Shtesë » Lajme
Steffen Honig: Kosovë - Ndarja do të hapte kutinë e Pandorës
E premte, 04.11.2011, 07:58 PM
Ambasadori Mirdita në Magdeburg promovon mirëkuptimin mes shqiptarëve dhe serbëve
Kosovë: Ndarja do të hapte kutinë e Pandorës
Nga Steffen Honig - Volksstimme, 29.10.2011
Në marramendjen e krizës së borxheve të kësaj vere pothuajse nuk është vënë re se Kosova në fund të korrikut ishte në prag të një katastrofe. Kur Qeveria dëshiroi të merrte kontrollin e dy pikave kufitare në veri, serbët që jetojnë atje bën provën e kryengritjes. Forca mbrojtëse e KFOR-it e qetësoi situatën, por ajo ende deri më sot është e paqartë.
Në këtë sfond fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung diskutoi të mërkurën në mbrëmje në Magdeburg rreth suksesit të angazhimit të misionit të NATO-s përgjatë dymbëdhjetë viteve në shtetin e pavarur që nga viti 2008. Top-mysafir ishte ambasadori i Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita, i cili e ndau podiumin me eksperten e Europës juglindore Johanna Deimel dhe politikanin socialdemokrat (SPD) Walter Kolbow, ish sekretarin shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pra, ku gjendet sot Kosova e mbrojtur nga NATO-ja? Ambasadori Mirdita thotë se ajo ia ka dalë mbanë të krijojë "një shtet demokratik, multietnik”, në të cilin sigurisht ka "ende shumë për t’u bërë". Tepër shumë, siç tregojnë shifrat, të cilat i paraqiti njohësja e Kosovës Deimel. Brutoprodukti i brendshëm për frymë është 1760 € (në Gjermani rreth 30500 €), papunësia është 48 përqind, me ç’rast 70 përqind e të prekurëve janë të rinjë.
Në situatën e zymtë ekonomike të vendit me 1.7 milionë banorë gjenden edhe arsyet luftës për pikat kufitare. Kosova dëshiron t’ia imponojë Serbisë këtu njohjen e vulave të saj doganore me personelin që është besnik ndaj Qeverisë. Kundër kësaj janë ngritur stuhishëm serbët në veri të Kosovës, të cilët rajonin e tyre e kanë mbajtur larg nga ndikimi i qeverisë qendrore në Prishtinë dhe misioni i BE-së EULEX. Që nga trazirat e korrikut me stacionet kufitare që digjeshin dhe barrikadat në rrugë, prej të cilave para dy ditësh disa u hoqën, është ndërprerë edhe “dialogu teknik” mes Serbisë dhe Kosovës.
Tani rreth 500 prej gjithsej 5500 ushtarëve të KFOR-it, domethënë të NATO-s, kanë marrë përsipër detyrën për të ruajtur paqen dhe rendin në veri të Mitrovicës. Nën udhëheqjen gjermane, sepse Republika Federale me rreth 900 ushtarë sa ka aktualisht është vendi me kontigjentin më të madh të ushtarëve. Eskalimi i situatës ne veri e ka bërë gjithashtu të qartë se angazhimi ushtarak në Kosovë është edhe më tej i nevojshëm.
Ambasadori nuk lë asnjë dyshim se Qeveria e Kosovës do të bëjë gjithçka që është e mundshme "për të realizuar pushtetin shtetëror" edhe në veri. Në jug janë bërë përparime thelbësore në integrimin e minoritetit serb, shpjegon Mirdita. Atje serbët nuk i bojkotojnë zgjedhjet që janë caktuar nga shteti, por, në ndërkohë, ata marrin pjesë në mënyrë aktive në to.
Që prej kohësh edhe qeveria në Beograd ka objektiva të tjera nga serbët e pabindur rreth Mitrovicës. Ambasadori Mirdita i referohet madje interesave të njëjta të Serbisë dhe Kosovës: të dyja shtetet duan të hynë në BE. Diplomati është i bindur se: "Pajtimi do të vijë." Ambasadori i kundërvihet me forcë ideve për ndarjen e veriut serb, domethënë për ndarjen Kosovës. "Kjo do të hapte kutinë e Pandorës dhe ne do të duhej t’ia fillonim sërish nga e para.”
Lehtësisht e përfytyrueshme. Shqiptarët në Maqedoni dhe gjetiu atëherë do të kërkonin me siguri kufij të rinjë. Atëherë Ballkani përsëri luftën do ta kishte para derës.
Gladbeck, 30.10.2011 (h:14:24)
(Përktheu: Xh. Ukshini)
Burimi:
http://www.volksstimme.de/nachrichten/deutschland_und_welt/meinung_und_debatte/639034_Kosovo-Teilung-wuerde-Pandora-Buechse-oeffnen.html