Kulturë
Alfred Uçi: Leximet e Migjenit - Ekspresionizëm apo realizëm ekspresiv?
E diele, 23.10.2011, 06:32 PM
Leximet e Migjenit: Ekspresionizëm apo realizëm ekspresiv?
Nga Prof. Alfred Uçi
Migjeni ka qenë shkrimtari më modern i epokës së pavarësisë, sepse ai parapëlqeu përvojat e praktikat më të përparuara e të reja të realizmit të shekullit XX. Në qoftë se do të dëshironim ta inkuadronim veprën e tij letrare në rrymat e drejtimet kryesore të letërsisë botërore, atëherë mund ta quanim një variant shqiptar të “realizmit ekspresiv”. Ku qëndron fillesa ekspresive dhe si manifestohet ajo në veprën letrare realiste të Migjenit?
Në kohën e monizmit shkrimtarët tanë, duke përfshirë edhe më të talentuarit, e shmangnin dhe kishin frikë, me të drejtë, të përmendnin emrat e autorëve të huaj madhorë, që i patën njohur dhe i patën pëlqyer, madje nga përvojat e të cilëve patën përfituar, ndonëse dihet se s’ka patur e s’ka shkrimtar që të mos ketë qenë ndikuar, me ose pa vetëdije, për mirë ose për keq, nga shkrimtarët e parapëlqyer pararendës ose bashkëkohorë. Nga niveli zero nuk mund të formohen as talentet, as gjenitë.
Shkrimtarët tanë kishin përse të ndruheshin e të mos përmendnin autorët e parapëlqyer, sepse në atmosferën e intolerancës e të palirisë intelektuale e ideologjike, ishte rrënjosur paragjykimi, që i barazonte leximet e parapëlqimet artistike me “kopjimet”, imitimet, ndikimet e plagjiaturat, madje me “ndikimet e huaja”, që mund të shndërrohej në fatkeqësi të vërtetë për “bartësit” e tyre. Ka ndodhur, që leximi i disa veprave moderniste të shek. XX barazohej me propagandë antishtetërore dhe janë dënuar njerëz ngaqë lexonin libra të tilla. Kur kritikëve e letrarëve për shkrimet e botimet e tyre iu kërkohej të paraqitnin lista bibliografike të leximeve të tyre, përveç shkaqesh të tjera me qëllim, qëllimi që të kontrolloheshin mos gjendeshin “imitime” ose “ndikime” negative estetike, ideologjike, por edhe kur censura dhe botuesit nuk arrinin të provonin praninë e dukurive të tilla në shkrimet, nuk i botonin listat e dorëzuara bibliografike me emrat e studiuesve të huaj, që ruheshin në sirtaret e redaksive. Migjeni s’jetonte n’atë kohë e s’kish si t’i kërkohej lista e leximeve të tija të letërsisë së vendeve të tjera. Por praktikat e monizmit gjithsesi janë reflektuar për keq kur ka qenë rasti për studimet ose artikuj kritikë të kësaj kohe, që i kushtoheshin jetës e veprës letrare të Migjenit.
Migjeni ka qenë shkrimtari më modern i epokës së pavarësisë, sepse ai parapëlqeu përvojat e praktikat më të përparuara e të reja të realizmit të shekullit XX. Në qoftë se do të dëshironim ta inkuadronim veprën e tij letrare në rrymat e drejtimet kryesore të letërsisë botërore, atëherë mund ta quanim një variant shqiptar të “realizmit ekspresiv”. Ku qëndron fillesa ekspresive dhe si manifestohet ajo në veprën letrare realiste të Migjenit?
Dihet se Milloshi qysh në moshën e njomë të shkollës, sidomos kur ndiqte Seminarin e Manastirit, dallohej për zellin e tij të pashtershëm për të lexuar. Bashkëstudentët që kanë lënë kujtime për të, të gjithë përmendin pasionin e dallueshëm të leximit të librave shkollore e sidomos të letërsisë artistike botërore të huaj. Studiuesit në përgjithësi nuk i kanë kushtuar kujdes leximit të letërsisë, revistave dhe gazetave në shqip, që ndiqeshin me kureshtje të madhe prej Migjenit, sidomos kur u kthye në Shkodër; për shembull në librin tonë tregohet kopertina e veprës “Historija e Shqipnisë” (1917) të Ndoc Nikajt, që ish lexuar nga Migjeni i porsardhur nga kolegji i Manastirit. Studimi i veprës së Poetit, po të shqyrtohet me vëmendje, do të zbulonte se sa shumë lexonte në shqip, cilat revista e gazeta i ndiqte rregullisht dhe mund të njiheshin edhe shumë të dhëna interesante që mund të përftoheshin prej tyre dhe që kanë lidhje me temat e problemet aktuale që i pat trajtuar estetikisht në krijimet e tij. Këto lexime, siç i përmend edhe A.Pipa në artikullin e parë të tij kushtuar Migjenit, ishin një shkollë tjetër për të jo vetëm për të përsosur gjuhën letrare të shqipes të asaj kohe, por e patën njohur me gjithë problemet e temat kulturore e social-politike, që rriheshin e debatoheshin asaj kohe. Dëshmitë për leximet e Poetit, që i ka zhdukur koha janë një humbje e madhe e pazëvendësueshme për atë vetë, biografinë e krijimtarinë e tij poetike, për Shkodrën dhe për ngjarjet e lajmet e kombit. Me mprehtësinë vrojtuese e ndjeshmërinë e jashtëzakontë, me urtësinë dhe zemrën e madhe, me kërshërinë e tij përgjithshka e rrethonte, sa shumë gjëra interesante nga ato përsiatje, që e përcillnin në leximet e shumta e në përjetimin e dukurive të panumërta të jetës, do të na kish kumtuar e ne do ta kishim njohur, kuptuar e adhuruar më fort e më thellë Poetin, që me pak thoshte shumë dhe si?! . Ja dy vargjet e fundit, që na ka lënë:
Përditë shoh qartë e më qartë
Dhe vuej thellë e ma thellë...
Kanë mbetur vetëm ca copra të pakta shënimesh nga leximet e tij të letërsisë të huaj. Se Migjeni zotëronte disa gjuhë të huaja; ai lexonte e njihte mirë letërsinë franceze, ruse, jugosllave; ai zotëronte edhe gjuhët klasike, greqishten e lashtë e latinishten, gjurmë e fjalë të së cilave gjenden të përdorura me shije të hollë prej tij në krijimet letrare. Në studimet e bibliografitë e migjenologjisë shënohen shumë emra shkrimtarësh të huaj, që kanë qenë lexuar prej tij. Disa syresh kanë qenë: Homeri, Eskili, Sofokliu, Virgjili, D.Aligieri, Servantesi, Shekspiri, Pushkini, Dostojevski, Salltikov-Shçedrini, Leon Tolstoi, Çehovi, Gorki, Majakovski, Gëte, Shiler, Shopenhauer, Kierkegarden, H.Hajne, Niçe, Balzak, D. Didro, V.Hygo, Zola, Bodler, Verlen, Rembo, S.Luis, Kërlezha etj. Materiale e shënime të ditarëve të Migjenit që kanë humbur, mund të dëshmonin për pasurinë e madhe të veprave filozofike, shkencore, teologjike, poetike e letrare, që i dhuruan dije të shumta si për letërsinë e huaj klasike, ashtu edhe për drejtimet kryesore të letërsisë moderne europiane, amerikane e botërore bashkëkohore.
Tek ne janë përmendur jo vetëm emrat e letrarëve të huaj të lexuar prej Migjenit, por disa studiues, janë përpjekur të zbulojnë ndikime të veprave të shkrimtarëve të huaj në krijimtarinë letrare origjinale të Migjenit. Kjo punë është bërë shpesh mjaft keq, sepse ka ngjallur një vorbull të vërtetash e të pavërtetash, hipotezash e denigrimesh, supozimesh plagjiature dhe pohimesh kategorike të gabuara rreth krijimtarisë origjinale të Migjenit dhe leximeve të letërsive të huaja prej tij. Të dëmshme kanë qenë mjaft raste kur janë bërë përpjekje dashamirëse për ta lartësuar artificialisht prestigjin e Migjenit, duke e afruar ose duke e vënë veprën e tij letrare nën ndikimin e autorëve të shquar të rangut botëror e europian. Por vepra e Migjenit nuk ka pasur nevojë për lavdërime të zbrazëta e të pavërteta; i kanë mjaftuar vlerat e shquara, prej të cilave kanë ç‘të mësojnë edhe autorë të tjerë të përmendur. Shkrimtari i mirënjohur rumun N.Moraru është shprehur kështu për Migjenin:”Unë kam qarë, kur lexova Migjenin. Mua nuk më vjen turp të them se qava, por më vjen turp të them që vetëm tani, në moshën 43 vjeç, munda ta njoh këtë poet të mrekullueshëm. Unë uroj që letërsia e re shqiptare të arrijë nivelin e veprave të Naimit dhe të Migjenit”.
Janë përmendur emra, për të cilët muk është dhënë asnjë fakt që të dëshmonte nëse i ka lexuar apo jo Migjeni: Jesenin, M.Crnjanski, Marineti, D’Annuncio, Radovan Zagoviqi, Steven Sremaci, B.Brehti etj. dhe është guxuar të pranohet ndikimi i tyre mbi Poetin tonë. Jo sidokudo, por një Kryetar i LSHASH shkruante se Migjeni “ka qenë ndikuar nga shkrimtarët rusë: Aleksandër Blok, Ivan Bunin, Majakovski”, kurse A.Pipa me objektivitet pohon se Migjeni nuk i ka njohur veprat e këtyre shkrimtarëve rusë, por parapëlqente vepra të letrarëve të tjerë madhorë të po atij vendi. S’ka shkrimtar e kritik vendas që të mos përmendë, për mirë apo për keq, ndikimin e Niçes tek Migjeni. Nuk ka dyshim se Migjeni e pat lexuar Niçen dhe është shprehur për veprën e tij dhe për interpretime të ndryshme të veprave të tij. Por midis atyre që kanë shkruar për këtë problem dallojmë dy grupe kritikësh: nga njëra anë, ata që janë përpjekur t’i përmbahen lutjes së Niçes ndaj lexuesve të tij: “Përpiqi t’i lexoni drejt librat e mia”. Kjo do të thotë se vetë Niçes nuk i pëlqente çdo interpretim i veprave të tij dhe midis tyre dallonte disa të sakta, por vinte re edhe lloj-lloj spekulimesh që nxirreshin prej tyre. Niçe ishte i vetëdijshëm se veprat e tij kanë qenë të vështira për t’i kuptuar drejt; ato ishin ndërtuar me stil letrar, metaforik, mitologjik, larg kategorive e gjuhës specifike të filozofisë e estetikës klasike, prandaj ato linin shteg për interpretime deri të kundërta. Ai i pat ndryshuar pikëpamjet e veta dhe ka braktisur me kohë një pjesë të tyre, të cilat edhe Niçe vetë i pat kundërshtuar duke mbrojtur ide të tjera, të kundërta me të parat. Dhe prandaj pa e njohur mirë e thellë e me objektivitet shkencor veprat e Niçes, nuk mund të kuptohet edhe qëndrimi i Migjenit ndaj tij, edhe kur çmohet pozitivisht se e ka njohur dhe e ka lexuar Niçen, por mirë do t’ishte edhe ndryshimi i thellë i Migjenit, i cili duke kapërcyer interpretimet e tij të para në përgjithësi entuziaste për disa mendime të mendimtarit gjerman, e përcaktoi më drejt qëndrimin e tij të mëparshëm dhe e përshtati me gjuhën artistike, jo vetëm poetike, metaforike, polisemantike, por e ruajti të pastër kuptimin filozofik të figurës niçiane të “mbinjeriut”, duke e ndriçuar me fuqinë e tij ironike figurën e “Mbinjeriut Njeri”. Mund të të pëlqejë, mund të të mos pëlqejë idea migjeniane, por ajo është plazmuar jo vetëm me lëndën mitiko-letrare të librit “Kështu foli Zarathustra”, me stil të magjishëm e ekspresiv, siç kanë qenë ndërtuar profecitë e librave “të shenjtë”, midis të cilave qëndron lart “Parathënia e Parathanieve” e Migjenit..
Në anën tjetër, bashkohet shumica e komentuesve vulgarë, që nisen nga paragjykime, spekulime e thashetheme, që shtrembërojnë kuptimin e vërtetë të ideve të Niçes, dhe që këtej shtrembërojnë edhe qëndrimin e Migjenit ndaj Niçes. Midis tyre spikasin ata, që sajojnë hamendësi vulgare, pa lexuar asgjë nga veprat autentike të Niçes, pa njohur kontradiktat e Niçes me vetveten, pa kujtuar shtrembërimet që historikisht janë kryer kundër veprës së Niçes për qëllime reaksionare, siç vepruan fashistët e nazistët, madje edhe ata ekstremistë injorantë që niseshin nga thashetheme dhe mohonin tërësisht Niçen e veprën e tij, duke ia lehtësuar vetes leximin e vështirë të veprës së tij. Interesant është se edhe në vendin tonë ka pasur kolaboracionistë, të cilët për ta bërë qoftë paksa Migjenin ithtar të miteve fashiste, pa e pyetur autorin,Poetin, për qëllime të ulta ideologjike, i bënë shtojcën “Dityramb Nietzsche-an”, që mungonte në dorëshkrimin e botimit të parë të poemës migjeniane “Trajtat e Mbinjeriut”. Se pa shtojcën “Dytyramb i Nietzsches” merr kuptim më autentik poema në tërësi e Migjenit.
Dua të përmend edhe një temë tjetër leximesh të Migjenit, që në vështrim të cekët duket sikur është vërtetuar katërcipërisht përkatësia e tij brenda një prej drejtimeve kryesore të modernizmit të shek.XX – ekspresionizmit. Nuk ka shumë të dhëna për ndonjë lidhje të veçantë me Kërlezhën, që njihej si një nga përfaqësuesit më të shquar të ekspresionizmit kroat – jugosllav. Eshtë thënë se Migjeni pat lexuar poezi të tij dhe i pëlqente fort. Madje një kritik, që e njihte serbo-kroatishten, ka konstatuar ndonjë titull vjershe apo ndonjë varg a mendim të Kërlezhës që i janë dukur të afërta me ndonjë titull kënge, ndonjë vargu a figure, të pranishme në krijimet poetike të Migjenit. Konstatimi është interesant, madje do të thosha i besueshëm. Prej kohësh e ka mbrojtur këtë hipotezë studiuesi i mirënjohur prof.Ali Aliu. Por nga një afri e tillë është nxjerrë konkluzioni se Migjeni është ekspresionist, ithtar i ekspresionizmit jugosllavo-gjerman, madje përfaqësues i këtij drejtimi estetik të modernizmit europian. Nuk dua ta kundërshtoj këtë pohim, por do të desha ta argumentoja bindshëm se edhe unë kam pasur rast ta quaj Migjenin përfaqësues të një stili të ri, modern, ekspresionist brenda letërsisë shqipe të mesit të viteve ’30; por ky cilësim nuk më ka penguar aspak të çmoi origjinalitetin shqiptar të veprës së Migjenit. Leximi i disa poezive shumë të bukura e të pëlqyera të një poeti madhor si Kërlezha nga një poet tjetër i talentuar si Migjeni, nuk është as ndikim, as imitim, as kopjim, pale plagjiaturë ose vizë për të hyrë në qarkun e ekspresionizmit europian.
Përse jo? Në studimet shqiptare kurrë s’është sqaruar se ç‘përfaqëson në vetvete “imitimi”, që ka ngarkesë polisemantike. Më fort kjo fjalë afrohet si sinonim me “ndikimin letrar”, që ndodh si fakt pozitiv, me dashje ose padashje, dmth ndikimi i veprës të një shkrimtari të madh, të shquar mbi një shkrimtar të ri ose të talentuar. Për shembull, Homeri ka ndikuar Virgjilin, ose Pushkini – Lermotovin, De Rada - Darën e Ri, Naimi – D.Agollin. Edhe kur kemi krijime shumë të bukura dhe të pëlqyera të një poeti të shquar të huaj, që i janë përkthyer mrekullisht në shqip, që i janë shqipëruar, i janë punuar si “nga e para’, gjithsesi nuk i ndryshohet autorësia e origjinës. Për shembull N.Mjeda, S.Malëshova, S.Luarasi kanë dhënë “variantet” e tyre të përkthyera në shqip të poezisë “Mbreti i Tulës”, por autor mbetet Gëteja. Në këtë kuptim asgjë të keqe nuk ka; por këtu fillon një problem: kur ndikimi aktualizohet si imitim, pozitivisht si “Divani” i Gëtes me vargjet e poetëve persianë, të Hafizit, Rumiut dhe për keq, kur spekulohet, duke u barazuar me huazimin, kopjimin, plagjiaturën që janë tjetër gjë.
Çdo poet, artist përfiton diçka nga leximet e autorëve të tjerë, por kur poeti është i talentuar, ai s’ka nevojë të imitojë, të kopjojë të tjerët; në është vërtet i talentuar ai din të jetë origjinal, domethënë krijon risi, që të tjerët nuk i kanë krijuar dhe nuk mund t’i krijonin. Çka përfitohet nga leximet, tek të tillë poetë nuk mbetet “ndikim i jashtëm”, “kopjim”, por shkrihet në përvojën personale e origjinale, shndërrohet në patos i brendshëm i veprave letrare origjinale të frymëzuara, që janë në shumë drejtime të ndryshme cilësisht nga veprat e leximeve. Pikërisht gabimi vjen atëherë kur porsa mësohet se X poet ka lexuar librin e Y poetit, dhe atëhere me kaq, i pari shpallet “imitues” i ndikuar ose nxënës i nënshtruar i Y-lonit. Kështu është proceduar disa herë edhe me vlerësimin e disa krijimeve të veprës së Migjenit.
Por gabime të tilla, s’bën të pranohen edhe për një shkak tjetër edhe më të rëndësishëm, që ka të bëjë me origjinën e kuptimin estetik të konceptit “ekspresivitet”. Ndonjë kritik, kur ka venë re stilema ekspresive në krijime poetike të Migjenit, ka pranuar edhe lexime të disa veprave të Kërlezhës ekspresionist nga Poeti ynë, atëhere ka shpejtuar ta përfshijë Poetin si përfaqësues ose nxënës të eksprsionizmit europian e ballkanik. Por “ekspresiviteti” nuk ka qenë një stilemë, që u zbulua e u përdor për herë të parë vetëm nga ithtarët e ekspresionizmit europian të viteve 1913 –1923. Vetë Migjeni nuk e përmend me emër si term të veçantë termin ekspresionizëm, kur në një rast përmend si drejtime të çmuara moderne romantizmin, simbolizmin dhe impresionizmin. Të tre këto drejtime i rëndit drejt në rrafsh kronologjik nga pikëpamja e rolit të tyre në historinë e artit modern, sepse ato i përkasin shek.XIX, kur u shfaqën si risi, që u kundërqëndronin disa praktikave artistike bashkëkohore— akademizmit, neoklasicizmit, realizmit, ndikimi i të cilave ishte ende i madh edhe në fillim të shek.XX, kur u shfaqën shenjat e para të praktikave artistike ekspresioniste.
Në ato kohë filozofi B. Kroçe e pat shpallur “ekspresivitetin” një tipar qenësor e të përgjithshëm stilistik të artit. Pas tij “ekspresivitetin” e njohu edhe studiuesi W.Voringer (në veprën e tij (“Abstraksioni dhe empathia”, 1911). Por aktualizimi i “ekspresionizmit”,si realitet i modernizmit europian, ndodhi në vitet 1913-1923, kur impresionizmi po shtrihej nga Franca edhe në vendet e tjera europiane, kur tre piktorë – Van Gog, Sezan e Matis krijuan vepra origjinale, që shquheshin për një stil modern, për risi jo vetëm të panjohura më parë, por edhe disi të ndryshëm e të kundërt me stilemat e impresionizmit, që ishte në modë, madje që vazhdonte marrshimin e tij gjithandej, duke u prirë. Edhe ne e kemi pranuar “ekspresivitetin” si një nga kategoritë themelore të estetikës, që ka një shtrirje universale në gjithë historinë e arteve, nga kohët primitive dhe deri në postmodernizmin dhe përtej tij. Po të mungojë ekspresiviteti, mungon ose ekziston i cunguar edhe arti; ai është një nga mënyrat themelore të përvetësimit estetik në art. Ekspresiviteti është veti, cilësi estetike, që i jep artit një fuqi tërheqëse, impresionuese të veçantë. Shumë veti, cilësi estetike qenësore ekspresive që kanë fituar artet gjatë zhvillimit të tyre historik, nuk i kanë munguar artit qysh në zanafillën e tij. Mjafton të kujtojmë varëset e vathët, byzylykët e statuetat, unazat, maskat e tatuazhet, veshjet festive dhe zbukurimet e larmishme të veglave të punës e të luftës të fiseve primitive, që kanë një fuqi të madhe tërheqëse përmes ngarkesës së tyre ekspresive. Ekspresiviteti ka hyrë gati në gjithë llojet e gjinitë e arteve, ndonëse herë është më impresionues, herë më pak,por kurrë nuk i ka munguar artit një fillesë ekspresive.
Por nga kjo që thamë (“ekspresiviteti’ si cilësi universale e artit), nuk barazohet çdo dukuri konkrete ekspresive me ekspresionizmin, me këtë drejtim themelor të modernizmit të shek.XX. Le të kujtojmë disa shprehje poetike në një nga shkrimet më të para të Migjenit – “Të fala nga fshati”, në të cilën Poeti ngazëllimin e pafre dhe dashurinë e sinqertë e nostalgjinë për vendlindjen, Shkodrën,e shpreh me fjalë poetike ekspresive: Dashunoria e shekujve; liqeni andërrimtar me prralla të marra; natyra e veshun në një dekolte pikante;, malet me heshtje qesharake; dhe diellin kushedi sa vjet i moçëm, të sjell drejt perëndimit…). Lexuesi kap ngarkesën ekspresive të shprehjeve, por s’mund të thuhet se me to dëshmohet përkatësia stilistike e Migjenit në ekspresionizmin; është akoma shpejt, sepse këto shprehje më tepër janë një lidhje e karakterit romantik të ekspresivitetit migjenian.
Atëhere ç‘është “ekspresionizmi”? Cilat janë tiparet qensore të këtij drejtimi të modernizmit të shek.XX? Përcaktimi i saktë i ekspresionizmit është i vështirë, sidomos për dy arsye: së pari, sepse ai nuk përbën një drejtim të vetëm artistik, por përmbledh disa grupime e sintagma, tipare të përafërta, që bashkohen, krahas dallimeve të dukshme, në strukturën e çdo varianti të tij dhe që quhen drejtim” ekspresionist”. Ja si përcaktohet në një fjalor Italian të ri ky term: “Ekspresionizmi do të çlirojë shprehjen nga çdo shtrëngim dhe pengesë të gjuhës artistike tradicionale dhe, në përgjithësi, nga çdo konvencion i traditës letrare. Ekspresionizmi është një nga format e shumta të dekadentizmit europian. Në themel të tij qëndrojnë moderniteti, subjektivizmi, individualizmi, irracionalizmi; zgjidhjet e tij stilistike janë analoge me ato të propozuara nga rryma të tjera dekadente (për shembull ,zhdukja e nyjës, e mbiemrit, e zgjedhimit; shkurtimi i fjalisë solli si pasojë një ritëm të shpejtë dhe konciz)”. (Dizionario dei termini della critica”,f.91). Tipare ekspresioniste gjenden edhe te artistë futuristë, surrealistë, kubistë, realistë, natyralistë, postmodernistë etj.
Së dyti, ekspresionizmi në epokën që ishte më i përcaktuar dhe një nga drejtimet më të rëndësishme të modernizmit, ka patur një histori ndryshimesh në tri etapa të ekzistencës zotëruese të tij: a) 1909- 1914; b) 1914-1918 dhe c)1918-1923, madje ka pësuar një evoluim edhe drejt formalizmit, edhe drejt realizmit, madje edhe natyralizmit bashkëkohor.
Siç dihet kjo epokë për Europën ka qenë një periudhë krizash të ashpra sociale, kontradiktash e konfliktesh politike e ushtarake në prag të Luftës së Parë botërore, përleshjes së dy blloqeve të armatosura ndërluftuese fuqish të mëdha me pasoja të rënda e konflikte të brendshme e të jashtme pas Lufte. Kjo situatë përbënte truallin ushqyes të acarimit të konflikteve dhe krizave në marrëdheniet ekonomike, politike dhe ideologjike, që u pasua nga shpërthimi i frymës së dëshpërimit, pesimizmit dhe nihilizmit ekstrem, të pakënaqësisë së përgjithëshme dhe revoltës ndaj sistemit ekzistues shoqëror. Në fushën e kulturës artistike kjo pakënaqësi u shtri edhe në idetë e orientimet estetike të disa drejtimeve, rrymave e shkollave artistike optimiste si kundër impresionizmit, futurizmit. Prandaj, ekspresionizmi doli në skenën e kulturës artistike me pretendimin e krijimit të një arti të ri modern, të angazhuar me qëndrime kritike sociale për përmbysjen e kushteve themelore të ekzistencës së atëhershme njerëzore dhe, njëkohësisht, kundër prirjeve të një optimizmi falco, që fshihte e mbulonte plagët e rënda sociale. Nuk ishte e rastit që anën e ekspresionizmit e simpatizuan shkrimtarë e artistë me potencial të madh krijues, që shpresonin ta vinin mjeshtërinë artistike në dobi qëllimesh të rëndësishme sociale, përmbysjesh e revolucionesh sociale. Krijimet artistike ekspresioniste shquheshin për shpërthime të vrullshme dhe risi të shquara në gjithë fushat e kulturës artistike.
Shumë efikase ishte kritika ndaj formave të sipërfaqshme të bukura impresioniste, që në kushtet e konflikteve, e plagëve të rënda sociale, perceptoheshin si maska që pengonin të zbuloheshin rrënjët e burimet e mjerimit njerëzor. Artistët ekspresionistë nuk i kënaqte platforma estetike e impresionizmit dhe shpreheshin kundër imitimeve natyraliste të mbresave optike, të impresioneve të çastit, momentale e të rastit kryesisht nga pamja e jashtme e objekteve. Ekspresionizmi gjeti kushte të përshtatshme sidomos në vendet e Europës qendrore e jugore, por edhe në vendet ballkanike, që ishin “fuçi baruti” për vatra luftërash gjakderdhëse, të të gjithëve kundër të gjithëve. Në këtë kohë u përhap edhe lëvizja ekspresioniste artistike në Slloveni, Kroaci e Serbi. Gjendja e mjerueshme e pasluftës në Shqipëri vazhdoi të jetë e rëndë edhe gjatë viteve 30, domethënë edhe n’atë kohë kur Migjeni u tregua më i përgatitur për t’u afruar me idetë e majta që qarkullonin në Europë e Ballkan dhe kur parapëlqente krijimtarinë poetike sidomos të Kërlezhës, që ishte prijësi i talentuar i ekspresionizmit jugosllav.
Ekspresionizmi e kundërshtonte qëndrimin disi indiferent, inaktiv,të distancuar nga disa ithtarë impresionistë ndaj objektit të pasqyrimit, që e dobësoi fuqinë përgjithësuese të artit, kurse ekspresionizmi nënkuptonte rritjen e rolit aktiv të artistit që të mos mbetej në një pasqyrim natyralist, të përciptë, fotografik të objektit ; ai nënkuptonte një angazhim serioz social e politik të artistit e liri sa më të madhe për artistin, të cilit i ngarkohej detyra e depërtimit në thelbin e dukurive, duke shmangur ngushtimin, paraqitjen fotografike impresioniste të drejtpërdrejtë të dukurive të jetës e të natyrës, duke kundërshtuar mbivlerësimin e rolit të ndijimeve shqisore optike e akustike të dritës dhe tingujve natyrorë.
Ndonëse nihilizmi ndaj drejtimeve të mëparshme moderne ishte i huaj për Migjenin, ngaqë çmonte fort arritjet e impresionizmit, simbolizmit, romantizmit, pjesët klasike të trashëgimisë së tyre, ai pëlqente edhe disa tipare të ekspresionizmit.
Së pari, Migjeni gjeti në Shqipërinë e viteve ’30 një situatë krize sociale dhe ish i vetëdijshëm për nevojën jo vetëm për ndryshime të thella social-politike, por edhe për risi, drejtime të reja artistike, për të mposhtur konservatorizmin e traditave anakronike, inercinë e tyre retrograde dhe për kultivimin e një ideali modern social-estetik e artistik, i cili qe i lidhur fort me realitetin specifik ballkanik të Shqipërisë. Në ballafaqim me këtë realitet, ai kishte kristalizuar një estetikë origjinale, kombëtare, moderne, një variant të realizmit ekzistencial, që e begatoi me frymë të fuqishme ekspresive. Ja si e ka karakterizuar A.Pipa fllimin e krijimtarisë artistike të Migjenit të asaj kohe:”Migjeni e konsideronte veten si një misionar, detyra e të cilit ishte të shpallë një moralitet të ri për të ardhmen. Për ta krijuar këtë të fundit ishte e nevojshme që të shkatërrohej kulti i idealeve heroike, të shfaqej realiteti social, njëkohësisht të demaskohej demagogjia e regjimit. Vepra e Migjenit i orkestroi këto tema kryesore, duke i ngritur ato nga niveli i gazetarisë në atë të poezisë shoqërore. Origjinaliteti i tij shtrihet në hapjen prej tij të portave të letërsisë shqipe për problemet sociale” Qysh në krijimet e para letrare Migjeni prirej drejt modernitetit europian dhe realizmin e tij ekzistencial e fuqizoi me idetë e tij ekspresioniste. Këtu niste një paralele e krijimtarisë së tij me atë që po lëvronin ekspresionizmi europian dhe variantet e tij bashkëkohore.
Së dyti, qysh me titullin e “Vargjeve të Lira”Migjeni çmonte rolin aktiv të artistit, poetit dhe orijinalitetin, individualitetin e tij krijues, që e shprehu në gjithë procedimet e tij krijuese, në temat e reja dhe në interpretimet e tyre ndryshe nga traditat e vjetëruara, në, strukturat, në përmbajtjen dhe në format e krijimeve të tij letrare. Në vend të distancimit të ndërgjegjes së shkrimtarit nga objekti estetik, që ka qenë nënkuptuar në realizmin tradicional dhe natyralizmin si kusht e premisë e domosdoshme për një pasqyrim me vërtetësi i realitetit, Migjeni, përkundrazi, nuk e fshehte veten, unin e tij, nuk e mbante veten të paanshëm, indiferent e të distancuar, por e përfshinte me vetëdije të plotë veten në gjithë strukturat e lëndës artistike; në praninë e përhershme të syrit, mendjes dhe zemrës së shkrimtarit në gjithë poezitë e tregimeve të tij. Ndërhyrja e tij aktive nuk kish të bënte me didaktizëm e moralizime bajate, manifestohej si patos estetik, si thellësi vrojtimi e përshpjegimi estetik, si vërtetësi artistike e si afesksion për dukuri jetësore që paraqet, si emocionalitet e ngarkesë pasionante. Kjo i bën veprat e tij të kenë figurshmëri e ngarkesë emocinale, intensive e ekstensive, vepruese, misionere, domethënë luftarake. Prandaj, Migjeni paraqitet si autor i një varianti shqiptar ekspresionizmi, ashtu siç përfshihen në kohën tonë, përveç piktorëve të përmendur, që njihen si krijues të ekspresionizmit, si Dostojevski, Hofman, Gogen, Strinberg, Munk, Kafka, Durenmat dhe në fushën e muzikës kanë përfaqësuar këtë drejtim estetik Schonberg dhe A.Berg. Madje, edhe disa krijues që kanë qenë njohur si “romantikë”— Klajst, Hwderlin, Byhner, Kierkegard, Bodler, Rembo,E.Po, Ujtman e Niçe përmenden për disa dukuri të veprave të tyre të ngjashme me modelet artistike të ekspresionizmit. Ky përfaqësim i gjërë e bën edhe më të ndërlikuar kuptimin e ekspresionizmit, ndryshe nga drejtime të tjera moderne, që kanë qenë, më “të kulluara”, më të thjeshta, prandaj e më të qarta në rrafsh teoriko-estetik si impresionizmi, simbolizmi, kubizmi, abstraksionizmi, surrealizmi etj.. Megjithëse shkrimtarët e artistët e përmendur,dhe të tjerë të mëvonshëm, kanë qenë individualitete të shquar, në krijimtarinë e tyre (jo tërësore) kanë kultivuar disa prirje stilistike, të afërta e të ngjashme, që janë pranuar tashmë nga të gjithë si tipare karakteristike qensore të ekspresionizmit.
Edhe Migjeni e pëlqente kritikën ekspresioniste ndaj këtyre teprimeve impresioniste të llojit natyralist, por ai e quante të padrejtë pikpamjen e disa ithtarëve të ekspresionizmit, të cilët këto kufizim i vlerësonin të intonuara te impresionizmi nga realizmi. Migjeni mbante një qëndrim më të moderuar dhe nuk anonte nga nihilizmi, nuk i mohonte shumë vlera të shquara, të përsosura të klasikës së impresionizmit, simbolizmit e romantizmit. Nga ana tjetër, ai nuk pajtohej me identifikimin e realizmit me natyralizmin impresionist; përkundrazi, arritja e vërtetësisë artistike, sipas tij, mund të siguroheshin në bazë të parimeve estetike të realizmit. “Përse, - pyeste Migjeni,- të mos shikojmë, për shembull, prapa simboleve mistike të Muzës së përvuajtur të poetëve simbolistë kërkimin e mjeteve të reja të shprehjes së poezisë, synimin për të mos e përshkruar natyrën e jashtme, por për të depërtuar me guxim në të fshehtën e ndjenjave dhe të mendimeve, në lidhjet e brendshme intime midis botës dhe nesh?” Por, njëkohësisht, Migjeni çmonte disa ide pozitive tek krahu realist i ekspresionizmit, synimin për ripërtritjen novatore të artit, sidomos angazhimin kritik social të ithtarëve të tij.
Ndërsa në vitet ’20-30 një pjesë e ekspresionistëve u shkëputën gradualisht nga platforma e ekspresionizmit klasik, duke anuar nga formalizmi, surrealizmi e abstraksionizmi, një grup tjetër i tyre kaluan në pozitat e një lloj realizmi ekspresionist si piktorët E. Munk, O.Diks, G.Grot, Brehti etj. Në veprat e tyre u demaskuan shëmtimet që sjell me vete rendi i pabarazisë sociale, ndonse ata nuk patën qartësi të plotë rreth burimeve të plagëve të kontradiktave sociale dhe perspektivës së zhvillimit historik; ata shprehën me forcë të madhe ekspresive simpatinë e tyre për njerëzit që vuanin në mjerim, ndonëse mjaft krijime të tyre i përshkonte një hidhërim që nganjëherë merrte përmasat e dëshpërimit pesimist. E.Munk – “Britma” (fotografi ekspresioniste). G.Gros : Zhabat (nga seria “klasa sunduese” dhe O.Diks “Prindërit”). Këtë krah realist e pat parapëlqyer Migjeni dhe në të shihte një përvojë, që ai e përdori në një varg veprash të tij që sillnin frymën e një realizmi ekzistencial realist. Sidomos një nivel të lartë përsosmërie ky orientim i Migjenit gjeti në vepra të tilla si “Poema e Mjerimit”, “Lagja e varfun”, “Kanga e të burgosunit “ etj. Migjeni u kushtonte vëmendje thellimit eskspresionist të kritikës kundër mjerimit e plagëve sociale dhe aktivizimit të risive ekspresive të krijimeve të tij. Ai e quante të rëndësishme që të shmngej në art barazimi i realizmit eksprersiv me natyralizmin vulgar. Kësaj paradigme estetike i është përmbajtur me konsekuencë interpretimi “Poema e mjerimit”, e cila përbën një model të shkëlqyer të fuqisë së realizmit ekzistencial ekspresionist.