E shtune, 21.12.2024, 03:03 PM (GMT)

Faleminderit

Besi Bekteshi: Migjeni si mësues dhe trajtimi i tij nga institucionet deri në fund të jetës!

E marte, 13.09.2011, 06:15 PM


Migjeni si mësues dhe trajtimi i tij nga institucionet deri në fund të jetës!

 

Nga Besi Bekteshi

 

Të mësuar me historitë e dikurshme të modelit propagandë në kohët e diktaturës, mbi trajtimin e Migjenit në arsim, dhe akoma më vonë në shkuarjen e tij në Torino, është krijuar një ide disi jo e drejtë mbi figurën dhe të vërtetën normale. Padyshim koha e sotme, sidomos në prirjet e saj për t’ju larguar ideologjisë, por edhe pasionit të nxehtë mbi lartësitë e tilla letrare, janë edhe elementët që duhet të drejtojnë studimin e figurës së letrarit ndoshta më të talentuar të kohës së tij në Shqipëri. Pikërisht asaj figure të guximshme, e cila pastaj është bërë gati e pa imitueshme në konceptet e letërsisë,

 

që zgjedh dhe trajton problematika të rëndësishme të kohës. Normalisht që Arkivi i Muzeut të Shkodrës, ka edhe modelet autentikë të dokumenteve të Migjenit, sidomos të letrave mbi punën në arsim. Patjetër aty janë si dokumentet e punës në Vrakë, por edhe në Pukë. Si fillim është për tu sqaruar, se Millosh Gjergj Nikolla në Vrakë ka qenë si zëve. kryemësues dhe kishte të drejtat e një “Nëndrejtori” po të themi në krahasim me sot. Në dokumentin origjinal që mban datën 13/5/1933, dhe i firmosur nga Kryeministri Pandeli Evangjeli, dhe i kundërfirmosur nga Ministri i Arsimit, Marash Ivanaj urdhërohet: Z. Millosh Nikolla, emnohet mësues në katundin Vrakë, të Shkodrës me rrogën mujore fr, ar 160. Pra Migjeni është emëruar mësues nga vetë kryeministri i qeverisë së Zogut, dhe është paguar që në fillim me një pagë rreth 20 franga më shumë se bie fjala Lin Çurçia edhe ai i emëruar po atë kohë në Mirditë. Shkresa në fjalë, mban numrin 874, dhe është zyrtarisht e vulosur dhe firmosur nga titullari arsimit në qeverinë e Ahmet Zogut. Mirëpo përpara kësaj, është një shkresë e Inspektorisë së Arsimit të Shkodrës, që i drejtohet për miratim dhe ka numrin (nr-59XXIII), ku Inspektori i Arsimit në Shkodër zoti Gjerga, kërkon të aprovohet edhe vendimi në fjalë. Por këtu për Migjenin kemi disa sqarime të rëndësishme. Në shkresë thuhet: Z. Millosh Nikolla asht emnue Zëv. Kryemësues dhe datëfillim i tij asht me 27/4/1933. Ky ka kryer shkollën Teologjike dhe jo Normalen, si gabimisht kemi lajmnue me telin e këtueshëm.....

Pra është e qartë se Migjeni nuk ka një shkollë të mirëfilltë mësuesie, por ka disa veçori të tjera, që e bëjnë të rëndësishëm sidomos për shkollën e Vrakës. Në arkiv, është edhe letra ose dokumenti i rëndësishëm me numër 59/XV i emërimit zyrtar të vetë Milloshit, nga Inspektori i Arsimit Dhimitër Gjerga ku thuhet:  Z. e Juej emnoheni Zav.Kryemësues në shkollën mikste të Vrakës. Por më poshtë, ka edhe një urdhër për Kryemësuesin e Vrakës ku thuhet: Programi në veprim, do të jetë krejt programi Shtetnuer, e mësimi i Serbishtes, lejohet për tash pesë orë në javë. Madje vërtetohet edhe urdhri për Komunën e Vrakës që t’ju jap ndihmën e nevojshme. Pra kemi emërimin si Zëv.Kryemësues të Migjenit, dhe kjo është edhe arsyeja pse paga është më e lartë se zakonisht 130-140 franga, që kishin mësuesit dhe padyshim dhënia e Serbishtes si lëndë, gjuhë të cilën Migjeni e kishte qartësisht të shkruar dhe të folur, por edhe të studiuar në arsimimin e tij. Akoma më shumë, vërteton se qeveria e atëhershme lejonte gjuhën e minoritetit serbo-malazes në Vrakë.

Në Arkivin e Muzeut të Shkodrës, ka me dhjetëra korrespondenca të Zëv Kryemësuesit Millosh Nikolla, për shumë kërkesa, emërime, relacione dhe të tjera që vërtetojnë qartësisht plotësimin e detyrës së ngarkuar me një skrupoluzitet të madh, por dhe respekt të jashtëzakonshëm të letrarit të madh edhe në rolin e mësuesit. Më pas Migjeni ka pasur një kalim në Pukë, dhe pikërisht për këtë kohë, ka dokumente rilevantë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës. Në dokumentet në fjalë, ka qindra kërkesa të ndryshme të firmosura nga Migjeni, ka raporte të ndryshëm mbi gjendjen e nxënësve dhe mësuesve, por edhe të organizimeve të ndryshme. Duke qenë se ai ishte në qendrën e Pukës, pra në rolin e Kryemësuesit, merret vesh shumë nga korrespondenca se ai ka informuar me një respekt të veçantë Shkodrën për nevojat e mëdha në drejtim të arsimit. Në një prej shkresave të tij me numër 27/I, drejtuar Inspetorisë së Arsimit, Kryemësuesi Millosh Nikolla shkruan: Gjegje shkresës nr 114/2 dt. 31/3/37. Të nandët shkollat e këtij rrethi, kanë nevojë për flamur. Sa për “fëtyrën të Nalt Madhnisë”, janë të plotësueme.  Patjetër Migjeni ishte njeriu që merrej me organizimin e arsimit në Pukë, dhe e drejtonte në mënyrë të saktë, dhe pa asnjë lëshim pikërisht këtë detyrë.

Të gjitha shkresat e tij shumica me shkrim dore, por me vulë dhe firmë të qartë zyrtare, janë një dëshmi e marrëdhënieve të sakta dhe zyrtare me Inspektorinë e Shkodrës, dhe patjetër Migjeni ishte një nga zyrtarët e përkushtuar të arsimit në atë kohë.

Në Arkiv ndodhen edhe shkresat e fundit të punësimit të tij si Kryemësues në Pukë, që lidhen me shtrimin e tij në një spital të Torinos. Është një letër e Ministrisë së  Arsimit dhe pikërisht Sekretarit të Përgjithshëm e datës 9/3/1938 dhe me numër 984/5 që vërteton: Z. Millosh Nikolla, mësues në Pukë, e tash i shtruar në Senatoriumin G. Opera Pia të Torinos, i jepen 3 muej leje, tue fillue prej 15 mars e tue i mbarue në 15 qershuer të këtij viti, për arsye shëndetsore të justifikueme me raport mjeksuer. Poshtë vjen edhe urdhëri i Ministrit të Arsimit, por akoma më poshtë i jepet urdhëri “Llogarisë” që “rrogat ti lëshohen rregullisht”. E gjitha kjo, i dërgohet si urdhër Inspektorisë së Shkodrës, dhe kështu është vepruar edhe pse kjo Inspektori, ka qenë disi në errësirë të shtrimit të Migjenit në Torino. Ka edhe një shkresë tjetër të zgjatjes së lejes, duke qenë se Ministria Arsimit, merrte kontakte nga Konsullata e Mbretërisë në Torino, dhe numri i saj është 984/3 që shtyn lejen deri me 30/6/38, dhe madje i lutet Z, Konsull në Torino të pranojë nderimet e kësaj Ministrie. Nuk harrohet që në shkresë të përmendet edhe vazhdimi i rrogës.

Shkresa e fundit e Ministrisë është lajmërimi që kjo Ministri i bën Inspektorisë së Shkodrës. Shkresa në fjalë, mban numrin 984/9 dhe thotë: Si mbas njoftimit që na jep Konsullata e Mbretnisë Shqiptare në Torino (Itali), Ju sillet ne dije se z. Millosh Nikolla, mësues në shkollën e Pukës, që ndodhej me leje jashtë shtetit, ka vdekun me datë 26 gusht 1938 në Komunën Tore Pellice. Me ketë datë  të priten marrëdhëniet financiare me këtë Ministri. Në fund është firma dhe vula e Ministrit të kohës.

Ka pastaj edhe një dorëshkrim që kurrë nuk u përfundua me dorën e Migjenit. Ajo është një fletë tashmë e zverdhur e cila fillon me: Ministrisë s’Arsimit Tiranë dhe vazhdon “I nënshkruemi Millosh Nikolla, Kryemësues në Pukë, i lutem asaj P.T. Ministrie për sa vijon. Me që më 15-të muajt vazhdues mbaron leje që... dhe letra nuk vazhdon më. Nuk dihet në se ka pasur fuqi të shkruaj më, apo në se nuk ka pasur nevojë që të përfundojë atë letër, e cila presupozohet të jetë një kërkesë për tashmë sëmundjen e gjatë të tij. Është një nga letrat e cila sigurisht tregon tragjizmin e poetit të jashtëzakonshëm, të fillim shekullit 20-të në Shqipëri. Gjithsesi normalisht që sot është e rëndësishme të shikohet më qartë në shkresat e origjinalit në arkiv për figurën e madhe të Migjenit edhe si studim, të cilat nuk kanë nevojë për kurrfarë interpretimi letrar, as politik, dhe për më tepër ideologjik.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora