E marte, 18.06.2024, 02:06 PM (GMT+1)

Speciale

Brahim Avdyli: Uniteti i kombit shqiptar dhe përçarja sistematike e tij

E shtune, 01.10.2011, 06:03 PM


Uniteti i kombit shqiptar dhe përçarja sistematike e tij

 

Nga Brahim AVDYLI

 

Periudha pas viteve `90 e këtej dhe thirrjet e padëgjuara për unitetin kombëtar, në vend të divergjecave politike do të jetë edhe objekt i këtij shqyrtimi. Në mërgatën tonë është bërë një presion i pandalur që të depolitizohet struktura e saj organizative dhe të shuajë çdo aktivitet kombëtar, të tërhiqet brenda vetes dhe të mos interesohet për asgjë. Në mos u bëftë tjetër, atëherë le të bëhet njëfarë „festimi“ i ngjarjeve rajonale që janë „mëvetësuar me shumë mund“, pra të vrapojë nëpër rrugë me ordhinë e këtyre festimeve spontane, duke harruar me qëllim mbledhjen e kombit shqiptar për një shtet kombëtar. Kur është fjala për një „organizim më të mirë“ të të gjithë mërgimtarëve tanë në Zvicër, Gjermani apo gjetiu, në rend të parë bëhet fjalë se është nevoja për „të ulur gjakun“ dhe për t’u „qetësuar tërësisht“, pa e thënë që është në pyetje depolitizimi i shqiptarëve në tërësi.

Pa e shqyrtuar a përdoret kjo fjalë me vend apo jo, po e shpjegojmë se depolitizimi i mërgatës nënkupton neutralizimin e saj politik dhe shkarkimin nga interesimet e saj politike në atë shkallë sa të mos instrumentalizohet në asnjë subjekt me qëllime të vogla kombëtare dhe të reagojë ftohtë në raport me gjendjen e krijuar në Atdhe, në Ballkan apo në Botë, pa ndonjë interesim kundrejt çështjes kombëtare. Nuk do mend se pasivizimi i mërgatës do të thotë automatikisht prerje e krahëve të lëvizjes kombëtare gjithëshqiptar dhe izolim tërësor material të saj. Këputja e këmbëve në mërgatën shqiptare, veçanërisht në Zvicër, do të thotë heshtje dhe izolim tërësor të saj. Kjo është një „vetëvrasje“ apo një „vrasje“ mendore dhe shpirtërore e mërgatës sonë, e cila është shumicë në Zvicër dhe në Evropë, që të jetë në gjendje të kryejë veprime në të gjitha pikat e botës ku ndodhet, në dobi të përpjekjes për një rimëkëmbje të përgjithshme kombëtare.

Të jesh jashtë „dy shteteve“, Shqipërisë dhe Kosovës, që i kemi bërë apo që po i bëjmë, do të thotë të mos kesh struktura të mjaftueshme në disa drejtime, për të mos thënë se atyre u ka hyrë „në gjak“ ndjenja private e daljes në të holla dhe e korruptimit, se sa „realizimi i çështjes kombëtare“, gjë që në radhë të parë kjo u ka interesuar armiqve tanë kombëtar që të sistemohen në relacion ndërkombëtar me „shtetet“ që nuk do ti kishin pa shfrytëzimin e faktorit kohë, pa shfrytëzimin e faktorit njerëzor dhe të shqiptarëve, si me shërbëtorët e pavetëdijshëm apo të vetëdijshëm shqipfolës në relacionin ndërkombëtar. Janë pikërisht ata që kanë pasur frikë të madhe nga populli shqiptar se mos i „zgjohet ndërgjegjja“, dhe „t’i shlyejë“ nga hartat politike të kohës këto shtete, sado që thërrisnin për këtë punë mjaft personalitete shqiptare dhe se mos po mobilizohej ai në një lëvizje të vërtetë kombëtare mbarëshqiptare. Këtyre armiqve iu interesonte „lidhja e duarve“ të shqiptarëve me „reformat politike“ për të gjitha shtrirjet administrative të ndarjeve tona dhe mosrealizimi i kombit shqiptar në një shtet nacional me të gjitha potencialet që kishte, si në aspekt të numrit njerëzor, territorit kompakt dhe mundësisë eventuale të mobilizimit të këtyre faktorëve dhe shfrytëzimit të materialeve financiare dhe teknike.

Në radhë të parë, mërgata më e madhe ishte në Zvicër nga tërë Evropa, ku ajo i ka rreth 300.000 banorë; ndërsa 250.000 në Gjermani; 100.000 në Belgjikë e Holandë; 50.000 në Suedi; 80.000 në Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë; 50.000 në Austri; 30.000çeki dhe Sllovaki; 100.000 në Francë; 150.000 në Itali, pa i përfshirë mërgatat më të vjetra shqiptare, si psh. në Turqi, në Rumani, në Bullgari, në Kroaci dhe Slloveni, që numëroheshin disa miliona shqiptarë. Nga kjo pikëpamje e krahasonim më të madhe mërgatën në SHBA, sepse ajo e kishte rolin e madh në politikën botërore, sado që Evropa pothuajse ishte bashkuar.

Duke përfshirë këtu potencialin e vetëdijshëm të mërgatës së Evropës për çështjen kombëtare dhe njerëzore, në radhë të parë të Zvicrës, që bënte ajkën e mërgatës shqiptare në përgjithësi, dhe prezencën afër të strukturave politike botërore, si psh të OKB, KSBE, EU, kjo mërgatë ia „kushtoi“ armiqve tanë kombëtar, Jugosllavisë, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Rusisë „tërë mundin“ që të bëjnë çmos të shpërbëjnë kombin shqiptar në Ballkan dhe për ta lidhur përfundimisht në reformat politike të rajoneve territoriale administrative nga vinin, përmes njerëzve të tyre të shumtë shqipfolës, qoftë vetë „politikanëve“ të shumtë shqiptarë.

Dihet, që në fillim ka dalë „politika e re“ e territoreve të ish-Jugosllavisë me tri reformat: reformat politike, ekonomike dhe sociale, në të cilën ka marrë pjesë edhe pala shqiptare pikërisht me këto çështje, pa e cekur askund në programet e veta zgjidhjen e çështjes nacionale, bashkimin dhe çlirimin e kombit. „E kur shtetet sllave të Ballkanit u pranuan vice versa edhe po konsolidoheshin në shtete, ata e thelluan dhunën ende më shumë ndaj popullit“[1] shqiptar. Ata donin me çdo kusht ta zhduknin dhe ta zhbinin nga trojet e tyre, sikur është në territor të huaj, përderisa ai nuk merrej me çështjen nacionale dhe mbetej të vërtitej andej-këndej nëpër Ballkan, i preokupuar me çështjen njerëzore, sociale dhe demografike.[2] Pra, UDB-ja Jugosllave përçante sistemakisht popullin shqiptar.

Më e gjalla ishte mërgata shqiptare në emigrim, sidomos në Zvicër, prej nga kishte mundësi optimale të aktivizohej, ku i bëhej thirrje për „çështjen kombëtare“ dhe „zgjidhjen e drejtë të saj“, sado këto fjalë i morën për t’i përfolur dhe t’i keqkuptuar ata të cilët ishin të shitur nga partitë politike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të vetë Kosovës Lindore. Prandaj, depolitizimi i mërgatës shqiptare fshehë qëllime antishqiptare të theksuara dhe nënkuptonte çarmatosjen përfundimtare të potencialit fizik shqiptar nëpër botë, i cili, për arsye të emigrimit dhe gjenocidit permanent nacional shekuj me radhë të armiqve tonë kombëtar apo të një politike të gabuar në vitet `90 e këtej të kreut pacifist është shpërndarë kudo nëpër botë, nën një kontingjent të jashtëzakonshëm, madje në Alaskë e Filipine, ndër të cilat më ishin më të hidhëta lajmet në gjuhën shqipe të atyre vendeve.

Ky kontingjent i shkapërderdhur dhe i vënë në letargji të filozofisë së „durimit“ dhe „zgjidhjen paqësore“, apo të luftënxitësve në organizma rajonale të blloqeve administrative, si. psh. UçK e Kosovës, UçPBM, UçK e Maqedonisë,[3] nuk mund t`i dalë në ndihmë çështjes së vet kombëtare. Kjo ka qenë qëllimi i vetëm i faktorit antishqiptarë, në radhë të parë copëtimi rajonal organizativ në raport të ndarjes administrative të ish-Jugosllavisë, dhe padyshim që është armiku më i madh i kombit shqiptar.

Mërgata shqiptare kështu do të jetë heterogjene sa i përket formës së organizimit dhe të mos jetë asnjëherë kompakte dhe e fuqishme për të vepruar ndryshe nga ato që i rekomandohen "nga poshtë", nga „baza“, nga vendet prej të cilave vinin. Rrjedhim logjik i organizimit të ndarë të kombit shqiptar nëpër subjekte të ndryshme politike, që do të thotë se krijohen për të njëjtin problem partitë e shumta nga ndarjet administrative, sipas shtrirjes së kombit shqiptar, përafërsisht për të njëjtat „opsione politike“, dhe regjistrimi legal i tyre pranë zyrave të regjistrimit të ish-Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, si. psh. PD-ja, LKD-ja, PPD, PDSH-ja, PVD-ja në Kosovën Lindore, PVD-ja në Malin e Zi dhe shoqatat atdhetare për çamërinë, etj., është kryekëput një mosunifikim politik për çështjen kombëtare gjithëshqiptare. Kjo vlen me deklarimin “parimor“ të tyre se „nuk ka lëvizje të kufijve“ me dhunë në disfavorin e jetës aktuale të kombit shqiptar në Ballkan, dhe veçanërisht në Konferencës së Londrës mbi ish-Jugosllavisë, në vitin 1992, me çka u „ndanë“ përfundimisht territoret shqiptare në mes Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë, me prezencën e vetë shqiptarëve dhe me pajtimin e pavetëdijshëm të tyre, një politikë që ia rezultoi kombit shqiptar jetën nën pesë shtete, sado që bota si devizë demokratike kishte shtetin integral për një komb të vetëm, që nuk u përmbush në asnjë mënyrë te kombi shqiptar.

Kështu kombit shqiptar po i mbetet „e pazgjidhur“ çështja e tij dhe po ngriten në arenën ndërkombëtare 5 shtete të tjera, të ndërtuara me territoret e përfituara shqiptare dhe mundin e djegur shqiptar për qindra vite më tutje. Kolaboracionistët indirektë me armiqtë kombëtarë i shfrytëzojnë lehtë potencialet e veta në shenjë të shfrytëzimit të mërgatës shqiptare deri në pikë të fundit, veçanërisht në Zvicër, ku ishte kreu i mërgatës shqiptare në Evropë. Dhe, kur ta kërkojë këtë interesi i veçante i tyre, kanë mundësinë për ta pasivizuar atë dhe për t`a zhgënjyer në përpjekjet e tjera, aq sa të mbetet pa vullnet në kërkimin e formave tjera të veprimit.

Paraqitja e „çështjes gjithëshqiptare“ ka ardhur si shprehje e „çështjes kombëtare“ për rajonet e shtrirjes së shqiptarëve për këto njësi, si çështje e Kosovës, me kufijtë e KSA të Kosovës; si çështje të shqiptarëve të Maqedonisë, si çështje të shqiptarëve të Kosovës Lindore; si çështje të shqiptarëve të Malit të Zi, të gjitha këto çështje nga territori i ish-Jugosllavisë, pa e futur në këtë organizim çështjen e çamërisë, se lere më të Shqipërisë, që në radhë të parë e ka „rrëzimin“ përfundimtar të „komunizmit“ në këtë rajon, që dërgoi disa herë në përleshjet e PD me ithtarët e PS dhe „rivendosjen e demokracisë“, duke e lënë njëherë e përgjithmonë „bashkimin e shqiptarëve me Shqipërinë“. Pra, automatikisht, çështja gjithëshqiptare nuk vie në shprehje të zgjidhet. Më parë janë „zgjidhjet“ përfundimtare të regjimit „komunist“ të Shqipërisë dhe të „pajtimit“ apo të „rivendosjes së demokracisë“ në kohën më kritike për Kosovën. Këtu vinë shprehjet „Evropa nuk lejon bashkimin“ e shqiptarëve, se „KSBE-ja dhe Helsinku janë kundër ndërrimit të kufijve me dhunë“, dhe se „BE-ja nuk lejon luftë në trollin e vet.“[4] Kështu „Kosova është për t’u pavarësuar nga Serbia, është për shtet sovran, neutral dhe të pavarur“.[5] Atëherë, lufta për çlirimin e Kosovës hoqi dorë nga Kosova me të gjitha viset shqiptare në Jugosllavi, që në programin e tyre e kishte LPK-ja dhe LKçK-ja, por nuk e kishte partia më e madhe e këtij rajoni, LDK-ja dhe partitë satelite të saj, si psh. PSHDK-ja. „Organizimi i dobët politik solli ndarjen edhe të formave të tjera politike e shtetërore. Mbi këtë u organizuan referendumet dhe zgjedhjet e veçanta, një për shqiptarët në Kosovën e ngushtë, një për ata në shtetin maqedon, një për shqiptarët në Kosovën lindore dhe, krejtësisht tjetër për ata nën Mal të Zi“.[6] Territori që ishte më parë „më i pandarë“ në ish-Jugosllavi u vu në shërbim të këtyre shteteve sllave, si psh. Serbisë, Maqedonisë (FYROM) dhe Malit të Zi, të cilat bënin çmos për të shkatërruar popullin shqiptar në këtë zonë.

Është e vërtetë se puna kryesore zhvillohet në Atdhe, por të mos harrojmë se puna më e madhe është në kulturë. Aty ku jeton populli shqiptar, mundësojnë që të bëhet puna me kulturën, në radhë të parë. Autorët dhe përfaqësuesit e kësaj linje burgosen e dënohen në mënyre të paskrupullt. Kulturës kombëtare të këtyre trevave u nevojitet një territor i lirë, pa përkufizime e ndalime politike, pa burgosje dhe dënime të përhershme të tyre. Në saje të punës së tyre, me gjithë dënimet e paskrupullta, ata e kishin mbajtur gjallë trashëgiminë kombëtare, historinë e kombit tonë në shekuj me radhë për liri. Në raport me këtë vinë shkencat ushtarake dhe shkencat politike. Teoricienët e këtyre shkencave thonë se nuk ka rregulla fikse. Ato janë disiplinat më befasuese që zhvillohen e ndryshojnë në raport me shumë faktorë të parashikuar e të paparashikuar. Pikërisht në saje të kësaj arrijnë të janë shkenca dhe të sjellin risi në përpjekjen e popujve për mbijetesë, për përparim të përgjithshëm. Sado i „dijshëm“ të merret populli shqiptar i këtyre trevave, që ka jetuar shekuj me radhë i papajtuar dhe në konfrontim të përhershëm me „komunizmin“ serbo-maqedono-malazez apo me „socializmin vetëqeverisës“, u hutua nga përpjekja e reformimit „demokratik“, duke harruar çështjen kombëtare. Edhe mërgata shqiptare ka qenë kryesisht e manipuluar, e përçarë, e hutuar, veçanërisht kur i është imponuar ndërrimi i ngjyrave politike në skenat rajonale, sipas ndarjeve gjeografike të shteteve nga kanë ardhur. Duke u ndihmuar „të pavarësohen“, nuk e ka parë se kështu po ua bënte shërbimin më të madh kombëtar armiqve dhe nuk është përfshirë për zgjidhjen e drejtë të çështjes gjithëshqiptare, pra nuk ka mundur të shohë dhe të mbrojë integritetin territorial të tokave të veta autoktone shqiptare dhe as të zhvillojë vetadministrimin për të gjitha shtrirjet gjeografike, sado që ua kemi thënë këtë punë, madje në një intervistë të veçantë në Shqipëri.[7] Mënyra e organizimit të mërgatës përgjithësisht e në veçanti kësaj zvicerane, nëpër degë e nëndegë partiake të partive të ndarjeve gjeografike të armiqve tanë kombëtarë; nëpër qindra shoqata mërgimtarësh; nëpër qindra klane, grupacione e miniorganizmash, nëpër shtrirjen gjeografike të Evropës dhe të Amerikës, e ka penguar mjaft krijimin adekuat të shqiptarëve dhe ka pamundësuar zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ky organizim i mërgatës shqiptare ka polarizuar në kontradikta të dukshme dhe ka pasivizuar një pjesë jo të vogël të mërgimtarëve duke i zhgënjyer në përditshmëritë politike gjithëshqiptare.

Me gjithë se janë bërë përpjekje të caktuara për zgjidhjen e çështjes kombëtare, ne nuk kemi arritur që të realizojmë aspiratat kombëtare. Ky potencial fizik, njerëzor, intelektual e patriotik është shkapërderdhur në një strukturë të ngarkuar organizative të mërgatës sonë në degë e nëndegë partish rajonale dhe një mori miniorganizmash tjera. Në vijë e tillë e organizimit me qëllime „të njëanshme partiake“ është themeluar „Lidhja Shqiptare në Botë“, me vëllezërit Kuzhnini nga Zagrebi, që është paraqitur me emrin e dytë në gjuhën angleze „Albanian World Federation“, që do të thotë „Federata Botërore Shqiptare“, dhe ia ka zënë rrugën krijimit të „federatës gjithëshqiptare“, duke mos më lënë të flasë.

Puna nën një platformë mbarëshqiptare do të thotë që edhe mërgimtarët shqiptarë, pra në Zvicër, të tejkalojnë pengesat e brendshme dhe kontradiktat të çfarëdo natyre. Kemi gëzuar një shtet të vogël, Shqipërinë, por ajo ka mbetur gjallë nëpër shekuj; kemi nxjerrë Kosovën si shtet të dytë shqiptar, nëpër njëmijë vuajtjet tona; është ruajtur vet, Maqedonia, përkundër luftës sonë kohëshkurtër; ndërsa Mali i Zi dhe Kosova Lindore nuk kanë lëshuar asnjë milimetër, për të mos thënë se çamëria ka mbetur e varfër prej popullatës shqiptare të saj. Të gjitha këto mbijetojnë nën polarizimet politike e partiake, nën polarizimet rajonale dhe fetare, nga problemet e shumta sociale e qytetare. Rrugën drejt lirisë, barazisë, përparimit dhe unitetit kombëtar e kemi pasur pjesërisht të hapur, respektivisht, në raport gjithëshqiptare e kemi të mbyllur tërësisht, në pjesën e saj kryesore, me dorën tonë si popull. Ndër të gjitha këto shtete kemi një varg çështjesh të tjera.

Krahas këtyre vie organizimi i mërgatës shqiptare në Evropë, sidomos në Zvicër. Është folur e shkruar mjaft për një riorganizim të mërgatës, në të dy anët kontradiktor të të njëjtit segment dhe në një formë për depolitizimin dhe mobilizimin, sikurse për lobin si në Amerikë, i njëjtë me „Lobin shqiptaro-amerikan“, ku shqiptarët vijnë në instancat e larta shtetërore duke folur më mirë anglisht se amerikanët, e ndonjë fjalë e kanë ruajtur shqip, gjë që do të thotë se Lobi i ndihmon asimilimit të shqiptarëve në vendet ku ndodhen dhe nuk e zgjidhë çështjen tonë gjithëkombëtare. Organizimi kësisoj në mërgatën shqiptare në Zvicër i ka polarizuar mërgimtarët tanë dhe ka pasivizuar një pjesë jo të vogël të tyre, nga të cilët më së shumti ka të zhgënjyer nga përditshmëria politike. Shkalla e organizimit në mërgatë varet nga forma adekuate e organizimit. Shprehja e mundësive vjen nga mënyra e veprimit tonë si kolektivitet në drejtim të zgjidhjes graduale të çështjes kombëtare. E kam potencuar disa herë se një organizim çfarë e kemi pasur deri sot, pengon kultivimin e një klime të punës mbarëshqiptare. Mënyra e derisotme e organizimit ka dëmtuar rëndë unitetin tonë të brendshëm dhe ka instrumentalizuar njëanshmëritë politike.

Turma e të rinjve tanë në mërgatën shqiptare në Perëndim ka marrë një shkollim të shumëfishtë në universitet e vendit në të cilin jetojnë ata, me një tërheqje të sforcuar drejtë asimilimit gjuhësor dhe në drejtim të politikës shtetërore. Në këto vende vie në shprehje ngritja e shumëfishtë e numrit të lokaleve, të restoranteve, të klubeve të natës dhe masmediave të shumta të financuara indirekt nga dora e armiqve tanë. Ato bëjnë punën shkatërruese, krahas muzikës së shumëllojshme, që rininë e sjellin në letargji të përgjithshme. Depolitizimi, nuk ka fakte të tjera që duhet të përfillen…



[1]Muhamet Kelmendi, Realiteti dhe perspektivat e çështjes kombëtare, „Zëri i Kosovës“, Zvicër, 1996.

[2] Shih: Dr. Hivzi Islamit, Kosova dhe shqiptarët/çështje demografike, Pena, Prishtinë, 1990.

[3] Shih: Ushtria çlimtare e Kosovës/Dokumente dhe artikuj, „Zëri i Kosovës“, Aarau/CH, shkurt 1998; „Ushtima e maleve“, Gazetë e pavarur e Kosovës Lindore, 2000-2001; Mair Iseni, Zhvillimet në Maqedoni dhe lindja e Ushtrisë çlirimtare Kombëtare, çabej, Tetovë 2002.

[4] Muhamet Kelmendi, vep. e cit., f. 15.

[5] Gazeta „Rilindja“, maj-shtator 1995.

[6] M. Kelmendi, po aty, f. 40.

[7] „Një popull që nuk di të mbrojë me xhelozi të drejtat e veta, historia i bëhet njerkë dhe e harron përgjithmonë“, Intervistë me veprimtarin e çështjes Kombëtare dhe poetin nga Kosova, z Brahim Avdyli, ASD, Tiranë, 12 dhjetor dhe 15 dhjetor 1995.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ryzhdi Baloku: Miku i mirë shihet në ditë të vështira Ilmi Veliu: Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve dhe Kërcovarët janë pasardhës të fisit Ilir - Penestët Aristotel Mici: Presidenti Washington dhe Revolucioni Amerikan Fotaq Andrea: Zoja e Këshillit të Mirë - Pajtore e Shqipërisë Klajd Kapinova: Kontributi i elementit dhe klerit katolik për atdhedashuninë Qerim Rexhaj: Prekazi i Harruar i Burimit Avzi Mustafa: 8 Shtatori - Dita Ndërkombëtare Kundër Analfabetizmit Fotaq Andrea: Shqiptari, ky sizif - Fat tragjik në mbijetesë shekullore Avzi Mustafa: Organizimi i shkollës shqipe në Maqedoni 1945-1990 Fotaq Andrea: Shqipëria në NATO, një kontribut me zanafillë të lashtë Ilmi Veliu: Kronistët dhe historianët osmanë japin të dhëna të pamohueshme se Skënderbeu ishte shqiptar Fotaq Andrea: Festa e luleve për Skënderbeun Avzi Mustafa: Përpjekjet e Josif Bagerit për gjuhën dhe shkollën shqipe Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja atdhetare në Anamoravë dhe poeti Beqir Musliu Hilmi Saraçi: Dehumanizimi, egërsia dhe barbaria serbe kundër shqiptarëve Hazir Shala: Jubileu 2400-vjeçar i shtetit ilir të Bardhylit - Identiteti historik ilirik Ilia S. Karanxha: Zonja e Shkodrës - Histori Arbërore në themelet e Rilindjes Evropiane Avzi Mustafa: Disa shënime të mësuesit bullgar për Tetovën me rrethinë Ilia S. Karanxha: Shkodra dhe lufta e Perëndive (1478/1479) Ryzhdi Baloku: Si u dëbua familja Bakalli nga Peja në tokat e Anadollit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora