Mendime
Kastriot Myftaraj: Censusi i analistëve nga ambasadori Arvizu dhe censori Fatos Lubonja
E premte, 21.10.2011, 07:57 PM
Censusi i analistëve nga ambasadori Arvizu dhe censori Fatos Lubonja
Nga Kastriot MYFTARAJ
Në mes të debatit për censusin e përgjithshëm në vend, ambasadori amerikan Arvizu na bëri dhe një census të një lloji të veçantë, atë të analistëve të medias, duke listuar analistët të cilët ai i ndjek. Nga të gjithë këta, Arvizu veçoi Fatos Lubonjën, të cilin ua rekomandoi fort shqiptarëve që ta lexojnë dhe ta ndjekin në televizion. Ditën e hënë, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, ku tema ishte një aspekt i debatit Topi-Topalli, ai mbi raportin e gegnishtes me gjuhën letrare, u dha një spektakël krejt i jashtëzakonshëm. Fatos Lubonja, në mes të debatit, iu kthye drejtuesit të emisionit dhe i tha se ai nuk ishte dakord me mënyrën se si e kishte ndërtuar ai panelin e të ftuarve, me njerëzit që kishte ftuar në emision. Drejtuesi i emisionit Fevziu, në mënyrën më të çuditshme iu përgjigj se ai të nesërmen do të bënte një emision ku paneli i të ftuarve të përbëhej nga njerëzit që dëshironte Lubonja, i cili do të kishte të drejtë që t’ i përzgjidhte vetë të ftuarit. Lubonja në vazhdim zbuloi prapaskenat e emisionit, duke i thënë Fevziut se ai (Lubonja) nuk kishte qenë dakord as me panelin ekzistues dhe me mburrje shtoi se disa prej të ftuarve ai ia kishte hequr nga paneli paraprakisht. Por, nuk mund të thuhet se paneli nuk ishte i ndërtuar në mënyrë korrekte. Atje kishte nga një përfaqësues të palëve që kishin debatuar, pra të PD (Gent Strazimiri) dhe Presidencës (Afrim Krasniqi), gjë që Lubonjës iu vu në dukje nga drejtuesi i emisionit. Përveç tyre kishte tre analistë, nga të cilët një nga Tirana dhe dy nga Prishtina, për shkak se debati Topi-Topalli kishte prekur një çështje me ndjeshmëri të lartë në hapësirën gjithëshqiptare, siç ishte ajo e standardit të gjuhës shqipe. Pasiqë Lubonjës iu në dukje kjo gjë, ai tha se nuk donte që në panel të kishte militantë. Militant Lubonja quante deputetin e PD, Gent Strazimiri, me të cilin kishte replikuar disa herë duke ia ndërprerë fjalën. Lubonja nuk e quajti militant përfaqësuesin e Presidencës në panel, Afrim Krasniqin, me të cilin nuk pati asnjë problem gjatë krejt debatit. Merret vesh, Lubonja donte që në panel të mos sillej mendimi i të dy palëve në debat. Lubonja shtoi se ai donte që në debat të merrnin pjesë njerëz të moderuar dhe shtoi se Bamir Topi kur kishte qenë në PD pati qenë një njeri i moderuar. Merret vesh, Lubonja donte që në vend të Strazimirit, të ishte ulur në panel ndonjë nga mbështetësit e Topit, i cili do të fliste si Afrim Krasniqi. Pra, Lubonja thjesht kërkonte që të mos kishte debat por emisioni të shndërrohej në një lloj plurimonologu të Bamir Topit, pavarësisht se vetë ky nuk ishte i pranishëm.Lubonja, duke thënë se Bamir Topi kishte qenë një politikan i moderuar në PD nuk bëri gjë tjetër veçse përsëriti mitin politik të krijuar nga media e majtë për Bamir Topin. Media e majtë krijoi mitin se Bamir Topi ishte edhe përfaqësues i ish-pronarëve dhe i ish-të përndjekurve politikë në PD, por edhe politikan i moderuar?! Epo të dy këto gjëra nuk shkojnë bashkë. Nëse një politikan do të jetë përfaqësues i vërtetë dhe i sinqertë i ish-të përndjekurve politikë dhe i ish-pronarëve, ai nuk mund të jetë i moderuar por radikal, nëse nuk është një demoagog mashtrues. Se zgjidhja e çështjes së ish-të përndjekurve politikë dhe të ish-pronarëve, dy shtresa këto që në një masë jo të vogël interferojnë tek njëra-tjetra, kërkon një radikalizëm të ligjshëm politik. Lubonja, qartësisht bëhej nervoz se ai është vënë në shërbim të gjenerimit të mitit politik të Bamir Topit dhe po i prishej loja. Kur Lubonja e kuptoi absurditetin e atyre që po thoshte, ai kërkoi të justifikohet duke thënë se Strazimiri i kishte ndërprerë fjalën dhe nuk e linte të fliste. Në fakt, Strazimiri ia kishte prerë vetëm dy herë fjalën Lubonjës gjatë emisionit, duke i kërkuar që ta citonte në mënyrë korrekte. Lubonja i ishte referuar Strazimirit duke tjetërsuar fjalët që ky i fundit kishte thënë pak më parë. Këtë gjë e vuri re çdo shikues i vëmendshëm. Strazimiri thjesht i kërkoi Lubonjës që t’ i përsëriste fjalët e tij në mënyrë korrekte, çka e nervozoi Lubonjën, i cili iu përgjigj me arrogancë se tjetri nuk duhej që ta ndërpriste. Por është brenda normave të një emisioni televiziv që kur dikush nga të ftuarit e ndërton argumentin e vet duke përdorur si premisë fjalët e tjetërsuara të një tjetri që është i pranishëm, i dëmtuari të kërkojë satisfaksion të atypëratyshëm. Konkretisht, Lubonja u mundua që t’ i paraqiste gjërat sikur Topalli, duke përmendur Haxhi Qamilin, dhe Strazimiri duke e sjellë në emision këtë thënie, kishin fyer muslimanët shqiptarë. Strazimiri ndërhyri duke thënë se ky nuk kishte qenë as mendimi i Topallit dhe as i tiji, dhe se Haxhi Qamili nuk kishte lidhje me muslimanët patriotë shqiptarë, se Haxhi Qamili kishte qenë kundër pavarësisë së Shqipërisë, dhe se për këtë ai mori dënimin e historisë. Ishte e qartë, sa s’ kishte ku të vinte më, se Lubonja po bënte provokatorin në emision, duke tjetërsuar fjalët e përfaqësuesit të njërës prej palëve në debat, atë të PD. Lubonja e vazhdoi provokimin duke kundërshtuar me ton sarkastik dhe thëniet e Strazimirit për Haxhi Qamilin. Lubonja i tha Strazimirit se nga i dinte ai këto, dhe se tani po na bëhej dhe historian. Por vetë Lubonja ka marrë atributet e historianit kur është shprehur kundër vazhdimësisë iliro-shqiptare, kundër Skënderbeut, kundër ekzistencës së kombit shqiptar, duke i quajtur këto si mite historike, me një term të manualit sorosian. Pse Strazimiri nuk paska të drejtë që të shprehet për një çështje kaq të qartë dhe të dokumentuar nga historiografia e afërt, si ajo e Haxhi Qamilit, dhe Lubonja na paska të drejtë që të shprehet për çështje historike si vazhdimësia iliro-shqiptare, apo kundër Skënderbeut? Lubonja në emisionin e ditës së hënë na vërtetoi se cilido që shan Skënderbeun, herët a vonë, do të përfundojë që, për një arsye apo një tjetër, të shfajësojë Haxhi Qamilin. Lubonja, vazhdimisht gjatë debatit televiziv bëri përpjekje brutale që ta devijonte temën e emisionit. Kur i ftuari nga Prishtina, Migjen Kelmendi, po fliste për çështjen margjinalizimit të gegnishtes, Lubonja e ndërpreu me arrogancë duke i thënë se nëse ai mendonte që problemi Veri-Jug e kishte penguar Shqipërinë që të integrohej në Europë, atëherë ishte “out” fare. Këtu ishte dashur që Lubonja të pyetej se, a mos ndoshta ishte çështja e vazhdimësisë iliro-shqiptare, apo Skënderbeu, që po e pengonin Shqipërinë që të integrohej në Europë. Përse Lubonja ka shkruar dhe folur me zell kundër vazhdimësisë iliro-shqiptare, kundër Skënderbeut, kundër ekzistencës së kombit shqiptar, kur shqetësimi i tij na qenka integrimi europian i Shqipërisë? Migjen Kelmendi u mjaftua duke u përgjigjur me ironi se ai nuk do të vinte “out”-a në debat.Në krejt këtë debat televiziv, i vetmi militant ekstremist, ishte vetë Fatos Lubonja, i cili na u shfaq si një militant pro Bamir Topit, për arsye të cilat i di ai. Është interesante se këshilltari i Presidentit, Afrim Krasniqi, nuk u ankua asnjëherë që Lubonja e ndërpriste vazhdimisht atë, se Lubonja e ndërpriste për të artikuluar në terma brutale, ato që Afrimi i thoshte në gjuhë disi të përmbajtur. Kur Afrimi u ankua se Presidenti ishte fyer vazhdimisht nga mazhoranca, Lubonja shpejtoi që të sillte shembuj nga Perëndimi se Presidentët nuk fyheshin dhe këtu përmendi Napoletanon në Itali, i cili ndonëse komunist, nuk është fyer nga Berlusconi. Lubonja kishte komoditetin që paneli nuk ishte në gjendje që t’ i jepte përgjigjet e duhura dhe t’ i thoshte se ku ka në Perëndim një President i cili gjithë ditën e kalon duke bërë intriga politike për të shpërbërë mazhorancën, siç bën Topi, dhe kur ka ndodhur që një President në Perëndim të shtrojë dreka me deputetë të mazhorancës, të cilëve t’ u kërkojë që të formojnë një pakicë bllokuese? Natyrisht se gjuha e përdorur ndaj një Presidenti në Perëndim, nëse ai do të sillej kështu, do të ishte krejt e ndryshme.
Nga debati i ditës së hënë në Tv Klan lind pyetja se përse një të ftuari si Lubonja i jepen atribute dhe privilegje të tilla që ta ndërtojë panelin e të ftuarve siç do, dhe përse ky i ftuar ka arrogancën që të shprehet publikisht para kamerave, se ai ka shpërbërë një panel të ftuarish në debat, dhe se nuk i pëlqen as ai ku merrte pjesë? Ku e gjen Lubonja këtë arrogancë? Për këtë ka vetëm një shpjegim. Jo rastësisht arroganca e Lubonjës në debatet televizive arriti kulmin pasiqë ambasadori amerikan e shpalli atë analistin nr. 1 të medias shqiptare. Rezultati i dukshëm i censusit të analistëve ishte se Lubonja u bë censor publik. Në fund do të them edhe diçka në adresë të një mikut tim me të cilin kam bërë një pakt. Nëse nuk e kupton ai vetë, e kupton i interesuari. Në romanin “Bankieri” të Leslie Waller tregohet një anekdotë. Arkipeshkvi i New York thirri një prift irlandez i cili çdo javë në predikimin e së dielës mallkonte anglezët dhe i tha se nëse nuk do ta bënte këtë gjë, do të shikonte shumë të mira prej tij. Prifti irlandez duroi dy të diela, dhe në predikimin që mbajti të dielën e tretë tha duke rrëfyer për darkën e fundit të Krishtit me Apostujt: Dhe në këtë moment Juda iu drejtua Krishtit duke i thënë në dialektin e pastër të Londrës “Merreni ju lutem këtë biskotë”.