E premte, 27.12.2024, 02:53 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Kalosh Çeliku: Nata e madhe dhe dita e nesërme nën Rrap në Shkup

E diele, 02.10.2011, 02:00 PM


 

NATA E MADHE DHE DITA E NESËRME
NËN RRAP NË SHKUP

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Rrapi për të 14 herë me radhë i tuboi zogjtë e tij shtegtarë. Edhe erdhën nga të katër anët: nga malet, fusha e qielli. Erdhi dallëndyshja e parë, bilbili këngëtar dhe lejleku mbi çati. Edhe si gjithmonë për çdo vjet ia thanë këngës. I kënduan verës me vapë që iku dhe vjeshtës me gjethe të verdha në Shkup. Degë më degë ndërtuan edhe çerdhe. E kaluan Natën e Madhe nën Rrap me poezi dhe këngë deri në agim. E përcollën Verën dhe e pritën Vjeshtën. Mëngjesin e gëdhirë degë më degë.

Natën strehoheshin nën Rrap e ditën fluturonin maleve. Edhe mbi Liqe fluturuan krah për krahu me gjithë këngë. Shkupin, edhe kësaj radhe e pushtuan në gjumë. Dritaret ende pa zbritur Dielli maleve ia hapën krah më krah. Edhe derën e madhe rrëzë Kalasë Dardane. Hënën e ulën në sofër këmbëkryq. Edhe i kënduan: “Ulu mal të dalë Hëna”!

Pano Taçi erdhi nga Tirana me poezi të egra. Gani Xhafolli nga Prishtina me 33 dashnore. Dhe, me një libër të ri me poezi: Dashuria sillet rreth Lotit. Dhimitër Pojanaku nga Poradeci me “Plakat”. Vetëmse, jo me ato Plakat që i ngriu Marsi me gjithë dhenë. “Plakat” e Marsit, që i kërkoi Prillit “tri ditë hua, t’i shuaj Plakat me gjithë çka ka”. Po, “Plakat” që Natën e Madhe e shndërruan në Nuse. Krushqit e sollën e Doruntinën nga pas shtatë maleve larg dhe e zbritën nga koçia me këngë e valle në mes të Lëmës. Ia hoqën duvakun, e ulën nën Rrap.

Erdhën, po kush nuk erdhi Natën e Madhe nën Rrap, qoftë Verë, qoftë Dimër. Erdhi Hëna. Erdhi Dielli me rreze. Erdhën: Bardhyl Maliqi nga Saranda. Dashnor Selimi me Spiro Xhavarën e Arqile Gjatën nga Athina. Na munguan gjatë këtyre Dy Netëve e Tri Ditëve poetike miqtë Iliaz Bobaj e Kosta Valetas nga Lesbosi. Nuk i ndali në rrugë kufiri politik as Marjana Shkurtin me Tomorrin nga Poradaci. Ilir Shyta erdhi me Poetin e Liqenit: “Lasgush Poradeci biografi e arsyetuar”. Miku dhe Mikja e Rrapit i armatosi deri në dhëmbë me poezi. Armët i varën nëpër degë dhe lexuan poezi deri në agim. Kujtime Kica erdhi me një kujtim dhe mallë nën sjetull. Burhanedin Xhemaili me Nazmi Beqirin nga “Jehona e Karadakut” me “Doruntinën. Delvina Kërluku përmes Grykës së Radikës me “Altarin”. Radije Hoxha – Dija me “Gjeniun…” nga Prishtina. Elena Prenxhova me Sllagjana Atanasovën nga Shkupi. Remzi Salihu me Rami Kamberin nga Sharri Plak. Seida Beganoviq me “Shtëpinë e  kaltërt”, Fadil Curri me “Adem Kastratin”.  Rexhep Bajrami nga Haraqina me librin me poezi: “Thashë: është Hënë”. Rrahim Ganiu me “Homerin”. Bujar Plloshtani me Hënën e tij: Jetmire Velii…

Edhe kantautori Ferid Abdiu erdhi nga Kërçova. Bilbili, që këndon verë e dimër për çdo vjet degë më degë e lis më lis. E përcollën me poezi e këngë Verën dhe e pritën Vjeshtën. Dhe, i dalin me poezi e këngë para Dimrit.

Natën e Madhe u bë edhe Portreti letrar i Gani Xhafollit – Miku i Rrapit. Mbretit të Poezisë me 33 princesha, që nuk do të bëhet president shteti. Fjalë miradije për këtë poet rrebel folën miqtë e tij poetë: Kujtime Kica, Pandeli Koçi, Dashnor Selimi, Fadil Curri, Mustafa Spahiu, Rrahim Ganiu… Edhe, papritmas dolën te lirika e dashurisë, Sofra e Rrapit: Lirika erotike që e mbajti gjallë një popull… Hodhën hapat poetik mbi Urën e Gurit për të kaluar Vardarin. Liqeni i Ohërit, matanë maleve të Kërçovës i priste në breg: Sazan Golikun, Bardhyl Maliqin, Kujtime Kicën, Fadil Currin, Rrahim Ganiun… Pano Taçi me “Dimrin …” e tij mbi shpinë kishte hipur në varkën e Noes. Notonte përmes dallgëve  për në Çukë, t’i shpëtoj poetët nga Përmbytja e madhe, ku edhe u bë përurimi i revistë letrare “STILI 97. Libri “ALTAR” i Delvina Kërlukut me poezi. Dhe, libri me reçensione i Ramzi Salihut: Largimi nga izolimi.

Pasmesnate, u ndanë edhe çmimet letrare. Juria profesionale: Kujtime Kica, Rami Kamberi dhe Kalosh Çeliku i ndanë edhe këto çmime letrare: për poezi më të bukur lexuar gjatë këtij Takimi nën Rrap - Dhimitër Pijanakut, për vepër erotike botuar gjatë dy takimeve - Gani Xhafollit dhe për vepër jetësore Pano Taçit. Dhe, dy çmimeve të tjera speciale me pretendim që në të ardhmen të bëhen tradiconale: Mikja e Rrapit, Mariana Shkurtit dhe Miku i Rrapit Pandeli Koçit.

Në fund, u shtruan edhe shtambat me verë nga organizatori (LSHSHM -së) për shpirtin poetik të Mikes së Rrapit - Shane Muda, që para pak kohe papritmas fluturoi në qiell nga mesi ynë Takime nën Rrap. Poeten e Burgut politik, që gjatë Luftës së 2001-shit të UÇK-së në IRJ të Maqedonisë erdhi në Shkup me autobusin me targë TR plot me poetë, bashkë me Xhevahir Spahiun, Zyhdi Moravën, Iliriana Sulkuqin,  Pano Taçin, Natasha Lako,  Skënder Rusi,  Mirela Sula, Sadik Bejko, Faruk Myrtaj,   Milianov Kallupi, Entela Safeti, Qazim Shemaj, Jorgo Papingji e Visar Zhitin dhe lexuam poezi e kënduam këngë gjithë natën para tytave të tankeve…



(Vota: 91 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora