Kulturë
Pilo Zyba: Nënë Gji-lan
E diele, 02.10.2011, 01:50 PM
Pilo Zyba
NËNË GJI – LAN * (GJILAN)
-Dardanisë – baladë -
Ish një nënë e ish një motër,
Shpirtin lumë, flokët ar...
Rendte në shtëpi e votër
Nëna e mbretit Longar.* ( mbreti i pare i Dardanisë)
Kush se di do ta mësojë
Historinë e saj të lashtë...
Nëpër shekuj gojë më gojë
Ç’kish në shpirt e nxirrte jashtë.
Nën Gjilania me dhjetë djem
Me dhjetë trima kordhëtarë...
Nëpër natë gjumë nuk flen,
Xixëllonjë në bjeshkë dhe arë...
Nëpër fushën e Vitisë*
Nëpër lumin e Ibarit,*
Djalit seç i jepte sisë
Dhe blerimin e livadhit.
Nëpër rrjedhen e Moravës* ( lume)
Në Malishevën luginë,
Rrëmbente sytë e valës
Dhe me të e lante gjinë.
Lante gjinë mbushur qumësht
Kthehej dhe i jepte djalit.
Pas të ndiqte veç lirinë
Nëpër gjurmë të vetë kalit.
Hapi saj i madh, i gjatë,
Një në breg, një në lëndinë...
Nëpër gjelbërim dhe flakë
Ndiqte,shkruante historinë.
Nëna ecte, nëna rendte
Djali i etur pinte sisë,
Nëna ecte për të gjetur
Vetë heronjtë e lirisë.
Sisa rridhte dhe pikonte
Hapi shkelte nëpër shpate,
Këtu ngrysej, atje agonte,
Hëna fshehur pas lofate.
Qumshti binte në një arë,
Bëhej pemë, pishë, lis,
Sisë e saj mijra luftëtarë
Kishte mbjellë plis më plis.
Nëpër Agtos* djali pinte ( lume)
Sisën tënde larë me ar,
Nëna vraponte, të vinte,
Dhe të lindte prapë djalë...
Prapë djalë e prapë trim,
Sisë e saj me hënë larë,
Dardania për luftim
Donte djem për shpatë dhe arë.
Sisën lante në një lumë
Në burim me ujë të lehtë,
Dhe me miell bënte brumë
Bukë Dardane veç për djemtë.
Dhe pas nënës mijra gra
Nxirnin sisët, gjokset lanin,
Plot me endërra të mëdha
Ndiqnin pas nënë Gji - lanin.
Vitet iknin, sisët rridhnin
Nëpër troje, nëpër malet,
Arat, fushat rreth i mblidhnin
Që të shtonin luftëtarët.
Gjithë burimet rreth Gjilanit
Malishevës dhe Budigës,* ( fshatra, zona)
Është qumshti i nënë Gjilanit
Mbushur me mushtin e stinës.
Në kto sisë, në kto troje
Piu sisë Idriz Seferi,* ( hero)
Pati shtroje e mbuloje
Që e ruanin nga terri.
Sisë e bukur, kodër hënë,
Ku piu dhe Kadri Zeka,* ( hero)
Me dashurinë që jep çdo nënë
Për liri ka vlerë deka!
Sisë e nënës – manushaqe,
Me aromë, si sumbull vese,
Shuan hakmarrje dhe gjaqe,
Fal të bukurat mëngjese.
Sisë e nënës, sisë e motrës,
Që rrjedh, vjen prej historisë,
Ka brënda peshën e votrës
Dhe lindjen e dashurisë...
Pse trokite sot në portë,
Nënë Gji-lane, ç’tu kujtua,
Qumshtin tënd nëpër aortë
E kanë gjithë vajzat e tua.
Gjithë motrat, gjithë nënat,
Legjendën tënde e dinë,
Ndaj nxjerrin sisën si hëna
Dhe mëkojnë historinë...
Gjakun edhe qumshtin tuaj
Marrin brezave ua çojnë...
Dëshirën të mos e shuaj
Dhe lirinë ta tashëgojnë...
Nënë Gjilane, nënë Dardane
Trima tunde nëpër djepa...
Era fryn dhe asaj ane
Histori këndon në shkrepa...
Sisa jote e argjëndtë
Larë me blerim t’Vitisë...
Mbeti legjendë dhe këngë
Në muze të historisë...