E shtune, 21.12.2024, 12:39 PM (GMT)

Mendime

Vasilika Zotaj-Asllani: Jozefina, Atifetja dhe Servetja

E diele, 18.09.2011, 03:56 PM


Jozefina, Atifetja dhe Servetja

 

Nga Vasilika Zotaj-Asllani

 

Jozefina Topallin dhe Atifete Jahjagën i njohim të gjithë, ndërsa Serveten e gjorë jo, deri sa dikush që e lexon kronikën e zezë, në një kënd, andej nga qoshja lexon në pak rreshta se e kishin vrarë.

 

Vrasja e saj kaloi pothuajse në heshtje, e sfumuar nga një tjetër vrasje, nga ajo e një gjyqtari në detyrë. Servetja e gjorë nuk ishte gjyqtare, ajo ndoshta ishte askushi, por jo për fëmijët e saj. Për ta ajo ishte Zoti. Se Zoti, ngase nuk mund të ishte gjithkund, krijoi nënat.

 

Këtyre fëmijëve ua vranë nënën, ua vranë dashurinë, ua vranë të ardhmen. Nuk mendoj se mund të ketë një fatkeqësi më të madhe për një fëmijë se kjo që u ka ndodhur këtyre fëmijëve. Dhe, ai, përbindëshi me fytyrë njeriu, me cinizëm të pashoq, deklaron se “nuk po e duroja më, aq më shumë se më prishi edhe një vazo me lule”! (Janë fjalët e tij të thëna hetuesve, pas arrestimit).

 

Vrasësi ishte ish-burri i saj, i cili edhe pse i divorcuar, me mentalitetin e një shpellari, e konsideron gruan si plaçkë të tijën, që edhe pse të ndarë, përsëri është dhe do të mbetet e tij.

 

Kjo nuk është vrasja e parë e këtij lloji që ndodh ndër shqiptarë.

 

Kemi dëgjuar për burra që vrasin bashkëshortet e tyre, se përkrahin fëmijët në qëndrimet e tyre, për baballarë që vrasin vajzat e tyre, se e jetojnë jetën ndryshe nga si e mendojnë ata.

 

Kemi dëgjuar dhe ç'nuk kemi dëgjuar, por nuk kemi dëgjuar një qëndrim nga këto gra të suksesshme për çfarë po ndodh me fatin e këtyre grave. E kam fjalën për Jozefinën dhe për Atifeten.

 

E kemi parë Atifeten të orientuar saktë nga këshilltarët e saj meshkuj, të mbrojë vlerat e luftës, të kujdeset me kompetencat që i jep Kushtetuta, për FSK-në dhe për simbolet e saj, ta rrisë performancën e saj, jo vetë në gardërobë, por edhe në qëndrim edhe në të artikuluar, por kurrë të flasë njëherë për gratë dhe për të drejtat e tyre.

 

Ajo u zgjodh presidente pikërisht se ishte Atifete, dhe jo Atifet ose Aqif. Pra, pikërisht se ishte grua, dhe për këtë fakt të rëndësishëm në karrierën e saj politike duhet t’i jetë mirënjohëse komunitetit prej të cilit vjen.

 

Ndërsa, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në fillimet e saj ka qenë më aktive dhe më e spikatur në drejtim të ngritjes së zërit ndaj problemeve të grave.

 

Kujtojmë këtu takimet që ka zhvilluar nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë për sensibilizimin e sëmundjeve aktuale, si kanceri i gjirit dhe ai i mitrës, si dhe tubimet e ndryshme për të dënuar dhunën sistematike që ushtrohet ndaj grave.

 

Kjo ndodh sepse ajo vjen nga një përvojë e gjatë politike, dhe me intuitën e një politikaneje e kupton që gjithë ky angazhim ndaj grave dhe problemeve që në vazhdimësi e ka shoqëruar komunitetin e tyre, në fund të fundit, konvertohet në votë.

 

Por, lufta e ashpër politike që zhvillohet brenda një partie politike, ka bërë që vëmendja e saj më shumë sesa te gratë të fokusohet te pushteti dhe problemet që ka ai në përgjithësi.

 

Flitet për një kandidim të mundshëm të saj për presidente të Shqipërisë, pas përfundimit të mandatit të Bamir Topit, vitin që vjen. Do të ndodhë apo jo, këtë do të presim dhe të shohim, duke ditur se koniunkturat politike ndryshojnë në varësi të zhvillimeve politike lokale dhe globale.

 

Por, në qoftë se do të ndodhë vërtet, do të jetë një lajm i mirë për ne. Në dy shtete shqiptare, dy gra presidente. Sa mirë, jo vetëm për imazh, por sa më shumë gra në karrierë, aq më pak gra të vrara, të dhunuara, të trafikuara do të ketë.

 

Dhe, emrin e grave të tjera si Servetja nuk do ta lexojmë më në rubrikën e kronikës së zezë, por që kjo të ndodhë, gratë si Jozefina dhe Atifetja, dhe shumë gra të tjera të suksesshme në politikë, në art, në afarizëm dhe kudo duhet të jenë zëri i atyre grave që për shkak të rrethanave nuk mund të flasin.

 

Për Serveten nuk u organizuan homazhe, nuk u shkruan artikuj pa fund në gazeta, nuk u organizuan emisione televizive, as nuk u prononcua ambasadori amerikan në Shqipëri, Arvizu. Dhe, nëse doni që shpirti i saj të gjejë paksa prehjen aq shumë të munguar në këtë botë, kujdesuni për dy engjëjt e saj, për Eraldin 12-vjeçar dhe Erjonën 6-vjeçare.

 

(Autorja është anëtare e Kryesisë së AAK-së)



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora