| E diele, 30.10.2011, 03:03 PM |
Dodona nuk është në Janinë, por në Dëshnicë të Përmetit
Nga Kujtim Mateli
Autorët e vjetër thonë se Dodona u themelua nga pellazgët, por adhurohej e çmohej si një thesar edhe nga popujt e tjerë të Ballkanit. Barthelemeu, në mesin e shekullit të katërt para Krishtit, na thotë se aty vinin nga të gjithë popujt e Dheut
Dodona përmendet pothuaj nga të gjithë autorët e vjetër, që nga Homeri i shekullit të VIII para Krishtit, deri tek Kostandin Porfyrogjeneti, shek. X pas Krishtit.
Ndërsa Homeri i shekullit VIII para Krishtit, nëpërmjet fjalëve të Akilit, i drejtohet Zeusit të Dodonës me fjalët:
“O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg,
që kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë selët”,
17 shekuj më vonë, kemi të njënjtin përcaktim për Dodonën e Zeusin, nga një perandor i Konstandinopojës, Kostandin Porfyrogjeneti.
“…Kryeqyteti i Epirit të Vjetër është qyteti i Dodonës, ku gjendet lisi që flet për misteret e perëndive”.
Në 2000 vjet të ekzistencës së saj, që nga Lufta e Trojës e deri në shekullin e X pas Krishtit, Dodona përmendet me të njënjtin respekt e adhurim, përshkruhet me të njënjtën madhështi. Kanë shkruar për të dhjetra autorë, dëshmitë e të cilëve e lokalizojnë qartë vendndodhjen e Dodonës dhe këto dëshmi na thonë se Dodona nuk gjendet në Luginën e Carakovistës pranë Janinës, por në veri të Epirit.
Efori (shek. IV para Krishtit), na thotë se faltorja e Dodonës ka qenë ndërtim pellazgjik që në krye të herës, çka do të thotë se ajo vazhdonte edhe në shekullin e IV para Krishtit të ishte Dodonase e pellazge, pra e banuar nga i njënjti popull i cili e krijoi.
***
Po që nga Koha e Perandorit Bizantin Kostandin Porfyrogjeneti e deri në shekujt XVII-XVIII, duket sikur ka një heshtje për të.
Po Cili ka qenë ndër të parët që e solli Dodonën në qendër të vëmendjes së opinionit ndërkombëtar duke dashur t`i japë asaj madhështinë e dikurshme? Midis atyre penave brilante, vargjet e Bajronit që u shkruan pas vizitës së tij në kështjellën e Ali Pashës në Tepelenë, në vjeshtën e vitit 1809, ishin një këmbanë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për të gjetur vendodhjen e tempullit të shenjtë. Bajroni shkruan:
“Dodonë, ku është pylli i moçëm
Burimi i shenjtë, ku janë orakujt hyjnorë?
Cila luginë i thotë akoma fjalët e Zotit të Perëndive?
Ku janë gjurmët e tempullit të Zeusit gjëmimtar?
Të gjitha, të gjitha u harruan”
Pas tij, studimet e Pukëvilit, dhe të Leak,(konsuj të Francës dhe të Anglisë pranë Ali Pashës në Janinë) studimet e Han-it, Hasiotis, Aravatinoit e të tjerë, të gjithë këta autorë e vendosin Dodonën rrotull Janinës dhe më së shumti në juglindje të liqenit, duke përcaktuar si mal të Dodonës malet në lindje të Janinës si Miçikelin apo edhe ndonjë tjetër.
***
Po të gjitha u përmbysën kur Karapano botoi në Francë dy broshurat e veta, njëra me skicat e objekteve të gjetura në qytetin në luginën e Carakovistës dhe tjetra me dëshmitë e autorëve të vjetër për të cilat mundohet t`i përputh me qytetin e gjetur në Carakovistë duke e quajtur si qytet të Dodonës.
Po në këtë libër Karapano u është shmangur dëshmive Kyçe, atyre që kanë të bëjnë me pozicionin gjeografik.
Pse Dodona nuk është në Luginën e Carakovistës?
A-Kostantin Karapano “Dodonë e ses ruines”, Paris 1878, f
i kushton kujdes pjesës së poshtme të luginës së Carakovistës, për ta paraqitur pjesën fundore të saj si një vend që dikur (sipas dëshmive të banorëve vendas) ka qenë një vend i mbushur me moçale duke e përputhur kështu me thëniet e autorëve të vjetër se pylli i shenjtë i orakullit të Dodonës ndodhej pranë një vendi moçalor.
Po kjo e dhënë e Karapanos vjen në kundërshtim me autorët e vjetër
“ Apollodhor Tekniku (libri VIII, fq. 13) dhe Eustathi (libri V, fq. 12 dhe libri VIII, fq.11) thonë se lumi Dodon ose lumi Selijvet kalon pranë kësaj faltoreje, që është në një vend moçalor dhe jashtë qytetit të Dodonës; tjetër është faltorja (hijerorja) dhe tjetër është shtëpia hijerore (e shenjtë).
Pra kemi një lumë pranë kësaj faltore, i cili nuk gjendet sot në luginën e poshtme të Carakovistës, rrjedhimisht nuk ka ekzistuar as më parë.
B-Aravatinoi, në “Pragmateia peri Dodonis”, Janinë 1862, fq. 37 sjell dëshmitë nga Straboni 8.7, Eustathi 8.9. Ja dëshmia e tyre:
Tempulli i Dodonës ndodhet në shpat (në brinjë) të malit Tomar.
Po a është Dodona e Carakovistës në brinjë apo në shpat të malit Tomar (pra të malit Oliçka të pretenduar si mali Tomar)? Dodona e Carakovistës jo vetëm që nuk është në shpat të malit, por as në rrëzë të tij. Ajo ndodhet përballë malit, në kodrat e Kozmirasë. Pra nga ana tjetër e luginës.
C-Eskili tek “Prometeu i lidhur” jep këtë dëshmi mbi Dodonën “kur erdhe në fushat që ka Mollosia i re rreth Dodonës që është fort e lartë”.
Po amund t`i thuhet fort i lartë qytetit të Carakovistës që është vetëm 30 metra lartësi mbi luginë?
Sami Frashërit, Encikopedia, vëll. III, faqe 2172 thotë:
Dodona ka qenë një qytet në Epirin e vjetër, d.m.th. në Vilajetin e Janinës, i çquar me tempullin e pashëm dedikuar adhurimit të Jupiterit, Atit të hyjnive.
Vendi i këtij qyteti dhe tempulli akoma nuk është diktuar si duhet.
Z. Karapano prej Arte, prezanton se, pas disa gërmimeve dhe vjetërsinave arkeologjike të zbuluara ndërmjet Janinës dhe Artës, Dodona duhet të jetë atje e për këtë ka botuar edhe disa broshura; por ky vend nuk pajton me karakteristikat që na njoftojnë Omiri dhe historianët e poetët e tjerë të lashtë. Omiri e karakterizon Dodonën me frazat: "shumë në veri". "tepër e ftohtë dhe me borë". dhe "shumë e lartë". Mirëpo gërmadhat që ka zbuluar z. Karapano janë në një fushë të ulët ku s`bie kurrë borë". .....
***
Po dëshmi të mosekzistencës së Dodonës në luginën e Carakovistës janë gërmimet arkeologjike të vitit 1935 të kryesuara nga Dhimitër Evangjellis
Dodona historike
" e denjë për t`u vënë re (vlen të vihet re) se nuk u gjet asnjë relike arkitekturale i mundshëm për t`iu atribuar kohëve arkaike. Ciladoqoftë katastrofa që mund të ketë pësuar ierorja (tempulli) dhe prej cilësdo lëndë të prishëshme që mund të kenë qenë ndërtuar godinat (ndërtesat), sidoqoftë, do të kishte mbetur ndonjë copë tjegull prej balte, vërtet e vogël, por provë e sigurt e ekzistencës së ndërtesave të njëkohëshme ( të kohës). Tjegullat e gjetura ( shih më poshtë) arrijnë ndoshta deri në fillim të shekullit të Pestë. Por ( nga ana tjetër) të pranojmë se nuk u ndërtuan fare ndërtesa gjatë kohës së lashtë, kjo është shumë e vështirë, sepse edhe sikur (edhe po ) të supozojmë se orakulli funksiononte nën qiellin e hapur ( në shesh të hapur) në pyllin e hirshëm, ku ishte lisi i shenjtë (krahaso Procesverbalet e shoqërisë Arkeologjike 1929 faqe 108-109), sidoqoftë, do të duhej një farë ndërtese për priftërinjtë dhe ruajtësit e dhuratave (dedikimeve) të çmuara, që i dedikonin (falnin) Zeusit pasanikët, të cilët shkonin për t`u falur, ose mbretër, bile dhe qytete të tëra ( ato që përmenden për shtëpinë e shenjtë dhe për statujën e perëndisë, u referohen probabilisht kohëve më të reja). Është edhe kjo çështje një nga problemet e shumta që shtron gërmimi i Dodonës” 7). 7-Arkivi i Institutit të Historisë, Gërmime epirote (në Epir) prej Evangjellis,Dh, fq. 30-31
Po një dëshmi e rëndësishme na vjen nga antikiteti që Dodona ka qenë për një periudhë kohore disa shekullore nën sundimin e Kaonëve. Kjo dëshmi është lënë në heshtje për të gjithë ata që pranojnë se Dodona ndodhet në Carakovistë, sepse e rrëzon qënien e Dodonës pranë Janinës. Nuk ekziston asnjë e dhënë që kaonët ta kenë shtrirë sundimin e tyre edhe në luginën e Janinës. Kjo është e vlefshme edhe për ata që pretendojnë se Dodona ndodhet në Tomorin pranë Beratit, sepse, po të ishte kështu, i bie që kaonët e shtrirë deri në Tomor, të kenë patur nën sundim disa fise ilire, gjë që nuk gjen asnjë mbështetje historike.
Ja dhe shembujt:
“ Straboni flet për një supermaci të kaonëve e molosëve në Epir, po nuk jep kohën se kur. “Kaonët dhe molosët,-thotë ai,- ishin popujt më të njohur epirotë, sepse e gjitha kishte qenë në zotërimin e njërit dhe herë e tjetrit dhe sepse ata kishin orakullin e lashtë e të famshëm të Dodonës”.
Kjo e dhënë e fundit mbi orakullin e Dodonës na mundëson të themi se bëhet fjalë për periudhën e fundit të shek. V para Krishtit, pasi sipas P. Cabane, “para fundit të shek. V, Dodona i kalon Molosisë”.
Dionis Halikarnaseu (libri I, fq. 14, 19, 51; libri II, fq. 7 dhe
libri V, fq. 22) thotë se qyteti i Dodonës banohej prej Haonëve (kaonëve), stërgjyshërvet të Lapathëve(Lapëve ose lebërve të sotëm) e se më vonë këtë qytet e mori në zotërim fisi i Molosëve.
Po edhe Plutarku te “Çështjet” na tregon deri në hollësi se si u dëbuan nga fusha e Dodonës fisi i enianëve nga Lapathët, të parët e lebërve të sotëm.
***
Po Dodona ka ekzistuar si qytet edhe në Periudhën e Krishtërimit. Faltorja pranë lumit u shkatërrua, kurse tempulli pranë qytetit të Dodonës u kthye në kishë. Kjo është e vërtetuar në dokumentat kishtare dhe në një nga Sinodet Ekumenike,atë të Efes, mbajtur në vitin 431, Dodona përfaqësohej nga Episkopi Teodor.
Po Gërmimet e Karapanos dhe ato të mëvonshme nuk japin asgjë gjurmë të ekzistencës së Krishtërimit në këtë qytet, duke nxjerrë konkluzionin se Qyteti i Carakovistës i pandehur deri më sot si qyteti i Dodonës, është një qytet i lindur aty nga shekulli i pestë para Krishtit dhe i shkatërruar bashkë me 70 qytetet epirote, kryesisht molose, nga hordhitë romake të Pol Emilit.
Atëhere Dodona duhet kërkuar në veri të Epirit, aty ku thonë pothuaj të gjithë autorët e vjetër dhe që ky vend u përshtatet të gjitha dëshmive gjeografike.
Barthelemeu, duke përshkruar udhëtimin e Anacharsis në mesin e shekullit të tretë para Krishtit, në librin e tretë, faqe 393 Paris 1790 thotë: “Në një nga vendet veriore të Epirit, ndodhet qyteti i Dodonës”.
Po kështu Polibi, libri IV. na thotë: “Kur erdhi dita e zgjedhjeve,etolët zgjodhën për strateg të tyre, Dorimahun; ky me të marrë fuqinë në dorë mblodhi ushtrinë dhe hyri në krahinat e sipërme të Epirit,duke shkretuar vendin pa pikë mëshire dhe jo aq pse kështu ia kërkonte interesi i vendit të tij, sesa për t`u bërë keq epirotëve. Kur arriti në faltoren e Dodonës, dogji portikët e tempullit, prishi një pjesë të madhe të kushtimeve dhe rrëzoi edhe muret e faltores”
Pra Dodona, sipas Polibit, ndodhej në pjesën e sipërme të Epirit.
Pindari, Nemeas, thotë:
“Përtej Pindit, në afërsi të Peonëve dhe maleve të Dodonës”. Pra edhe Pindari i nxjerr malet e Dodonës në veri të Epirit.
Po cili është ky vend në veri të Epirit që i plotëson të gjitha thëniet e autorëve të vjetër?
Kjo është lugina e Dëshnicës, ku gjendet lumi që deri para viteve `60-të ishte i mbushur me vende moçalore rreth tij me pyje me lisa, që deri në vitin 1967 qëndronin si të shenjtë dhe nuk u pritej asnjë degë. Aty është fusha Hellopia e përshkruar nga Hesiodi, fusha që shtrihet në lindje të qytetit të Këlcyrës dhe që Pukëvili kur kaloi aty gjatë vizitës së tij shkroi: “Vendi ku bashkohen katër luginat është i pasur në bimë kultivuese, ndërsa malet që i rrinë rrotull paraqesin një skenë me pyje të dendur apo me maja të zhveshura, një kontrast i thellë piktorest, skenë e vlefshme për penën e Titianit apo Salvator Rosës”. Thënia e Hesiodit se Dodona shtrihej përtej fushës së Hellopisë dhe dëshmitë e Strabonit dhe të Eustathit se Dodona ndodhet në shpat të malit, e identifikon atë me vendin që sot quhet kalaja ilire e Këlcyrës, ndërtuar 400 metra lartësi mbi qytetin e Këlcyrës.