999-a Kosovën e me një mbizotërim të flamurit kombëtar, gjallon në lumenj njerëzish kudo, në çdo rrugë. Shpirti të mbushet me dashuri e mallëngjim për këta njerëz e racën e bukur shqiptare. Pa mëdyshje, këta njerëz, kjo popullatë që lëviz pareshtur e pa u lodhur, nën një acar ngjethës, të bind se përfaqëson për momentin zemrën e atdhetarizmit. Në sytë e tyre të drejtuara nga ne, nuk e kemi fare të vështirë të lexojmë të gjitha shprehjet e lumturisë të një shoqërie të qytetëruar. Ndërsa shtyhemi në lumin e njerëzve, largohemi nga të na çojnë këmbët. Lexuesi e merr me mend lehtë se kudo ndeshemi me po ato fytyra të ngazëllyera e të dehura nga aroma e lirisë.

Duhet domosdo të shkojmë në një nga zonat ku krimet e llahtarshme të serbëve do të mund të shuhen pas shekujsh. Nisemi herët në mëngjes për në Krushë të Madhe, një fshat në Anë Drin.

Ju që do ta lexoni më poshtë këtë dramë, kam detyrimin t‘ju them se gjithçka është e vërtetë. Nuk ka asnjë stisje në ngjarje e shifra, e përmendur qoftë dhe shkarazi. Bëhet fjalë për kriminelë të vitit të fundit të shekullit që lamë pas. Më 25 mars të 1999-ës, 1500 serbë, ushtarë, milicë e paramilitarë, rrethuan fshatin. Vranë e therën 330 vetë, aq sa kapën, burra, gra fëmijë e pleq. I bënë stivë, hodhën mbi trupat e tyre masa karburanti dhe u vunë zjarrin. Fshati u dogj e u rrafshua me tokën. Vetëm katër muaj më pas filluan përpjekjet e identifikimit të trupave me analizën e ADN-së. Dëshpërimi i bibliotekarit të fshatit, Bajram Nella, shfaqet në përlotjen e menjëhershme të syve kur na përmend humbjen në këtë ditë të dy djemve, tre vëllezërve, nipërve e nuseve, gjithsej 13 veta nga familja. Fatin e këtij fshati e pati edhe Krusha e Vogël e dhjetëra e dhjetëra vendbanime të tjera shqiptarësh. Bota e qytetëruar humbi kohë, plot 9 vjet, duke kërkuar arritjen e mirëkuptimit midis vrasësit e viktimës. Shumëkush nuk donte të shihte e të njihte njollat e dukshme e të fshehta që mbante tunika e bardhë e ndërgjegjes serbe. Vite më pas ‘99-ës, media vizive të ndryshme në serbi e aty-këtu edhe në Evropë, me demek se gjërat po harroheshin, bënë përçapje për të manipuluar e mohuar këto ngjarje tragjike të ndodhura në historinë e dy popujve. Donin t‘i bënin të pabesueshme. Nuk dihet ende mirë se sa fort e llaston batakçiu viktimën e vet, por serbët do të donin, megjithëse Molieri ka vdekur herët, të ishte gjallë e të na kishte treguar i shkreti... me fjalët e Tartufit të kujtonte me mall se "...sa mirë ishte atëherë", kur Kosova ishte koloni e shqiptarët skllevër. Shumë serbë hipokritë vazhdojnë t‘i fshehin poshtërsitë e tyre ende me vrazhdësi, përpiqen t‘i paraqesin veset si virtyte, përpiqen të na fyejnë në të ashtuquajturat poema të tyre epike, por i mbyllin ato me vetëvrasje.

E kush nuk u emocionua në hollin e hotel "Grand", kur dy grupe nga krahina shqiptare e Çamërisë dhe një grup nga Labëria, këndonin e këndonin pareshtur me isot e tyre polifonike dhe prishtinas të ngashëryer, i çuan drejt e në koncertin e organizuar. Ata shiheshin në morinë e asaj mizërie njerëzish në festë, si simboli i një kombi të bashkuar, të cilën padrejtësisht si pako e Ahtisarit ashtu dhe diplomacia evropiane na e mohon.

Historia e hajdutëve serbë mbaroi në orën 15.30‘, të datës 17 shkurt. Urtësia njerëzore qëndron: mos e shkel, mos shiko t‘ua lëndosh sedrën atyre që ke menduar se janë më poshtë se ti. Sedra e lënduar nuk fal kurrë, ndërsa fati ndihmon guximtarët. Urime guximtar. E gëzofsh pavarësinë e me fat. Në mesnatë, në kulmin e festës, nga zemra e saj u përcolla SMS gjithë miqve e të njohurve të mi me origjinë nga krahina e Kosovës, nëpërmjet të cilit u uroja gëzimin e pavarësisë. Hareja dhe lumturia e popullit shtrihej tej caqeve të së përditshmes, ku njerëz, deri dje të përbuzur, tashmë festonin lirinë e së bashku me ta edhe unë.

Ndërkohë, e nesërmja ka mbërritur si pa e kuptuar. Pa humbur kohë nxitoj në postën e Prishtinës për të marrë emisionin e pullës postare të pavarësisë, për herë të parë në këto 9 vjet jo me inicialet UNMIK, por REPUBLIKA E KOSOVËS. Rrugëtojmë drejt shtetit Amë. Nga valët e radios na mbërrin lajmi i protestës së parë në Mitrovicën e Veriut. Slogani i protestës është i shkruar në beze, ajo zotëron turmën dhe mban shënimin: "T‘i therim shqiptarët deri në shfarosje". Zot i madh, mbroje këtë shoqëri serbe shakaxhinjsh nga marrëzitë e mëtejshme!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora