Kulturë
Izet Duraku: Një lis në pyllin poetik shqiptar
E diele, 30.10.2011, 02:40 PM
NJË LIS NË PYLLIN POETIK SHQIPTAR
(shënime të redaktorit Izet Duraku për librin poetik “Lis i vetëm në fushë” të Rexhep Shahut)
NGA IZET DURAKU
Libri më i fundit poetik i Rexhep Shahut “Lis i vetëm në fushë”, që u botua këtë verë të 2011, ndër të tjera, shënon kristalizimin e plotë të pjekurisë artistike, të origjinalitetit dhe mëvetësisë krijuese të autorit, me të cilin unë jam mik i vjetër dhe kam ndarë së bashku me të, në ditë e orë të gjata bisedash, hallet tona të përbashkëta të jetës dhe kam patur luksin dhe fatin e mirë të flasim edhe për shqetësimet tona krijuese.
Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël dhe flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që ashtu të pabotuara kalonin dorë më dorë. Ndonëse në kushte të vështira, ne si krijues u përpoqëm të jemi në një rrjedhë me kohën dhe të krijonim fizionominë tonë poetike.
Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “
“
Ashtu si jeta, edhe poezia për të lindur ndjen nevojën e ujërave, të lumenjve dhe deteve. Prandaj, Durrësi, ku Rexhepi kreu shkollimin e mesëm, mund të quhet vendlindja e dytë poetike e tij.
Poezia e Rexhep Shahut, është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit.
Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Por ka një spirancë të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezi si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje.
Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fati i individit, i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë.
“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………
………………………………………………….
…Prej sysh më
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.
Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Për një trill mbase, unë si redaktor, poezitë që më kanë pëlqyer më shumë, me mirkuptimin e Rexhepit, i kam vënë në fillim të librit. Vargjet e para që ju lexova janë marrë në faqen 63 dhe të tjerat në faqen 86.
Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe kam thënë me vete si nuk i kam vënë re më parë.
Këto po i thoja një natë mikut tim, poetit Aqif Hysa, librin e të cilit, për kënaqësinë tonë do ta kemi shpejt ndër duar. Një pjesë poezish që mund të përfshiheshin te “Bregu i brengës” i pata mënjanuar se nuk ma mbushën mendjen, por ndonëse i mbaja mend turbull, i përfshiva pas 11 vjetësh te ky libër, se mu dukën krejt ndryshe. Jam i bindur se gabojnë redaktorët. Sigurisht nuk gabon poeti, as poezia.
Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme, madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…
Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën, lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor.
Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme.
Prej këtij shpirti tragjiko - poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur poezia e Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme.
Këto ditë përkujtuam 100 vjetorin e Migjenit të madh, që i dha aq forcë, bukuri, nder, e dinjitet poezisë shqipe. Pas pak ditësh do të përkujtohen 40 poetë që nuk mblidhen dot me ne për të drekuar, por janë me ne gjithnjë me poezinë e tyre. Frederik Reshpja, Arshi Pipa, Zyhdi Morava, Bilal Xhaferi, Agim Spahiu…
Dëgjojmë të thuhet se poezia është ne vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezine moderne… Nuk janë poezi.
Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tone njerzore dhe letrare. Lisi i Rexhep Shahut vjen natyrshëm në pyllin poetik shqiptar.