E enjte, 26.12.2024, 07:23 PM (GMT)

Mendime

Lavdrim Lita: Kurban Shqipëria

E shtune, 05.11.2011, 07:59 PM


Kurban Shqipëria

 

Nga Lavdrim Lita

 

Të shkruash është një fat. Dhe një fatkeqësi. Ernest Heminguej që i provoi të dyja lëshoi një imperativ për çdo shkrimtar të ri: “shkruaj vetëm atë që di”. Dhe kishte të drejtë. Shkrimtari i vërtetë është ai që fut veten, jetën dhe këndvështrimin e tij për botën, brenda një libri. Ka shkrimtarë që merren me realitetin, ose me rrejshmërinë, ose me komedinë, apo me tragjedinë. Pastaj ka prej tyre që fusin në librat e tyre partinë. Por edhe humbje e fatkeqësi. Edi Rama dhe Ben Blushi, për shembull.

Rama trafikoi dje për shtyp krijesën e tij publicistike të titulluar prerazi, “Kurban”. Ben Blushi pritet që këto ditë të përuroi romanin e tretë, brenda tre viteve, me titullin pak të kërkuar: “Shqipëria”. Edi Rama nxori kinse “sekretin” për arratisjen publike tre mujore pas humbjes së 8 majit të Bashkisë Tiranë. Dhe imazhi vendimtar që i paska mbetur në rrasht t’kresë ato ditë qenka bërja “kurban” e një dashi afër godinës së Bashkisë nga një simpatizant i PD-së, si shenjë mbarësie për kryetarin e ri. Prandaj paska shkruar një libër retrospektivë duke përfolur shumë personazhe të jetës politike e publike, nga Fatos Nano e Sali Berisha tek Ismail Kadareja e Fatos Lubonja, botues mediash, etj. Në libër, sipas të dhënave paraprake, gjenden figura si Ilir Meta, Spartak Ngjela, Arben Imami apo/dhe një numër ambasadorësh të huaj në Tiranë. Po Edi Rama flet edhe për martesën, familjen e jetën e tij personale. Me gjasa do të ketë harruar të shkruajë për partnerët e mëparshëm dhe dramat e tyre, të shkaktuara prej xhindosjes.

Kurse Ben Blushi, një deputet socialist që ka qenë larg protestave, grevës së urisë dhe demonstratave të dhunshme, ka shkruar një libër thellësisht metaforik. Pasi është divorcuar pa gjykatë nga Toena e Toçit, botuesi i ri i Blushit ka shpërndarë për shtyp përkufizime idhujtarie si: “Thjeshtësisht vepra sjell historinë e një njeriu që donte të zëvendësonte Zotin. Mjafton kaq për të kuptuar se edhe ky libër i radhës do të jetë po aq provokues e debatendjellës, sa edhe dy të parët. Duket se me këtë roman të ri ai tenton të ofrojë në mënyrë artistike historinë e Shqipërisë. Çka në një mënyrë apo në një tjetër, e ka bërë edhe në dy romanet e tij të mëparshme”.

Titulli është kaq i drejtpërdrejtë saqë nuk të lë vend për hamendsime. Flitet për krijimin e Shqipërisë, sipas ungjillit Blushi. Me sa duket kësaj radhe angazhimi është tepër i madh. Sigurisht tek “Të jetosh në ishull”, ai prekte një temë shumë delikate, që është ajo e konvertimit në fenë islame të pjesës dërrmuese të shqiptarëve gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, por jo vetëm, atë të konformizmit, bashkëjetesës etj. Kurse në romanin e dytë “Otello, Arapi i Vlorës”, Blushi solli në Vlorë tragjedinë shekspiriane. Fabula ishte, shkrimtari jo.

Megjithatë këto dy personazhe publike janë rivalë brenda Partisë Socialiste. Të dy kanë pasur marrëdhënie të rrezikshme me median. Në fillimet e karrierave të tyre shkrimet për shtyp kanë qenë një mënyrat e zakonshme për të dalë në sipërfaqe, për të shprehur kundërthëniet e tyre, për t’u afruar dritares së pushtetit. Edi Rama e ka nisur herët, me librin “Refleksione”, të shkruar me katër duar, me një tjetër, ku gjendet shumë kundërthënie morale e politike, sidomos një manifest me titull “Kundër ngushtimit të nocionit opozitë”, ku Rama shpreh pikëpamjet e tij për çështje të historisë së Shqipërisë së kohës së Luftës së Dytë Botërore (f.179-185). Ai shkruan se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ngjarjeve kryesore të saj si Konferenca e Pezës, Kongresi i Përmetit, lufta kundër pushtuesve, çlirimi i vendit, nuk ka asgjë më shkatërruese, më të skajshme, më sintetike, se ky manifest që mban autorësinë e kryetarit të sotëm të PS-së, partisë që paraqitet sikur ka në themel vlerat e luftës partizane, dhe që i ka veteranët e kësaj lufte si komunitetin të cilit u drejtohet në radhë të parë.

Mirëpo kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës organizonte çdo vit festë me rastin e Konferencës së Pezës. Përpara se të bëhej kryetar i PS-së ai shkruante se, “Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”.

Sakaq Ben Blushi ka punuar si gazetar në “Koha Jonë” dhe forcoi kockat dhe thonjtë për t’u kacavjerrë në politikë, duke u bërë Zëdhënës, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Prefekt, Ministër i Arsimit dhe Shkencës. Dhe deri në fundin e pushtetit të socialistëve të Nanos Ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Politika ka qenë për të Pushtet. Kurse në opozitë ka qenë opozitar i Ramës me intervista, shkrime dhe qëndrime publike, megjithëse, asnjëherë s’ka shkuar përtej kufirit të lejuar.

Sidoqoftë dy politikanët-publicistë sfidohen në fushën e letrave sepse në fushën e politikës nuk kanë këllqe të përballen me doktorin e politikës, kryeministrin Berisha. Dy krerët e Partisë Socialiste përplasen toksh për të zaptuar hapësirën në rafte dhe biblioteka. Opozita shqiptare e ka zhvendosur “popullin opozitar” nga rruga dhe gjithë pasojat e saj, në shtëpi duke iu dhënë në mëngjes editoriale dhe pasdite libra. Mirëpo pasi lexojnë editoriale dhe librat, njerëzit pyesin: po me politikë kur do të merren?



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora