Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Vjeshtë në Tropojë
E diele, 06.11.2011, 07:56 PM
VJESHTË, NË TROPOJË
-Reportazh në vargje –
Nga Zeqir Lushaj
Komshia e dimrit, bardhokan,
Vjeshta beriqetlie, në Tropojë,
M’i çon mallet, ma tremb gjumin,
Një cokamë sakice, akshamit-vonë ! *
…!
Stina e vjeshtës, shkund supet,
Mundimqarëve, ju len bereqetin,
Të mirat, vijnë rrotull shtëpisë,
Secili përpiqet, të ndali të vetën.
Të gjithë, sot, bajnë e mbledhin,
Si grabuja sanën, për në mullar,
Me krozhën, me kosh a me thes,
Gjithkush, qet diçka në hambar.
Ah, sa e mirë vjeshta në Tropojë,
Arra, molla, gështenja, pasul, drithë…,
Një vijë (e vogel) uji, “ban hafije”,
…Sterpiket, te kazani i rakisë !
Koshat e drithit, e lama plot,
Tharqet mbushur, plot me fruta,
Posterma e majme, pret Shënkollin,
Nëpër oda, fillon, loja me kapuça ! **
Kur bora reshë, në Shkëlzen,
Lajmëron: -Gafil, mos me ju gjetë !
Ju pata thanë, vjet, kur u largova:
Do takohemi, përsëri, në vjeshtë !
…!
Komshia e dimnit, bardhokan,
Vjeshta beriqetlie , në Tropojë,
M’i çon mallet, ma tremb gjumin,
Një cokamë sakice, akshamit-vonë !
./.
*nëpër muzg, kur shkurtohen zakonisht, drutë e zjarrit.
**lojë popullore, tradicionale e veriut, sidomos, në dimër.
-------------------------------
MIRAZI PER SË GJALLI !
- Autokritikë…, demokratike -
(Fletë ditari, usa, vjeshtë, 2011)
Po, po, sot,
Sot, e përditë kësaj vjeshte,
Sikur i shoh bereqetet,
Arrat, rrushin, gështenjat,
Në pronat e mia në Gri,
Ka i hanë, gerat e grënxat,
Mundimi i Babës,
Gjysh e Katragjyshit,
(Ashtu, si vet ata)
…Bjen e kalbet përtokë…!!
Unë, ”pronar-zeza” , i tyre,
Me një strajcë mbas krahut,
(Si 30 vjeçari…, i Migjenit),
Kërkoj punë…, nëpër Botë !!
…!
E meritoj, e meritoj,
E kam hallall edhe Unë,
”Një Punë !”.
Aaah, s’po ka kush ma jep,
Fisklen e thanës, hithren e regjun,
…Shqelmin…, Dajakun…, Drun…!
…!
Le të shkelen, le të shkelen,
Të drejtat e Njeriut ,
(Bile, kjo është shumë-pak),
Veç, mirazi për së gjalli,
Të mos na ulej mbi konak !
./.
-------------------------------
SHTIGJET…
-Kujtime bjeshkëtare-
…!
Në Shtek të Dashit,
Nëpër zhare e imshta,
Mblidhja drethëza e boronica.
Në Shtek të Çetave,
Sa herë mbi rrasë u ula,
I thirra Prend Isufit në Mulaj. *
Në Shtek të Tellës,
Mbeshtetur, m’njantë anë,
Kur i avytsha, numëroja gjanë !
Në Shtek të Oborrit,
Kur mshelja stanin,
Lidhsha Samurrin, lëshojsha Curranin ! *
Kur këndonin çikat,
Shtigjeve të bjeshkës,
I rrudhsha, pushkallës-samakreshtës ! *
…!
Shtigje-shtigje-shtigje…,
Të gjitha hapur në shpirtin tim,
I qiti mbas shpindës, shteku mërgim !
./.
*Prend Isufi, ose, Qorri i Mulajve, një burrë i njohur në Nikaj-Mërtur. Mbi Mulaj, është bjeshka ime.
*Samurri e Currani, emra të qenëve .
*Pushkalla e samakreshta, armë që i prodhonim vet, në rini për të shprazur kapsolla çiftje.
----------------------------------------
MOTIV VJESHTE NË FSHAT
- Vargje vjeshtore–
Elektricisti Hysni, ka bërë instalimet, *
Nga linja kryesore deri në arë,
Ulur në rreth, si në bankete të mëdhaja,
Zhveshin misrin, shokët e mi fshatarë.
Bisedat rrokullisen për punën e madhe
Tek hedhin kallinjtë nga prehëri bukëplot,
Udhës së lodhshme 7-8 mujore,
Fshatarët e dashur, i gëzohen sot!
Kallinj–kallinj, grumbulli rritet,
Shoku, nuk shihet, në anën tjetër,
-Prite galanin, –thërret, një djal i ri, **
Një qyfyre bujqish, një shaka e vjetër!
Fusha çlirohet nga barra e rëndë,
Tani është vonë: ora njëmbëdhjetë,
Misri në kosha e kashta mullarë,
“Natën e mirë”! -Na thonë për të fjetë. ***
./.
* Hysni Idrizi, elektriçisti i parë i fshatit tim, Gri.
** galan - misër me ngjyrë të zezë!
*** kjo vjershë është nxjerrë nga libri “Hija e vendlindjes”, faqe 56.
./.
(E shkruar në Gri,Tropojë në vitin 1976)
----------------------------------
AJO DITË…
…!
Ajo Ditë, që,
Në mes të Korrikut,
Alpet e mia,
Do të jen’ (gati si sot!)
…Krejt –shkret,
Ka ardhë Ajo,
Ajo, që kan thanë të parët,
Ajo Dita, me emrin: (kob-zi),
-…KIAMET !!
./.
Qafë-Luzhë, Tropojë, 21 gusht 2011