E diele, 22.12.2024, 09:24 PM (GMT)

Kulturë

Gjon Boriçi: Dr. Ibrahim Rugova pjesa më e rëndësishme e historisë

E marte, 08.11.2011, 08:04 PM


Dr. Ibrahim Rugova pjesa më e rëndësishme e historisë

 

Parathënie - “Ibrahim Rugova, Lidership i idealeve të mëdha” - Gjon Keka

 

Nga Prof. Asoc. Dr. Gjon Boriçi

 

Tek lexoja me shumë vëmendje librin e kolegut Gjon Keka për Dr. Ibrahim Rugovën ndjeva shumë emocion. Fillova t’i lexoj me shumë kujdes rreshtat e librit që keni në dorë. Sa më shumë i lexoja aq më shumë më kujtoheshin ditët e tmerrshme që kaloi populli i Kosovës nën represionin serb. Aq më shumë më kujtoheshin përpjekjet mbinjerëzore të këtij lideri për të shpëtuar popullin e tij. Ka qenë një stërmundim, e tërë jeta e Ibrahim Rugovës. Nuk kam patur më përpara fatin të lexoj një biografi të tillë të plotë për liderin madhështor të shqiptarëve të Kosovës dhe figurën më emblematike të të gjithë liderëve të kombit tonë pas rënies së komunizmit.

Shqiptarët e Kosovës menjëherë pas shkëputjes së padrejtë të territorit të tyre nga trungu amë në vitin 1913, për 86 vjet kanë pësuar një represion të pashembullt nga serbët, represion dhe dhunë që edhe kohërat më të errëta të Mesjetës do ta kishin patur zili. Gjithmonë në kushte të vështira, si të ishte një dhuratë e Zotit, kur popujt pësojnë vuajtje të panumërta një njeri merr përmasat e udhëheqësit dhe përgatitet ta udhëheqë popullin e tij drejt shpëtimit. Autori Gjon Keka në faqet e librit të tij përballet me dilemën se si të mos bjerë pre e pasionit militantesk për të qëndruar i njëanshëm në analizën e tij biografike për Dr. Rugovën dhe qëllimit të një studiuesi serioz për të na dhënë një vepër me përmasa të plota pa asnjë lloj ekuivoku. Po ta shohësh sot historinë e Kosovës sidomos pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008 duket sikur asgjë nga ata që ndodhën në të kaluarën janë harruar. Ky do të ishte një gabim i madh për faktin se historia e Kosovës nuk fillon në vitin 2008, por shumë kohë më përpara. Ata popuj që harrojnë me ose pa dashje historinë janë të destinuar ta ripërsërisin atë. Një pjesë e historisë së Kosovës është edhe Dr. Ibrahim Rugova dhe për mendimin tim pjesa më e rëndësishme.

 

Autori Gjon Keka librin e tij biografik për Dr. Rugovën e ka shkruar në prizmin e lidershipit. Edhe unë do ta shoh këtë figurë të madhe në këtë prizëm. Dr. Rugova nuk ishte një lider i suksesshëm sepse ishte militant, ai ishte një lider i suksesshëm sepse në radhë të parë ishte intelektual. Pikërisht në këtë aspekt unë shoh çelësin e suksesit të tij si udhëheqës. Në të gjithë gadishullin e Ballkanit por më së shumti tek shqiptarët, intelektualët e vërtetë kanë qenë njerëzit më të sulmuar nga injoranca. Ky është një tjetër shpjegim se përse shqiptarët ishin gjithnjë të fundit në arritjet e tyre krahasuar me fqinjët serbë dhe grekë. Historikisht, politikat shqiptare të të gjithë shekulit XX mund të konsiderohen kombëtarisht dhe rajonalisht të dështuara. Tek ky dështim i madh lider të ndryshëm shqiptarë me gjithë bonsensin që i karakterizonte u përpoqën të bënin diçka. Një nga këto liderë dhe për mendimin tim më i shquari nga të gjithë ia doli mbanë të bënte diçka.

 

Një intelektual është diçka më shumë, është njeri i mbërthyer nga vlerat, qëllimet dhe detyrimet që përshkallëzojnë nevojat e tij praktike më imediate. Nga ky përcaktim, një njeri që vepron në fushën e ideve analitike është teoricien, një njeri që vetëm punon me idetë normative është moralist. Një njeri që punon me të dy elementët e lartpërmendur dhe i bashkon ato në një imagjinatë të disciplinuar është intelektual.

 

Politikanët intelektualë janë ata njerëz që vendosin në ekuilibër të dy elementët kryesorë të intelektit: arsyen dhe imagjinatën. Koncepti për lidershipin intelektual është ai koncept që sjell së bashku në fushën e ideve qëllimin dhe vlerat që mbart ky i fundit. Një intelektual mund të jetë edhe skllav, por një udhëheqës intelektual nuk mund të jetë asnjëherë i tillë. Kjo për faktin se lidërshipi intelektual është gjithnjë një lidërship në transformim, sigurisht për më mirë dhe për përballimin e sfidave më të vështira. Intelektualët ashtu sikurse lidërshipi intelektual nuk mund të rrijnë jashtë shoqërisë, pasi ata janë përgjegjës për nevojat e saj. Edhe shoqëritë më rudimentare e kanë një vend për intelektualizmin i cili shprehet në arte dhe në interpretime spekulative.

 

Lideri intelektual luftën e ideve e ka parim themelor. Kjo lloj lufte është ajo që nxit imagjinatën e tyre, kreativitetin dhe lëvizshmërinë e tyre institucionale. Të qënurit intelektual në politikë shpesh herë ka patur dizavantazhe, veçanërisht në shoqëritë e prapambetura apo në vendet që janë në tranzicion e sipër. Shoqëri dhe vende të tilla shpesh herë i kanë persektuaur intelektualët dhe ndonjë që pati mundësinë të ishte në pushtet ishte krejtësisht i izoluar. Për një intelektual nuk ka gjë më të keqe sesa izolimi, pasi nuk i jep mundësinë të freskojë idetë dhe mënyrat e tij për të ndihmuar të tjerët të ndriçohen nga dija e tij.

 

Një udhëheqës intelektual ka aftësinë e mbrojtjes së lirisë ndaj uzurpimit. Ai është faktor që prodhon efekte dhe kundër efekte, gjithashtu është ambicioz, por ambicja e tij duhet të shërbejë si kundërveprim ndaj ambicjes së shfrenuar. Ambicja e kontrolluar shpreh një siguri më të madhe ndaj përqëndrimit gradual të pushteteve të ndryshme në të njëjtin vend. Ky fakt konsiston në dhënien e detyrave administrative të kontrollueshme për çdo forcë politike për t’i motivuar të bashkëpunojnë institucionalisht me njëra-tjetrën.

 

Intelektuali udhëheqës nuk është militant për çështjen që ai paraqet dhe mbron. Gjithnjë në kohë trazirash për vende të ndryshme të botës intelektuali udhëheqës është si një fener i fuqishëm ndriçues të cilin pasuesit duhet ta ndjekin me patjetër. Një intelektual udhëheqës nuk vetëflijohet. Ai duhet të jetojë që të vazhdojë të prodhojë energji politike dhe intelektuale të cilat çojnë përpara procesin. Intelektuali udhëheqës duhet të jetë gjithnjë i pranishëm në qeveri, legjislativ, juridiksion, diplomaci në mënyrë që të jetë ai pengesa kryesore ndaj obskurantizmit politiko-administrativ dhe të vendosë në dukje elementët e vërtetë të lidërshipit politik.

 

Udhëheqësit politikë intelektualë të çfarëdolloj epoke janë përplasur gjithmonë me forcat e errëta të injorancës pa e kuptuar që në fillim rrezikshmërinë e tyre dhe impaktet që do të kishte kjo rrezikshmëri për të ardhmen e tyre. Udhëheqësit intelektualë janë tepër të zellshëm nga natyra për t’ju përshtatur të mirës dhe për ta bërë atë të përshtatshme ndaj kuptimit të jetës për të gjitha shtresat. Çdo udhëheqës intelektual nuk kuptohet asnjëherë në rolin e tij kur është në qëndër të pushtetit. Vazhdimisht ai shihet si një figurë abstrakte dhe jo e besueshme, pasi në shumicën e rasteve idetë e tij nuk kuptohen. Efektet që ai ka mbi masën e gjerë të njerëzve janë tronditëse në fillim. Çdo valë tronditëse intelektuale është si nëj vullkan që kërkon të shkatërrojë çdo gjë që është negative, e paskrupullt dhe e dëmshme për jetën njerëzore.

 

Ndërthurja e politikës së brendshme me atë të jashtme në jetën e çdo politikani përbën një ndryshim. Për çdokënd që njeh historinë, ndryshimi është ligji i jetës. Ndryshimi në politikë dhe në diplomaci nuk duhet të sjellë me domosdo përmbysje. Ndryshimi në politikë dhe në diplomaci sjell në të shumtën e rasteve fitore. Fitorja është çmimi i vazhdimësisë. Në politikë kundërshtarët e ndryshimit thjesht largohen nga skena, nuk persekutohen. Simbolet e ndryshimit janë forca e mendimit dhe aftësia e përshtatjes me të renë. Dikur simbolet e mëdha të ndryshimit kanë qenë profecia dhe pushtimi. Pushtuesi nuk i fshihte aspak qëllimet e tij. Misioni i tij ishte të impononte vullnetin. Nëse pushtimi i tij zgjaste, herët a vonë ai e kthente dominimin në një ndjenjë detyrimi. Në këtë mënyrë perandoritë e së kaluarës kanë arritur të kthejnë pushtimin në ligjshmëri. Në politikë morali rrjedh prej ligjshmërisë së veprimit, ndërsa pragmatizmi nga aftësia e përshtatjes. Në politikë, pragmatizmi i pashoqëruar nga elementët moralë çon në brutalitet dhe në stanjacion. Ndërsa morali pa pragmatizëm çon në mendjemadhësi, fanatizëm dhe mungesë vetëpërmbajtjeje.

 

Çdo gjeneratë politike duhet të zbulojë ndjenjën e proporcionit në vetvete. Çdo brez i përgjigjet politikës aktuale. E ardhmja ndërtohet mbi bazën e së tashmes dhe mbi eksperiencën e së kaluarës. Sado të ndryshëm të kenë qenë burrat e mëdhenj të historisë ata kanë patur një sens të përbashkët për të shkuarën dhe një vizion të qartë për të ardhmen. Shtetarët bashkëkohorë janë gjithnjë në pritje të taktikave të reja. Problemi është se ndryshimi i fakteve mund t’i çojë në zgjedhjen e taktikave të gabuara. Problemet e mëdha të së kaluarës kanë qenë si pasojë e paditurisë dhe mungesës së informacionit. Në kohën e sotme atë çka një politikan udhëheqës duhet ta ketë mirë parasysh është që të dijë të pleksë diturinë dhe informacionin që duhet ta shoqërojë. Vetëm kështu mund të kemi shtetarë në kuptimin e plotë të fjalës.

 

Dr. Ibrahim Rugova ishte padyshim një vlerë e shtuar në rrugën e vështirë politike të kombit shqiptar. Tani që ai nuk jeton më mund të themi me plot gojën që kemi shumë nevojë për mençurinë e tij që më në fund të kemi një klasë politike normale kudo ku ka shqiptarë. Ky është edhe mesazhi më i qartë i autorit Gjon Keka. Libri i tij është një vlerë e shtuar në tregun tonë intelektual. I uroj nga zemra autorit shumë fat dhe suksese në punën e vështirë intelektuale që ka marrë përsipër, i bindur se do t’ia dalë mbanë.



(Vota: 14 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora